***
Sulmi i drejtorit të Postës dhe Telekomit të Kosovës nga dy policë të shërbimit policor të Kosovës është kryekëput banditesk, i frikshëm dhe tmerrësisht barbar. Pra, shteti mafioz dhe rrjedhimisht qytetarët e shkretë, ca qenie me fate të mjera. Nuk ka asnjë arsyetim të shëndoshë e njerëzor mbi dhunën si akt. Për më shumë se kaq. Ky akt si i tillë shtron shumë pikëpyetje mbi rendin, sundimin e ligjit dhe kontrolluesit e saj. Ngase buron nga shtëpia e sigurisë. Nga shtëpia e rregullit. Po kujt ja ndien për këto gjëra? Qytetarët e Republikës së Kosovës trulluese, kanë kohë që janë mishëruar me traumën, me të ligën, me të shëmtuarën dhe me të padrejtën. Nuk ka asnjë rrugë shpëtimtare drejt një dite të zakonshme. Ngase natyrshëm, nuk ka asgjë të zakonshme. Çdo ditë prodhon një fenomen shqetësues. Nuk ka më as ku dreqin të besojmë. Tek asnjë autoritet. Tek asnjë kushtetutë. Tek asnjë kuvend. Tek asnjë parti. Tek asnjë lider. Tek asnjë gjykatë. Tek asnjë mut. Republika e frikshme e Kosovës është një territor që legjitimon banditizmin. Që e përdhosë njeriun normal. Pikë. Dhe si e tillë shtrohet pyetja nëse vërtet është e jetueshme? Dhe nëse nuk është atëherë pse dreqin vazhdojmë të rrimë këtu? Ngase ky është një ndëshkim? Apo një lojë? Apo një tokë e interesave të ngushta politike? Apo një shpirtngushtësi politike? Një kuti e fëlliqur politike? Një xhungël politike? Një metafizikë e pakuptueshme politike? Një dilemë politike? Pra e gjithë kjo situatë pa shpresë që ofendon dijen, trupin, mendjen dhe dinjitetin tonë buron nga Politikanët (Jam lodhur duke thënë, pa asnjë përjashtim). Dhe si të tillë duhet që të mos i duroni. Të mos merreni me ta. Të mos e mbështesni asnjërin prej tyre. Duhet që të mos flisni për ta. Të mos dilni në votime. Të mos këndoni këngë për ta. Të mos i përshëndesni. Të mos ju buzëqeshni kur sillen mirë me ne. Ngase ka ditë kur na gjunjëzohen e bash atëherë mos i shihni në sy. Duhet ta dini. Ata gjithë çfarë kanë e kanë për shkak nesh. Ata janë hajdutë. Janë të pashkolluar. Nuk i durojnë librat. Ata që lexojnë libra, prishen me miqtë. Nuk dinë asgjë mbi poezinë, ata që dinë mbi poezinë e adhurojnë gjakun. Kanë vetura të shtrenjta. Hanë mirë. Nuk janë të izoluar. Bëjnë dashuri më kë të duan. Kanë të ardhme. Kanë biznese të majme. Nuk guxon askush t’i kundërshtojë. Njihen mirë me njëri tjetrin. Është një komunitet që ndajnë të mirat e tyre. Kalojnë nga njëri subjekt politik tek tjetri. Sepse janë të pafytyrë. Janë infantilë. Nuk kanë qëndrime. Nuk kanë koqe. Janë njerëz të inatit. Të likuidimeve. Me muskuj. Ata mund të më rrahin flakaresha kur të duan dhe ku të duan. Nuk mund t’ua kthej. Por ama mund të mos i pranoj. Thjesht njëherë e mirë duhet t’i refuzojmë.
Unë jam i pari. Dhe ky është refuzim ndaj kapitalizmit politik. Një refuzim për të pranuar atdheun, i tillë çfarë është. Që të han të papjekur. Që të luan mendtë dhe të hedh në koshin e fundit të njerëzillëkut.
***
Kur ndodhi lufta unë isha dymbëdhjetëvjeçar. Sapo kisha nisur të masturboja. Sapo kisha nisur të ndjeja kënaqësinë e trupit dhe plumbat ishin kudo. Frika ishte kudo. Ushtarët serb ishin kudo. Si fëmijë isha luftëtar. Kisha nisur të piqesha në luftë. Unë jam pjekur në luftë. Pra jam bir i saj. Secila qenie njerëzore kosovare që ka jetuar qoftë vetëm një ditë lufte në periudhën e tetëdhjetës dhe nëntëdhjetës ka qenë luftëtar. Të gjithë kemi luftuar. Si fëmijë kam luftuar kur kam parë policin serb në sy. Kam luftuar me sy nëse ju president, ju kryeministër, ju zotëri polic keni luftuar me pushkë. Kam luftuar duke qarë përderisa kam parë automatikun futur në gojën e babait tim. Apo derisa kam parë kondakët e pushkëve serbe mbi supet e grave. Kam luftuar duke përjetësuar gjithçka në mendje. Sot kam kujtesën mbi luftën. Ju nuk keni asgjë. Ju keni përfitimet tuaja. Ju keni fituar çdo gjë në këmbim të ditëve të juaja të lavdishme (në këmbim të atyre ditëve unë sall dua të jetoj i qetë prej jush). Dhe kjo është e ulët. Aspak moderuese dhe e turpshme. Edhe këtë duhet ta themi. Sot kam dinjitet para miqve të mi serb dhe nuk kam asnjë ndjenjë qytetarie përballë jush. Jam kulturalisht fitues dhe asnjëherë agresor. Ju politikisht jeni triumfues por keni dalur të jeni agresorë. Dhe kjo nuk është mirë për intelektin tuaj dhe për qytetarët tuaj që trajtohen si kafshë kudo që shkojnë por ama juve nuk jua ndien. Ju nuk jeni kujdesur aq sa duhet për veten tuaj dhe fatkeqësisht për imazhin tonë por ama juve nuk jua ndien. Nuk e keni respektuar veten dhe nuk e keni respektuar punën tonë të ndershme por ama juve bash nuk ju ha kari. Por kjo nuk është e rëndësishme. Sall jeni turrur pas përfitimit të juaj personal dhe kjo i ka dhënë fund kuptimit dhe ditëve tuaja të bardha. Qytetari juaj nuk ju respekton. Ata kanë frikë nga ju. Sikurse edhe unë. Kam frikë nga ju. Nga mirësia juaj. Nga prania juaj. Nga vështrimet tuaja. Jeni të verbër politikisht. Dhe politikisht e keni dhier. Të gjithë ju jeni një përmbledhje e padijes*. Dhe si të tillë jeni forcë. Por kjo nuk do të thotë që ne nuk e dimë. Dhe përderisa e dimë të paktën ndjejmë se nuk jemi braktisur nga vetja.
___________
*sipas Roberto Bolanos.