Connect with us

Hi, what are you looking for?

Uncategorized

Reforma zgjedhore dhe dëmi i shkaktuar prej listave të hapura

Çështja e reformës zgjedhore është një temë e nxehtë që shfaqet hera-herës, qoftë në Shqipëri e qoftë në Kosovë, dhe ngjall gjithmonë debat të ashpër sepse përzgjedhja e njërit apo tjetrit sistem zgjedhor është një ndër vendimet më të rëndësishme institucionale në një sistem demokratik. Ndryshimi i sistemit zgjedhor ka një ndikim të thellë tek jeta politike e një vendi duke sjellë ndryshime të ndjeshme prej sistemit partiak, organizimit të fushatave e deri tek mënyra e qeverisjes, formimi i koalicioneve apo kultura politike. Sistemet zgjedhore dhe variacionet e tyre janë të shumta dhe padyshim nuk ka një sistem zgjedhor magjik me efekt panacea që është i aplikueshëm kudo por ka prioritete politike të një shoqërie, të cilat një sistem i adreson më mirë apo më keq. Të tilla prioritete shoqërore që adresohen nga reforma zgjedhore variojnë prej nivelit të konkurrencës, proporcionalitetit të votës, legjitimitetit të rezultatit, ndershmërisë së procesit zgjedhor, lehtësisë së organizimit, stabilitetit të mazhorancës që vjen pas tyre etj.

Shqipëria ka një sistem proporcional rajonal me lista të mbyllura, ndërsa Kosova ka një sistem zgjedhor proporcional kombëtar me lista të hapura, por ndërkohë shqetësimet janë të njëjta për publikun, lufta kundër korrupsionit dhe paligjshmërisë si dhe qarkullimi i elitave duke futur figura të reja në politikë që janë të papërlyer. Kohëve të fundit në Shqipëri është hedhur ideja e përdorimit të listave të hapura të votimit si një mënyrë për të përmirësuar cilësinë e deputetëve dhe për të ndëshkuar deputetët e korruptuar. Në Kosovë listat e hapura janë përdorur që në zgjedhjet parlamentare të vitit 2007, por nuk besohet se kanë realizuar dy qëllimet dashamire për të cilën po propozohet në Shqipëri. Megjithatë edhe në Kosovë vazhdohet të besohet se listat e hapura garantojnë më shumë demokraci dhe konkurrencë.

Për shumë persona ekziston iluzioni se lista e hapur ul korrupsionin meqenëse hamendësohet se krijohet një lidhje e drejtpërdrejtë mes votës dhe politikanit; kështu që votuesit kanë mundësi ta ndëshkojnë një politikan për korrupsion apo ta shpërblejnë për ndershmëri. Mirëpo analiza të shumta krahasimore kanë dëshmuar që ky dimensioni i pretenduar i llogaridhënies personale të listave të hapura nuk ka ndonjë efekt domethënës në parandalimin e korrupsionit ndërkohë që është demonstruar shpesh se nevoja për të siguruar vota personale dhe pasur një fushatë individuale në kuadër të listave të hapura çon në korrupsion të shumëfishtë.

Në proporcionalin me lista të hapura, përveç garës ndërpartiake merr jetë edhe gara brenda partisë dhe duke qenë se votat personale janë të domosdoshme për karrierën e një politikani atëherë kandidati detyrohet të bëjë një fushatë personale paralele me partinë. Një fushatë personale në Kosovë mund të shkojë lirisht me një kosto disa dhjetëra mijëra euro dhe nevoja e financimit të kësaj fushate bën që shumë politikanë të orientohen drejt korrupsionit, allishverisheve si dhe ujdive të pandershme për të siguruar votat. Përveç shtysës së shpenzimeve të fushatës, incentiv tjetër për korrupsion është edhe nevoja për të krijuar, kultivuar e mobilizuar një elektorat personal nëpërmjet klientelizmit, nepotizmit dhe patronazhit. Pra deputetët kalojnë një pjesë të mirë të kohës duke u angazhuar për simpatizantët e tyre personalë duke siguruar vende pune për ta, bursa, tenderë, subvencione, investime infrastrukturore etj. Rasti i sistemit zgjedhor italian para vitit 1994 përdoret si ilustrimi më flagrant i këtyre tendencave korruptive, të shkaktuara prej sistemit proporcional kombëtar me lista të hapura. Ka madje studime që kanë hyrë edhe me në hollësi të impaktit dhe që vënë në dukje se vendet që kanë sisteme elektorale me lista të hapura; kanë deficite më të larta buxhetore dhe ineficiencë më të madhe në shpenzime publike, pasi aktorët politikë e shpërdorojnë buxhetin për fushatat e tyre personale elektorale.

Një tjetër dimension i tretë korruptiv i listave të hapura lidhet me korrupsionin elektoral dhe me faktin që kandidatët në lista të hapura kanë një incentiv personal të blejnë ose vjedhin vota në procesin zgjedhor. Pra ky sistem favorizon ata kandidatë të dyshimtë të cilët kanë njëfarë rrjeti kriminal personal, kanë një tendencëqë të shkelin ligjin dhe gëzojnë imunitet prej ligjit. Këta të fundit duke dashur të sigurojnë më shumë vota për veten që të dalin deputetë me iniciativën dhe burimet e tyre individuale janë shkaktarët kryesorë të parregullsive zgjedhore. Kjo është thikë me dy tehe, sepse votat këta i shtojnë jo vetëm duke
blerë apo vjedhur për partinë (fletë votimi ku shënojnë veten tek lista e kandidatëve të partisë së tyre) por edhe duke vjedhur brenda partisë prej votave të kandidatëve të tjerë. Sikurse u pa edhe në zgjedhjet parlamentare kosovare shumica e parregullsive të denoncuara nga kandidatë të ndryshëm ishin për grabitje votash brenda listës së të njëjtës parti. Kjo gjë lë të kuptohet se mbyllja e listave do ta përsosë më tutje integritetin e procesit zgjedhor, duke eliminuar një ndër motivet kryesore shkaktare të parregullsive, interesin e drejtpërdrejtë të kandidatit për të vjedhur vota. Nëse mbyllen listat zgjedhore, të njëjtit kandidatë nuk do e kenë të njëjtën shtysë pra leverdi që të blejnë a vjedhin vota për partinë e tyre se shanset që ato vota të siguruara në mënyrë të paligjshme të kontribuojnë drejtpërdrejtë në zgjedhjen e tyre deputet është minimal.

Kur flitet për integritetin dhe legjitimitetit të procesit zgjedhor që është një shqetësim në mbarë trojet shqiptare, sa herë bëhen zgjedhje, duhet theksuar se listat e hapura e komplikojnë akoma më shumë procesin zgjedhor dhe lënë më shumë hapësirë për manipulime, shpërdorime apo fletë të pavlefshme. Afërmendsh fletëvotimi në rastin e listës së mbyllur është shumë më i thjeshtë ndërkohë që me listën e hapur ndërlikohet se përveç partisë duhet dhënë (ose numëruar) vota edhe për kandidatët. Nuk është rastësi që në zgjedhjet parlamentare të Kosovës të vitit 2004 me lista të mbyllura numri i fletëvotimeve të pavlefshme ishte 17 006 ose 2.5% të totalit të votave të hedhura ndërsa në zgjedhjet e para me lista të mbyllura të viti 2007 qe 56,863 apo 9% të totalit.

Në Shqipëri një situatë të ngjashme të garimit jo vetëm me logon e partisë por edhe me forcën e kandidatit e krijon aplikimi i sistemit proporcionali rajonal aktualisht. Partitë e vogla vendosin biznesmenë apo kriminelë të pasur që të bëjnë fushatat e tyre individuale në zona të ndryshme duke shpresuar që me para, presion e lidhje të mbledhin vota që partia nuk i ka. Ndërsa partitë e mëdha i vendosin këta individë në listat e tyre të mbyllura në renditjet kritike të kontestuara në mënyrë që t’i motivojnë të angazhohen për të siguruar vota për partinë e madhe në mënyrë që partia të marrë mjaftueshëm vota sa lista e deputetëve të jetë mjaftueshëm e madhe sa t’i përfshijë edhe ata. Parlamenti i fundit i Shqipërisë ka pasur aq dimension të lartë kriminalizimi sa është dashur që të hiqen shumë mandate deputetësh dhe të bëhej një ligj dekriminalizimi dhe ky fakt është para të gjithash një “dhuratë” prej sistemit zgjedhor që vumë në vitin 2009.

Po ashtu duhet thënë se nevoja për mbajtjen e një elektorati personal, jo vetëm nxit krijimin e këtij korrupsioni politik personal të patronazhi, por edhe dëmton rëndë cilësinë dhe efikasitetin e legjislativit, pra të politikës qendrore. Deputetët duke dashur që të rizgjidhen, kalojnë kohë duke u marrë me votuesit apo zonat e tyre të votave në vend që të merren me çështje të legjislativit, programit të partisë apo reformave të vendit. Pra shkakton një devijim të burimeve dhe energjive prej çështjeve qendrore politike drejt çështjeve personale apo lokale duke dublifikuar veprimtarinë e pushteti vendor. Faktikisht Kosova është pararojë në rajonin tonë për decentralizimin prandaj është e kotë që deputetët të merren me çështje lokale të krahinave nga vijnë apo lokacioneve ku kanë vota, ndërkohë që autoriteti për këto çështje lokale është pothuaj i gjithi në dorë të komunës.

Në këtë pjesë të analizës vlen të ndalemi në një tjetër konsideratë të rëndësishme për cilësinë e politikës që tërthorazi lidhet sërish me korrupsionin. Një ndër impaktet kryesore të ndryshimit të një sistemi është tek struktura dhe mënyra e veprimit të partive politike. Një sistem me lista të hapura, ngjashëm me atë mazhoritar me vendin të ndarë në distrikte zgjedhore ekzistojnë incentiva të forta për partitë që të orientohen drejt reputacionit personal të kandidatëve të partisë më shumë sesa nga dimensioni programor. Kjo gjë shpjegon deri diku edhe tendencën e tepruar për ta mbajtur debatin politik në nivelin e përbaltjeve personale më shumë sesa me përmbajtje. Neglizhimi i debateve programore apo ideore dhe fokusimi tek çështjet personale në politik shërben edhe për rritjen e nivelit të tensionit, të hatërmbetjeve apo frustrimeve personale që dëmton stabilitetin dhe harxhon energji të kota në përplasje egosh dhe ambiciesh të individëve. Në kushtet e listave të mbyllura dimensioni personal i kandidatëve shkon në hije dhe merr rol dytësor dhe më shumë vëmendje ka për të zënë dimensioni programor, debati ideor, alternativa përmbajtjesore, propozimet e politikave apo reformave. Pra jo vetëm që pushteti qendror dhe legjislativi merr vëmendjen që meriton e nuk ngatërrohet me agjendat lokale personale të deputetëve që përpiqen të sigurojnë vota për emrin e tyre. Debati politik në nivel qendror gjithashtu emancipohet dhe zhvendoset nga përplasja e personaliteteve të ndryshme tek konkurrimi mes vizioneve dhe programeve të ndryshme.

Një tjetër argument i përdorur dendur sot nëpër botë kundër listave të hapura është se ato janë të dëmshme për përfshirjen në politikë të femrave madje kjo gjë është vënë re edhe në vende si Norvegjia e jo më në shoqëri patriarkale si jona. Në rastin e Kosovës ekzistojnë kuotat për të kompensuar pafuqinë e femrave për të bërë fushata personale dhe për të ruajtur votat personale. Mirëpo mospërputhja e madhe e votave mes deputetëve femra dhe atyre meshkuj si pasojë e diskriminimit pozitiv bën që kauza e femrave të bjerë në sy keq ndërkohë që ky siklet shmanget nëse kuota zbatohet në lista të mbyllura. E njëjta gjë vlen deri diku edhe me deputetët meshkuj, dallimi i numrit të votave mes liderit apo figurave kryesore dhe kandidatëve të listës që mezi ia dalin të bëhen deputet është jashtëzakonisht i madh, duke lënë gjithashtu një shije të keqe. Pra hipotetikisht është e mundur që më i votuari i një liste të hapur të bëhet deputet me mbi 100 mijë vota dhe i fundit kandidat të marrë vetëm disa qindra vota dhe të ketë një diferencë prej vetëm dy tre votash nga kandidati vijues.

Kur vjen fjala tek prioriteti tjetër i shoqërisë shqiptare, qarkullimi dhe ripërtëritja e elitave, listat e hapura jo vetëm që nuk kontribuojnë në këtë aspekt, por përkundrazi. Në shumicën e rasteve ato e pengojnë qarkullimin e elitave dhe dëmtojnë diversitetin e kandidatëve, duke e bërë të vështirë për partitë tradicionale që të përfshijnë figura të reja, aktivistë të shoqërisë civile, ekspertë, teknicienë apo përfaqësues të segmenteve të tjera të shoqërisë. Kjo pasi lojtarët e vjetër të partisë falë lidhjeve tradicionale partiake dhe imazhit publik e kanë një avantazh të krahasuar për sa i përket marrëdhënies me simpatizantët dhe anëtarësinë e partisë e për rrjedhojë e kanë më të lehtë që t’i mundin e t’i mbajnë jashtë loje. Shpesh i nxjerrin nga loja këta kandidatë të rinj edhe nëpërmjet goditjeve të ulëta duke shfrytëzuar lidhjet që kanë me komisionerët e partisë në terren për të keqnumëruar votat e marra brenda partisë nga të
sapoardhurit. Është e vështirë që të mundësohet një gjithpërfshirje sa më e plotë dhe e shumëllojshme e profileve të deputetëve. Një lider partiak për të mirën e partisë së tij qoftë kur është në opozitë e qoftë kur është në qeverisje, dëshiron të ketë një përfaqësim sa më të gjerë edhe nga segmente alternative të shoqërisë si për shembull ekspertë të disa fushave si ekonomia apo jurisprudenca, deputetë që i përkasin grupimeve fetare jo-shumicë, përfaqësim më të drejtë krahinor apo moshor. Me lista të mbyllura bëhet më e lehtë përfshirja dhe promovimi i kuadrove të rinj nëpërmjet vendosjes në pozicione fituese në listë. Për ta sqaruar këtë tendencë mjafton të shikohet dimensioni shpesh krahinor që merr lidershipi apo grupi parlamentar i partive shqiptare që vjen prej faktit se kandidatët që kanë prejardhjen nga krahinat, ku partia e tyre nuk ka shumë vota nuk kanë gjasa të marrin mjaftueshëm vota për të avancuar në karrierën e tyre brenda partisë.

Një tjetër argument që përdoret në favor të listave të hapura është se ato u japin liri votuesve të zgjedhin se kush duhet të dalë apo jo deputet dhe jo lidershipit. Mirëpo ka studime që demonstrojnë statistikisht se pozicionimi në vendet e para të listës së hapur jep një avantazh të ndjeshëm, sepse shumica e simpatizantëve të një partie nuk i njohin të gjithë kandidatët e partisë por i bien shkurt dhe thjesht zgjedhin të votojnë liderin dhe emrat e parë. Përpos kësaj liderët partiakë mund të influencojnë rezultatin e zgjedhjeve dhe eliminojnë disidentët apo rivalët partiakë, duke udhëzuar strukturat partiake se cilët kandidatë të votojnë nga lista e kandidatëve e cilët jo duke eliminuar lehtësisht disidencën apo konkurrencën brenda partisë. Për rrjedhojë në këtë aspekt listat e hapura nuk duhen parë si të përsosura.

Në listat e mbyllura figurat e larta të partisë që rivalizojnë liderin apo drejtojnë një fraksion politik e kanë të qartë nëse do hyjnë apo jo në parlament në bazë të renditjes, nëse janë pjesë e numrave fitues apo atyre që janë të pasigurt. Nëse mendojnë se nuk marrin atë pozicionim në listën e mbyllur që u takon atëherë këto fraksione drejtohen drejt shkëputjes dhe krijojnë formacione të reja politike edhe rreziku kryesor i shtimit të kontrollit të liderit të partisë nëpërmjetvendosjes së renditjes së kandidatëve në listën e mbyllur mund të minimizohet dhe baraspeshohet nga kërcënimi i shkëputjes apo skizmës nga partia të fraksioneve apo klaneve, që janë të pakënaqur me renditjen në pjesën fituese të listës së mbyllur. Kjo do të thotë që në rast se vendoset që Kosova të kthehet tek listat e mbyllura të zgjedhjeve elektorale të vitit 2004, kjo lëvizje duhet të shoqërohet automatikisht edhe me kthimin tek pragu i mëparshëm prej 3% si dhe tek një prag natyror për kandidatët e pavarur në mënyrë që pragu i ulët të shërbejë si valvul sigurese për tendencat autokratike të lidershipit të partive. Nevoja për uljen e pragut është një temë gjithashtu e komplikuar që meriton një analizë të ngjashme më vete me këtë të listën.

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.