Connect with us

Hi, what are you looking for?

Opinion

Diskriminimi i personave me aftësi të kufizuar, problem shoqëror e institucional

Ilustrimi: Big Eye

Trajtimi joadekuat i personave me aftësi të kufizuar vazhdon të mbetet problem institucional në Kosovë. Një ndër rastet e fundit ka përfshirë një vajzë me autizëm në shkollën fillore “Elena Gjika” në Prishtinë. Vajza ishte larguar nga personeli i shkollës dhe pas vlerësimit nga ekipi i Komunës, sipas procedurave legale, e njëjta është referuar që t’i ndjekë mësimet në Qendrën Burimore “Përparimi”, (qendra këto që kanë për qëllim organizimin e programeve shkollore për fëmijët me dëmtime të rënda), duke u siguruar se në fund të vitit do të bëhet një rivlerësim nga ky institucion për rikthimin e saj potencial në shkollë të rregullt.

Ndonëse një herë nxënësja është larguar nga shkolla, pak ditë me vonë, përkatësisht pas inspektimit të zyrtarëve të Ministrisë së Arsimit, në koordinim edhe me shkollën në fjalë dhe prindin, është vendosur që nxënësja të rikthehet dhe ta vijojë mësimin në shkollën Elena Gjika.

Në Kosovë janë të pakta të dhënat e sakta mbi gjendjen dhe numrin e fëmijëve me aftësi të kufizuar. Ende nuk ka vlerësime të rregullta, sistematike, periodike dhe profesionale të kësaj kategorie.

Vetëm një numër i vogël i fëmijëve me aftësi të kufizuar janë të përfshirë në procesin arsimor. Sipas një vlerësimi të realizuar nga UNICEF-i, nga 43.000 fëmijë me aftësi të kufizuar, vetëm 5,300 e tyre vijojnë mësimin në shkolla publike të rregullta në Kosovë, ndërkaq rreth 38 mijë të tjerë kanë mbetur jashtë sistemit arsimor. Shumica e këtyre fëmijëve janë pjesë e klasave të rregullta, megjithatë duhet theksuar se saktësia e këtyre të dhënave është komplekse për faktin se akoma nuk janë vlerësuar nga ekipet vlerësuese profesionale në komuna të gjithë nxënësit me nevoja të veçanta që janë në klasat e rregullta.

Edhe pse secili fëmijë me aftësi të kufizuar është i ndryshëm dhe çdo familje është unike, ka disa shqetësime të përbashkëta që lidhin prindërit. Këto përfshijnë marrjen e kujdesit të duhur dhe promovimin e pranimit në familjen e gjerë, shkollën dhe komunitetin në përgjithësi. Një prej shqetësimeve të tjera është edhe mungesa e asistentëve në shkolla, që mbështesin fëmijët me aftësi të kufizuar. Aktualisht, në Kosovë, nga ana e institucioneve shtetërore, janë të punësuar 100 asistentë. Ky numër është i papërfillshëm kur marrim në konsideratë nevojat e fëmijëve me aftësi të kufizuar.

Me sfida të kësaj natyre nuk ballafaqohen vetëm fëmijët. Konsiderohet se në Kosovë jetojnë mbi 200 mijë persona me aftësi të kufizuar nga të gjitha grup-moshat, apo rreth 10% e popullsisë së përgjithshme. Për shkak të barrierave të llojllojshme që hasin në jetën e përditshme, këta persona përballen me vështirësi dhe kufizime serioze që të përfshihen në jetën shoqërore, politike, ekonomike dhe kulturore në vend, pa e cenuar dinjitetin e tyre.

Personat me aftësi të kufizuar nuk kanë qasje të barabartë në arsim, punësim, shëndetësi, shërbime sociale dhe as përfaqësim e mbështetje adekuate juridike. Raporti i Progresit i Komisionit Evropian për 2021, evidenton se personat me aftësi të kufizuar i nënshtrohen diskriminimit dhe mungesës së kujdesit institucional, duke filluar nga mospasja e kujdesit të duhur mjekësor, mungesa e infrastrukturës adekuate, fizike etj. Qasja e kufizuar në ndërtesat publike, shkollat, objektet shëndetësore dhe transportit publik janë vetëm disa nga problemet, pavarësisht nga ekzistenca e udhëzimeve përkatëse administrative.

Raporti vë në dukje gjithashtu se pasojat ekonomike dhe sociale të pandemisë COVID-19 kanë prekur këtë kategori të ndjeshme shoqërore dhe se kuptueshëm vështirësitë janë rritur dukshëm gjatë kësaj periudhe.  Po ashtu, sipas një hulumtimi të kryer nga Handikos, personat me aftësi të kufizuar janë ballafaquar me barriera të cilat i kanë penguar ata të kenë qasje në kujdes dhe në informatat bazike për ta reduktuar rrezikun përgjatë pandemisë COVID-19, gjë e cila si rrjedhojë ka ndikuar edhe mirëqenien mendore. Në një hulumtim që ka pasur për qëllim hulumtimin e ‘’ndikimit të pandemisë COVID-19 në edukimin e nxënësve me aftësi të kufizuar në arsimin para universitar’’ ka rezultuar se periudha e pandemisë, izolimi në shtëpi, mungesa e shoqërizimit, ndryshimi i rutinës ditore dhe mungesa e shërbimeve, kanë ndikuar në mënyrë negative në gjendjen emocionale të fëmijëve me aftësi të kufizuar, duke kontribuar në ngarkesë dhe stres të prindërve.

Në nivelin e ulët gjithëpërfshirës dhe të përfitimeve kanë ndikuar faktorë të shumtë, që nga proceset mësimore në shkollë e deri te mësimi në distancë apo online gjatë pandemisë COVID-19.

Zyra për Qeverisje të Mirë në kuadër të Zyrës së Kryeministrit të Kosovës, ka shpallur vitin 2022 si “vit i personave me aftësi të kufizuar”. Qëllimi i kësaj iniciative është të ofrohen garancitë e duhura institucionale që të gjithë personat e kësaj kategorie, pavarësisht gjinisë, racës, etnisë, besimit, moshës apo orientimit seksual, t’i gëzojnë të drejtat e tyre njerëzore, të kenë mundësi dhe qasje të barabartë. Kalendari i aktiviteteve për vitin 2022 përmban një grumbull ambicioz aktivitetesh që fokusohen në shëndetësi, drejtësi, siguri, edukim, arsimim, punësim, qasje, mirëqenie sociale, kulturë dhe sport.

Në kuadër të kësaj nisme pritet të zhvillohen shumë aktivitete dhe të ndërmerren hapa konkretë për ta përmirësuar mirëqenien e personave më aftësi të kufizuar. Ky zotim, ndër të tjerash, i obligon organet shtetërore që gjatë vitit 2022 ta plotësojnë kuotën për punësimin e personave me aftësi të kufizuar. Në fakt, kjo nuk është iniciativa e parë dhe as e vetme që ndërmerret nga institucionet shtetërore për përmirësimin e jetës të kësaj kategorie. Por, duhet të theksohet së shumë nga këto zotime pompoze kanë mbetur vetëm në nivel premtimesh, pa ndonjë efekt konkret dhe progres domethënës, të paktën deri më sot.

Të gjithë personat me aftësi të kufizuar kanë nevojë për përkrahjen dhe mbështetjen e secilit prej nesh. Shoqëria dhe institucionet duhet ta bëjnë me të mirën për ofrimin e një mirëqenieje më të mirë për të gjithë. Rasti i nxënëses nga Prishtina na rikujton faktin e pamohueshëm se një shoqëri gjithëpërfshirëse padyshim se fuqizon secilin, andaj edhe është jetike që të jemi të hapur e përkrahës për secilin person që na rrethon.

Është e papranueshme që personat me aftësi të kufizuar ende trajtohen si persona të rangut të dytë dhe, si rrjedhojë, nuk u ofrohet kujdesi dhe mbështetja e duhur pothuajse nga asnjë nga organet përgjegjëse. Pasojat e një trajtimi joadekuat prekin të gjithë personat pa dallim. Por, ata që i ndiejnë më shpejt, më thellë dhe te të cilët këto pasoja kanë ndikim më afatgjatë, janë fëmijët më aftësi të kufizuar.

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.