Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analizë

Globalizimi vs. Shtetet-kombe: Kujt i përket arsimi?

Ilustrimi nga: BigEye

Në mënyrë qe futemi në diskutimin mbi marrëdhëniet midis arsimit, shteteve-kombe dhe globalizimit, është e domosdoshme që së pari të përpiqemi t’i vendosim para vetes disa teori të ndryshme të cilat konceptualizojnë globalizimin. Ndonëse ka me dhjetëra teori të ndryshme mbi këtë çështje dhe formën sesi lidhet me rendin e përgjithshëm socio-ekonomik, do të mundohem të përqendrohem në njërën prej tyre për t’i kuptuar rezultatet/pasojat e këtij procesi.

Një nga teoritë mbi globalizimin të cilën e shqyrton Saskia Sassen, mbështetet në idenë se kjo e fundit nuk është vetëm një proces i ndërvarësisë dhe krijimit të institucioneve globale të tilla si OBT-ja, FMN-ja dhe gjykatat e luftës, porse njëkohësisht okupon dhe jeton në kombëtaren. Kjo mund të shpjegohet më tej përmes emërtimit të dy llojeve të dinamikave që Sassen parashtron, e para që ka të bëjë me themelimin e institucioneve globale që funksionojnë përmes shteteve-kombe, dhe e dyta që janë rrjetet ndër-kufitare që karakterizohen me praktika lokale e kombëtare me axhendë globale.

[1] Është e rëndësisë së madhe të përmendet se në mënyrë që të kuptojmë shkallën në të cilën globalizimi e ka ndikuar në praktikë shtetin dhe formën e tij të ekzistencës, duhet ndërruar thjerrëzat me të cilat shkencat shoqërore shërbehen. Kjo do të nënkuptonte se duhet ta modifikojmë idenë që shtetet-kombe janë përjetësuesit kryesorë të proceseve shoqërore. Megjithëse, shtetet-kombe mbesin akterë pothuajse kryesor, natyra e ekzistencës së tyre ka ndryshuar.[2]

Sipas Sassen e cila shpjegon se ekziston një shumësi e globalizimeve dhe se kjo natyrë multi-dimenzionale e globalizimit duhet të vazhdojë të studiohet në mënyrë që të mbërrijmë tek një kuptueshmëri e kompleksitetit të këtyre proceseve. Edhe pse shtetet kanë pësuar shumë ndryshime si rezultat i globalizimit si pjesëmarrëse në formësimin e ekonomisë globale, Sassen argument se aparati shtetëror pak a shumë ka mbetur i njëjtë, si p.sh në rastin e burokracisë.[3] Struktura ekonomike e cila kërkon rrjedhje të papenguar ndërkufitare të kapitalit gjithashtu kërkon që shtetet-kombe ta bëjnë këtë lehtësisht të realizueshme.[4] Nga ana tjetër, kemi vendosjen e një regjimi ligjor që shkon paralelisht me këto praktika organizative që përfshijnë një numër pasojash në raport me sovranitetin aktual të shteteve.[5]

Brooks dhe Waters nuk përshkruajnë ekskluzivisht një teori mbi globalizimin, por diskutojnë për mënyrat e ndryshme sesi mund të shpjegohet globalizimi dhe të shtjellohet marrëdhënia e tij me arsimimin, duke e bazuar hulumtimin e tyre në teori të ndryshme. Sipas tyre, globalizimi duhet shqyrtuar përmes kritikës ndaj neoliberalizmit.[6] Ata argumentojnë se roli i organizatave ndërkombëtare sigurisht që ka ndërhyrë në krjimin e politikave të shteteve-kombe në lidhje me arsimin. Shembuj për këtë gjë janë financimet e ndryshme nga Banka Botërore që në këmbim kërkojnë nga shtetet përkatëse të ndjekin një agjendë specifike të politikave arsimore.

[7] Hapja e kufijve për rrjedhjen e kapitalit dhe zvogëlimi i shpenzimeve publike janë disa nga kërkesat e organizatave që i japin hua shteteve të caktuara. Organizata Botërore e Tregtisë e cila kishte qëllime të ngjashme me ato të Bankës Botërore sa i përket lehtëtësimit të kuzifimeve për tregti dhe shërbime, ka bërë  të sapopërmendurat përmes një mediumi shtesë: GATS -it të tij (aktiviteti i të cilit do të shpjegohet më hollësisht në paragrafët e mëposhtëm).[8]

Këto organizata globale si OBT-ja, Banka Botërore, UNESCO dhe OECD-ja pretendojnë t’i sjellin së bashku institucionet e ndryshme arsimore duke eksportuar/importuar  lloje të ndryshme të shërbimeve, duke shkëmbyer njohuri mbi politika dhe duke ofruar zgjidhje për problemet e ndryshme që mund të kenë shtetet në raport me sistemet e tyre arsimore. E gjithë kjo me besimin se ky është një proces kauzal dhe i pashmangshëm i globalizimit.

Është interesante të shihet sesi ka ndryshuar natyra e arsimit në përgjithësi, dhe sesi ka ndërruar perspektiva e shteteve në raport me arsimin si pasojë e transformimeve të strukturës ekonomike në tërësi. Vala e neoliberalizmit e cila ka mundërsuar interferimin ndërkombëtar nuk ka arritur të heqë shtetin si një ndër akterët kryesorë në raport me çështjet arsimore si kurrikulat kombëtare etj, por fjala e organizatave globale si OECD ka peshë të madhe sa i përket konstruktimit të politikave arsimore.[9] Megjithatë, në fund të ditës shtetet-kombe vazhdojnë ta kenë arsimin si mjet për qëllime kombëtare.[10]

Siç argumentohet nga autorët Brooks dhe Waters, mënyra si OECD-ja ka ndërtuar narrativën e saj në raport me marrëdhënien që arsimi ka me ekonominë ka ndryshuar ndjeshëm. Nga arsimi si nxitës e mundësues për barazi të të ardhurave, tek arsimi si akomodues i tregut të punës dhe instrument për konkurrencë globale.[11] Ky diskurs mbi arsimin ka prodhuar pashmangshmërisht mjete praktike me të cilat matet realizimi i këtyre qëllimeve, siç është PISA ose renditja botërore e Universiteteve.[12]. PISA dhe rangimi i Universiteteve po bëhen gjithnjë e më të rëndësishme për shtetet-kombe, meqë këto organizata jo vetëm që i inkurajojnë por disi edhe i detyrojnë të bëhen pjesë e këtyre proceseve.

Kjo na sjell te një aspekt tjetër problematik i globalizimit, dhe forcimit të këtyre institucioneve globale të cilat po e çojnë arsimin drejt komodifikimit.[13] GATS-i, siç është lartëpërmendur, është marrëveshje midis shteteve të ndryshme për të lehtësuar kufizimet për tregti dhe shërbime. Ndërsa kjo hap kufijtë për ndërkombëtarizimin e arsimit të lartë në veçanti, zvogëlon mundësite e shteteve për të zhvilluar institucionet e tyre arsimore si dhe mundësinë për të siguruar cilësi. Një shembull për këtë është akomodimi i kompanive shumëkombëshe në themelimin e Universiteteve të ‘hapura’ që janë jashtë kontrollit të shteteve përkatëse. Dallimi kryesor midis GATS-it dhe organizatave tjera është se GATS-i operon përmes rregullave detyruese përkundër organizatave si Banka Botërore e OECD-ja që funksionojnë duke bindur ose duke bërë pazare me shtete.[14]

Kompanitë e fuqishme shumëkombëshe të cilat ofrojnë shërbime arsimore qëllim kryesor natyrisht e kanë profitin dhe janë duke i lënë institucionet vendore të mangëta, pa fonde bazë për të zhvilluar institucionet e tyra arsimore dhe pa mundësi për të kontrolluar se çfarë po prodhohet përfundimisht brendapërbrenda. Ky fenomen sipas Altbach-ut bëhet në mënyrë strategjike nga këto kompani të cilat investojnë në programe të tilla si studimet e biznesit dhe menaxhmentit, të cilat zakonisht po dalin se janë më të kërkuara, ndëkaq duke lënë institucionet vendore me programe më pak të popullarizura.[15] Këto shërbime arsimore variojnë nga programe të ndryshme akademike, universitete të ‘hapura’, libra shkollorë, trajnime dhe certifikime.[16]

Bonal Xavier, nga ana tjetër mban një pozicion jo krejtësisht të ndryshëm nga Sassen, në kuptimin se çka ngërthen në vetvete globalizimi. Megjithëse, Xavier është i mendimit se në mënyrë që të ndodhë zgjerimi global i kapitalit, ai duhet të mundësohet përmes pikave të fiksimit (pra, shtetet si pika të ndalesës), të cilat sipas tij janë të ngulitura institucionalisht në nivel shtetëror.[17] Arsimi, sipas Xavier-it ka pësuar ndryshime drastike për shkak të transformimeve ekonomike si pasojë e globalizimit dhe presionit për të ndjekur logjikën e tregtisë së lirë. Shtetet që kanë rol të rëndësishëm brenda OBT-së synojnë të çojnë përpara interesat e tyre në ekonominë globale të dijes përmes këtij mediumi.

[18] Këto ndryshime të cilat po ndërrojnë shkallën e qeverisjes së arsimit dhe po shkojnë drejt globales, sipas Xavier-it do të paraqesin shumë probleme për shtetet dhe fuqisë së tyre për të pasur nën kontroll arsimin në të ardhmen. Arsimi ende është entitet ekskluziv kombëtar që rregullohet nga shteti e që sigurohet për ngulitjen e identitetit kombëtar, demokracisë e qytetarisë.[19] Ndonëse, kjo qasje ka problemet e veta, meqë duhet hyrë në diskutim se sa problematike është rrënjosja e identitetit kombëtar përmës shkollës, çka i bie kur themi se arsimi duhet të na e mësojë demokracinë, e për më tepër sa fluid është termi “qytetari”. Pra, këto janë çështje të cilat duhet vënë në diskutim qëllimet e arsimit në parim.

Nga ajo që kemi parë deri më tani, marrëdhënia midis arsimit, shtetit-komb dhe globalizimit ka ndryshuar dukshëm. Arsimi ka pësuar ndrysihme si ndërkombëtarizimin dhe komodifikimin, transformimet diskursive dhe zhvendosjes së qëllimit që kishte mbartur dikur.

Shtetet-kombe, të cilat kanë humbur një dozë të sovranitetit mbi sistemet e tyre arsimore, prapë se prapë mbeten si faktor të rëndësishëm në përcaktimin e rregullave për sistemet përkatëse arsimore. Ndërsa, globalizimi dhe përjetësimi i tij përmes institucioneve globale ka forcuar pozicionin e tyre përmes ofrimit të shërbimeve arsimore, programeve të ndryshme etj, që mund mos duken si problematike në kuptimin që japin mundësinë e “zgjedhjes” për individë; por, kjo paraqet rrezikun e shndërrimit të arsimit në mall. Poashtu, mungesa e kufizimeve dhe ‘barazisë’  brenda OBT-së nëpërmjet GATS-it shtyen vendet më të vogla e më të varfëra që të “luftojnë” brenda një arene ku rregullat duken se janë të njëjta për të gjithë, por ata që marrin pjesë në këtë lojë nuk e kanë as për së afërmi pikënisjen e barabartë.

Bibliografi

Altbach, Philip G.: “Knowledge and Education as International Commodities: The Collapse of the Common Good,” International Higher Education 28 (2002): 2-5 (http://ejournals.bc.edu/ojs/index.php/ihe/article/view/6657/5878)

Bonal, Xavier; Dale, Roger; Robertson, Susan L.: “GATS and the Education Service Industry: The Politics of Scale and Global Reterritorialization”, Comparative education review, vol. 46 (2002) nr. 4 pp.472 495.

Brooks, Rachel, Waters Johanna: Student Mobilities, Migration and the Internationalization of Higher Education, Basingstoke: Palgrave Macmillan, 2011

Sassen, Saskia: Losing Control? Sovereignty in an Age of Globalization, Columbia University, 1996

Sassen, Saskia: Sociology of Globalization. New York: W.W. Norton, 2006.

[1] Sassen, Saskia: Sociology of Globalization. New York: W.W. Norton, 2006. pp. 4-6 

[2] Ibid.

[3] Ibid. p 39

[4] Sassen, Saskia: Losing Control? Sovereignty in an Age of Globalization, Columbia University, 1996, p .2 

[5] Ibid. 17

[6] Brooks, Rachel, Waters Johanna: Student Mobilities, Migration and the Internationalization of Higher Education, Basingstoke: Palgrave Macmillan, 2011, p. 23 

[7] Ibid.

[8] Brooks, Rachel, Waters Johanna: Student Mobilities, Migration and the Internationalization of Higher Education, Basingstoke: Palgrave Macmillan, 2011, p. 24 

[9] Ibid. p. 25

[10] Ibid p. 7

[11] Ibid. pp. 25-26

[12] Ibid. p. 26

[13] Altbach, Philip G.: “Knowledge and Education as International Commodities: The Collapse of the Common Good,” International Higher Education 28 (2002): (http://ejournals.bc.edu/ojs/index.php/ihe/article/view/6657/5878) p. 2 

[14] Bonal, Xavier; Dale, Roger; Robertson, Susan L.: “GATS and the Education Service Industry : The Politics of Scale and Global Reterritorialization”, Comparative education review, vol. 46 (2002) nr. 4, p. 2 

[15] Altbach, Philip G.: “Knowledge and Education as International Commodities: The Collapse of the Common Good,” International Higher Education 28 (2002): (http://ejournals.bc.edu/ojs/index.php/ihe/article/view/6657/5878) p. 3 

[16] Ibid.  p. 4 

[17] Bonal, Xavier; Dale, Roger; Robertson, Susan L.: “GATS and the Education Service Industry : The Politics of Scale and Global Reterritorialization”, Comparative education review, vol. 46 (2002) nr. 4, p. 4

[18] Ibid. p. 25

[19] Ibid. p. 26

Lexoni Gjithashtu

Disinfo

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Disinfo

Gjatë dy viteve të fundit, Kosova ishte cak i sulmeve kibernetike dhe kërcënimeve me bomba, që kishin për qëllim destabilizimin e vendit dhe krijimin...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.