Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analizë

Krizat ekonomike dhe refuzimi për të mësuar

Rënie e madhe dhe e shpejtë e vlerës së aseteve financiare; rënie e vlerës së parasë dhe shpenzimeve të konsumatorit; rënie e investimeve, punësimit dhe sigurisë ekonomike. Këto janë simptomat e zakonshme të krizave ekonomike.

Ekonomistët i quajnë “recesione”—apo “depresione” nëse janë të thella—dhe i definojnë si tkurrje të Bruto Prodhimit Vendor në dy çerekë të njëpasnjëshëm. Aspekti i rënies është ai që i veçon ato. Krizë nuk është niveli i ulët i mirëqenies që mbretëron në një vend, si për shembull sot në Kosovë. Kriza është detyrimisht një rënie nga një nivel apo normë e caktuar; një tatëpjetë e aktivitetit ekonomik, që sikur shembja e tokës, merr gjërat me vete.

Kur kapitalizmi çliroi njerëzit nga rendi feudal, i cili kishte përcaktuar për ta punën dhe rrjedhimisht skenarin e tyre të jetës, dhe kur produkti i tij, Revolucioni Industrial, mundësoi prodhimin në masë dhe nxori nga varfëria dhe uria kronike miliona njerëz, u bë për herë të parë e mundur që njerëzimi të përballej me kriza ekonomike.

Deri atëherë “kriza” kishte qenë gjendja e zakonshme dhe e përhershme. Vetëm pasi gjërat filluan të përmirësohen për qytetarin e thjeshtë, standardi i të cilit u rrit mbi atë që e kishin mbretërit në mesjetë, u bënë të dallueshme paraqitjet e herëpashershme të krizave ekonomike. Meqë kapitalizmi kishte bërë këtë ndryshim të madh në standardin e jetesës, u lë të nënkuptohej që edhe krizat ishin veçori e këtij sistemi.

Në këtë kontekst u motivua Karl Marx, i cili i shpjegoi krizat ekonomike si kontradikta të brendshme të sistemit kapitalist. Marx argumentonte që punëdhënësit i eksploatonin punëtorët duke mbajtur për vete produktin e punës së tyre dhe lënë vetëm një pjesë sa për të mbijetuar, jo nga mëshira, por nga nevoja që ata të vazhdojnë punën.

Sipas tij, meqë numri i mallrave rritej vazhdimisht dhe çmimet e tyre uleshin, falë konkurrencës së egër në mes të bizneseve, punëdhënësve u nevojitej t’i paguanin gjithnjë e më pak punëtorët e tyre për mbijetesë. Kësisoj, ishte e pashmangshme që kapitalizmi do të përballej me kriza të herëpashershme ekonomike. Për Marx ky sistem nuk mund të sanohej, por duhej të çrrënjosej krejtësisht dhe të zëvendësohej me një sistem tjetër të sundimit të masave punëtore.

Shumë dekada më vonë, në mesin e vuajtjeve të Depresionit të Madh, ekonomisti anglez John Maynard Keynes publikoi një libër që u prit me shumë fanfarë. Ai pretendoi t’i kish dhënë ekonomisë një shpjegim origjinal dhe final për prejardhjen e krizave ekonomike. Propozimi i tij flitej të ishte i shpejtë, sikur veprimi emergjent i mjekëve në aksidente, sepse sipas Keynes, “në afat të gjatë të gjithë jemi të vdekur”.

Keynes shkruante që shëndeti i një ekonomie varet nga shpenzimet e përgjithshme të konsumatorëve (“kërkesa e përgjithshme”). Sipas tij, ekonomia funksionon në formë qarkore: personi A blenë nga personi B shërbime apo mallra, i cili i paguan punëtorët e tij, të cilët pastaj në cilësinë e konsumatorëve blejnë tek bizneset tjera, të cilat po ashtu i paguajnë punëtorët e tyre, që gjithashtu blejnë tek bizneset tjera, e kështu me radhë. Në formë qarkore, pra, çdo shpenzim i dikujt ishte burim i të ardhurave për dikë tjetër. Për Keynes, shpenzimi ishte shtytësi i ekonomisë, kurse kursimi, së paku paradoksalisht, e frenonte ekonominë.

Se çka mund t’i nxisë konsumatorët të shpenzojnë më pak nuk u shpjegua hollësisht, por Keynes shkroi që kjo përcaktohet nga “shpirti shtazarak”. Ai përfaqëson instinktet, tendencat apo emocionet e konsumatorëve. Kur ky shpirt shtazarak venitet, dobësohet edhe vullneti i konsumatorëve për të shpenzuar dhe vë në lëvizje një shok zinxhiror që shkakton krizën.

Për ta korrigjuar atë, ekonomisë i nevojitet rritja e kërkesës së përgjithshme duke i motivuar njerëzit të shpenzojnë. Një mënyrë për t’i motivuar ata është intervenimi i shtetit me metoda monetare, si për shembull, duke zhvlerësuar paranë. Kur njerëzit e shohin që paratë e tyre blejnë gjithnjë e më pak mallra, ata nguten t’i shpenzojnë ato sa nuk e kanë humbur më shumë vlerën.

E nëse as kjo nuk bën punë, atëherë ekonomia gjendet në të ashtuquajturin “kurthi i likuiditetit”, ku edhe zvogëlimi nën zero i normave të interesit që pompojnë para të reja në ekonomi nuk mjafton për t’i nxitur njerëzit të shpenzojnë. Në këtë situatë kritike, sipas Keynes, shteti duhet të kalojë në përdorimin e mjeteve fiskale duke rritur shpenzimet qeveritare për të kompensuar rënien e atyre konsumatore. Për të ishte krejtësisht e parëndësishme se në çka shpenzohet; shteti mund t’i paguajë njerëzit të hapin dhe mbyllin gropa pa ndonjë qëllim të caktuar vetëm për të rritur shpenzimin e përgjithshëm.

Disa ekonomistë tjerë si Nikolai Kondratiev dhe Hyman Minsky i shihnin krizat si cikle të pashmangshme që paraqiten sipas periudhave të përcaktuara kohore (“cikle të biznesit”). Për shembull, Kondratiev shkruante që ndryshimet e mëdha strukturore në ekonomi (si inovacionet teknologjike) nxisin rritjen ekonomike që më vonë përfundon me shuarje, duke krijuar kështu cikle nga 4 deri në 60 vite. Minsky shkruante ngjashëm që në kohë të mira, kur të ardhurat rriten përtej nivelit që nevojitet për të paguar borxhet, një eufori spekulative fillon me shtesën e mbetur, e cila pastaj e rritë borxhin në masën që fluskat financiare pëlcasin dhe shkaktojnë kriza.

Të tjerët shkruanin që kapitalizmit i nevojitej një sistem rregullator mbikëqyrës për të frenuar dhe mbajtur nën kontroll ekseset e tij financiare që inkurajojnë spekulimin dhe marrjen e borxhit përtej niveleve racionale. Këta zëra u bënë veçanërisht të përhapur në krizën e fundit të vitit 2007 kur mendimet e tyre u pranuan nga mediat kryesore si shpjegimi zyrtar.

Në të gjitha këto teori nuk ka asgjë të përbashkët përveç faktit që janë të ndryshme dhe shpeshherë kundërthënëse. Përderisa në shkenca tjera si mjekësia ekziston një konsensus mbi shkaqet, pasojat dhe trajtimin, në një shkencë si ekonomia—së paku në lidhje me krizat ekonomike—dominon mospajtimi, konfrontimi dhe heterogjenia.

Si rezultat i kësaj vorbulle, ekonomistët u dhanë profesioneve tjera përshtypjen se nuk e dinë për çka po flasin. Ata u paraqiten të paaftë për të parashikuar dhe pritur krizat ekonomike, dhe po aq të paaftë për të ofruar zgjidhje kur ato shfaqeshin befas.

Termi përbuzës i historianit Thomas Carlyle, i cili e quajti ekonominë “shkencë e mjerë”, u bë trajtimi përçmues por i zakonshëm i ekonomistëve, të cilët, së paku në sytë e publikut, kishin dështuar ta mbronin botën nga efektet shkatërruese të krizave ekonomike.

Megjithatë, jo të gjithë ekonomistët dështuan në këtë mënyrë.

Në vitin e largët 1924, një ekonomist austriak i quajtur Ludwig von Mises, u parashikoi kolegëve të tij që banka e madhe vjeneze Creditanstalt do të përballej me probleme të thella financiare. Dhe kështu ndodhi, pas një serie ngjarjesh që buruan në ShBA, u manifestuan në shumë vende të botës dhe shkaktuan Depresionin e Madh.

Ekonomistë tjerë që kishin ndjekur studimet e tij, si F. A. Hayek, Felix Somary apo bashkëmendimtarë si Benjamin M. Anderson, gjithashtu parashikuan dhe paralajmëruan për krizën e madhe. Më vonë Murray Rothbard parashikoi krizën e kursimeve dhe huave të vitit 1982, kurse analisti Peter Schiff u bë i famshëm për parashikimin e krizës së maedhe financiare të 2007.

Çka kishin të përbashkët këta ekonomistë prognozues? Ata bazoheshin në një teori tjetër të krizave ekonomike, thelbësisht ndryshe nga Marx, Keynes, Kondratiev, Minsky e të tjerët.

Sipas tyre, krizat ishin burim i ndërhyrjes së bankës qendrore në tregje për ta manipuluar normën e interesit duke e ndryshuar atë nga niveli i saj natyral. Norma natyrale e interesit është një sinjal i rëndësishëm ekonomik i cili e reflekton proporcionin në mes shpenzimeve dhe kursimeve në një ekonomi. Kur norma është e ulët, në një ekonomi ka kursime të mjaftueshme të cilat mund të mbështesin projekte afatgjata dhe kapital-intensive. Kur ajo rritet, u shërben ndërmarrësve si sinjal që këto investime janë më pak të leverdishme.

Manipulimi i saj, prandaj, dërgon sinjale të gabuara në ekonomi, të cilat sikur semaforët e prishur, e dirigjojnë investimin (konkretisht kapitalin, lëndën e parë dhe fuqinë punëtore) në linja jofitimprurëse duke rezultuar në “keqinvestim”.

Ky keqinvestim bëhet evident kur ndërhyrja e bankës qendrore në normën natyrale të interesit detyrohet të përfundojë sepse inflacioni (efekti i saj primar) fillon të arrijë nivele alarmante. Ndërprerja e rubinetit kreditor i kthen ndërmarrësit në realitet dhe i vë në pah investimet e këqija, të cilat duhet të korrigjohen dhe likuidohen në një proces të dhimbshëm.

Në rastin e krizës së vitit 2007, sipas këtyre ekonomistëve, ndikim negativ shtesë kishte edhe kërkesa e shtetit nëpërmes një ligji që bankat të mos diskriminojnë klientët që marrin hua. Kjo rezultoi që edhe klientët me paaftësi për ta paguar borxhin u bënë borxhli të mëdhenj. Ndërsa dy institucionet tjera shtetërore e kanalizuan kredinë e tepërt të bankës qendrore në tregun e patundshmërive duke ju dhënë aseteve hipotekare mbivlerësime kreditore.

Ishte kjo teori, e paraqitur këtu pa teknikalitetet ezoterike, që i shërbeu këtyre ekonomistëve për parashikimin e suksesshëm të krizave ekonomike. Por pse atëherë refuzuan ekonomistët tjerë të marrin mësime? Për të njëjtat arsye që nuk arritën as konsensusin mbi shkaqet e krizave. Egot e tyre ishin shumë të mëdha që ata t’i përshtatin teoritë me realitetin, duke preferuar në vend përshtatjen e realitetit me teoritë. Teoria e Keynes mund të mos kishte mjaftuar për të parashikuar krizat, por ai së paku e mbajti mendjen e hapur duke thënë: “Kur faktet ndryshojnë, unë e ndryshoj mendimin. Çfarë bëni ju, zotëri?”

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.