Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analizë

Mbi sistemin kreditor në vend

Sistemi kreditor në Kosovë është një temë e nxehtë, për të cilën është shfaqur mllef i madh. Një spektër i madh i qytetarëve, ndërmarrësve dhe ekonomistëve i kanë gjykuar tepër të pafavorshme kushtet e kreditimit për shkak të perceptimit që normat e interesit janë të larta dhe kërkesat për kolateral shumë të rrepta.

Ky mllef i shprehur është i kuptueshëm, duke pasur parasysh rëndësinë vitale të kreditimit në mbështetjen dhe shtytjen e afarizmit, pa të cilin nuk mund të ketë punësim, zvogëlim të varfërisë dhe zhvillim ekonomik.

Së pari, duhet të bëhet një sqarim për vullnetin e bankave (dhe institucioneve financiare në përgjithësi) për të dhënë kredi, i cili është vënë në dyshim për faktin që ato janë treguar konservatore në gjykimet e tyre. Duhet të kuptohet që është absolutisht në interes të bankave që ato të japin kredi. Bankat ekzistojnë pikërisht për këtë qëllim dhe fitimet e tyre kryesore i realizojnë nga ky aktivitet.

Bankat në thelb janë ndërmjetësuese të kredive; ato marrin para hua nëpërmes depozitave me shpresën që norma e interesit të cilën e paguajnë të jetë më e ulët se ajo me të cilat japin kredi. Kur dallimi është pozitiv, bankat krijojnë hyrje përkatesë. Prandaj, nëse bankat nuk japin kredi, ajo ndodh vetëm sepse, në gjykimin e tyre, rreziku i dhënies e tejkalon fitimin potencial.

Gjëja e dytë me rëndësi që duhet të kuptohet është që bankat nuk i përcaktojnë normat e interesit vetvetiu. Si bizneset e tjera, edhe bankat janë gjithmonë të detyruara ta marrin parasysh kërkesën për kredi dhe gatishmërinë e kredimarrësve për të paguar deri në një masë të caktuar. Ndryshe, çka do t’i pengonte bankat të vendosin norma të interesit 100 përqind në vend të 12 apo 7 përqind?

Normat e interesit janë thjesht çmime dhe si çmimet e çdo produkti tjetër, edhe ato përcaktohen nga oferta dhe kërkesa. Konkretisht, nga stoku i parave të gatshme për t’u dhënë kredi në një territor të caktuar dhe nga kërkesa efektive apo reale për të marrë kredi. Sa më e madhe që është oferta kundrejt kërkesës, aq më të ulëta do të jenë normat e interesit. Sa më e madhe që është kërkesa kundrejt ofertës, aq më të mëdha do të jenë ato.

Çka e përcakton ofertën apo stokun e parave të gatshme për t’u dhënë kredi? Ky stok përcaktohet në radhë të parë nga niveli i kursimeve kombëtare. Kursimet kombëtare, që janë thjesht shuma e kursimeve individuale në një vend, përcaktohen nga preferencat kohore.

Në terminologjinë e ekonomisë, preferencë kohore është preferenca e një individi në mes konsumit në të tashmen dhe kursimit për të ardhmen. Kur një individ konsumon më shumë sesa kursen, preferenca kohore është më e lartë. Kur në vend të konsumit preferohet kursimi, preferenca kohore është më e ulët. Preferencat e ulëta kohore nënkuptojnë më shumë kursime dhe rrjedhimisht më shumë kredi.

Një faktor i rëndësishëm në përcaktimin e preferencës kohore janë të ardhurat e disponueshme. Krahasimisht, njerëzit e pasur janë në një pozitë më të mirë për të kursyer sesa njerëzit e varfër. Në vendet e pasura normat e interesit janë më të ulëta, sepse kursimet janë më të mëdha dhe rrjedhimisht oferta për hua është më e madhe kundrejt kërkesës.

Këtu duhet të bëhet një sqarim për një keqkuptim që riciklohet shpesh nëpër media për “kursimet 2 miliardëshe” në sistemin bankar në Kosovë. Jo të gjitha depozitat bankare janë kursime. Edhe pse vlera aktuale e depozitave të përgjithshme në Kosovë është 2.66 miliard €, vetëm rreth 700 milion € janë kursime. Pjesa tjetër janë depozita të rrjedhshme (“të transferueshme”) dhe llogari të “kursimeve” (që në fakt, si depozitat e rrjedhshme, kanë maturitet zero dhe nuk mund të llogariten si kursime). Për më tepër, bankat kanë detyrim ligjor ta mbajnë një fraksion të depozitave si rezervë dhe nuk mund ta përdorin për kredidhënie.

Faktor tjetër që e përcakton stokun e parave të gatshme për kredi, pra ofertën, është rreziku që shoqërohet me huadhënie. Sa më i lartë të jetë rreziku kreditor, qoftë i perceptuar apo real, aq më të dekurajuar do të jenë kreditorët për t’i ofruar fondet e tyre.

Në Kosovë ky rrezik është evident përkundër përparimeve që kanë ndodhur përgjatë 16 viteve të fundit. Bankat ende përballen me procedura ligjore të stërzgjatura dhe të komplikuara, mungesë të llogaridhënies, korrupsion dhe mungesë të zbatimit efektiv dhe efikas të vendimeve gjyqësore. Ky ambient i papërshtatshëm ligjor e vështirëson afarizmin në përgjithësi, jo vetëm për bankat, dhe duke e pamundësuar mbrojtjen e pronës private dhe zbatimin e kontratave e dekurajon dukshëm sjelljen e kapitalit të huaj në vend dhe qarkullim e atij vendor.

Rreziku i lartë kreditor madje e ulë rëndësinë e kursimeve sepse pa marrë parasysh sa ka kursime në një vend, ato nuk shndërrohen në kredi kur rrezikojnë seriozisht të mos kthehen. Vetëm pse dikush është i pasur nuk do të thotë që ai është i gatshëm të flakë para. Rreziku i lartë kreditor është sikur xhepi i shqepur: nuk ka rëndësi se sa para hyjnë brenda, të gjitha bien jashtë.

Kjo e shpjegon pse bankat vendore nuk mund ta shkurtojnë qarkun duke marrë kredi me kosto më të ulët nga degët amë me qasje në rubinetin monetar të Bankës Qendrore Evropiane për t’i dhënë ato në Kosovë me norma më të larta, si dhe pse e kanë aq lehtë të mbesin kaq likuide. Kritikët bëjnë me gisht tek shkalla e ulët e kredive të këqija por ajo është e tillë pikërisht për shkak të gjykimit konservator të bankave mbi rrezikun kreditor në vend.

Në anën tjetër, kërkesa për kredi përcaktohet kryesisht nga një faktor kyç. Ai është alternativa e financimit që e kanë bizneset. Në Kosovë, financimi me pronësi (apo ekuitet) është shumë i vështirë për shkak të mungesës së bursës si dhe për shkak të ambientit të vështirë afarist, i cili e dekurajon ndërrimin e titujve pronësor dhe qarkullimin e kapitalit. Rrjedhimisht, bizneset detyrohen t’i drejtohen institucioneve financiare për hua. Kjo e shpjegon pse një numër i madh i bizneseve në vend e kanë të vështirë të themelohen dhe mbijetojnë pa qasje në sistemin kreditor.

Sistemi kreditor është pra shumë i rëndësishëm për mbështetjen e afarizmit dhe për funksionimin e ekonomisë. Gjendja aktuale është e vështirë dhe përbën një pengesë për zhvillimin ekonomik të vendit. Qeveria i ka disa opsione për të vepruar.

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.