Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analysis

Interpretimi dhe mjeshtrimi i Kushtetutes

Kushtetuta dhe interpretimi i saj

Kushtetuta është ligji suprem dhe për ketë ajo konsiderohet edhe si feja civile apo ligji i popullit. Miratimi i Kushtetutës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës (1788), paraqet fillimin e epokës së kushtetutave moderne. Por, sfondi ishte i mbushur me përpjekje të shumta për kufizimin e pushtetit, garantimin e të drejtave të njeriut dhe barazinë para ligjit. Keneth C. Wheare argumenton se kushtetutat moderne pa përjashtim hartohen dhe miratohen nga vullneti i popullit për të bërë një fillim të ri të sistemit qeverisës. 

Kushtetuta është një dokument unik, i cili nuk mund të përshkruajë apo të përcaktojë të gjitha rregullat të cilat do të jenë të mjaftueshme, për t’ju përgjigjur çdo situate. Nëse kushtetuta do të përmbante saktësisht të gjitha nën-ndarjet e pushtetit dhe mjetet për ekzekutimin e tyre, atëherë do të ishte një dokument ligjor i zgjatur, që vështirë se do të mund të pranohej nga mendja njerëzore, argumentonte Kryegjyqtari amerikan John Marshall në vitin e largët 1819. Prandaj, në raste të veçanta kushtetuta ka nevojë të interpretohet. Ky interpretim behet me qëllim te zbatimit të supremacisë kushtetutëse. 

Në të njëjtën kohë me paraqitjen e kushtetutave të shkruara moderne janë modeluar edhe autoritetet kompetente për mbrojtjen e kushtetutshmërisë dhe interpretimin përfundimtar të saj. Modeli kryesor pa dyshim është ai gjyqësor, i cili është zhvilluar në dy forma: (1) i decentralizuar (apo modeli amerikan) në të cilin mbrojtja e kushtetutshmërisë bëhet përmes gjykatave të zakonshme, por rolin kyç e luan Gjykata Supreme dhe (2) i centralizuar ( modeli austriak apo evropian), që konsiston në ekzistimin e një gjykate të posaçme kushtetuese të dizajnuar nën ndikimin e teorisë, se juristit të njohur Hans Kelsen. 

Interpretimi i kushtetutës është procesi i dhënies së kuptimit të dispozitave specifike kushtetuese. Sepse disa dispozita janë të qarta dhe s’kanë nevoje për interpretim.  Por dispozitat e kushtetutës për të cilën luftohet, brenda dhe jashtë gjykatave, nuk janë aq të qarta. Interpretimi i kushtetutës nuk është një proces i thjeshtë dhe Gjykata  merr për bazë shumë argumente gjatë interpretimit te një çështjeje kushtetuese si në vijim: (1) teksti i normës; (2) qëllimi i hartimit të saj; (3) zbatimi evolutiv i kushtetutës; (4) doktrina kushtetuese; (5) argumentet strukturorë; (6) konsekuenca e vendimeve; (7) argumentet morale; (8) argumentet sociale dhe (8) praktikat kosmopolitane.

Dilemat e interpretimit: origjinalizmi apo kushtetuta e gjallë

Vendimet që materializon Gjykata në rastet e caktuara kushtetuese, kanë qenë të diskutueshme dhe të tilla do të vijojnë të jenë. Ky debat pro et contra manifestohet shpesh edhe ne kuadër të vetë opinioneve të gjyqtarëve të Gjykatës përkatëse, të cilat bëjnë interpretime të ndryshme për rastin e caktuar. Kjo ka ndikuar të afirmohen edhe teoritë e interpretimit, ndër të cilat me te njohura janë: (1) origjinalizmi dhe (2) kushtetuta e gjallë.

Sipas origjinalizmit, interpretimi i kushtetutës duhet të kufizohet me kuptimin e tekstit të kushtetutës apo qëllimit të hartimit të normës dhe gjykata nuk ka mandat të rishkruajë kushtetutën. Gjykatësit nuk duhet t’i imponojnë pikëpamjet e tyre në vendimin kushtetutës por gjykata  duhet të luajë rolin e një historiani të mprehtë dhe të besueshëm.  P.sh. Gjyqtari Antonin Scalia, një origjinalist dhe antikosmopolitan i përbetuar, në opinionin mospajtues ne rastin Obergefell v. Hodges (2015) duke kritikuar vendimin e shumicës shprehej: “Praktika e rishikimit kushtetues nga një komitet i pazgjedhur prej nëntë gjyqtarësh, i shoqëruar gjithmonë me lavdërime ekstravagante të lirisë, i heq Popullit lirinë më të rëndësishme që ata pohuan në Deklaratën e Pavarësisë dhe fituan në Revolucionin e 1776: lirinë për të qeverisur vetë”. 

Nga ana tjetër, sipas teorisë te kushtetutës se gjallë, Gjykata në rastet e caktuara mund të ndërtojë norma apo standarde të cilat nuk janë në tekstin e kushtetutës. Ky interpretim është edhe në funksion të jetëgjatësisë së kushtetutës dhe akomodimit të zhvillimeve të reja. Instrumenti më i përshtatshëm për ketë është jurisprudenca e gjykatës, ndërsa amendamenti kushtetues është përjashtim. Kështu profesor Ronald Dworkin, kundërshtar i denjë i origjinalizmit, thekson se ekuacioni i interpretimit kushtetutës  nuk duhet te behet sipas kuptimit apo qëllimit origjinal, pasi  kushtetuta është një dokument parimesh te cilat formësohen nga Gjykata,  të cilën ai e quan si “forum të parimeve”. 

Por ajo që i përbashkon palët kundërshtarë është dakordimi se Gjykata ka funksionin dominues interpretimin dhe kuptimin e vërtetë të Kushtetutës. Pavarësisht mjedisit kundërthënës, parimi i sundimit te ligjit, kërkon që vendimet e Gjykatës të respektohen dhe ato nuk u nënshtrohen procedurave të votimit apo apelimit. Nisur nga fakti se Gjykata është institucioni që përcakton kufijtë e autoriteteve të pushtetit dhe vendimet e saj janë të paapelueshme, Gjykata nuk është vetëm Gardiani, por në disa raste edhe Mjeshtri i Kushtetutës, ka thënë juristi i famshëm anglez Diacy. Në raste të caktuara, duke interpretuar kushtetutën, Gjykata edhe e mjeshtëron atë.

Mjeshtrimi i kushtetutës, ka një zanafille të hershme që na kthen prapa ne kohe tek rastet e  famshme  Marbery v. Medisonit (1803) apo  McCulloh v. Maryland (1819), të Gjykatës Supreme të SHBA-së. Kryegjyqtari  Marshall, përmes këtyre vendimeve, vendosi juridiksionin se kushtetuta është ligji themelore dhe aktet tjera te cilat nuk janë ne pajtim me te janë të pa zbatuara. Si mjeshtër i madh Marshall gjeti “kompetencat e nënkuptuara” prapa atyre të shkruara në kushtetutë. Ketë veprim ai e mbështeti me deklaratën e tij te famshme se “nuk duhet ta harrojmë kurrë se Kushtetuta është ajo që ne e shpjegojmë”.

Konteksti kosovar i gjyqesisë kushtetutese

Kushtetuta e Kosovës, i takon tipit të kushtetutave liberale. Një nga parimet themelore është kufizimi i pushtetit. Në Nenin 16(2) përcaktohet se pushteti qeverisës buron nga kushtetuta. Por autoriteti për mbrojtjen e kushtetutshmërisë dhe interpretimin përfundimtar të saj është Gjykata Kushtetuese. Ngjashëm si në vendet tjera edhe në Kosovë, disa nga vendimet e kësaj Gjykate vijojnë të jenë të diskutuara  me theks të veçantë ato lidhur me themelimin dhe fushëveprimin e institucioneve kryesore të shtetit. 

Aktgjykimi i Gjykatës në rastin nr. KO95/20, përmes së cilit u anulua Vendimi i Nr. 07/V-014 i Kuvendit të Kosovës për zgjedhjen e Qeverisë  vendim nxiti shumë debat për faktin nëse Gjykata ka interpretuar drejt kushtetutën. Thelbi i debatit është se dispozitat ligjore rreth kufizimit te se drejtës për zgjedhje  janë në kundërshtim me dispozitat kushtetuese. Neni 45(1) i kushtetutës përcakton se e drejta në zgjedhje mund të kufizohet përjashtimisht me vendim gjyqësor. Ndërsa  Ligji  nr. 03/L-073 për zgjedhjet e përgjithshme në nenin 29.1(q) përcakton si kufizim edhe rastin kur një person shpallur fajtor për vepër penale me një vendim përfundimtar të gjykatës në tri (3) vitet e fundit;

Ne praktiken e deritashme, kjo dispozite ligjore, është konsideruar ne kundërshtim me kushtetutën dhe ne disa raste konkrete nuk kishte gjetur zbatim. Ne lidhje me ketë çështje,  Gjykata Supreme ne vendimin AA.-Uzh.nr.16/2017, kishte gjykuar se dispozita përkatëse ligjore nuk është në pajtim me kushtetutën dhe kishte zbatuar dispozitën kushtetuese. Por Gjykata Kushtetuese ka gjykuar ndryshe dhe mes tjerash ka konstatuar se ”personi i dënuar për vepër penale me një vendim gjyqësor te formës së prerë në tri (3) vitet e fundit, nuk mund të jetë kandidat për deputet e as të fitojë mandat te vlefshëm në Kuvendin e Republikës së Kosovës”, duke i dhënë epërsinë dispozitës ligjore. Argumentet kryesore qe ka përdorur Gjykata kushtetuese janë: (1) argumenti strukturor  duke interpretuar dispozitat kushtetuese të ndërlidhura njëra me tjetrën; (2) argumentin kosmopolitian duke iu referuar praktikave të shumta ndërkombëtare dhe (3) argumentin moral si  mbrojtjen e integritetit kushtetues dhe besueshmërisë qytetare te Kuvendit, si organi perfaqesues.

Interpretimi strukturor i nenit 45 [Te drejtat zgjedhore dhe të pjesëmarrjes],  nenit 55 [Kufizimi i të drejtave] dhe nenit 71[ Kualifikimet dhe barazia gjinore]  konsiderojmë se është mjeshtrimi i kushtetutës.  Neni 55  përcakton se të drejtat dhe liritë themelore mund te kufizohen vetëm me ligj, dhe ato kufizime nuk mund te mohojnë esencën e te drejtës se garantuar. Kjo është një norme e përgjithshme dhe i referohet rasteve apo situatave te paparashikuara që mund të ndodhin (p.sh. Ligji nr. 07/l-006 për parandalimin dhe luftimin e pandemisë covid-19). Por  kufizimi i të drejtës së zgjedhjes është i paracaktuar me Nenin 45 te kushtetutës sipas te cilit gjykata është autoriteti  që duhet t’i vlerësojnë faktet dhe rrethanat nga rasti në rast, për të vendosur nëse një individi do t’i kufizohet kjo e drejtë dhe jo dispozita e përgjithshëm ligjore. Kufizimi i tillë gjeneral mund të thuhet se prek esencën e të drejtës se garantuar dhe nuk i shërben qëllimit të kufizimit. Por Gjykata Kushtetuese në  rolin e forumit të parimeve (shih:pika 2 e Aktgjykimit) dispozitën ligjore e ka bërë parim kushtetues. Debati rreth vendimit do te vijoje por individët dhe institucionet duhet ta zbatojnë. 

Krejt në fund,  mund te thuhet se gjatë interpretimit të dispozitave kushteutese nga Gjykata,  kuptimi i supozuar i tyre ndryshon. Në rastin e Kosovës, Gjykata Kushtetuese ka pasur rol thelbësor në mbrojtjen e kushtetutshmërisë dhe jo vetëm. Në një mjedis kundërthënës, polarizues dhe mungesë të koncensuesit të nevojshëm dhe eskivimeve të pafundme, institucionet publike apo subjektet politike kanë vijuar t’i drejtohen Gjykatës si instancë e fundit.  Gjykata në vendimet e saj  jo rrallë herë iu ka kthyer përgjigjet, se ju mund të vini deri këtu dhe tani valët tuaja ndërpriten. Kushtetua është ajo që Gjykata e thotë se është.

You May Also Like

Debunking Articles

Pretendimi i ngritur nga Vudi Xhymshiti se Zëvendës Ndihmës Sekretari, Gabriel Escobari, ka nënvlerësuar qeverinë e Kosovës, duke e lidhur këtë me pretendimet se...

Analysis

Katër ditë para Vitit të Ri, më 27 dhjetor 2023, Qeveria e Kosovës miratoi në heshtje Projektligjin për Komisionin e Pavarur për Media, i...

Disinfo

Gjatë dy viteve të fundit, Kosova ishte cak i sulmeve kibernetike dhe kërcënimeve me bomba, që kishin për qëllim destabilizimin e vendit dhe krijimin...

Analysis

Viti i parë i Qeverisë Kurti shënoi një start të vështirë në politikën e jashtme, shoqëruar me shumë gabime diplomatike dhe dështime të protokollit....

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.