Connect with us

Hi, what are you looking for?

Opinion

Tre etapa të politikës së jashtme

Kosova është vonuar për t’iu përshtatur rikonfigurimit të rendit ndërkombëtar. Ajo ka vështruar e hutuar gjersa dobësimi i rendit unipolar amerikan, që ka mbizotëruar nga fillimvitet 1990, ka mëdyshur vlerat bërthamë të politikës botërore dhe ka rritur përmasën e paparashikueshmërisë. Këto transformime kanë shtyrë edhe superfuqitë të adaptojnë ligjërim dhe sjellje të re në politikën e tyre të jashtme. Kjo ka ndodhur edhe në kontekst të Kosovës. Nga vitet 1990, Kosova ka kaluar dy etapa të politikës së jashtme, por pa arritur ta bëjë kapërcimin në etapën e tretë. Ky kapërcim është i domosdoshëm për dekadën, në të cilën sapo kemi hyrë.

Fillet e politikës së jashtme kosovare shtrihen në fillimvitet 1990, kur institucionet e asokohshme filluan të takoheshin me personalitete shtetesh dhe institucione ndërkombëtare. Në epiqendër të kësaj ndërmarrjeje të re ishin tri pika. Së pari, synohej rritja e vetëdijes së komunitetit ndërkombëtar për shkeljen e të drejtave të njeriut brenda territorit të Kosovës nga regjimi i Millosheviqit. Së dyti, ishte kërkesa për përkrahjen për një zgjidhje politike paqësore të konfliktit me pavarësinë e Kosovës, demokracinë si sistem politik pasardhës, bashkëjetesën si model shoqëror dhe hapjen ndaj Shqipërisë dhe Serbisë në aspektin e jashtëm. Së treti, lëvizja e Kosovës për pavarësi, në vitet 1990, i dha hov perceptimit se zgjidhja afatgjatë e Kosovës nuk ishte çështje ballkanike, por duhej zgjidhur nga komuniteti ndërkombëtar, në këtë rast SHBA dhe BE, me protektorat ndërkombëtar si fazë tranzitore. Kjo, thënë shkurt, nënkuptonte që çështja e Kosovës nuk ishte çështje jugosllave apo ballkanike, por evropiane e botërore. Në fakt, ishte hera e parë që formacionet politike në Kosovë e shihnin zgjidhjen e çështjes përmes këtyre thjerrëzave, pra përmes politikës së jashtme. Për dekada me radhë, lëvizjet ilegale që operonin në Kosovë, lirinë e shihnin si të lidhur më shumë me veprimet e brendshme, domethënë me aktivitetin brenda territorit të Kosovës, s sa ato të jashtme. Për shkak të doktrinës së majtë ato parashikonin se Kosova duhet të orientohet kah mobilizimi i përgjithshëm qytetar dhe luftë guerile, me përkrahje nga Shqipëria, duke anashkaluar dimensionin ndërkombëtar.

Gjatë viteve 1990 këto takime në epiqendrat diplomatike perëndimore, duke përfshirë Shtëpinë e Bardhë, arritën që ta forcojnë legjitimitetin ndërkombëtar të Kosovës, si aktor i matur dhe racional, si dhe të ravijëzonin një imazh të njerëzve të saj si njerëz të përkushtuar për paqe dhe bashkëjetesë. Natyrisht që imazhi është me rëndësi për syrin. Luante rol fakti se fytyra e kësaj lëvizjeje, Rugova, ishte i shkolluar në Paris dhe në epiqendër të diskursit kishte fjalën paqe. Ndërkaq homologët e tij Millosheviqi në Serbi, Tuxhmani në Kroaci, Izetbegoviqi në Bosnje dhe Hercegovinë shquheshin kush më shumë e kush më pak për prirje autokrate, nacionaliste, qe besa edhe me gatishmëri të dëshmuar për luftë konvencionale.

Ky përkushtim i fitoi Kosovës leva dhe miq jashtë. Politika e jashtme e Kosovës, ani pse e re, lexoi ndryshimet ndërkombëtare më shpejt se fqinjët e saj, duke u pozicionuar në anën e duhur. Kosova nuhati ndryshimin e balancit të forcave dhe efektin spill-over nga rënia e Murit të Berlinit dhe adaptoi axhendën e saj në kohë. Pavarësisht këtyre, duhet cekur se kjo etapë e politikës së jashtme nuk kish të bënte me organizim institucional.

Etapa e dytë e politikës së jashtme kosovare vërehet pas shpalljes së pavarësisë, domethënë pas 17 shkurt 2008. Në këtë periudhë u themelua baza ligjore, Ministria e Punëve të Jashtme, shërbimi i jashtëm dhe misionet diplomatike dhe konsullore. U formësua edhe diskursi ndërkombëtar i Kosovës, mesazhet që Kosova do t’i përçonte jashtë si shtet i pavarur. Duke përfituar edhe nga konteksti i favorshëm ndërkombëtar, edhe nga inercioni i krijuar nga ngjarjet e mëhershme, në vitet e para të politikës së jashtme sukseset nuk munguan. Ndër to, njohje dypalëshe dhe anëtarësim në organizata ndërkombëtare.

Sidoqoftë, procesi i formimit të një politike të jashtme kosovare të institucionalizuar kishte shumë mungesa. Në fakt, është e vështirë të thuhet që pas shpalljes së pavarësisë Kosova nuk arriti të krijojë një politikë të jashtme koherente, me efikasitet, me një diskurs atraktiv që arrin të komunikojë me audienca diverse dhe që përfaqëson në mënyrën më të mirë vlerat e shtetit jashtë. Gjithashtu, praktikat institucionale meritokratike ishin të dobëta, ndërhyrjet partiake të mëdha, duke shkaktuar jokompetencë.

Këto mungesa nuk qenë vërejtur edhe aq, gjersa gjërat po ecnin mbarë. Sidoqoftë, si pasojë e dinamikave dhe ngjarjeve në rajone dhe kontinente tjera, pas vitit 2014 angazhimi i partnerëve ndërkombëtarë për Kosovën filloi të zbehej. Dhe mungesat e politikës së jashtme bëheshin përherë e më të dukshme, ashtu si mungesa e arritjeve në njohjen ndërkombëtare. Ndryshe nga vitet 1990 kur kishte bërë pozicionimin e duhur, politika e jashtme kosovare nuk arrinte të adaptohej, gjersa dinamikat ndërkombëtare po ndryshonin dukshëm. Ajo vazhdonte të fliste gjuhën e vjetër, në një kontekst të ri.

Ta marrim fushatën për çnjohje të sponsorisuar nga Serbia. Në fazat e para kjo fushatë u përshkrua si fake news. MPJ deklaronte se tërheqja e njohjes nuk ishte e rregulluar në të drejtën ndërkombëtare. Më vonë u ndryshua kursi, kishte akuza se Serbia po i blen këto letra verbale, me ndihmën e Rusisë, shitjen e armëve etj., që në fakt duhet të ketë diçka të vërtetë. Dhe më vonë, në nëntor 2018, Qeveria e Kosovës vendosi tarifën 100% ndaj Serbisë duke e përmendur fushatën për çnjohje nga Serbia, një proces që vetëm disa muaj më parë e kishte përshkruar si joekzistent. Brenda një viti, me gjasë si pasojë e presupozimeve të painformuara politika e jashtme kosovare vuri në spikamë mungesa serioze institucionale, me diskurs të paqëndrueshëm, që ndryshon nga dita në ditë.

Fushata e çnjohjeve shërben si ilustrim i një pamje holistike. Ajo dëshmon se Kosova ka pasur veshtirësi të ndërtojë politikë të jashtme koherente pas pavarësisë, prandaj përshtatja me ndryshimet ndërkombëtare ka qenë e vështirë. Për një shtet të kontestuar si Kosova, i cili përballet me kundërlobim të përditshëm, politika e jashtme ka rëndësi jetike. Ta kemi parasysh ambientin ekzistues ndërkombëtar. Kur filloi dekada e kaluar do ishte e vështirë të paramendohej se Britania e Madhe do ta soste atë jashtë BE-së. Kush do ta paramendonte se aneksimi do të rikthehej si mjet politik, sikundër bëri Rusia në rastin e Krimeas? Se regjimet shumëvjeçare në Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut do të rrëzoheshin brenda muajsh njëra pas tjetrës, si të ishin figura letre? Dekada në të cilën kemi hyrë mund të sjellë më shumë ndryshime të papritura. Prandaj, ajo që në këtë shkrim është quajtur etapa e tretë, që nënkupton mendësi dhe veprim të ri në politikën e jashtme kosovare, është e domosdoshme.

 

You May Also Like

Debunking Articles

Pretendimi i ngritur nga Vudi Xhymshiti se Zëvendës Ndihmës Sekretari, Gabriel Escobari, ka nënvlerësuar qeverinë e Kosovës, duke e lidhur këtë me pretendimet se...

Analysis

Katër ditë para Vitit të Ri, më 27 dhjetor 2023, Qeveria e Kosovës miratoi në heshtje Projektligjin për Komisionin e Pavarur për Media, i...

Analysis

Viti i parë i Qeverisë Kurti shënoi një start të vështirë në politikën e jashtme, shoqëruar me shumë gabime diplomatike dhe dështime të protokollit....

Disinfo

Gjatë dy viteve të fundit, Kosova ishte cak i sulmeve kibernetike dhe kërcënimeve me bomba, që kishin për qëllim destabilizimin e vendit dhe krijimin...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.