Connect with us

Hi, what are you looking for?

Opinion

Vrasja e grave është thellësisht politike

Ilustrimi: BigEye

Listës së grave të vrara nga burrat, si Diana Kastratit, Zejnepe Bytyqi, S. Canaj e shumë të tjerave, në dy vitet e fundit iu shtuan edhe tri gra. Donjeta Pajaziti, 24 vjeçarja nga Deçani u grabit, u vra me dy plumba në kokë dhe u gjet pas gjashtë javëve në Bjeshkët e Strellcit. I arrestuar për vrasjen ishte kushëriri i saj 60 vjeçar. Dafina Zhubi, 35 vjeçarja nga Gjakova vdiq në banesën e të dashurit të saj, në shkurt 2016. I dyshuari kryesor, i dashuri i saj Astrit Dibra, pronar i dyqaneve të lojërave të fatit, u lirua nga prokurorja Fitore Sadikaj e cila e cilësoi vdekjen e të ndjerës “vetëvrasje” pavarësisht deklarimeve të ekspertizës se dëshmitë thanë të kundërtën. Ndërsa muajin e kaluar, u raportua për vdekjen e një gruaje 54 vjeçare në Prishtinë, e raportuar nga mediet me inicialet M.G, e vrarë nga bashkëshorti i saj, në dhjetor 2016.

Shumë gra të tjera sot vazhdojnë të përjetojnë dhunë në heshtje, dhe rrezikojnë të jenë viktima potenciale të vrasjes.

Vrasja e grave është thellësisht politike. Këtë e thonë Charlotte Bunch dhe Roxanna Carillo në librin e tyre “Dhuna Gjinore – çështje zhvillimore dhe e të drejtave të njeriut”. Sipas tyre, gratë si viktima shpesh janë të padukshme, sepse imazhi dominuesI i aktorit politik në botën tonë është burrë. Si rrjedhojë, dominimi i grave është vetë porosia: rri aty ku e ke vendin apo frikësohu. Autoret theksojnë se sistemi nënshtrues i grave është aq i thellë saqë konsiderohet i natyrshëm, madje edhe i pashmangshëm, sepse një besim i tillë i ka rrënjët tek pushteti strukturor (në shtëpi, punë, sferë publike), pushtet ky që u jep privilegje dhe role dominuese burrave.

“Nëse gratë e përdorin tërë energjinë e tyre vetëm për të mbijetuar dhe nëse të jetuarit me frikë është gjendja e tyre bazike, çka tregon kjo për bashkëshortët e tyre dhe për politikanët e vendit?” – pyet aktivistja feministe serbe Lepa Mljadenovic në esenë SOS Belgrade July 1993-1995: Dirty Streets. Sipas saj, frika është mjet nënshtrimi dhe dominimi. Edhe gratë në Kosovë jetojnë më frikën se do të vriten, rrahen, dhunohen dhe torturohen nëse e harrojnë rolin e tyre të përcaktuar gjinor, pra atë nënshtrues. Edhe atëherë kur nuk na kanoset ndonjë rrezik konkret nga dhuna e një burri, ne jetojmë me frikën për të. Ngjashëm sikurse në luftë thotë Mljadenovic: “…jo të gjithë njerëzit janë të vdekur, por të gjithë jetojnë me frikën se do të vdesin.”

Kjo gjendje që prodhon frikë dhe promovon kërcënimin si mjet nënshtrues përforcohet nga vetë sistemi i drejtësisë. Këtë e dëshmon lirimi i Astrit Dibrës ku gjykata zgjedh të shpërfillë të dhënat që dëshmojnë vdekjen e dhunshme të Dafinës; e kanë dëshmuar dosjet e shumëfishta të bashkëshortit të Zejnepe Bytyqit, të cilat po të merreshin me seriozitet do të mund të parandalonin vrasjen e saj; është dëshmuar me konstatimin e Gjykatës Kushtetuese se shteti ka dështuar në mbrojtjen e Diana Kastratit e cila ka kërkuar mbrojtje emergjente nga përndjekësi i saj (bashkëshorti/vrasësi i saj). Pra autoritetet e vendit, më shumë sesa bindjet konservatore të vetë burrave, po e përforcojnë nocionin për gratë si klasë e nënshtruar, e pambrojtur, madje edhe joeksiztente.

Sipas librit “Seksi dhe Paqja në Botë”, shtetet që i trajtojnë gratë keq kanë më shumë tendencë të jenë më të varfër dhe të investojnë më pak në njerëz. Autorët e tekstit konsiderojnë se dhuna në bazë gjinore jo vetëm që shkatërron shtëpitë por ndikon dukshëm në politikë dhe siguri në të dy nivelet, shtetërore dhe ndërkombëtare. Libri vë në pah ndikimin e pabarazisë gjinore në nivel shteti dhe thekson që shoqëritë me më shumë barazi gjinore kanë më pak tendencë të shkojnë të luftë, të përdorin më së pari forcën në përballje me konflikte, apo të përfshihen në kriza të dhunshme ndërkombëtare.

Tek ne, jo vetëm që nuk investohet në drejtësi gjinore dhe humanitet, por thirrjet për dominim gjinor na vijnë rregullisht. Ato vijnë përmes diskursit publik që nxit t’i urrejmë gratë,  t’i përçmojmë, t’i reduktojmë në epitete mizogjene e emra kafshësh, t’i ofendojmë e kërcënojmë haptas e publikisht edhe në Kuvend, t’i ndëshkojmë e përjashtojnë në momentin që devijojnë nga normat konvencionale gjinore të ‘gruas së ndershme”. Burrat dhe djemtë ushqehen me diskurs mizogjinist. Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, ish-Avokati i Popullit, Sami Kurteshi, përfaqësuesi i shoqatave të veteranëve Hysni Gucati, xhaxhai i vajzës që rrahu mbesën e tij adoleshente nga Rahoveci, janë vetëm disa nga shembujt që i pamë publikisht, dhe që dëshmojnë për maskulinitetin e dhunshëm patriarkal, ‘kulturën burrërore’ dhe militarizimin e raporteve gjinore.

“Gratë duhet fuqizuar por burrat duhet sfiduar.”, – thotë Katie Cosgrove në esenë e saj “Asnjë burrë nuk ka të drejtë” ku prezanton fushatën e suksesshme Zero Tolerancë për vetëdijesim të masës së gjerë për ta kundërshtuar haptas dhunën ndaj grave. Në mënyrë që problemi i dhunës pandemike ndaj grave të adresohet në mënyrë efektive, problemit duhet t’i vihet emri që i takon, dhe se ai emër është ‘dhuna mashkullore’ (male violence). Për disa, një emërtim i tillë pranohet vështirë për shkak se gjykohet për demonizim të burrave. Por sipas Cosgrove, ky emërtim problemi është qenësor për ta kuptuar këtë formë dhune ku agresori dominues është burri, ndërsa viktima dominuese është gruaja, ku një klasë e tërë shoqërore abuzon, e klasa tjetër e pëson.

Dhuna ndaj grave është realitet i formësuar politikisht që mirëmbahet nga institucionet patriarkale. Prandaj, iniciativat për parandalim të krimeve ndaj grave duhet të marrin hov sa më parë. Këto iniciativa duhen parë në kontekst të gjerë kulturor, kontekst përmes se cilit mund të kuptojmë që vajzat e djemtë nuk edukohen sesi të krijojnë raporte të shëndosha, të drejta e të barabarta, dhe një konteksti ku djemve u ushqehet maskuliniteti i dëmshëm gjinor; ai për shtypje dhe dominim.

Besimet për të drejtën e ushtrimit të dhunës, mbjelljes së frikës e kërcënimit duhet thyer përmes sundimit të ligjit. Është koha të mbjellim frikë dhe bindje ligjore tek burrat që dhuna dhe autoriteti i pretenduar mbi gratë dënohet me ligj. Sundimi bindës i ligjit do të dëshmohet me sanksionimin e abuzuesit dhe mbrojtjen e viktimës, kur zyrtarët policorë, prokurorët, punëtorët socialë, dhe ekspertë të tjerë po ashtu sanksionohen nëse dështojnë të mbrojnë viktimën. Kështu do të mund të përçohet porosia njëherë e përgjithmonë se dhuna ndaj grave nuk është çështje private apo familjare, por vepër penale.

‘Dhuna mashkullore’ është përgjegjësi e vetë burrave. Këtë duhet ta kuptojnë edhe ata që nuk ushtrojnë dhunë apo nuk kanë tendencë për sjellje të tillë. Se për të parë ndryshime strukturore, është e domosdoshme që porosia kundër nënshtrimit të grave dhe pseudovlerave burrërore të vijë nga vetë burrat që kërkojnë imazhe dhe varitete më të shëndosha të maskuliniteteve. Demaskuliniteti i dhunshëm patriarkal dhe institucional do të jetë një nga mekanizmat afatgjatë të reduktimit të dhunës ndaj grave.

You May Also Like

Debunking Articles

Pretendimi i ngritur nga Vudi Xhymshiti se Zëvendës Ndihmës Sekretari, Gabriel Escobari, ka nënvlerësuar qeverinë e Kosovës, duke e lidhur këtë me pretendimet se...

Analysis

Katër ditë para Vitit të Ri, më 27 dhjetor 2023, Qeveria e Kosovës miratoi në heshtje Projektligjin për Komisionin e Pavarur për Media, i...

Disinfo

Gjatë dy viteve të fundit, Kosova ishte cak i sulmeve kibernetike dhe kërcënimeve me bomba, që kishin për qëllim destabilizimin e vendit dhe krijimin...

Analysis

Viti i parë i Qeverisë Kurti shënoi një start të vështirë në politikën e jashtme, shoqëruar me shumë gabime diplomatike dhe dështime të protokollit....

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.