{"id":4209,"date":"2018-05-08T15:15:26","date_gmt":"2018-05-08T13:15:26","guid":{"rendered":"https:\/\/sbunker.org\/?p=4209"},"modified":"2024-12-24T15:11:32","modified_gmt":"2024-12-24T13:11:32","slug":"rilindja-88-e-duam-jugosllavine-e-te-barabarteve","status":"publish","type":"post","link":"https:\/\/sbunker.org\/en\/analize\/rilindja-88-e-duam-jugosllavine-e-te-barabarteve\/","title":{"rendered":"Rilindja &#8217;88: E duam Jugosllavin\u00eb e t\u00eb barabart\u00ebve"},"content":{"rendered":"<div class=\"news-up\">\n<p>N\u00eb Prishtin\u00eb vazhduan tubimet dhe marshimet m\u00eb masive q\u00eb njeh Kosova deri m\u00eb tash.<\/p>\n<\/div>\n<div class=\"news-down\">\n<div class=\"img-wrapper\">\n<div class=\"news-down\">\n<div class=\"news-left\">\n<p><em>(20 n\u00ebntor 1988)<\/em><\/p>\n<p>Pas defilimit n\u00ebp\u00ebr qytet, student\u00ebt e Universitetit t\u00eb Prishtin\u00ebs, t\u00eb cil\u00ebve iu bashkuan edhe grupe t\u00eb m\u00ebdha pun\u00ebtor\u00ebsh, hyn\u00eb n\u00eb sall\u00ebn e madhe t\u00eb pallatit t\u00eb rinis\u00eb &#8220;Boro e Ramizi&#8221;. Edhe gjat\u00eb rrug\u00ebs ata brohoritnin, parulla tashm\u00eb t\u00eb njohura.<\/p>\n<p>Pran\u00eb foltores minator\u00ebt e Goleshit, Jusuf Dulla dhe Idriz Byty\u00e7i, mbanin n\u00eb duar fotografit\u00eb e shokut Tito dhe t\u00eb Kardelit, t\u00eb cil\u00ebt edhe deklaruan se asgj\u00eb nuk kan\u00eb tjet\u00ebr, pos q\u00eb k\u00ebrkojm\u00eb barazi dhe v\u00ebllaz\u00ebrim-bashkim, andaj ky \u00ebsht\u00eb q\u00ebllimi yn\u00eb dhe i shok\u00ebve tan\u00eb q\u00eb kemi ardhur k\u00ebmb\u00eb deri n\u00eb Prishtin\u00eb. Student\u00ebt, pun\u00ebtor\u00ebt (t\u00eb cil\u00ebve iu bashkuan edhe nx\u00ebn\u00ebsit e shkollave t\u00eb mesme) vazhdimisht brohoritnin &#8220;Tito-Partia!&#8221; dhe k\u00ebrkonin q\u00eb dor\u00ebheqjet t\u00eb anulohen. Disa her\u00eb u d\u00ebgjua edhe brohoritja: &#8220;Rroft\u00eb Ka\u00e7usha Jashari dhe Azem Vllasi.&#8221; Shum\u00eb e z\u00ebshme ishte edhe brohoritja: &#8220;Rroft\u00eb Stipe Shuvari!&#8221;<\/p>\n<p>Salla ku ishin tubuar ishte e mbushur edhe me fotografi t\u00eb shokut Tito, si dhe me flamujt e RSFJ, RSS dhe t\u00eb kombeve e t\u00eb komb\u00ebsive tona. Kur salla &#8216;u ndez&#8217; nga brohoritjet e shumta, n\u00eb foltore doli Enver Selimi, kryetar i Kryesis\u00eb s\u00eb LSPP t\u00eb Prishtin\u00ebs, i cili i paralajm\u00ebroi t\u00eb pranishmit se n\u00eb mesin tuaj do t\u00eb vijn\u00eb shok\u00ebt nga Krahina. Pas k\u00ebtyre fjal\u00ebve pjes\u00ebmarr\u00ebsit n\u00eb tubim brohoritnin: &#8220;Duam Stipe Shuvarin, duam Stipe Shuvarin!&#8221; N\u00eb foltore doli pastaj Nysret Jashari, student, i cili tha se jemi tubuar sot p\u00ebr t\u00eb shprehur vullnetin ton\u00eb t\u00eb p\u00ebrbashk\u00ebt p\u00ebr Jugosllavin\u00eb e barabart\u00eb t\u00eb kombeve dhe t\u00eb komb\u00ebsive tona dhe kund\u00ebr atyre q\u00eb akuzojn\u00eb kuadrot kosovare, sidomos ato shqiptare, e k\u00ebt\u00eb e b\u00ebjn\u00eb pa argumente. N\u00ebse duhet k\u00ebrkuar p\u00ebrgjegj\u00ebsi, k\u00ebt\u00eb duhet ta b\u00ebjm\u00eb ne, e jo ata q\u00eb nuk i kan\u00eb zgjedhur kuadrot kosovare, por k\u00ebt\u00eb e kemi b\u00ebr\u00eb ne. N\u00eb fund ky brohoriti: &#8220;Rroft\u00eb Jugosllavia vet\u00ebqeveris\u00ebse e socialiste dhe barazia e t\u00eb gjith\u00ebve! E p\u00ebrsh\u00ebndes klas\u00ebn pun\u00ebtore dhe t\u00eb gjith\u00eb student\u00ebt&#8221;. Me k\u00ebto fjal\u00eb iu drejtua t\u00eb pranishm\u00ebve edhe studentja Arb\u00ebrie Lleshi, e cila edhe k\u00ebrkoi q\u00eb t\u00eb mos jap\u00eb dor\u00ebheqje Ka\u00e7usha Jashari, ngase, sipas k\u00ebsaj studenteje, p\u00ebr t\u00eb dh\u00ebn\u00eb dor\u00ebheqje nga nj\u00eb post i r\u00ebnd\u00ebsish\u00ebm si\u00e7 \u00ebsht\u00eb ai i kryetarit t\u00eb Kryesis\u00eb s\u00eb KK t\u00eb LK t\u00eb Kosov\u00ebs, duhet t\u00eb ket\u00eb argumente. N\u00eb sall\u00eb u brohorit pastaj: &#8220;Ka\u00e7usha Jashari, Ka\u00e7usha Jashari!&#8221; N\u00eb foltore doli pastaj nj\u00eb i ri tjet\u00ebr, i cili tha se nuk lejojm\u00eb q\u00eb Azem Vllasi t\u00eb jap\u00eb dor\u00ebheqje, ngase ai asnj\u00ebher\u00eb nuk e ka v\u00ebn\u00eb n\u00eb dyshim politik\u00ebn e drejt t\u00eb LKJ. Me k\u00ebto fjal\u00eb iu drejtua pjes\u00ebmarr\u00ebsve n\u00eb sall\u00eb edhe Nora Ferizi dhe k\u00ebrkoi q\u00eb n\u00eb mesin e tyre t\u00eb gjendet Azem Vllasi. N\u00eb sall\u00eb prap\u00eb u d\u00ebgjua brohoritja p\u00ebr Azemin, nd\u00ebrsa nj\u00eb grup pun\u00ebtor\u00ebsh nga OTHPB &#8220;Utva&#8221; e Pej\u00ebs e ngrit\u00ebn lart fotografin\u00eb e shokut Tito. N\u00eb sall\u00eb u d\u00ebgjua nj\u00eb brohoritje e z\u00ebshme e t\u00eb gjith\u00ebve: &#8220;Tito-Partia!&#8221;<\/p>\n<p><strong>Pjekuri politike dhe intelektuale e student\u00ebve<\/strong><\/p>\n<p>Student\u00ebt e Universitetit t\u00eb Prishtin\u00ebs, dje, rreth or\u00ebs 10, u tubuan n\u00eb palestr\u00ebn e sporteve &#8220;25 Maji&#8221;, me t\u00eb cil\u00ebt ishin t\u00eb gjitha strukturat e rinis\u00eb s\u00eb Universitetit, t\u00eb fakulteteve dhe t\u00eb Qendr\u00ebs s\u00eb Student\u00ebve, profesor\u00eb, udh\u00ebheq\u00ebs t\u00eb Qendr\u00ebs s\u00eb Student\u00ebve, si dhe Adem Hasanaj, Hashim Rexhepi, dhe Muhamet Krasniqi.<\/p>\n<p>K\u00ebrkesat e student\u00ebve ishin po ato t\u00eb pun\u00ebtor\u00ebve dhe t\u00eb qytetar\u00ebve. Me k\u00ebt\u00eb rast atyre u fol\u00ebn Adem Hasanaj, Sk\u00ebnder Karahoda, Muhamet Krasniqi dhe Shemsi G\u00ebrguri, t\u00eb cil\u00ebt theksuan se \u00ebsht\u00eb q\u00ebndrim i t\u00eb gjitha strukturave t\u00eb Universitetit dhe t\u00eb KK t\u00eb LK t\u00eb Kosov\u00ebs t\u00eb mos dalin n\u00eb rrug\u00eb pasi me k\u00ebt\u00eb rast mund t\u00eb keq\u00ebsohet edhe m\u00eb tej gjendja, ngase ekziston rreziku q\u00eb dikush t\u00eb mundohet t&#8217;i jep kahje tjet\u00ebr tubimit. Pas k\u00ebsaj megjithat\u00eb, rreth or\u00ebs 11 n\u00eb m\u00ebnyr\u00eb t\u00eb organizuar student\u00ebt u nis\u00ebn p\u00ebr n\u00eb qytet, kurse kolon\u00ebn e student\u00ebve e udh\u00ebhiqnin strukturat e rinis\u00eb.<\/p>\n<p>Kolona e student\u00ebve, ku ishin mbi 10 mij\u00eb veta, vazhdoi rrug\u00ebn p\u00ebr n\u00eb qytet, duke brohoritur parulla t\u00eb mir\u00ebnjohura. Nga k\u00ebng\u00ebt q\u00eb d\u00ebgjoheshin dominonte &#8220;Shoku Tito-ne t\u00eb betohemi!&#8221;. Kurse, bartnin fotografin\u00eb e Titos, flamurin partiak, t\u00eb RSFJ dhe t\u00eb RSS si dhe t\u00eb gjith\u00eb flamujt e kombeve dhe t\u00eb komb\u00ebsive t\u00eb Kosov\u00ebs.<\/p>\n<p><strong>DISTANCIM NGA T\u00cb GJITH\u00cb ATA Q\u00cb ATAKOJN\u00cb IDENTITETIN DHE INTEGRITETIN E UNIVERSITETIT<\/strong><\/p>\n<p>N\u00eb sall\u00ebn e rinis\u00eb &#8220;Boro e Ramizi&#8221;, rreth 6 mij\u00eb student t\u00eb Universitetit t\u00eb Prishtin\u00ebs (aq sa i zuri salla t\u00eb hyjn\u00eb brenda) n\u00eb m\u00ebnyr\u00eb dinjitoze p\u00ebrmes parullave e brohoritjeve shprehen edhe nj\u00eb her\u00eb besnik\u00ebrin\u00eb e madhe ndaj rrug\u00ebs e vepr\u00ebs s\u00eb shokut Tito, se jan\u00eb p\u00ebr forcimin e v\u00ebllaz\u00ebrim-bashkimit, t\u00eb bashk\u00ebjetes\u00ebs dhe t\u00eb barazis\u00eb s\u00eb plot\u00eb nacionale t\u00eb t\u00eb gjitha kombeve e komb\u00ebsive tona q\u00eb jetojn\u00eb n\u00eb k\u00ebt\u00eb n\u00ebnqiell.<\/p>\n<p>S\u00eb pari atyre iu drejtua rektori i k\u00ebtij Universiteti, Stevan Balosheviqi, i cili tha se ne profesor\u00ebt jemi k\u00ebtu me ju dhe jemi t\u00eb gatsh\u00ebm q\u00eb t\u00eb ju d\u00ebgjojm\u00eb.<\/p>\n<p>K\u00ebrkojm\u00eb nga ju dinjitet t\u00eb qytetar\u00ebve akademik\u00eb. E k\u00ebrkoj k\u00ebt\u00eb n\u00eb em\u00ebr t\u00eb 19 vjet\u00ebve t\u00eb pun\u00ebs s\u00eb Universitetit t\u00eb Prishtin\u00ebs, n\u00eb em\u00ebr t\u00eb 52 mij\u00eb t\u00eb diplomuarve, tash qytetar\u00eb akademik\u00eb, n\u00eb em\u00ebr t\u00eb dy mij\u00eb arsimtar\u00ebve e bashk\u00ebpun\u00ebtor\u00ebve q\u00eb mbajn\u00eb m\u00ebsimin n\u00eb gjuh\u00ebn shqipe dhe serbokroate. Po ju lajm\u00ebroj se brenda 20-30 minutash do t\u00eb vijn\u00eb udh\u00ebheq\u00ebsit nga KK i LK t\u00eb Kosov\u00ebs dhe an\u00ebtar\u00ebt e KQ t\u00eb LKJ-s\u00eb. (Student\u00ebt brohorit\u00ebn: Jugosllavia-Jugosllavia). Apeloj te ju q\u00eb t\u00eb na d\u00ebgjoni neve q\u00eb kemi ardhur k\u00ebtu, q\u00eb s\u00eb bashku t\u00eb vijm\u00eb deri te vendimet dhe rruga e drejt\u00eb, e cila nuk do t\u00eb na bjer\u00eb n\u00eb situat\u00eb t\u00eb palakmueshme, n\u00eb t\u00eb cil\u00ebn ishim para disa vjet\u00ebsh, Keni kujdes q\u00eb n\u00eb radh\u00ebt tuaja t\u00eb mos p\u00ebrzihen provokator\u00eb q\u00eb presin k\u00ebso rastesh. (Nuk lejojm\u00eb &#8211; u p\u00ebrgjegj\u00ebn student\u00ebt). Se nuk lejoni q\u00eb n\u00eb mesin tuaj t\u00eb p\u00ebrzihet askush ju e d\u00ebshmuat edhe parmbr\u00ebm\u00eb, kur n\u00eb konviktet e student\u00ebve erdh\u00ebn q\u00eb t\u00eb ju th\u00ebrrasin p\u00ebr t&#8217;iu bashkuar n\u00eb rrug\u00eb, e ju refuzuat. Fjala e rektorit u ndoq me brohoritje e duartrokitje.<\/p>\n<p>Pastaj, student\u00ebve iu drejtue kryetari i KA t\u00eb LK t\u00eb UP Sk\u00ebnder Karahoda, i cili tha se kemi ardhur t&#8217;ju d\u00ebgjojm\u00eb dhe t\u00eb japim at\u00eb q\u00eb \u00ebsht\u00eb reale e q\u00eb k\u00ebrkohet prej nesh, t\u00eb jemi n\u00eb detyr\u00eb t\u00eb realizimit konsekuent t\u00eb Programit t\u00eb LKJ-s\u00eb, p\u00ebr k\u00ebt\u00eb socializ\u00ebm, p\u00ebr barazi t\u00eb plot\u00eb nacionale. D\u00ebshiroj t\u00eb ju them se jemi pjes\u00ebtar\u00eb t\u00eb Universitetit t\u00eb Prishtin\u00ebs. S\u00ebrish po e parashtroj apelin q\u00eb t\u00eb distancohemi nga t\u00eb gjith\u00eb ata q\u00eb atakojn\u00eb identitetin dhe integritetin e Universitetit t\u00eb Prishtin\u00ebs. (Nuk lejojm\u00eb &#8211; ishte p\u00ebrgjegjja e student\u00ebve). Pra, t&#8217;i tregojm\u00eb opinionit jugosllav dhe bot\u00ebs se me korekt\u00ebsi dhe dinjitet intelektual jemi p\u00ebr rrug\u00ebn dhe vepr\u00ebn e shokut Tito, p\u00ebr Programin e LKJ-s\u00eb p\u00ebr v\u00ebllaz\u00ebrim-bashkim e bashk\u00ebjetes\u00eb t\u00eb t\u00eb gjitha kombeve e komb\u00ebsive tona. Edhe kjo u ndoq me nj\u00eb duartrokitje e brohoritje.<\/p>\n<p>Nd\u00ebrsa, kryetari i Kryesis\u00eb s\u00eb KA t\u00eb LRS t\u00eb UP, Shemsi G\u00ebrguri, i cili nd\u00ebr t\u00eb tjera tha se tubimeve t\u00eb klas\u00ebs pun\u00ebtore t\u00eb k\u00ebtyre dit\u00ebve, sot n\u00eb m\u00ebnyr\u00eb dinjitoze iu bashk\u00ebngjit\u00ebn edhe student\u00ebt e Universitetit t\u00eb Prishtin\u00ebs. Dhe, k\u00ebshtu, ata edhe nj\u00eb her\u00eb n\u00eb m\u00ebnyr\u00eb t\u00eb qart\u00eb shpreh\u00ebn se jan\u00eb p\u00ebr p\u00ebrcaktimet themelore t\u00eb sistemit ton\u00eb socialiste vet\u00ebqeveris\u00ebse, p\u00ebr v\u00ebllaz\u00ebrim-bashkim dhe barazi t\u00eb plot\u00eb nacionale. T\u00eb gjitha k\u00ebrkesat e arsyeshme t\u00eb student\u00ebve t\u00eb UP duhet t\u00eb merren parasysh. Ne edhe nj\u00eb her\u00eb do t\u00eb d\u00ebshmojm\u00eb se jemi intelektual\u00eb dhe akademik\u00eb t\u00eb ardhsh\u00ebm. Nuk do t&#8217;i lejojm\u00eb askujt q\u00eb edhe me shkasin m\u00eb t\u00eb vog\u00ebl k\u00ebtij tubimi t&#8217;i jap\u00eb kahje tjet\u00ebr. Kurse, Abdullah Mehmeti, n\u00eb mes t\u00eb tjerash theksoi se po d\u00ebshmojm\u00eb se jemi n\u00eb rrug\u00ebn e Titos dhe t\u00eb edukuar n\u00eb frym\u00ebn e patriotizmit socialist jugosllav.<\/p>\n<p><strong>CIL\u00cbSI E RE N\u00cb SITUAT\u00cbN TON\u00cb<\/strong><\/p>\n<p><em>(Nga fjala e Azem Vllasit para student\u00ebve)<\/em><\/p>\n<p>Me angazhimin tuaj, me sjelljet e tilla me p\u00ebrgjegj\u00ebsi, ju keni kontribuar m\u00eb s\u00eb shumti q\u00eb Universiteti i Prishtin\u00ebs t\u00eb heq\u00eb ato hipotekat dhe ato njollat q\u00eb i ka bartur prej &#8217;81shit. Prej angazhimit dhe sjelljeve tuaja do t\u00eb varet ekskluzivisht edhe situata n\u00eb at\u00eb mjedis, por edhe m\u00eb gj\u00ebr\u00eb, sepse ju jeni mjedis p\u00ebr t\u00eb cilin ka shum\u00eb konsiderat\u00eb dhe gjithmon\u00eb jemi angazhuar shum\u00eb q\u00eb t\u00eb zhvillojm\u00eb e krijojm\u00eb nj\u00eb inteligjenci t\u00eb re. Sjellja e inteligjencis\u00eb, e rinis\u00eb studenteske do t\u00eb ndikoj\u00eb n\u00eb m\u00ebnyr\u00eb t\u00eb r\u00ebnd\u00ebsishme n\u00eb t\u00ebr\u00eb atmosfer\u00ebn, n\u00eb t\u00ebr\u00eb opinionin, n\u00eb linj\u00ebn e LK dhe me sjellje do t&#8217;i ndihmoni p\u00ebrher\u00eb aksionit q\u00eb po e zhvillojm\u00eb p\u00ebr stabilizimin e gjendjes n\u00eb Kosov\u00eb.<\/p>\n<p>Kam ardhur k\u00ebtu, tha Azem Vllasi q\u00eb t&#8217;iu drejtohem n\u00eb em\u00ebr t\u00eb udh\u00ebheq\u00ebsis\u00eb s\u00eb LK t\u00eb Kosov\u00ebs, prandaj mos i p\u00ebrmendni dor\u00ebheqjet, ngase njer\u00ebzve q\u00eb kan\u00eb dh\u00ebn\u00eb dor\u00ebheqje nuk iu besohen detyra t\u00eb k\u00ebtilla. Neve n\u00eb udh\u00ebheq\u00ebsi na obligon disponimi juaj i shprehur n\u00eb linj\u00ebn e LKJ-s\u00eb, na obligon q\u00eb me k\u00ebmb\u00ebngulje t\u00eb q\u00ebndrojm\u00eb n\u00eb nj\u00eb orientim q\u00eb \u00ebsht\u00eb n\u00eb rrug\u00ebn e Titos, sepse vet\u00ebm n\u00eb k\u00ebt\u00eb rrug\u00eb i kemi arritur k\u00ebto rezultate p\u00ebr t\u00eb ndryshuar nj\u00eb disponim n\u00eb vet\u00ebdijen e njer\u00ebzve. Kur k\u00ebshtu n\u00eb m\u00ebnyr\u00eb masive edhe n\u00eb mjedisin studentesk, si edhe n\u00eb mjedisin e klas\u00ebs pun\u00ebtore, t\u00eb fshatar\u00ebve dhe n\u00eb mjedise t\u00eb tjera, brohoritet n\u00eb m\u00ebnyr\u00eb masive p\u00ebr LK, p\u00ebr Titon, p\u00ebr v\u00ebllaz\u00ebrim-bashkimin, p\u00ebr barazi, kjo \u00ebsht\u00eb nj\u00eb cil\u00ebsi e re n\u00eb situat\u00ebn ton\u00eb.<\/p>\n<p><strong>P\u00cbRKRAHJE POLITIK\u00cbS S\u00cb LKJ-S\u00cb<\/strong><\/p>\n<p>N\u00eb pallatin e rinis\u00eb student\u00ebve iu drejtuan edhe Azem Vllasi, an\u00ebtar i KQ t\u00eb LKJ-s\u00eb, tha se ndien dhe shpreh k\u00ebnaq\u00ebsi t\u00eb madhe, meqen\u00ebse n\u00eb k\u00ebt\u00eb ambient t\u00eb gjith\u00eb jemi bashk\u00eb, pjes\u00ebtar\u00ebt e kombeve e komb\u00ebsive q\u00eb jetojm\u00eb k\u00ebtu. Andaj, vet\u00ebm k\u00ebshtu dhe n\u00eb k\u00ebt\u00eb m\u00ebnyr\u00eb duhet t\u00eb shtrojm\u00eb \u00e7do problem, \u00e7do k\u00ebrkes\u00eb q\u00eb \u00ebsht\u00eb n\u00eb vij\u00ebn e LKJ-s\u00eb, n\u00eb rrug\u00ebn e Titos, n\u00eb platform\u00ebn e v\u00ebllaz\u00ebrim-bashkimit dhe t\u00eb barazis\u00eb nacionale. P\u00ebr t\u00eb gjith\u00eb ne dhe p\u00ebr LK, p\u00ebrkrahje m\u00eb e madhe \u00ebsht\u00eb kur n\u00eb forma legale brezi i ri, student\u00ebt dhe inteligjencia, pra bashk\u00eb t\u00eb gjith\u00eb q\u00eb jetojn\u00eb k\u00ebtu, shtrojn\u00eb k\u00ebrkesa, k\u00ebrkojn\u00eb zgjidhje, propozojn\u00eb dhe angazhohen n\u00eb platform\u00ebn e LKJ-s\u00eb, t\u00eb v\u00ebllaz\u00ebrim-bashkimit dhe t\u00eb barazis\u00eb nacionale, q\u00eb \u00ebsht\u00eb e vetmja e pranueshme dhe kurrsesi nuk b\u00ebn ndryshe. (Student\u00ebt n\u00eb t\u00eb dy gjuh\u00ebt k\u00ebnduan: Shoku Tito, ne t\u00eb jemi betuar.)<\/p>\n<p>Arsyeja, shkaku konkret, p\u00ebr t\u00eb cilin ju jeni tubuar, p\u00ebr \u00e7&#8217;arsye edhe dje e pardje, kemi pasur tubime t\u00eb tilla nga radh\u00ebt e klas\u00ebs pun\u00ebtore, njer\u00ebzve punonj\u00ebs dhe qytetar\u00ebve e t\u00eb tjer\u00eb, kan\u00eb qen\u00eb edhe disa vendime konkrete t\u00eb mbledhjes s\u00eb KK t\u00eb LK t\u00eb Kosov\u00ebs. D\u00ebshiroj t\u00eb ju them me p\u00ebrgjegj\u00ebsi (brohoritje: &#8220;Nuk duam dor\u00ebheqje&#8221;) se n\u00eb k\u00ebto rrethana, kjo q\u00eb u shpreh gjat\u00eb k\u00ebtyre dit\u00ebve \u00ebsht\u00eb m\u00eb me r\u00ebnd\u00ebsi se shpreh nj\u00eb orientim, nj\u00eb p\u00ebrkrahje t\u00eb politik\u00ebs s\u00eb LKJ-s\u00eb n\u00eb p\u00ebrgjith\u00ebsi dhe orientimin ton\u00eb q\u00eb n\u00eb \u00e7do aspekt t\u00eb angazhohemi p\u00ebr zgjidhjen e problemeve. N\u00eb baz\u00eb t\u00eb k\u00ebsaj q\u00eb ndodhi gjat\u00eb k\u00ebtyre dit\u00ebve, tha ai n\u00eb vazhdim, udh\u00ebheq\u00ebsia dhe Kryesia e KK t\u00eb KK i LK t\u00eb Kosov\u00ebs do t&#8217;i marr\u00eb me p\u00ebrgjegj\u00ebsin\u00eb m\u00eb t\u00eb madhe n\u00eb shqyrtim t\u00eb gjitha k\u00ebto k\u00ebrkesa, t\u00ebr\u00eb k\u00ebt\u00eb disponim, t\u00ebr\u00eb at\u00eb q\u00eb \u00ebsht\u00eb e orientuar n\u00eb linj\u00ebn e LK-s\u00eb, e ky disponim ka qen\u00eb i orientuar n\u00eb linj\u00ebn e LK-s\u00eb. Pra, do t\u00eb shqyrtoj\u00eb dhe do t\u00eb merr\u00eb masa e vendime konkrete, n\u00eb k\u00ebt\u00eb m\u00ebnyr\u00eb q\u00eb faktikisht neve na obligon n\u00eb baz\u00eb t\u00eb asaj q\u00eb na obligojn\u00eb edhe q\u00ebndrimet e Mbledhjes s\u00eb 17-t\u00eb t\u00eb LKJ-s\u00eb.<\/p>\n<p>Jam i bindur se ju thell\u00ebsisht jeni t\u00eb vet\u00ebdijsh\u00ebm se n\u00ebp\u00ebrmjet luft\u00ebs ideopolitike p\u00ebr stabilizimin e gjendjes n\u00eb Kosov\u00eb sot faktikisht jeni udke u angazhuar jo vet\u00ebm p\u00ebr stabilizimin e gjendjes n\u00eb Kosov\u00eb, por p\u00ebr ruajtjen e Jugosllavis\u00eb socialiste n\u00eb rrug\u00ebn e Titos. Nga kjo del p\u00ebrgjegj\u00ebsia jon\u00eb, si t\u00eb themi e dyfisht\u00eb, sepse syt\u00eb e Jugosllavis\u00eb, sot, jan\u00eb t\u00eb orientuar e t\u00eb kthyer kah Kosova (Brohoritje: Jugosllavia-Jugosllavia). Shpresat e komunist\u00ebve dhe t\u00eb t\u00eb gjitha forcave progresive t\u00eb Jugosllavis\u00eb jan\u00eb t\u00eb drejtuara kah ne, kah komunist\u00ebt, forcat progresive, klasa pun\u00ebtore, rinia dhe inteligjencia n\u00eb Kosov\u00eb, sepse komunist\u00ebt e Jugosllavis\u00eb kan\u00eb besim se ne do t\u00eb kontribuojm\u00eb dhe t&#8217;ia dalim n\u00eb fund luft\u00ebs p\u00ebr stabilizimin e gjendjes vet\u00ebm n\u00eb platform\u00ebn e LKJ-s\u00eb. (Brohoritje: Stipe-Stipe).<\/p>\n<p>Prandaj, mendoj se n\u00ebse jemi t\u00eb nj\u00ebsuar n\u00eb nj\u00eb front t\u00eb luft\u00ebs s\u00eb p\u00ebrbashk\u00ebt, theksoi ai, n\u00eb nj\u00eb front t\u00eb luft\u00ebs s\u00eb forcave progresive nga radh\u00ebt e t\u00eb gjitha kombeve e komb\u00ebsive, at\u00ebher\u00eb nuk ka nevoj\u00eb t\u00eb drojm\u00eb prej forcave t\u00eb ndryshme reaksionare, nacionalizmave t\u00eb ndrysh\u00ebm, t\u00eb cil\u00ebt sot po mendojn\u00eb se ka ardhur koha t\u00eb shkat\u00ebrrojn\u00eb Jugosllavin\u00eb. (Brohoritje: Nuk lejojm\u00eb &#8211; nuk lejojm\u00eb). Ashtu \u00ebsht\u00eb dhe kurr\u00eb nuk do t\u00eb lejojm\u00eb, tha Azem Vllasi.<\/p>\n<p><strong>T\u00eb nd\u00ebrtojm\u00eb nj\u00eb ardhm\u00ebri m\u00eb t\u00eb mir\u00eb<\/strong><\/p>\n<p>Nd\u00ebrsa, edhe ndryshimet kushtetuese, edhe lufta p\u00ebr ruajtjen e barazis\u00eb nacionale dhe \u00e7do luft\u00eb tjet\u00ebr p\u00ebr mbrojtjen e socializmit n\u00eb Jugosllavin\u00eb dhe rrug\u00ebn e Titos do t\u00eb varet prej forcave progresive e jo prej atyre forcave t\u00eb tjera, t\u00eb cilat po mendojn\u00eb se edhe ndryshimet kushtetuese edhe gj\u00ebrat tjera t&#8217;i shfryt\u00ebzojn\u00eb p\u00ebr q\u00ebllime t\u00eb err\u00ebta. LK qart\u00eb ka th\u00ebn\u00eb \u00e7ka nuk ndryshohet e \u00e7ka duhet t\u00eb ndryshohet p\u00ebr t\u00eb mir\u00ebn e t\u00eb gjitha kombeve e komb\u00ebsive, p\u00ebr t\u00eb mir\u00ebn e zhvillimit t\u00eb socializmit m\u00eb tutje n\u00eb Kushtetut\u00eb. At\u00eb drejtim e kan\u00eb p\u00ebrkrahur edhe punonj\u00ebs dhe qytetar\u00ebt e t\u00eb gjitha kombeve e komb\u00ebsive n\u00eb Kosov\u00eb. (Brohoritje: Ne jemi t\u00eb Titos &#8211; Tito \u00ebsht\u00eb i yni.) Ky mjedis, Kosova si dhe mbar\u00eb Jugosllavia, kurr\u00eb nuk ka qen\u00eb as i ngusht\u00eb, as i tep\u00ebrt, k\u00ebtu t\u00eb gjith\u00eb do t\u00eb jetojm\u00eb vet\u00ebm n\u00eb v\u00ebllaz\u00ebrim-bashkim e barazi. Ai q\u00eb lufton p\u00ebr v\u00ebllaz\u00ebrim-bashkim e barazi lufton p\u00ebr t\u00eb gjith\u00eb, por n\u00eb t\u00eb njejt\u00ebn koh\u00eb edhe p\u00ebr interesin e vet.<\/p>\n<p>K\u00ebrkojm\u00eb q\u00eb m\u00eb s\u00eb tep\u00ebrmi stabilizimit t\u00eb gjendjes dhe realizimit konsekuent t\u00eb politik\u00ebs s\u00eb LKJ t&#8217;i ndihmoni edhe ju student\u00ebt ashtu q\u00eb t\u00eb kujdeseni dhe me p\u00ebrgjegj\u00ebsin\u00eb tuaj t\u00eb mbani nj\u00eb rend, nj\u00eb qet\u00ebsi, t\u00eb krijoni nj\u00eb atmosfer\u00eb punuese, nj\u00eb atmosfer\u00eb tolerante, nj\u00eb atmosfer\u00eb t\u00eb v\u00ebllaz\u00ebrim-bashkimit s\u00eb pari n\u00eb Universitet, por edhe n\u00eb \u00e7do mjedis ku jeni e ku keni ndikim si intelektual\u00eb. Pra, i t\u00ebr\u00eb disponimi juaj q\u00eb u shpreh k\u00ebtu t\u00eb shnd\u00ebrrohet n\u00eb atmosfer\u00eb pune, n\u00eb nj\u00eb atmosfer\u00eb t\u00eb shoq\u00ebrimit nd\u00ebrmjet pjes\u00ebtar\u00ebve t\u00eb t\u00eb gjitha kombeve e komb\u00ebsive, q\u00eb t\u00eb forconi edhem\u00eb v\u00ebllaz\u00ebrim-bashkimin, Jugosllavin\u00eb socialiste n\u00eb rrug\u00ebn e shokut Tito. (Brohoritje: Jugosllavia-Jugosllavia). N\u00eb fund Azem Vllasi u tha se p\u00ebr q\u00ebndrimet e vler\u00ebsimet konkrete q\u00eb s\u00eb shpejti do t&#8217;i jap\u00eb KK i LK t\u00eb Kosov\u00ebs do t\u00eb informoheni publikisht. Pastaj, ai u tha student\u00ebve q\u00eb n\u00eb m\u00ebnyr\u00eb dinjitoze dhe si i ka hije rinis\u00eb studenteske t\u00eb kthehen n\u00eb konvikte e prej nga erdh\u00ebn.<\/p>\n<p>Student\u00ebt, pas k\u00ebsaj k\u00ebrkese ashtu si erdh\u00ebn, n\u00eb m\u00ebnyr\u00eb t\u00eb organizuar, t\u00eb qet\u00eb dhe dinjitoze u kthyen n\u00eb Qendr\u00ebn e student\u00ebve.<\/p>\n<p><strong>K\u00ebrkesa q\u00eb na obligojn\u00eb t&#8217;i shqyrtojm\u00eb me p\u00ebrgjegj\u00ebsin\u00eb m\u00eb t\u00eb madhe<\/strong><\/p>\n<p>N\u00eb sall\u00ebn e madhe t\u00eb qendr\u00ebs &#8220;Boro e Ramizi&#8221; n\u00eb foltore foli Sk\u00ebnder Berisha, pun\u00ebtor i Fabrik\u00ebs s\u00eb Amortizator\u00ebve t\u00eb Prishtin\u00ebs, i cili, nd\u00ebr t\u00eb tjera, tha se k\u00ebtu kemi ardhur t\u00eb manifestojm\u00eb p\u00ebrkrahjen ndaj vij\u00ebs s\u00eb LKJ-s\u00eb, barazis\u00eb s\u00eb kombeve dhe t\u00eb komb\u00ebsive dhe mospajtimin p\u00ebr ndryshime n\u00eb udh\u00ebheqjen e Kosov\u00ebs me presione. Parullat q\u00eb i brohoriti ky u shoq\u00ebruan nga duartrokitjet, sikund\u00ebr q\u00eb u duartrokit edhe k\u00ebrkesa e Sefedin Hajzerit, pun\u00ebtor i Bank\u00ebs s\u00eb Bashkuar t\u00eb Kosov\u00ebs, q\u00eb Azem Vllasi t\u00eb shpjegoj\u00eb si u b\u00eb q\u00eb ai t\u00eb n\u00ebrrohet pa i treguar popullit arsyen e mir\u00ebfillt\u00eb. Pastaj para turm\u00ebs, q\u00eb kishte mbushur k\u00ebt\u00eb sall\u00eb, \u00e7do skut\u00eb, sipas vler\u00ebsimit ton\u00eb rreth dhjet\u00eb mij\u00eb veta, doli Azem Vllasi, i shoq\u00ebruar nga brohoritjet dhe duartrokitjet frenetike.<\/p>\n<p>Duke iu drejtuar t\u00eb pranishm\u00ebve, Azem Vllasi tha: &#8220;N\u00eb k\u00ebt\u00eb moment ku r\u00ebnd\u00ebsi porosia juaj, p\u00ebrkrahja q\u00eb po manifestoni k\u00ebto dit\u00eb ndaj linj\u00ebs s\u00eb LKJ-s\u00eb e Komitetit Q\u00ebndror t\u00eb saj. Mos lejoni ask\u00eb q\u00eb t\u00eb fus\u00eb elemente t\u00eb tjera kund\u00ebr asaj linje. Un\u00eb kam besim n\u00eb ju se nuk do t\u00eb lejoni t&#8217;ju p\u00ebrzihen t\u00eb till\u00eb. Kurse para jush deklaroj se n\u00eb p\u00ebrputhje me kriteret e LKJ-s\u00eb udh\u00ebheqja e Kosov\u00ebs do t\u00eb shqyrtoj\u00eb \u00e7do vendim. Mir\u00ebpo, q\u00eb ta b\u00ebjm\u00eb nj\u00eb gj\u00eb t\u00eb till\u00eb na duhet nj\u00eb koh\u00eb, prandaj na lejoni q\u00eb k\u00ebrkesat tuaja t&#8217;i shqyrtojm\u00eb n\u00eb kushte normale dhe t\u00eb dalim pastaj me propozime konkrete. P\u00ebrkrahja m\u00eb e madhe q\u00eb mund t\u00eb na jepet ne e Lidhjes s\u00eb Komunist\u00ebve do t\u00eb ishte t\u00eb na lejoni q\u00eb n\u00eb Komitetin Krahinor dhe n\u00eb Kryesin\u00eb e tij t&#8217;i shqyrtojn\u00eb k\u00ebrkesat tuaja.<\/p>\n<p>Shum\u00eb pun\u00ebtor\u00eb, q\u00eb nga Stari-t\u00ebrgu e nga vise anemban\u00eb Kosov\u00ebs, t\u00eb rinj, qytetar\u00eb, student\u00eb e intelektual\u00eb, bujq e t\u00eb tjer\u00eb, gjat\u00eb k\u00ebtyre tri dit\u00ebve kan\u00eb shprehur mendimin e vet, vullnetin. E kjo na obligon q\u00eb t&#8217;i shqyrtojm\u00eb t\u00eb gjitha seriozisht. Na obligon ajo se m\u00eb s\u00eb shumti \u00ebsht\u00eb brohoritur emri i Titos dhe LKJ-ja. N\u00ebse ndonj\u00eb vendim q\u00eb \u00ebsht\u00eb marr\u00eb ka mbetur i pasqaruar, k\u00ebt\u00eb gj\u00eb do ta b\u00ebjm\u00eb pa vonuar. Un\u00eb jam i autorizuar nga Kryesia e KK t\u00eb LK t\u00eb Kosov\u00ebs t&#8217;u drejtohem. E dihet se atyre q\u00eb kan\u00eb dh\u00ebn\u00eb dor\u00ebheqje nuk u besohen detyra t\u00eb tilla. Prandaj, mos bini n\u00eb kurthe t\u00eb dezinformimeve, porositi Azem Vllasi.<\/p>\n<p>M\u00eb posht\u00eb ai iu drejtua t\u00eb pranishm\u00ebve me k\u00ebt\u00eb k\u00ebrkes\u00eb:<br \/>\nKur k\u00ebrkesat shprehen k\u00ebshtu, p\u00ebrmes tubimeve, mund t\u00eb ken\u00eb efekt, por vet\u00ebm n\u00ebse nuk kalohen kufijt\u00eb ndryshe mund t\u00eb jen\u00eb kund\u00ebrproduktive dhe t\u00eb japin efekte t\u00eb kund\u00ebrta. Prandaj mos lejoni t&#8217;i zhvler\u00ebsoni ato efekte. Pas k\u00ebsaj bisede do t\u00eb kemi rast t&#8217;ju drejtohemi konkretisht e me propozime konkrete. Mir\u00ebpo, p\u00ebr k\u00ebt\u00eb na duhet koh\u00eb. Si\u00e7 e dini, k\u00ebso tubimesh me k\u00ebrkesa t\u00eb njejta ka pasur edhe n\u00eb mjedise t\u00eb tjera t\u00eb Kosov\u00ebs. Prandaj juve e t\u00eb tjer\u00ebve iu sugjeroj q\u00eb t\u00eb mos vini m\u00eb n\u00eb Prishtin\u00eb. Ne kemi besim t\u00eb plot\u00eb n\u00eb ju dhe n\u00eb vet\u00ebdijen tuaj. \u00c7do k\u00ebrkes\u00eb tuaj\u00ebn do ta analizojm\u00eb me p\u00ebrgjegj\u00ebsin\u00eb m\u00eb t\u00eb madhe dhe vendimet e q\u00ebndrimet q\u00eb do t&#8217;i marrim do t\u00eb shprehin disponimin tuaj, t\u00eb popullit, q\u00eb me aq sinqeritet u manifestua si p\u00ebrkrahje linj\u00ebs s\u00eb LKJ-s\u00eb. Ashtu si keni ardhur, dinjitoz\u00eb, me dinjitet e n\u00eb qet\u00ebsi t\u00eb shp\u00ebrndaheni.<\/p>\n<p>P\u00ebr shkak se masa e tubuar n\u00eb pallatin &#8220;Boro e Ramizi&#8221; vazhdimisht shtohej aty rreth or\u00ebs 16 dhe pas v\u00ebrejtjes se konstruksioni fizik i k\u00ebsaj nd\u00ebrtese mund t\u00eb rrezikohet nga pesha e tepruar, masa vendosi t\u00eb dal\u00eb n\u00eb rrug\u00eb ku para KK dhe LK t\u00eb Kosov\u00ebs n\u00eb rrug\u00ebn &#8220;Mareshali Tito&#8221; prej hotelit &#8220;Grand&#8221; e deri te &#8220;Bozhuri&#8221; di\u00e7 m\u00eb von\u00eb u tubuan afro 100 mij\u00eb qytetar\u00eb nga t\u00eb gjitha an\u00ebt e Kosov\u00ebs. Filloi edhe t\u00eb bjer\u00eb shi dhe n\u00eb nj\u00eb atmosfer\u00eb gjithnj\u00eb e m\u00eb t\u00eb tendosur masa k\u00ebrkunte q\u00eb t&#8217;iu drejtohet dikush nga udh\u00ebheqja e Krahin\u00ebs apo e Federat\u00ebs, e m\u00eb s\u00eb shumti k\u00ebrkohej paraqitja e Azem Vllasit.<\/p>\n<p>Rreth or\u00ebs 17,30 t\u00eb tubuarve iu drejtua Hysen Kajdom\u00e7aj, sekretar ekzekutiv i Kryesis\u00eb s\u00eb KK t\u00eb LK t\u00eb Kosov\u00ebs dhe k\u00ebrkoi prej tyre q\u00eb t\u00eb shp\u00ebrndahen, mir\u00ebpo ata nuk e p\u00ebrfill\u00ebn lutjen e tij. M\u00eb pastaj ai u drejtua edhe nj\u00ebher\u00eb duke i informuar se p\u00ebr t\u00eb gjitha drejtimet e Krahin\u00ebs jan\u00eb siguruar autobus\u00ebt q\u00eb gjenden para Pallatit t\u00eb rinis\u00eb &#8220;Boro e Ramizi&#8221;. K\u00ebrkes\u00ebn e k\u00ebtill\u00eb nj\u00eb pjes\u00eb e t\u00eb tubuarve filloi ta p\u00ebrfill\u00eb.<\/p>\n<p><strong>ARDHM\u00cbRIA Q\u00cbNDRON N\u00cb P\u00cbRBASHK\u00cbSI<\/strong><\/p>\n<p>Rreth or\u00ebs 21, kur pjesa m\u00eb e madhe e qytetar\u00ebve filluan t\u00eb shp\u00ebrndahen, n\u00eb pallatin e rinis\u00eb &#8220;Boro e Ramizi&#8221; u tubuan 3-4 mij\u00eb veta, shumica t\u00eb rinj. Atyre u foli Kaqusha Jashari, e cila pasi i miratoi brohoritjet e tyre p\u00ebr Jugosllavin\u00eb e Titon, theksoi se ata q\u00eb jan\u00eb p\u00ebr politik\u00ebn e Titos, jan\u00eb edhe p\u00ebr Jugosllavin\u00eb e sotme, jan\u00eb p\u00ebr v\u00ebllaz\u00ebrim-bashkimin e kombeve e t\u00eb komb\u00ebsive t\u00eb barabarta. Rinia \u00ebsht\u00eb ardhm\u00ebria jon\u00eb e ardhm\u00ebria q\u00ebndron n\u00eb p\u00ebrbashk\u00ebsi.<\/p>\n<p>Apelin e Kaqusha Jasharit p\u00ebr t&#8217;u shp\u00ebrndar\u00eb dhe p\u00ebr t&#8217;u lejuar pun\u00eb normale organeve partiake, ata e pranuan, pasi disa her\u00eb brohorit\u00ebn &#8220;Nuk duam dor\u00ebheqje&#8221;, &#8220;Duam sa m\u00eb shpejt mbledhjen e Komitetit Krahinor&#8221;, &#8220;Tito-Partia&#8221;, &#8220;Jugosllavia-Jugosllavia&#8221;<\/p>\n<p><strong>K\u00cbRKESA E HASHIM REXHEPIT P\u00cbR SHP\u00cbRNDARJE<\/strong><\/p>\n<p>Mas\u00ebs s\u00eb tubuar para nd\u00ebrtes\u00ebs s\u00eb Komitetit Krahinor t\u00eb LK t\u00eb Kosov\u00ebs rreth or\u00ebs 19 iu drejtua Hashim Rexhepi, i cili nd\u00ebr t\u00eb tjera tha se p\u00ebrkrahjen tuaj e kemi kuptuar si p\u00ebrkrahje t\u00eb LK t\u00eb Kosov\u00ebs, LK t\u00eb Serbis\u00eb dhe LK t\u00eb Jugosllavis\u00eb dhe kjo p\u00ebrkrahje do t\u00eb prezentohet dhe shqyrtohet n\u00eb m\u00ebnyr\u00eb t\u00eb gjithanshme n\u00eb Kryesin\u00eb e KK t\u00eb LK t\u00eb Kosov\u00ebs. Nga masa u d\u00ebgjuan brohoritje: &#8220;nuk duam dor\u00ebheqje, jo, jo, jo&#8230;&#8221;<\/p>\n<p>Hashim Rexhepi m\u00eb pastaj apeloi q\u00eb masa t\u00eb shp\u00ebrndahet n\u00eb m\u00ebnyr\u00eb t\u00eb organizuar, dinjitoze dhe t\u00eb qet\u00eb, ngase si\u00e7 tha ai edhe autobus\u00ebt jan\u00eb t\u00eb siguruar. Q\u00ebndrimi i juaj i m\u00ebtejsh\u00ebm mund t\u00eb ndikoj\u00eb negativisht dhe t\u00eb v\u00ebshtir\u00ebsoj\u00eb situat\u00ebn, v\u00ebrejti Hashim Rexhepi.<\/p>\n<p><strong>BROHORITJET, PARULLAT, K\u00cbNG\u00cbT&#8230;<\/strong><\/p>\n<p>Edhe gjat\u00eb tubimit t\u00eb djesh\u00ebm shum\u00eb masiv t\u00eb qytetar\u00ebve thuaja se u p\u00ebrs\u00ebrit\u00ebn n\u00eb njejtat brohoritje, parulla dhe k\u00ebng\u00eb q\u00eb u d\u00ebgjuan edhe m\u00eb par\u00eb n\u00eb k\u00ebto tubime q\u00eb gjat\u00eb tri dit\u00ebve u organizuan n\u00eb t\u00ebr\u00eb Krahin\u00ebn.<\/p>\n<p>Nd\u00ebr brohoritjet m\u00eb t\u00eb shpeshta ishin &#8220;Rrnoft\u00eb LKJ&#8221;, &#8220;Rrnoft\u00eb shoku Tito&#8221;, &#8220;Tito-Kardel, Kaqusha-Azem&#8221;, &#8220;Rrnoft\u00eb Stipe Shuvari&#8221;, &#8220;Barazi-Unitet&#8221;, &#8220;Kosov\u00eb po se po, Metohi jo se jo&#8221;, &#8220;Azem ku je krejt kosov\u00ebn k\u00ebtu e ke&#8221;, &#8220;Krejt Kosova n\u00eb k\u00ebmb\u00eb u qu, kushtetut\u00ebn mos me nd\u00ebrru&#8221;, &#8220;S&#8217;duam dor\u00ebheqje&#8221;, &#8220;E duam Azemin&#8221;, &#8220;E duam Kaqush\u00ebn&#8221;, &#8220;S&#8217;duam arm\u00eb, duam barazi&#8221;, &#8220;Rrnoft\u00eb v\u00ebllaznim-bashkimi i kombeve dhe komb\u00ebsive t\u00eb Jugosllavis\u00eb&#8221;, &#8220;Rrnoft\u00eb populli trim S\u00ebrb&#8221;, &#8220;Posht\u00eb nacionalizmi shqiptar&#8221;, &#8220;Rrnoft\u00eb APJ&#8221;, &#8220;Rrnoft\u00eb Vet\u00ebqeverisja&#8221;, &#8220;Edhe ne jemi popull&#8221;, &#8220;Jemi popull q\u00eb kuptojm\u00eb, p\u00ebr sigurim s&#8217;kem nevoj\u00eb&#8221;, &#8220;Rrnoft\u00eb klasa pun\u00ebtore&#8221;, &#8220;Rrnoft\u00eb intelegjencia e Kosov\u00ebs&#8221;, &#8220;Rrnoft\u00eb Universiteti i Prishtin\u00ebs&#8221;, &#8220;Rrnofshin kombet dhe komb\u00ebsit\u00eb tona&#8221;, &#8220;Rrnoft\u00eb barazia&#8221;, e brohoritje t\u00eb tjera.<\/p>\n<p>Nd\u00ebr k\u00ebng\u00ebt q\u00eb dominonin, si zakonisht ishte ajo &#8220;Shoku Tito ne t\u00eb betohemi&#8221; Pjes\u00ebmarr\u00ebs t\u00eb shumt\u00eb bartnin fotografi t\u00eb shokut Tito si dhe flamuj partiak, t\u00eb RSFJ ata t\u00eb RSS dhe t\u00eb komb\u00ebsis\u00eb shqiptare e asaj turke.<\/p>\n<p>______________<\/p>\n<p>Raportoi ekipi i reporter\u00ebve t\u00eb &#8220;Rilindjes&#8221;<\/p>\n<p><em>Ky tekst \u00ebsht\u00eb pjes\u00eb e nism\u00ebs RI-RILINDJA &#8211; nj\u00eb shfletim digjital i historis\u00eb p\u00ebrmes faqeve t\u00eb Rilindjes, gazet\u00ebs kryesore t\u00eb Kosov\u00ebs n\u00eb shekullin e kaluar.\u00a0Faza pilot e k\u00ebtij projekti \u00ebsht\u00eb zbatuar nga Free Libre Open Source Software Kosova n\u00eb bashk\u00ebpunim me Sbunker dhe Bibliotek\u00ebn Hivzi Sulejmani, si dhe me mb\u00ebshtetje nga Ipko Foundation dhe Presidenca e Republik\u00ebs s\u00eb Kosov\u00ebs.<\/em><\/p>\n<p><em>Fillimisht e kemi digjitalizuar vitin e par\u00eb t\u00eb s\u00eb p\u00ebrjavshmes \u2018Rilindja e Jav\u00ebs\u2019, q\u00eb \u00ebsht\u00eb botuar \u00e7do t\u00eb diel\u00eb nga 14 shkurti i vitit 1988. 30 vjet m\u00eb von\u00eb, Sbunker sjell artikuj t\u00eb p\u00ebrzgjedhur nga kjo periudh\u00eb me synim t\u00eb nd\u00ebrtimit t\u00eb urave lidh\u00ebse mes diskursit t\u00eb sot\u00ebm dhe atij t\u00eb dikursh\u00ebm.<\/em><\/p>\n<\/div>\n<\/div>\n<\/div>\n<\/div>","protected":false},"excerpt":{"rendered":"<p>N\u00eb Prishtin\u00eb vazhduan tubimet dhe marshimet m\u00eb masive q\u00eb njeh Kosova deri m\u00eb tash. (20 n\u00ebntor 1988) Pas defilimit n\u00ebp\u00ebr qytet, student\u00ebt e Universitetit t\u00eb Prishtin\u00ebs, t\u00eb cil\u00ebve iu bashkuan edhe grupe t\u00eb m\u00ebdha pun\u00ebtor\u00ebsh, hyn\u00eb n\u00eb sall\u00ebn e madhe t\u00eb pallatit t\u00eb rinis\u00eb &#8220;Boro e Ramizi&#8221;. Edhe gjat\u00eb rrug\u00ebs ata brohoritnin, parulla tashm\u00eb t\u00eb [&hellip;]<\/p>","protected":false},"author":547,"featured_media":11620,"comment_status":"closed","ping_status":"closed","sticky":false,"template":"","format":"standard","meta":{"footnotes":""},"categories":[13],"tags":[2188,2108,2121,2187],"ppma_author":[2110],"class_list":["post-4209","post","type-post","status-publish","format-standard","has-post-thumbnail","hentry","category-analize","tag-boro-e-ramizi","tag-jugosllavia","tag-prishtine","tag-tubime"],"authors":[{"term_id":2110,"user_id":547,"is_guest":0,"slug":"ri-rilindja","display_name":"Ri-rilindja","avatar_url":{"url":"https:\/\/sbunker.org\/wp-content\/uploads\/2024\/12\/ririlindja-e1734531608656.jpg","url2x":"https:\/\/sbunker.org\/wp-content\/uploads\/2024\/12\/ririlindja-e1734531608656.jpg"},"user_url":"","last_name":"","first_name":"Ri-rilindja","description":"RI-RILINDJA \u00ebsht\u00eb projekt i FLOSSK n\u00eb partneritet medial me Sbunker, q\u00eb synon t\u00eb p\u00ebrfshij\u00eb komunitetin e te rinj\u00ebve n\u00eb digjitalizimin e gazet\u00ebs RILINDJA p\u00ebrmes skaner\u00ebve bone-vet dhe m\u00eb pas t'i b\u00ebj\u00eb ato t\u00eb qasshme online p\u00ebr t\u00eb gjith\u00eb."}],"_links":{"self":[{"href":"https:\/\/sbunker.org\/en\/wp-json\/wp\/v2\/posts\/4209","targetHints":{"allow":["GET"]}}],"collection":[{"href":"https:\/\/sbunker.org\/en\/wp-json\/wp\/v2\/posts"}],"about":[{"href":"https:\/\/sbunker.org\/en\/wp-json\/wp\/v2\/types\/post"}],"author":[{"embeddable":true,"href":"https:\/\/sbunker.org\/en\/wp-json\/wp\/v2\/users\/547"}],"replies":[{"embeddable":true,"href":"https:\/\/sbunker.org\/en\/wp-json\/wp\/v2\/comments?post=4209"}],"version-history":[{"count":4,"href":"https:\/\/sbunker.org\/en\/wp-json\/wp\/v2\/posts\/4209\/revisions"}],"predecessor-version":[{"id":11622,"href":"https:\/\/sbunker.org\/en\/wp-json\/wp\/v2\/posts\/4209\/revisions\/11622"}],"wp:featuredmedia":[{"embeddable":true,"href":"https:\/\/sbunker.org\/en\/wp-json\/wp\/v2\/media\/11620"}],"wp:attachment":[{"href":"https:\/\/sbunker.org\/en\/wp-json\/wp\/v2\/media?parent=4209"}],"wp:term":[{"taxonomy":"category","embeddable":true,"href":"https:\/\/sbunker.org\/en\/wp-json\/wp\/v2\/categories?post=4209"},{"taxonomy":"post_tag","embeddable":true,"href":"https:\/\/sbunker.org\/en\/wp-json\/wp\/v2\/tags?post=4209"},{"taxonomy":"author","embeddable":true,"href":"https:\/\/sbunker.org\/en\/wp-json\/wp\/v2\/ppma_author?post=4209"}],"curies":[{"name":"wp","href":"https:\/\/api.w.org\/{rel}","templated":true}]}}