Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analizë

Zhvillimi i të rinjve si prioritet në qeverisjen qendrore dhe lokale

Kosova karakterizohet si një ndër vendet që ka popullatën më të re në moshë. Diku rreth 20% e popullatës së përgjithshme i përkasin kategorisë 15-24 vjeç. Kjo grupmoshë edhe zyrtarisht hynë brenda përkufizimit të rinisë në Kosovë, edhe pse vende të tjera e zgjerojnë këtë përkufizim zakonisht deri në moshën 29 vjeçare, me përjashtime.

Përderisa të pasurit e popullatës së re do të konsiderohej si një pasuri e paçmueshme për cilindo vend, nuk mund të themi krejtësisht të njëjtën edhe për Kosovën. Papunësia në mesin e personave të grupmoshës 15-24 vjeçare është afër 50% apo dyfish më e lartë sesa papunësia në nivel të përgjithshëm të vendit. Si rrjedhojë e papunësisë së madhe, shumë të rinj janë larguar nga vendi ose janë shprehur se janë të gatshëm që të largohen në anketime të ndryshme të realizuara. E kjo do të ketë pasoja të pariparueshme për sektorë të ndryshëm të vendit e sidomos për ekonominë mirëpo në aspekt afatgjatë do të ndikoj edhe në demografinë e popullsisë së Kosovës, duke e plakur atë.

Fatkeqësisht, fakti që kemi papunësinë më të madhe tek të rinjtë dhe që janë pikërisht të rinjtë ata që më së shumti dëshirojnë të largohen nga vendi tregon që ata nuk kanë qenë në qendër të vëmendjes e as prioritete të politikëbërësve tanë. Nëse shikohet Strategjia Kombëtare për Zhvillim 2016-2021, hartuar nga Qeveria e Kosovës në vitin 2016, e që konsiderohet si dokumenti kryesor zhvillimor i vendit (së paku në kohën kur ishte aprovuar konsiderohej si i tillë), fjala ‘rini’ përmendet vetëm një herë në tërë dokumentin. Në anën tjetër programi i Qeverisë aktuale që është në detyrë ia ka kushtuar një nënseksion rinisë, me vetëm tre paragrafa të përgjithshëm dhe abstrakt. Po ashtu, as partitë politike dhe as institucionet tjera lokale nuk është që ndonjëherë kanë trajtuar rininë me prioritet, përveç gjatë fushatave zgjedhore, apo ndonjë aktiviteti të rastit. Kështu, përderisa të gjitha partitë gjatë periudhës së zgjedhjeve mbushin sallat e takimeve parazgjedhore me të rinj e të reja nëpër të gjitha qytetet e Kosovës, ata rrallëherë arrijnë të jenë pjesë e vendim-marrjes faktike përmes marrjes së detyrave dhe përgjegjësive si ministra/e, drejtorë/e, udhëheqës departamentesh, renditje në pjesën e parë të listave zgjedhore etj.

Edhe pse krahasuar me zgjedhjet e kaluara është vërejtur një trend më pozitiv i pasjes së kandidatëve që bëjnë pjesë në grupmoshën e të rinjve sipas legjislacionit në fuqi në listat zgjedhore të partive, në Kuvendin e Kosovës aktualisht janë vetëm 20 deputetë të zgjedhur nga 120, që janë nën moshën 35 vjeçare.

Duke pasur parasysh emergjencën shëndetësore me pandeminë e COVID-19 të shfaqur në Kosovë gjatë muajve mars dhe prill 2020, është vërejtur edhe më shumë sa pak mundësi u janë dhënë të rinjve për të zhvilluar karrierën e tyre. Që nga viti 2017, Ministria e Shëndetësisë nuk kishte shpallur konkurs për programin e specializantëve në mjekësi, pra për tre vite rresht, të rinjtë që kishin diplomuar në Fakultetin e Mjekësisë nuk kishin arritur të realizojnë të drejtën e tyre për të filluar specializimin në fushën e dëshiruar. Për më shumë, ishte vënë po ashtu në pah, sa pak punohet me të rinjtë për t’i orientuar në karrierë në fushat ku ka më së shumti nevojë vendi. Për shembull, Oda e Mjekëve të Kosovës në prill 2020 kishte thënë se ka nevojë edhe për së paku 29 specializantë të Mikrobiologjisë Klinike dhe së paku 32 mikrobiologë, për t’u përballur me situata virale që rrezikojnë shëndetin e të gjithë popullsisë.

Këto janë vetëm disa shembuj se si rinia në Kosovë fatkeqësisht nuk e ka marr vendin e merituar në prioritetet dhe politikat e vendit por as besimin e mjaftueshëm të shoqërisë.

Prandaj, është koha e fundit që institucionet e nivelit qendror dhe lokal në Kosovë të merren seriozisht dhe me intensitet të shtuar me plotësimin e nevojave dhe adresimin e shqetësimeve të të rinjve dhe komplementimin e tyre me nevojat reale të vendit.

Të rinjtë e Kosovës kanë nevojë urgjente që t’u krijohen kushte për të vijuar mësimin dhe marrjen e një shkollimi cilësor, të bazuar në profesionalizëm dhe meritokraci, në nevoja reale të tregut publik e privat. Nxënësit e Kosovës kanë nevojë që të zhvillojnë talentet e tyre të jashtëzakonshme, të mbështeten në realizimin e ideve të tyre inovative ashtu që të jenë konkurrues me bashkëmoshatarët e tyre nëpër botë.

Rinia e Kosovës ka nevojë që të marr orientim të qartë të karrierës në përputhje me nevojat e tregut, ashtu që studimet disa vjeçare mos t’u shkojnë huq e të punojnë në profesione e punë që nuk përkojnë fare me studimet e bëra. Gjithashtu, rinia ka nevojë për motivim për të qëndruar në Kosovë ku do të mund të studiojnë e punojnë në realizimin e ëndrrave të tyre pa pasur nevojë të djersiten për të gjetur të “njofshëm”, miq e shokë që mund t’u ndihmojnë të regjistrohen apo punësohen. Një sistem i mirë shëndetësor duhet ekzistuar që të rinjëve t’i krijon kushte adekuate të punës ashtu që mos të kenë nevojë të kërkojnë zhvillimin e karrierës së tyre jashtë Kosovës dhe të marrin rrugën e mërgimit.

Pra, rinia e Kosovës ka nevojë për plane konkrete zhvillimore që bazohen në hulumtime e analiza të thella shkencore e empirike e që nuk janë premtime të momentit të bëra nën afektin e etheve zgjedhore. Duhet pasur për investim real në ta e jo në mëshirën e politikanëve që sa herë që vijnë në pushtet mundohen të blejnë paqen sociale afatshkurtër, pa menduar për pasojat afatgjate jetike që do të pësoj rinia dhe vetë sektorët ku do të mund të kontribuonin ata.

Rinia e Kosovës ka nevojë që buxheti i vendit të ketë një përqindje të caktuar që do të rritet gradualisht dedikuar vetëm zhvillimit të rinisë dhe projekteve e iniciativave që punojnë në drejtim të identifikimit dhe adresimit të shqetësimeve dhe nevojave të të rinjve.

Të rinjtë, pra, kanë nevojë të trajtohen si aset i çmueshëm për investim e jo si statistikë që do të votoj një herë në katër vite (ose gati çdo vit në rastin e Kosovës).

—-

Ky editorial është realizuar në kuadër të projektit “Pjesëmarrja politike: Drejt angazhimit efektiv të të rinjve”, që po implementohet nga Instituti Demokraci për Zhvillim (D4D) me përkrahje nga National Endowment for Democracy (NED).

Lexoni Gjithashtu

Debunking Articles

Pretendimi i ngritur nga Vudi Xhymshiti se Zëvendës Ndihmës Sekretari, Gabriel Escobari, ka nënvlerësuar qeverinë e Kosovës, duke e lidhur këtë me pretendimet se...

Analizë

Katër ditë para Vitit të Ri, më 27 dhjetor 2023, Qeveria e Kosovës miratoi në heshtje Projektligjin për Komisionin e Pavarur për Media, i...

Analizë

Viti i parë i Qeverisë Kurti shënoi një start të vështirë në politikën e jashtme, shoqëruar me shumë gabime diplomatike dhe dështime të protokollit....

Disinfo

Gjatë dy viteve të fundit, Kosova ishte cak i sulmeve kibernetike dhe kërcënimeve me bomba, që kishin për qëllim destabilizimin e vendit dhe krijimin...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.