Connect with us

Hi, what are you looking for?

Opinion

Për gratë në Kosovë, lufta nuk ka mbaruar

Foto: Erkin Keçi - AA

Kryetitujt e fundit kombëtarë për vrasjen e dy grave në harkun kohor prej pesë ditësh në Kosovë, kanë tronditur ndërgjegjen e kombit. Kjo është kthyer në terapi shokuese të përsëritur për shoqërinë kosovare, pasi rastet e dhunës mbi baza gjinore në familje dhe femicidit në vend janë rritur nga viti në vit. 

Shokues ka qenë po ashtu edhe paradoksi evident që ka përfshirë institucionet shtetërore të Kosovës pas këtyre ngjarjeve. Heqja dorë nga përgjegjësia dhe mosndërmarrja e veprimeve nga strukturat shtetërore të Kosovës në raport me këtë temë kanë qenë jashtëzakonisht zhgënjyese, ndërkohë që po të njëjtat struktura shtetërore janë përshkuar nga një atmosferë feminizmi performativ. Presidentja Vjosa Osmani e shpalli 17 prillin 2024 si ditë zie kombëtare, “në përkujtim të të gjitha grave dhe vajzave të vrara në Kosovës si pasojë e dhunës mbi baza gjinore”. Njoftimi erdhi në dritën e një prove tjetër të mungesës së mbrojtjes institucionale karshi grave që përjetojnë dhunë mbi baza gjinore. 

Në Kosovë, vetëm në muajt janar-mars 2024, 573 gra janë regjistruar si viktima të dhunës në familje, sipas Ministrisë së Drejtësisë së Republikës së Kosovës. Vitin e kaluar, 2120 gra raportuan se i ishin nënshtruar dhunës në familje. Vlerësohet se këto shifra nuk përfaqësojnë realitetin e plotë të epidemisë së dhunës në familje në Kosovë. Shkalla e femicidit në Kosovë është një urgjencë kombëtare – vetëm nga viti 2010 deri në vitin 2020, ka pasur 73 raste të femicidit në Kosovë. Megjithatë, deputetët e parlamentit të Kosovës kanë hedhur dyshime të hapura mbi realitetin që paraqet fenomeni i femicidit në vend. Deputetja Ganimete Musliu mohoi ekzistencën e femicidit në Kosovë, ndërkohë që deklaroi që debatet parlamentare bartin në vete rrezikun e portretizimit të shoqërisë kosovare si femicide në sytë e të huajve. 

Vërtet paradoksalisht, institucionet shtetërore kanë shpërfaqur lehtësisht një feminizëm performativ për publikun e huaj, në kurrizin e grave ‘në shtëpi’. Çfarë mbetet e pazakontë për shoqërinë kosovare është krenaria performuese për arritjet e grave – veçanërisht kur gratë shfaqin aftësitë, këmbënguljen dhe talentin për sytë e ndërkombëtarëve dhe për të çuar përpara interesin strategjik të vendit. 

Për shembull, kjo qe çuditërisht e dukshme pas valës së festimeve në nivel institucional të Çmimit Special si Prezantim Kombëtar për “Heshtjet kumbuese të metalit dhe lëkurës” të Doruntina Kastratit dhe Erëmira Krasniqit, në Bienalen e 60-të të Venecias, që synonte të problematizonte punën e feminizuar dhe pabarazitë në vendin e punës në Kosovë. Dyshja synoi të nxirrte në pah përvojën e grave të margjinalizuara nëpërmjet instalacionit të tyre skulpturor. Derisa institucionet e Kosovës duartrokitën një kritikë kaq të vlershme shoqërore, shteti ka neglizhuar thirrjet e grave dhe organizatave feministe për të adresuar sigurinë dhe mirëqenien e grave.

Një tjetër ngjarje performative u venerua me organizimin e Forumit për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, ku institucionet e Kosovës tregohen të gatshme të luajnë një rol të rëndësishëm në avancimin e qëndrimit feminist karshi paqes dhe konfliktit, pavarësisht se është një vend relativisht i vogël. Në nisje të Forumit, aktivistet feministe që protestonin kundër mosndërmarrjes së veprimeve nga ana e institucioneve shtetërore në lidhje me rastet e femicidit në Kosovë, u ndeshën në forcat policore, që i konsideruan ato si rrezik për sigurinë, me qëndrimin se aktivistet po dëmtonin imazhin e Kosovës në sytë e ndërkombëtarëve.

Ndër faktorë të tjerë, themelet e emergjencës që paraqet femicidi në Kosovë ngrihen mbi eliminimin sistematik të grave nga cilido aspekt i shoqërisë kosovare, shumë përpara nisjes së dhunës fizike. Strukturat shtetërore të Kosovës janë bashkëfajtore në këtë eliminim të grave, duke shfrytëzuar punën e tyre, derisa njëkohësisht bëjnë një feminizëm performativ për sytë e vëzhguesve ndërkombëtarë. Gratë në Kosovë eliminohen simbolikisht nëpërmjet përjashtimit nga hapësirat publike, përfaqësimit mediatik, narrativave për çlirimin kombëtar, memorialëve dhe rrëfimeve për formimin dhe evolucionin e shtetit. 

Po qe se do t’ju binte në dorë një libër historie që përshkruan kurrikulën e arsimit formal të Kosovës dhe do ta gjenit veten duke pyetur pambarimisht “Ku janë gratë?”, atëherë ndoshta do të fillonit të kuptonit ashpërsinë e epidemisë femicide me të cilën Kosova ballafaqohet. Narrativat si “Bac, çikat na zbardhën fytyrën”, të përfshira në komunikimin institucional, shpërfaqin eliminimin paradoksal të grave në kontekstin e dhunës që ushtrohet mbi trupat e tyre në Kosovë.

Institucionet publike, si bartëse të detyrave për qytetarët, kanë zgjedhur që, për shembull, të anashkalojnë kontributet e grave në lëvizjet e rezistencës aktive dhe paqësore të Kosovës. Sa të rinj në Kosovë janë të vetëdijshëm për protestat feministe, si “Bukë për Drenicën”, që u kryesuan nga gratë? Shteti ka vendosur të minimizojë rolin e gruas, duke neglizhuar ngritjen e statujave, emërtimin e rrugëve dhe ndërtimin e muzeve që përkujtojnë aktivizmin masiv të grave si gra, e më pastaj si nëna, bija dhe motra, në luftën për shtetndërtimin e Kosovës. Kush e njeh Zahide Geci-Jasharin? Pikërisht nëpërmjet këtyre akteve të eliminimit, shteti margjinalizon veprimtarinë e grave, duke e konsideruar si të padenjë për t’u kujtuar a festuar. Çështja themelore në këtë mes është se gratë portretizohen si të magëta në kontekstin e veprimtarisë, duke i reduktuar në thjesht pritëse të rrethanave: kësisoj, anashkalohen përvojat e tyre si luftëtare, të mbijetuara dhe avokuese.

Pas këtyre ngjarjeve, në mendje mund të na vijnë mësimet feministe për paqen gri për gratë – për gratë në Kosovë, lufta nuk ka mbaruar. Aktivistët dhe studiuesit feministë kanë qëndruar në ballë të sfidimit të nocioneve tradicionale të luftës dhe paqes, duke nënvizuar se si struktura gjinore patriarkale i nënshtron gratë ndaj dhunës ekonomike, kulturore, politike dhe fizike në jetën e tyre të përditshme gjatë kohërave të “paqes”. Studimet e bëra në fushën e feminizmit vazhdimisht nënvizojnë përvojat gjinore të luftës: gratë oscilojnë në patriarkalitetin sistematik brenda strukturave shtetërore gjatë çlirimit kombëtar, duke mbajtur kësisoj një barrë të dyfishtë. Megjithëkëtë, rolet që zënë gratë në luftën për liri dhe çlirim nëpërmjet veprimtarisë së tyre – si aktiviste, ndihmëse, mjeke, ushtare dhe luftëtare – davariten shpejt ndërsa struktura gjinore i kthehet shtypjes sistematike pas luftës. Rasti i Kosovës nuk bën përjashtim nga këta trendë. Procesi i shtetndërtimit në Kosovë – i ngjashëm me atë të vendeve të tjera të dala nga lufta – ka mbyllur sytë karshi roleve gjinore dhe ka qenë i zhytur në neglizhencën patriarkale. 

Institucionet e Kosovës duan të demonstrojnë se një vend i vogël mund të bëjë hapa të mëdhenj në diplomacinë globale – Forumi për Gratë, Paqen dhe Sigurinë qe një shembull ilustrativ kyç i këtij qëndrimi. Megjithatë, nëse Kosova synon të udhëheqë transformimin feminist në raport me sigurinë e grave, së pari duhet të reflektojë thellë. Institucionet e Kosovës duhet të ndalojnë së qeni bashkëfajtore në eliminimin e përvojave dhe subjektiviteteve të grave dhe të pranojnë që për gratë e Kosovës, lufta nuk ka mbaruar.

Lexoni Gjithashtu

Debunking Articles

Pretendimi i ngritur nga Vudi Xhymshiti se Zëvendës Ndihmës Sekretari, Gabriel Escobari, ka nënvlerësuar qeverinë e Kosovës, duke e lidhur këtë me pretendimet se...

Analizë

Katër ditë para Vitit të Ri, më 27 dhjetor 2023, Qeveria e Kosovës miratoi në heshtje Projektligjin për Komisionin e Pavarur për Media, i...

Disinfo

Gjatë dy viteve të fundit, Kosova ishte cak i sulmeve kibernetike dhe kërcënimeve me bomba, që kishin për qëllim destabilizimin e vendit dhe krijimin...

Analizë

Viti i parë i Qeverisë Kurti shënoi një start të vështirë në politikën e jashtme, shoqëruar me shumë gabime diplomatike dhe dështime të protokollit....

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.