{"id":1343,"date":"2022-05-17T13:18:37","date_gmt":"2022-05-17T12:18:37","guid":{"rendered":"https:\/\/sbunker.org\/?p=1343"},"modified":"2023-12-11T15:06:53","modified_gmt":"2023-12-11T14:06:53","slug":"pse-anatemohet-historiani-i-jashtezakonte-hasan-kaleshi","status":"publish","type":"post","link":"https:\/\/sbunker.org\/sr\/analize\/pse-anatemohet-historiani-i-jashtezakonte-hasan-kaleshi\/","title":{"rendered":"Pse anatemohet historiani i jasht\u00ebzakont\u00eb Hasan Kaleshi"},"content":{"rendered":"<p><span style=\"font-size: 15px;\"><em>\u201cshkenca nuk \u00ebsht\u00eb poezi, e cila m\u00eb s\u00eb miri shkruhet n\u00eb gjuh\u00ebn amtare\u201d<\/em><\/span><\/p>\n<p>Pas Luft\u00ebs s\u00eb Dyt\u00eb Bot\u00ebrore, numri i shqiptar\u00ebve n\u00eb ish-Jugosllavi q\u00eb ndiqnin studimet themelore n\u00ebp\u00ebr universitetet jugosllave ishte tejet i vog\u00ebl. Edhe m\u00eb i vog\u00ebl ishte numri i atyre q\u00eb vijonin studimet\u00a0e magjistratur\u00ebs e t\u00eb doktoratur\u00ebs. Nj\u00ebri prej k\u00ebtyre shqiptar\u00ebve ishte Hasan Kaleshi, i lindur m\u00eb 1922 n\u00eb K\u00ebr\u00e7ov\u00eb. Ai diplomoi m\u00eb 1950 p\u00ebr orientalistik\u00eb n\u00eb Fakultetin Filozofik t\u00eb Universitetit t\u00eb Beogradit, ku edhe doktoroi me tem\u00ebn \u201c<em>Dokumentet m\u00eb t\u00eb vjetra t\u00eb vak\u00ebfeve n\u00eb gjuh\u00ebn arabe n\u00eb Jugosllavi<\/em>\u201d. N\u00eb fund t\u00eb viteve \u201950 u angazhua p\u00ebr p\u00ebrgatitjen e fjalorit t\u00eb madh serbokroatisht-arabisht, e disa her\u00eb gjat\u00eb viteve \u201960 sh\u00ebrbeu edhe si p\u00ebrkthyes s\u00ebrbokroatisht-arabisht n\u00eb takime t\u00eb niveleve t\u00eb larta politike. N\u00eb fund t\u00eb viteve \u201960 u zgjodh bashk\u00ebpun\u00ebtor i lart\u00eb shkencor n\u00eb Institutin e Albanologjis\u00eb n\u00eb Prishtin\u00eb, e m\u00eb pas profesor i rregullt n\u00eb Fakultetin Filozofik t\u00eb Universitetit t\u00eb Prishtin\u00ebs.<\/p>\n<p>Doktoratura e Kaleshit, e botuar m\u00eb 1972 n\u00eb serbisht nga Bashk\u00ebsia Shkencore e Kosov\u00ebs, e m\u00eb 2012 edhe n\u00eb shqip nga Bashk\u00ebsia Islame e Kosov\u00ebs, paraqiste koleksionin m\u00eb t\u00eb madh t\u00eb vak\u00ebfnameve t\u00eb botuara deri at\u00ebher\u00eb jo vet\u00ebm n\u00eb Jugosllavi, por n\u00eb bot\u00eb. Ky punim tregon se vak\u00ebfet kan\u00eb luajtur rol t\u00eb r\u00ebnd\u00ebsish\u00ebm n\u00eb p\u00ebrhapjen e islamit dhe t\u00eb kultur\u00ebs islame te ne. Doktoratura e Kaleshit sjell materiale t\u00eb reja q\u00eb shkojn\u00eb p\u00ebrtej historis\u00eb politike t\u00eb sundimit osman. P\u00ebr m\u00eb shum\u00eb, vak\u00ebfnamet n\u00eb k\u00ebt\u00eb punim zbulojn\u00eb shum\u00eb nd\u00ebrtues t\u00eb objekteve kulturore e fetare: xhami, medrese, shkolla, teqe, hamame, hane e biblioteka. P\u00ebr k\u00ebt\u00eb doktoratur\u00eb jan\u00eb shkruar nj\u00eb varg recensionesh me vler\u00ebsime superlative nga shum\u00eb shkenc\u00ebtar\u00eb t\u00eb huaj, t\u00eb botuara n\u00eb revistat shkencore jugosllave dhe europiane (Gjermani, Franc\u00eb e Itali).<\/p>\n<p>N\u00eb nj\u00ebrin prej shkrimeve t\u00eb hershme, t\u00eb publikuar m\u00eb 1953 n\u00eb \u2018Rilindja\u2019, Kaleshi e fillon konfrontimin me regjimin komunist t\u00eb Shqip\u00ebris\u00eb duke e kritikuar p\u00ebr \u2018rusifikimin e kultur\u00ebs e t\u00eb let\u00ebrsis\u00eb shqiptare\u2019. Aty, ai konstaton se gati 90% e publikimeve n\u00eb Shqip\u00ebri rrjedhin nga rusishtja, se teatri \u00ebsht\u00eb n\u00eb duart e rus\u00ebve, kinemat\u00eb shfaqin vet\u00ebm filma rus\u00eb, n\u00eb shkolla dhe n\u00eb ushtri rusishtja \u00ebsht\u00eb m\u00eb e r\u00ebnd\u00ebsishme sesa shqipja, gazetat botojn\u00eb m\u00eb shum\u00eb lajme nga Bashkimi Sovjetik sesa nga Shqip\u00ebria, e k\u00ebshtu me radh\u00eb. Kaleshi madje e qorton regjimin komunist n\u00eb Shqip\u00ebri se po i edukonte shqiptar\u00ebt n\u00eb frym\u00ebn sovjetike n\u00eb vend t\u00eb asaj komb\u00ebtare, e se po e izolonte popullin shqiptar prej kulturave t\u00eb popujve t\u00eb tjer\u00eb.<\/p>\n<p>Nj\u00ebri prej studimeve m\u00eb t\u00eb ve\u00e7anta t\u00eb Kaleshit \u00ebsht\u00eb studimi\u00a0<em>\u2018Dep\u00ebrtimi turk n\u00eb Ballkan dhe islamizimi: faktor\u00ebt e ruajtjes s\u00eb qen\u00ebsis\u00eb etnike dhe komb\u00ebtare t\u00eb popullit shqiptar\u2019<\/em>, i lexuar si kumtes\u00eb n\u00eb Kongresin e Par\u00eb Nd\u00ebrkomb\u00ebtar t\u00eb Turkologjis\u00eb n\u00eb Stamboll m\u00eb 1973 dhe i botuar n\u00eb \u2018Sudosteuropa unter dem Halbmond\u2019 t\u00eb Mynihut m\u00eb 1975. K\u00ebt\u00eb studim vet\u00eb autori e cil\u00ebsonte si heretik, meq\u00eb ishte n\u00eb kund\u00ebrshtim me historiografin\u00eb shqiptare, e cila theksonte vet\u00ebm an\u00ebt negative t\u00eb sundimit osman n\u00eb Ballkan. Kaleshi aty paraqet nj\u00eb tez\u00eb krejt t\u00eb re \u2013 meq\u00eb shqiptar\u00ebt nuk kishin shtet, organizim kishtar, kultur\u00eb, let\u00ebrsi dhe shkrim vetanak, ardhja e turqve n\u00eb Ballkan jo vet\u00ebm q\u00eb e pengoi asimilimin, por edhe i hapi rrug\u00eb ekspansionit shqiptar. N\u00eb k\u00ebt\u00eb artikull, Kaleshi p\u00ebrvijoi vet\u00ebm tezat kryesore, t\u00eb cilat planifikonte t\u2019i p\u00ebrpunonte e t\u2019i zgjeronte, por k\u00ebt\u00eb ia pamund\u00ebsoi ndarja e parakohshme nga jeta.<\/p>\n<p><img loading=\"lazy\" decoding=\"async\" class=\"alignnone wp-image-1344\" src=\"https:\/\/sbunker.org\/wp-content\/uploads\/2023\/11\/auto_Kaleshi-41652789835-300x201.jpg\" alt=\"\" width=\"660\" height=\"442\" srcset=\"https:\/\/sbunker.org\/wp-content\/uploads\/2023\/11\/auto_Kaleshi-41652789835-300x201.jpg 300w, https:\/\/sbunker.org\/wp-content\/uploads\/2023\/11\/auto_Kaleshi-41652789835-18x12.jpg 18w, https:\/\/sbunker.org\/wp-content\/uploads\/2023\/11\/auto_Kaleshi-41652789835.jpg 700w\" sizes=\"auto, (max-width: 660px) 100vw, 660px\" \/><\/p>\n<p><em>Dr. Hasan Kaleshi n\u00eb Kongresin nd\u00ebrkomb\u00ebtar n\u00eb Athin\u00eb, n\u00eb vitin 1970.<\/em><\/p>\n<p>N\u00eb historiografin\u00eb shqiptare promovohen shkrimtar\u00ebt me prejardhje shqiptare q\u00eb kishin shkruar n\u00eb latinisht, por p\u00ebrjashtohen ata q\u00eb kishin shkruar n\u00eb gjuh\u00ebt orientale. Kaleshi \u00ebsht\u00eb i pari q\u00eb \u2013 s\u00ebrish n\u00eb kund\u00ebrshtim me historiografin\u00eb shqiptare \u2013 botoi studime p\u00ebrmes t\u00eb cilave d\u00ebshmoi ekzistimin e nj\u00eb let\u00ebrsie t\u00eb pasur shqiptare t\u00eb shkruar n\u00eb alfabetin arab, duke dh\u00ebn\u00eb nj\u00eb mori sh\u00ebnimesh p\u00ebr shkrimtar\u00ebt e saj, e madje duke zbuluar t\u00eb tjer\u00eb deri at\u00ebher\u00eb t\u00eb panjohur. Vet\u00ebm nga Prizreni zbuloi dhjet\u00eb shkrimtar\u00eb shqiptar\u00eb q\u00eb gjat\u00eb periudh\u00ebs osmane kishin shkruar n\u00eb gjuh\u00ebt orientale. Po ashtu, ishte i pari q\u00eb e trajtoi mevludin te shqiptar\u00ebt n\u00eb aspektin shkencor, duke v\u00ebrtetuar se ekzistonin disa sosh te shqiptar\u00ebt, prej t\u00eb cil\u00ebve dy t\u00eb shtypura n\u00eb Stamboll n\u00eb shqip me alfabet arab,\u00a0<em>Mevludi i Tahir Popov\u00ebs<\/em>\u00a0dhe\u00a0<em>Mevludi i Ali Ulqinakut<\/em>.<\/p>\n<div class=\"text-iamge\">\n<p>Kaleshi botoi nj\u00eb mori studimesh p\u00ebr qytete t\u00eb ndryshme shqiptare, si p\u00ebr shembull at\u00eb p\u00ebr Prizrenin, ku trajton zhvillimin e gjith\u00ebmbarsh\u00ebm t\u00eb k\u00ebtij qyteti gjat\u00eb periudh\u00ebs osmane, si dhe p\u00ebrmendoret turke t\u00eb qytetit, duke ofruar t\u00eb dh\u00ebna t\u00eb detajuara p\u00ebr secil\u00ebn. Ai d\u00ebshmoi se n\u00eb vitet 1867-1874 ekzistonte Vilajeti i Prizrenit, dhe ofroi t\u00eb dh\u00ebna t\u00eb papublikuara m\u00eb par\u00eb mbi organizimin e pushtetit t\u00eb k\u00ebtij vilajeti dhe zhvillimin ekonomik e kulturor t\u00eb tij. Kaleshi botoi edhe studime p\u00ebr familjet e m\u00ebdha shqiptare n\u00eb Kosov\u00eb gjat\u00eb k\u00ebsaj periudhe, si\u00e7 ishte ai n\u00eb t\u00eb cilin e zb\u00ebrthen gjenealogjin\u00eb e familjes feudale Rrotlla t\u00eb Prizrenit dhe ofron t\u00eb dh\u00ebna t\u00eb vlefshme mbi biografin\u00eb e an\u00ebtarit m\u00eb t\u00eb shquar t\u00eb saj, Mahmud Pash\u00eb Rrotlla, si dhe mbi objektet q\u00eb kjo familje i nd\u00ebrtoi n\u00eb Prizren.<\/p>\n<\/div>\n<div class=\"text-iamge\">\n<p>N\u00eb shum\u00eb shkrime mbi monumentet e Kosov\u00ebs, Kaleshi u mor me xhamit\u00eb m\u00eb t\u00eb vjetra e m\u00eb karakteristike t\u00eb Kosov\u00ebs. Ta z\u00ebm\u00eb, n\u00eb m\u00ebnyr\u00eb faktografike i hoqi t\u00eb gjitha m\u00ebdyshjet e deriat\u00ebhershme se xhamin\u00eb e Sinan Pash\u00ebs n\u00eb Prizren e kishte nd\u00ebrtuar Sofi Sinan Pasha me prejardhje shqiptare nga fshati Vil\u00eb i Lum\u00ebs, nd\u00ebrkaq xhamin\u00eb Sinan Pasha n\u00eb Ka\u00e7anik e kishte nd\u00ebrtuar Koxha Sinan Pasha, po ashtu me prejardhje shqiptare, nga fshati Topojan i Lum\u00ebs. N\u00eb nj\u00ebrin prej studimeve mbi kishat ortodokse t\u00eb Kosov\u00ebs, t\u00eb titulluar\u00a0<em>\u2018Kat\u00ebrmb\u00ebdhjet\u00eb fermane turke p\u00ebr Manastirin e De\u00e7anit gjat\u00eb periudh\u00ebs 1506-1649\u2019<\/em>, Kaleshi ofroi dokumente me r\u00ebnd\u00ebsi t\u00eb dor\u00ebs s\u00eb par\u00eb sa u p\u00ebrket q\u00ebndrimeve dhe marr\u00ebdh\u00ebnieve t\u00eb Perandoris\u00eb Osmane me Kish\u00ebn Ortodokse n\u00eb Kosov\u00eb.<\/p>\n<p>Kaleshi ishte studiues i apasionuar i kronikave turke. N\u00eb nj\u00eb punim trajtoi kronikat m\u00eb t\u00eb vjetra turke, n\u00eb t\u00eb cilat shqiptar\u00ebt p\u00ebrmenden p\u00ebr her\u00eb t\u00eb par\u00eb sa i takon pjes\u00ebmarrjes s\u00eb tyre n\u00eb Betej\u00ebn e Kosov\u00ebs m\u00eb 1389, duke ofruar edhe burime t\u00eb tjera me vler\u00eb p\u00ebr historin\u00eb e Shqip\u00ebris\u00eb dhe t\u00eb Sk\u00ebnderbeut.<\/p>\n<p>Gjat\u00eb viteve \u201970 Kaleshi botoi dhjet\u00ebra shkrime n\u00ebp\u00ebr revista t\u00eb ndryshme shkencore nd\u00ebrkomb\u00ebtare p\u00ebr personalitetet e L\u00ebvizjes Komb\u00ebtare Shqiptare gjat\u00eb periudh\u00ebs s\u00eb Perandoris\u00eb Osmane, shumic\u00ebn prej t\u00eb cilave n\u00eb Leksikonin p\u00ebr Historin\u00eb e Evrop\u00ebs Juglindore n\u00eb Mynih (<em>Lexikon z\u00fcr Geschichte S\u00fcdosteuropas<\/em>). Gjat\u00eb po k\u00ebsaj periudhe, n\u00eb bashk\u00ebpunim me Institutin e Filmave Shkencor\u00eb n\u00eb G\u00ebtingen, hartoi\u00a0<a href=\"https:\/\/www.deutsche-digitale-bibliothek.de\/item\/7GDAVYY52M7F6GWHJ6S22GHYLSATN43C\" target=\"_blank\" rel=\"noopener\">tekstin p\u00ebr dhjet\u00ebra filma shkencor\u00eb dokumentar\u00eb p\u00ebr shqiptar\u00ebt<\/a>, kryesisht sa i takon folklorit dhe religjionit.<\/p>\n<p>\u00cbsht\u00eb i pari studiues q\u00eb trajtoi figurat e personaliteteve si Ibrahim Temo, Faik Konica, e k\u00ebshtu me radh\u00eb, t\u00eb cil\u00ebt regjimet komuniste n\u00eb Shqip\u00ebri e n\u00eb Kosov\u00eb i kishin p\u00ebrjashtuar edhe nga programet shkollore, e rrjedhimisht edhe nga vet\u00ebdija kolektive. Kaleshi ishte i pari q\u00eb theu embargon t\u00eb cil\u00ebn historiografia mbar\u00ebshqiptare i kishte v\u00ebn\u00eb Faik Konic\u00ebs, duke e konsideruar \u2018tradhtar\u2019 t\u00eb kombit. N\u00eb nj\u00eb let\u00ebr q\u00eb ia d\u00ebrgonte botuesit t\u00eb studimit p\u00ebr Faik Konic\u00ebn n\u00eb Nju Jork, Kaleshi thoshte:<\/p>\n<p><strong>\u201cKam shum\u00eb materiale mbi Faik Konic\u00ebn, por botimi i studimeve mbi t\u00eb n\u00eb Kosov\u00eb asht i v\u00ebshtir\u00eb, sepse k\u00ebtu i imitojn\u00eb ata t\u00eb Shqip\u00ebris\u00eb si majmuna, e un\u00eb kam hy n\u00eb konflikt t\u00eb hapt\u00eb me ta, kryesisht p\u00ebr shkak t\u00eb falsifikimeve q\u00eb i b\u00ebjn\u00eb\u201d.<\/strong><\/p>\n<p>N\u00eb portretizimin e personaliteteve t\u00eb Rilindjes Komb\u00ebtare gjat\u00eb periudh\u00ebs osmane, Kaleshi i paraqet grupimet politike shqiptare t\u00eb koh\u00ebs, q\u00ebllimet e tyre, bashk\u00ebpunimet me \u2018armiqt\u00eb\u2019, por edhe krimet e Perandoris\u00eb Osmane kund\u00ebr shqiptar\u00ebve. Skicat biografike t\u00eb hartuara nga Kaleshi jan\u00eb themel i fort\u00eb p\u00ebr biografi m\u00eb t\u00eb zgjeruara p\u00ebr k\u00ebto personalitete, jo vet\u00ebm sepse jan\u00eb kritike, por ngaq\u00eb ua shp\u00ebrfaqin drit\u00ebhijet, jan\u00eb korrekte e t\u00eb sakta, t\u00eb mir\u00ebhulumtuara e antihagiografike. K\u00ebto skica biografike do t\u00eb shquheshin si t\u00eb jasht\u00ebzakonshme edhe po t\u00eb shkruheshin sot, e le m\u00eb para gjysm\u00eb shekulli, kur historian\u00ebt n\u00eb Kosov\u00eb, por sidomos n\u00eb Shqip\u00ebri, kontrolloheshin nga regjimet komuniste. Ai e thot\u00eb vet\u00eb n\u00eb nj\u00eb shkrim se\u00a0<strong>\u201cfigurat e l\u00ebvizjes komb\u00ebtare shqiptare nuk duhet t\u00eb ndahen si me shpat\u00eb n\u00eb \u2018patriot\u00eb\u2019 e \u2018tradhtar\u00eb\u2019, mendimet nuk duhet t\u2019i mb\u00ebshtesim n\u00eb \u2018autoritetet politike\u2019, por n\u00eb gjurmime shkencore\u201d.<\/strong><\/p>\n<p>Kur jemi te personalitetet e Rilindjes, duhet shtuar se Kaleshi hulumtoi, analizoi dhe nxori n\u00eb pah t\u00eb gjitha veprat e Sami Frash\u00ebrit t\u00eb shkruara n\u00eb gjuh\u00ebn turke e arabe, dhe e afirmoi edhe jasht\u00eb kufijve t\u00eb Shqip\u00ebris\u00eb e t\u00eb Turqis\u00eb. Nj\u00ebsoj veproi edhe me Naim Frash\u00ebrin, duke zbuluar t\u00eb gjitha veprat e tij n\u00eb turqisht e persisht.<\/p>\n<p>Nga sa u tha m\u00eb sip\u00ebr, meq\u00eb zot\u00ebronte shum\u00eb gjuh\u00eb t\u00eb huaja \u2013 s\u00ebrbishten, boshnjakishten, kroatishten, maqedonishten, bullgarishten, fr\u00ebngjishten, gjermanishten, italishten, anglishten, e sidomos turqishten, osmanishten dhe arabishten \u2013 Kaleshi shfryt\u00ebzoi literatur\u00eb t\u00eb gjithanshme p\u00ebr studimet e veta. P\u00ebr dallim prej shumic\u00ebs d\u00ebrrmuese t\u00eb koleg\u00ebve, ai nuk botoi vet\u00ebm n\u00eb \u2018Gjurmimet Albanologjike\u2019 t\u00eb Prishtin\u00ebs, por shp\u00ebrtheu p\u00ebrtej kufijve t\u00eb Kosov\u00ebs, duke botuar n\u00eb revistat m\u00eb t\u00eb njohura shkencore n\u00eb Shkup, Podgoric\u00eb, Beograd, Sarajev\u00eb e Zagreb. I shp\u00ebrtheu madje edhe kufijt\u00eb e ish-Jugosllavis\u00eb, duke botuar n\u00ebp\u00ebr revistat m\u00eb prestigjioze n\u00eb Stamboll, Ankara, Kajro, Kuvajt, Paris, Napoli, Palermo, Strasburg, Grac, Mynih, Frankfurt, Hamburg, G\u00ebtingen, Nju Jork, e me radh\u00eb. P\u00ebr m\u00eb shum\u00eb, mori pjes\u00eb n\u00eb dhjet\u00ebra konferenca e simpoziume shkencore nd\u00ebrkomb\u00ebtare.<\/p>\n<p>N\u00eb intervist\u00ebn e fundit, t\u00eb botuar n\u00eb gazet\u00ebn \u2018Bota e Re\u2019 pak muaj para se t\u00eb nd\u00ebrronte jet\u00eb, Kaleshi k\u00ebmb\u00ebngulte q\u00eb duhej kultivuar nj\u00eb kritik\u00eb, e till\u00eb q\u00eb t\u00eb mos lejonte q\u00eb punimet pa kurrfar\u00eb vlere shkencore t\u00eb shpalleshin t\u00eb r\u00ebnd\u00ebsishme, e p\u00ebr m\u00eb keq, t\u00eb shp\u00ebrbleheshin. N\u00eb k\u00ebt\u00eb intervist\u00eb, duke folur p\u00ebr shkurtpam\u00ebsin\u00eb e shkenc\u00ebs son\u00eb, thoshte madje se \u201cshkenca nuk \u00ebsht\u00eb poezi, e cila m\u00eb s\u00eb miri shkruhet n\u00eb gjuh\u00ebn amtare\u201d dhe k\u00ebrkonte q\u00eb t\u00eb merreshin si shembull finlandez\u00ebt, t\u00eb cil\u00ebt t\u00eb gjitha punimet shkencore i publikonin edhe n\u00eb ndonj\u00ebr\u00ebn prej gjuh\u00ebve m\u00eb t\u00eb njohura bot\u00ebrore.<\/p>\n<p>P\u00ebr fund, Hasan Kaleshi publikoi n\u00eb nj\u00eb mori gjuh\u00ebsh aq shum\u00eb artikuj, shkrime, kritika, recensione, fejtone, p\u00ebrkthime, fjalor\u00eb, tekste universitare, studime, libra, monografi, e k\u00ebshtu me radh\u00eb, sa bibliografia e punimeve t\u00eb tij arrin n\u00eb gati 400 nj\u00ebsi. Shqiptar\u00ebt nuk kan\u00eb pasur dhe me gjas\u00eb v\u00ebshtir\u00eb se do ta ken\u00eb ndonj\u00ebher\u00eb nj\u00eb historian t\u00eb kalibrit t\u00eb Hasan Kaleshit. Prandaj, do t\u00eb ishte me dobi t\u00eb pamat\u00eb q\u00eb sa m\u00eb par\u00eb t\u00eb hulumtohet, t\u00eb grumbullohet e t\u00eb publikohet vepra e plot\u00eb e k\u00ebtij historiani t\u00eb jasht\u00ebzakonsh\u00ebm, i cili, p\u00ebr fat t\u00eb keq,\u00a0<a href=\"https:\/\/www.youtube.com\/watch?v=1RjWyQ7oBrU\" target=\"_blank\" rel=\"noopener\">vazhdon t\u00eb anatemohet edhe sot e k\u00ebsaj dite<\/a>.<\/p>\n<\/div>","protected":false},"excerpt":{"rendered":"<p>\u201cshkenca nuk \u00ebsht\u00eb poezi, e cila m\u00eb s\u00eb miri shkruhet n\u00eb gjuh\u00ebn amtare\u201d Pas Luft\u00ebs s\u00eb Dyt\u00eb Bot\u00ebrore, numri i shqiptar\u00ebve n\u00eb ish-Jugosllavi q\u00eb ndiqnin studimet themelore n\u00ebp\u00ebr universitetet jugosllave ishte tejet i vog\u00ebl. Edhe m\u00eb i vog\u00ebl ishte numri i atyre q\u00eb vijonin studimet\u00a0e magjistratur\u00ebs e t\u00eb doktoratur\u00ebs. Nj\u00ebri prej k\u00ebtyre shqiptar\u00ebve ishte Hasan [&hellip;]<\/p>","protected":false},"author":401,"featured_media":1345,"comment_status":"closed","ping_status":"open","sticky":false,"template":"","format":"standard","meta":{"footnotes":""},"categories":[13],"tags":[713,712,673],"ppma_author":[685],"class_list":["post-1343","post","type-post","status-publish","format-standard","has-post-thumbnail","hentry","category-analize","tag-hasan-kaleshi","tag-history","tag-western-balkans"],"authors":[{"term_id":685,"user_id":401,"is_guest":0,"slug":"shkelzen-gashi","display_name":"Shk\u00eblzen Gashi","avatar_url":{"url":"https:\/\/sbunker.org\/wp-content\/uploads\/2024\/10\/Shkelzen-Gashi-1-1024x641-1-150x150-1.png","url2x":"https:\/\/sbunker.org\/wp-content\/uploads\/2024\/10\/Shkelzen-Gashi-1-1024x641-1-150x150-1.png"},"user_url":"","last_name":"Gashi","first_name":"Shk\u00eblzen","description":"Shk\u00eblzen Gashi ka studiu Shkencat Politike n\u00eb Universitetin e Prishtin\u00ebs, kurse magjistratur\u00ebn p\u00ebr Demokraci dhe t\u00eb Drejta t\u00eb Njeriut n\u00eb programin e p\u00ebrbashk\u00ebt studimor t\u00eb Universiteteve t\u00eb Bolonj\u00ebs dhe t\u00eb Sarajev\u00ebs. \u00cbsht\u00eb autor i shum\u00eb botimeve (librave dhe artikujve). N\u00eb vitin 2010 ka botuar biografin\u00eb e paautorizuar t\u00eb Adem Dema\u00e7it, i cili ka kaluar 28 vjet n\u00ebp\u00ebr burgjet jugosllave. Koh\u00ebt e fundit, ka botu shum\u00eb artikuj brenda e jasht\u00eb vendit rreth historis\u00eb s\u00eb Kosov\u00ebs n\u00eb tekstet m\u00ebsimore t\u00eb historis\u00eb n\u00eb Kosov\u00eb dhe n\u00eb vendet p\u00ebrreth Kosov\u00ebs \u2013 Shqip\u00ebri, S\u00ebrbi, Mal t\u00eb Zi dhe Maqedoni. Po ashtu, tani \u00ebsht\u00eb duke shkruar biografin\u00eb e Ibrahim Rugov\u00ebs, udh\u00ebheq\u00ebsit t\u00eb shqiptar\u00ebve t\u00eb Kosov\u00ebs 1989-2006."}],"_links":{"self":[{"href":"https:\/\/sbunker.org\/sr\/wp-json\/wp\/v2\/posts\/1343","targetHints":{"allow":["GET"]}}],"collection":[{"href":"https:\/\/sbunker.org\/sr\/wp-json\/wp\/v2\/posts"}],"about":[{"href":"https:\/\/sbunker.org\/sr\/wp-json\/wp\/v2\/types\/post"}],"author":[{"embeddable":true,"href":"https:\/\/sbunker.org\/sr\/wp-json\/wp\/v2\/users\/401"}],"replies":[{"embeddable":true,"href":"https:\/\/sbunker.org\/sr\/wp-json\/wp\/v2\/comments?post=1343"}],"version-history":[{"count":1,"href":"https:\/\/sbunker.org\/sr\/wp-json\/wp\/v2\/posts\/1343\/revisions"}],"predecessor-version":[{"id":1346,"href":"https:\/\/sbunker.org\/sr\/wp-json\/wp\/v2\/posts\/1343\/revisions\/1346"}],"wp:featuredmedia":[{"embeddable":true,"href":"https:\/\/sbunker.org\/sr\/wp-json\/wp\/v2\/media\/1345"}],"wp:attachment":[{"href":"https:\/\/sbunker.org\/sr\/wp-json\/wp\/v2\/media?parent=1343"}],"wp:term":[{"taxonomy":"category","embeddable":true,"href":"https:\/\/sbunker.org\/sr\/wp-json\/wp\/v2\/categories?post=1343"},{"taxonomy":"post_tag","embeddable":true,"href":"https:\/\/sbunker.org\/sr\/wp-json\/wp\/v2\/tags?post=1343"},{"taxonomy":"author","embeddable":true,"href":"https:\/\/sbunker.org\/sr\/wp-json\/wp\/v2\/ppma_author?post=1343"}],"curies":[{"name":"wp","href":"https:\/\/api.w.org\/{rel}","templated":true}]}}