{"id":1347,"date":"2022-05-04T13:23:05","date_gmt":"2022-05-04T12:23:05","guid":{"rendered":"https:\/\/sbunker.org\/?p=1347"},"modified":"2023-12-18T15:00:32","modified_gmt":"2023-12-18T14:00:32","slug":"fushebeteja-politike-mes-chamberlain-it-dhe-churchill-it-nje-analogji-historike-mes-paqesimit-dhe-konfrontimit","status":"publish","type":"post","link":"https:\/\/sbunker.org\/sr\/analize\/fushebeteja-politike-mes-chamberlain-it-dhe-churchill-it-nje-analogji-historike-mes-paqesimit-dhe-konfrontimit\/","title":{"rendered":"Fush\u00ebbeteja politike mes Chamberlain-it dhe Churchill-it: nj\u00eb analogji historike mes paq\u00ebsimit dhe konfrontimit"},"content":{"rendered":"<p><em>\u201cE till\u00eb \u00ebsht\u00eb natyr\u00eb e lig\u00ebsis\u00eb. Atje n\u00eb mes t\u00eb injoranc\u00ebs s\u00eb an\u00ebp\u00ebrtejme t\u00eb bot\u00ebs l\u00ebshon rr\u00ebnj\u00eb e shp\u00ebrndahet, si hije q\u00eb rritet n\u00eb err\u00ebsir\u00eb, si e keqe e p\u00ebrgjumur dhe fut\u00eb e zez\u00eb po aq sa muri i nat\u00ebs q\u00eb afrohet mbi ne. K\u00ebshtu ka qen\u00eb p\u00ebrher\u00eb, k\u00ebshtu do jet\u00eb p\u00ebrgjithmon\u00eb. Me koh\u00eb, t\u00eb gjitha krijesat e k\u00eblbaz\u00ebta shp\u00ebrfaqen\u201d &#8211; J. R. R. Tolkien<\/em><\/p>\n<p>Trajektorja e historis\u00eb njer\u00ebzore \u00ebsht\u00eb plot episode luft\u00ebrash t\u00eb p\u00ebrgjakura, mes t\u00eb s\u00eb cilave, si oaza t\u00eb brishta, pip\u00ebtijn\u00eb sekuenca t\u00eb paqes. Luft\u00ebrat shkaktohen kryesisht nga agresor\u00eb megaloman\u00eb q\u00eb i futen valles s\u00eb kobshme t\u00eb betej\u00ebs n\u00eb em\u00ebr t\u00eb korrigjimit t\u00eb padrejt\u00ebsive historike apo idealeve nacionaliste-shoviniste.<\/p>\n<p>E n\u00eb raste t\u00eb tjera duke pretenduar se g\u00ebzojn\u00eb bekimin e vet\u00eb Per\u00ebndis\u00eb, t\u00eb manifestuar n\u00ebp\u00ebrmjet dor\u00ebs s\u00eb klerit fetar q\u00eb i uron ushtar\u00ebt teksa nisen p\u00ebr n\u00eb front. P\u00ebr t\u00eb p\u00ebrdorur nj\u00eb metafor\u00eb t\u00eb thjesht\u00ebzuar, jan\u00eb forca t\u00eb err\u00ebta k\u00ebto q\u00eb vajtojn\u00eb p\u00ebr viktimizimin e trilluar historik, derisa p\u00ebrgatisin veglat e kasaphan\u00ebs p\u00ebr masakra popujsh e pushtim territoresh.<\/p>\n<p>K\u00ebshtu ka qen\u00eb dhe k\u00ebshtu do t\u00eb jet\u00eb gjithher\u00eb. Mostra e dor\u00ebs diktatoriale \u00ebsht\u00eb e nj\u00ebjt\u00eb. Ndryshojn\u00eb vet\u00ebm rrethanat, vendi e koha. Por, skenari q\u00eb \u00e7on n\u00eb luft\u00eb \u00ebsht\u00eb po ai, me ca modifikime t\u00eb vogla.<\/p>\n<p>P\u00ebr ta p\u00ebrligjur t\u00eb ardhmen, tentohet kthimi n\u00eb pretendime t\u00eb s\u00eb kaluar\u00ebs. Nuk \u00ebsht\u00eb me r\u00ebnd\u00ebsi n\u00eb jan\u00eb k\u00ebto pretendime t\u00eb v\u00ebrteta apo jo. Zakonisht nuk jan\u00eb. Me r\u00ebnd\u00ebsi \u00ebsht\u00eb q\u00eb t\u00eb shpiket e kaluara, t\u00eb gjendet fajtori (nj\u00eb konferenc\u00eb e paqes, nj\u00eb intervenim nga jasht\u00eb, nj\u00eb shtet fqinj q\u00eb ka gllab\u00ebruar tokat, nj\u00eb konspiracion imperialist, kapitalist, apo semit).<\/p>\n<p>Kjo \u00ebsht\u00eb bukuria e tmerrshme e nacionalizmit shovinist: shpikja e s\u00eb djeshmes s\u00eb ndritshme p\u00ebr ta p\u00ebrligjur st\u00ebrkeqjen e tanishme dhe p\u00ebr ta p\u00ebrgatitur popullin p\u00ebr luft\u00ebrat e s\u00eb nes\u00ebrmes. \u00cbsht\u00eb nj\u00eb aparatur\u00eb e t\u00ebr\u00eb q\u00eb kontribuon n\u00eb nd\u00ebrtimin e k\u00ebtij narracioni viktimizues e luft\u00ebndjell\u00ebs. Jan\u00eb politikan\u00ebt, natyrisht, kasta q\u00eb, n\u00eb pamund\u00ebsi p\u00ebr t\u00eb adresuar nevojat e p\u00ebrditshme t\u00eb shoq\u00ebris\u00eb, mezi pret t\u00eb nd\u00ebrtoj\u00eb narracione t\u00eb tilla s\u00eb cilave as vet\u00eb nuk u beson. \u00cbsht\u00eb edhe inteligjencia e atij vendi: akademit\u00eb e shkencave, profesor\u00ebt, mediat.<\/p>\n<p>N\u00eb fakt, roli i tyre \u00ebsht\u00eb edhe m\u00eb i r\u00ebnd\u00ebsish\u00ebm n\u00eb nd\u00ebrtimin e k\u00ebtij narracioni sesa i vet\u00eb politikan\u00ebve pasi n\u00eb em\u00ebr t\u00eb arsimit, t\u00eb drit\u00ebs e informat\u00ebs, kjo inteligjencie mbjell farat e urrejtjes, frytet e s\u00eb cilave do t\u00eb dep\u00ebrtojn\u00eb si helm radioaktiv n\u00ebp\u00ebr t\u00ebr\u00eb shtresat e shoq\u00ebris\u00eb dhe do t\u00eb jetojn\u00eb gjat\u00eb nd\u00ebr gjenerata, edhe pasi ajo kast\u00eb e par\u00eb politikan\u00ebsh t\u00eb jet\u00eb tretur n\u00eb mauzolet\u00eb e turpshme t\u00eb totalitarizmit historik.<\/p>\n<p><strong>Manuali i s\u00eb Lig\u00ebs<\/strong><\/p>\n<p>S\u00eb pari fillohet me paaft\u00ebsin\u00eb e klas\u00ebs politike p\u00ebr t\u00eb ofruar mir\u00ebqenie p\u00ebr popullin e vet. Vendi zhytet n\u00eb varf\u00ebri, pak\u00ebnaq\u00ebsi, keqmenaxhim dhe qeverisje t\u00eb korruptuar.<\/p>\n<p>S\u00eb dyti, v\u00ebmendja zhvendoset n\u00eb imagjinat\u00eb kolektive, n\u00eb t\u00eb kaluar\u00ebn e lavdishme e p\u00ebrplot drit\u00eb t\u00eb kombit, dhe denoncohen ata q\u00eb kontribuuan n\u00eb dob\u00ebsimin e tij.<\/p>\n<p>S\u00eb treti, identifikohen fajtor\u00ebt p\u00ebrgjegj\u00ebs p\u00ebr situat\u00ebn n\u00eb vend dhe potencohet se si lideri aktual (i cili nd\u00ebrton narracionin p\u00ebr luft\u00eb) do ta b\u00ebj\u00eb t\u00eb pamundur\u00ebn p\u00ebr ta rikthyer lavdin\u00eb e vjet\u00ebr.<\/p>\n<p>S\u00eb kat\u00ebrti, me identifikimin e fajtor\u00ebve dhe nd\u00ebrtimin e narracionit luft\u00ebndjell\u00ebs, shteti u kund\u00ebrvihet z\u00ebrave t\u00eb pavarur dhe kritik\u00eb q\u00eb i th\u00ebrrasin arsyes e paqes: intelektual\u00eb, shkrimtar\u00eb, e pjes\u00ebtar\u00eb t\u00eb shoq\u00ebris\u00eb civile zhvendosen n\u00eb sh\u00ebnjestr\u00ebn e pam\u00ebshirshme t\u00eb pushtetit gjithnj\u00eb e m\u00eb totalitar.<\/p>\n<p>Disa do t\u00eb ngash\u00ebnjehen me tituj e privilegje, disa t\u00eb tjer\u00eb do t\u00eb d\u00ebrgohen n\u00ebp\u00ebr institucione p\u00ebr t\u00eb \u00e7mendur, do t\u00eb d\u00ebbohen nga vendi e do t\u00eb jetojn\u00eb t\u00eb syrgjynosur, e t\u00eb tjer\u00ebt thjesht do t\u00eb ekzekutohen. Koh\u00ebrat e krizave nuk tolerojn\u00eb z\u00ebra ndryshe. Ata jan\u00eb mish i huaj, disident\u00eb, tradhtar\u00eb.<\/p>\n<p>N\u00eb fund, pasi t\u00eb jet\u00eb krijuar uniformitet n\u00eb mendim e n\u00eb veprim, pasi t\u00eb jen\u00eb p\u00ebrforcuar radh\u00ebt e forcave t\u00eb armatosura, shteti p\u00ebrkujdeset q\u00eb t\u00eb inskenoj\u00eb incidente me vendet fqinje. Gjithmon\u00eb do t\u00eb ket\u00eb njer\u00ebz (t\u00eb s\u00eb nj\u00ebjt\u00ebs p\u00ebrkat\u00ebsi, fe apo etni) q\u00eb jetojn\u00eb n\u00eb vendet fqinje e q\u00eb gjoja kan\u00eb nevoj\u00eb p\u00ebr p\u00ebrkujdesjen e shtetit \u201cam\u00eb\u201d. Gjithmon\u00eb do t\u00eb ket\u00eb territore q\u00eb kan\u00eb qen\u00eb pjes\u00eb e s\u00eb kaluar\u00ebs s\u00eb lavdishme t\u00eb cil\u00ebn inteligjencia \u00ebsht\u00eb kujdesur q\u00eb ta q\u00ebndis\u00eb \u201cshkenc\u00ebrisht\u201d n\u00eb memorandumet e saj.<\/p>\n<p>Mediat, n\u00eb an\u00ebn tjet\u00ebr, bambardojn\u00eb pareshtur vet\u00ebdijen e masave popullore duke shp\u00ebrndar\u00eb opiumin e dezinformatave dhe lajmeve t\u00eb rreme. Dhe k\u00ebshtu, n\u00eb em\u00ebr t\u00eb \u201cmbrojtjes\u201d, n\u00eb em\u00ebr t\u00eb nevoj\u00ebs p\u00ebr hap\u00ebsir\u00eb jetese, t\u00eb asaj q\u00eb pushteti pretendon se i takon me Per\u00ebndi e me tapi, shteti i rreket agresionit kund\u00ebr popujve t\u00eb pafajsh\u00ebm.<\/p>\n<p>K\u00ebshtu m\u00ebton t\u00eb ngadh\u00ebnjej\u00eb e Liga: me krime lufte, agresion e gjenocid.<\/p>\n<p><strong>Fillon me Chamberlain-in, mbaron me Churchill-in<\/strong><\/p>\n<p>K\u00ebshtu ka qen\u00eb gjithmon\u00eb, k\u00ebshtu \u00ebsht\u00eb edhe tani: para s\u00eb gjithash, p\u00ebrballja me agresorin \u00ebsht\u00eb fush\u00ebbetej\u00eb n\u00eb mes t\u00eb Chamberlain-it dhe Churchill-it n\u00eb prag t\u00eb Luft\u00ebs s\u00eb Dyt\u00eb Bot\u00ebrore, pra n\u00eb mes t\u00eb t\u00eb dy qasjeve mjaft t\u00eb ndryshme politike q\u00eb simbolizojn\u00eb k\u00ebta kryeministra britanik\u00eb.<\/p>\n<p>I pari ka hyr\u00eb n\u00eb histori si promovues i politik\u00ebs s\u00eb paq\u00ebsimit [appeasement], kurse i dyti si ushtar i politik\u00ebs s\u00eb konfrontimit direkt e t\u00eb pakompromis me agresorin. N\u00eb kund\u00ebrp\u00ebrgjigjet e bot\u00ebs s\u00eb lir\u00eb e demokratike, zakonisht gjithmon\u00eb preferohet politika paq\u00ebsuese, e shum\u00eb m\u00eb rrall\u00eb ajo konfrontuese. Dhe ndoshta nuk ka se si t\u00eb jet\u00eb ndryshe.<\/p>\n<p>Historia nuk ka treguar fare m\u00ebshir\u00eb p\u00ebr figur\u00ebn e Chamberlain-it. Ai sh\u00ebrbeu si kryeminist\u00ebr britanik n\u00eb periudh\u00ebn\u00a0<a href=\"https:\/\/www.gov.uk\/government\/history\/past-prime-ministers\/neville-chamberlain\" target=\"_blank\" rel=\"noopener\">1937-1940<\/a>. Konsiderohet si njeri q\u00eb n\u00eb nj\u00eb moment historik tregoi dob\u00ebsi t\u00eb pafalshme ndaj Adolf Hitler-it, n\u00eb koh\u00ebn kur ai kishte shfaqur haptazi ambiciet p\u00ebr pushtimin e Evrop\u00ebs.<\/p>\n<p>N\u00eb shtator t\u00eb vitit 1938, n\u00eb Mynih, Chamberlain-i n\u00ebnshkroi \u201dmarr\u00ebveshje t\u00eb paqes\u201d me Hitlerin, e cila e obligoi Gjermanin\u00eb dhe Britanin\u00eb q\u00eb t\u00eb mos hyjn\u00eb n\u00eb luft\u00eb me nj\u00ebra-tjetr\u00ebn. Marr\u00ebveshja po ashtu ia njohu Hitlerit t\u00eb drejt\u00ebn q\u00eb t\u00eb pushtoj\u00eb nj\u00eb pjes\u00eb t\u00eb \u00c7ekosllovakis\u00eb, me shpres\u00ebn se ky do t\u00eb ishte fillimi dhe fundi i ambicieve ekspansioniste t\u00eb Gjermanis\u00eb naziste.<\/p>\n<p>\u201d<a href=\"https:\/\/www.gov.uk\/government\/history\/past-prime-ministers\/neville-chamberlain\" target=\"_blank\" rel=\"noopener\">Besoj se kjo n\u00ebnkupton paqe p\u00ebr koh\u00ebrat tona<\/a>\u201d, kishte deklaruar Chamberlain-i pas kthimit nga Mynihu n\u00eb Lond\u00ebr. K\u00ebto fjal\u00eb ting\u00eblluan tmerr\u00ebsisht naive kur nj\u00eb vit m\u00eb von\u00eb Gjermania filloi pushtimin e Evrop\u00ebs. Chamberlain-i dha dor\u00ebheqje n\u00eb maj 1940 dhe\u00a0<a href=\"https:\/\/www.gov.uk\/government\/history\/past-prime-ministers\/winston-churchill\" target=\"_blank\" rel=\"noopener\">n\u00eb vend t\u00eb tij erdhi Churchill<\/a>-i me politik\u00ebn e pakompromis t\u00eb konfrontimit ushtarak ndaj Hitlerit.<\/p>\n<p>Tash s\u00eb fundi, nj\u00eb film i quajtur \u201c<a href=\"https:\/\/www.economist.com\/culture\/2022\/01\/24\/a-new-film-offers-a-sympathetic-portrait-of-neville-chamberlain\" target=\"_blank\" rel=\"noopener\">Munich: The Edge of War<\/a>\u201d jep nj\u00eb k\u00ebndv\u00ebshtrim autentik mbi figur\u00ebn e Chamberlain-it. Sipas filmit, historia \u00ebsht\u00eb treguar jo e drejt\u00eb me Chamberlain-in, pasi ai b\u00ebri m\u00eb t\u00eb mir\u00ebn e mundshme n\u00eb rrethanat n\u00eb t\u00eb cilat veproi. Chamberlain-i nuk ushqente iluzione p\u00ebr Hitlerin. Duke u orvatur q\u00eb ta mbaj\u00eb t\u00eb gjall\u00eb dialogun, ai fitoi koh\u00eb t\u00eb vlefshme q\u00eb Britania t\u00eb p\u00ebrgatitej p\u00ebr luft\u00eb dhe shfryt\u00ebzoi \u00e7do mjet t\u00eb mundsh\u00ebm diplomatik q\u00eb t\u2019i jap\u00eb shans paqes.<\/p>\n<p><strong>Sot s\u00ebrish mes paq\u00ebsimit dhe konfrontimit<\/strong><\/p>\n<p>Filmi mund t\u00eb ket\u00eb t\u00eb drejt\u00eb. Edhe historia e m\u00ebvonshme na tregon se politika e paq\u00ebsimit \u00ebsht\u00eb p\u00ebrgjigjja e par\u00eb intuitive e shteteve karshi agresionit. K\u00ebt\u00eb politik\u00eb e praktikuan shtetet per\u00ebndimore p\u00ebr vite me radh\u00eb kundruall Serbis\u00eb s\u00eb Millosheviqit gjat\u00eb luft\u00ebrave n\u00eb Kroaci dhe Bosnj\u00eb-Hercegovin\u00eb. T\u00eb kujtojm\u00eb se p\u00ebrkund\u00ebr krimeve t\u00eb b\u00ebra n\u00eb k\u00ebto vende, Millosheviq u cil\u00ebsua si \u201carkitekt i paqes\u201d pas n\u00ebnshkrimit t\u00eb marr\u00ebveshjes s\u00eb Dayton-it m\u00eb 1995.<\/p>\n<p>Paq\u00ebsimi i Serbis\u00eb n\u00eb fakt vijoi deri diku kah fundi i vitit 1998, pra shum\u00eb muaj pas fillimit t\u00eb luft\u00ebs n\u00eb Kosov\u00eb, kur ende shpresohej se me Beogradin mund t\u00eb bisedohej p\u00ebr nj\u00eb zgjidhje diplomatike. N\u00eb rastin ton\u00eb, kap\u00ebrcimi nga politika e paq\u00ebsimit n\u00eb politik\u00eb t\u00eb konfrontimit, pra nga Chamberlain-i te Churchill-i, ndodhi me fillimin e intervenimit ushtarak t\u00eb NATO-s n\u00eb mars 1999.<\/p>\n<p>Megjithat\u00eb, nuk \u00ebsht\u00eb leht\u00eb p\u00ebr Per\u00ebndimin q\u00eb t\u00eb shnd\u00ebrrohet n\u00eb\u00a0<em>Churchill<\/em>\u00a0n\u00eb \u00e7do situat\u00eb. Lufta \u00ebsht\u00eb gjithmon\u00eb m\u00eb e kushtueshme, m\u00eb traumatike, pakrahasimisht m\u00eb tragjike dhe m\u00eb e paparashikueshme. E par\u00eb nga ky k\u00ebnd, \u00ebsht\u00eb disi e kuptueshme edhe politika gjermane e cila nd\u00ebr vite ka kultivuar raporte miq\u00ebsore diplomatike e ekonomike n\u00eb raport me Rusin\u00eb e Vladimir Putin-it.<\/p>\n<p>\u00cbsht\u00eb leht\u00eb q\u00eb nga pik\u00ebpamja e sotme t\u00eb faj\u00ebsohet ish-kancelarja gjermane Angela Merkel p\u00ebr keqkalkulim politik ndaj Putinit. Mir\u00ebpo, shikuar nga prizmi i viteve 2000 e 2010<strong>,\u00a0<\/strong>v\u00ebrtet ekzistonte besimi se me intensifikim raportesh ekonomike do t\u00eb arrihej\u00a0<a href=\"https:\/\/www.theatlantic.com\/ideas\/archive\/2022\/04\/bill-clinton-nato-expansion-ukraine\/629499\/\" target=\"_blank\" rel=\"noopener\">p\u00ebrafrimi me Rusin\u00eb<\/a>\u00a0dhe zhdukja e ballafaqimit ushtarak.<\/p>\n<p>Me t\u00eb kuptuar konteksti, pra, politika paq\u00ebsuese \u00ebsht\u00eb m\u00eb e kuptueshme. \u00c7far\u00eb nuk \u00ebsht\u00eb e kuptueshme \u00ebsht\u00eb kur paq\u00ebsimi b\u00ebhet mjet i inercis\u00eb politike p\u00ebr t\u00eb vepruar. E till\u00eb ishte Evropa n\u00eb vitet e fundit, sidomos pas pushtimit t\u00eb Krimes\u00eb nga Rusia.<\/p>\n<p>U desh nj\u00eb luft\u00eb totale mbi Ukrain\u00ebn q\u00eb shtetet evropiane t\u00eb shkundeshin nga dremitja e paq\u00ebsimit dhe t\u00eb kalonin n\u00eb barrikadim dhe sanksione p\u00ebrball rrezikut rus. K\u00ebtu barrikadimi nuk n\u00ebnkupton medoemos qasjen churchilliane t\u00eb p\u00ebrballjes s\u00eb drejtp\u00ebrdrejt\u00eb ushtarake, por konfrontim politik, ekonomik, kulturor, financiar etj., si dhe, natyrisht, ndihm\u00eb ushtarake p\u00ebr Ukrain\u00ebn.<\/p>\n<p>Dhe, n\u00eb fund, duket se politika paq\u00ebsuese vazhdon t\u00eb mbijetoj\u00eb edhe n\u00eb Ballkan. Per\u00ebndimi ende aplikon politik\u00eb paq\u00ebsuese karshi qeveris\u00eb serbe, p\u00ebrkund\u00ebr veprimeve t\u00eb saj qartazi pro-ruse dhe armatimit t\u00eb shtetit serb nga Rusia e Kina.<\/p>\n<p>\u00cbsht\u00eb zor t\u00eb besohet q\u00eb Brukseli t\u00eb jet\u00eb kaq i pav\u00ebmendsh\u00ebm sa t\u00eb mos shoh\u00eb mund\u00ebsin\u00eb e rrezikut t\u00eb nj\u00eb skenari alla rus nga aleati i saj n\u00eb Ballkan. Fashizmi nuk b\u00ebn t\u00eb p\u00ebrk\u00ebdhelet. Historia d\u00ebshmon se paq\u00ebsimi nuk \u00ebsht\u00eb gjithmon\u00eb p\u00ebrgjigjja; konfrontimi politik e diplomatik (me shpres\u00eb se nuk ka nevoj\u00eb p\u00ebr skenar ushtarak) mund t\u00eb kthej\u00eb besimin n\u00eb paqe e stabilitet.<\/p>\n<p>Megjithat\u00eb, ka t\u00eb ngjar\u00eb se \u00ebsht\u00eb taktik\u00eb e q\u00ebllimshme q\u00eb t\u00eb afrohet Beogradi sipas logjik\u00ebs se komplimentet afrojn\u00eb, nd\u00ebrsa kritikat largojn\u00eb. P\u00ebrndryshe, paq\u00ebsimi syverb\u00ebr i Beogradit do t\u00eb ishte gabim trashanik, sidomos n\u00ebse qeveria serbe vazhdon me avazin e vjet\u00ebr t\u00eb shteteve agresore q\u00eb p\u00ebrgatiten p\u00ebr sulm.<\/p>\n<p>Sot bota e lir\u00eb e demokratike s\u00ebrish gjendet n\u00eb pozit\u00ebn e lavjerr\u00ebsit q\u00eb epohet n\u00eb mes t\u00eb dy ekstremeve: politik\u00ebs s\u00eb paq\u00ebsimit dhe asaj t\u00eb konfrontimit. Gjithmon\u00eb me shpres\u00ebn se animi mbi k\u00ebt\u00eb t\u00eb dyt\u00ebn mjafton me konfrontim t\u00eb \u00e7far\u00ebdo lloji p\u00ebrpos atij ushtarak.<\/p>","protected":false},"excerpt":{"rendered":"<p>\u201cE till\u00eb \u00ebsht\u00eb natyr\u00eb e lig\u00ebsis\u00eb. Atje n\u00eb mes t\u00eb injoranc\u00ebs s\u00eb an\u00ebp\u00ebrtejme t\u00eb bot\u00ebs l\u00ebshon rr\u00ebnj\u00eb e shp\u00ebrndahet, si hije q\u00eb rritet n\u00eb err\u00ebsir\u00eb, si e keqe e p\u00ebrgjumur dhe fut\u00eb e zez\u00eb po aq sa muri i nat\u00ebs q\u00eb afrohet mbi ne. K\u00ebshtu ka qen\u00eb p\u00ebrher\u00eb, k\u00ebshtu do jet\u00eb p\u00ebrgjithmon\u00eb. Me koh\u00eb, t\u00eb [&hellip;]<\/p>","protected":false},"author":405,"featured_media":2356,"comment_status":"closed","ping_status":"closed","sticky":false,"template":"","format":"standard","meta":{"footnotes":""},"categories":[13],"tags":[716,715,714],"ppma_author":[698],"class_list":["post-1347","post","type-post","status-publish","format-standard","has-post-thumbnail","hentry","category-analize","tag-appeasement","tag-confrontation","tag-war"],"authors":[{"term_id":698,"user_id":405,"is_guest":0,"slug":"armend-bekaj","display_name":"Armend Bekaj","avatar_url":{"url":"https:\/\/sbunker.org\/wp-content\/uploads\/2023\/11\/armend-bekaj.png","url2x":"https:\/\/sbunker.org\/wp-content\/uploads\/2023\/11\/armend-bekaj.png"},"user_url":"","last_name":"Bekaj","first_name":"Armend","description":"Armend Bekaj \u00ebsht\u00eb Ligj\u00ebrues n\u00eb Departamentin p\u00ebr K\u00ebrkime t\u00eb Paqes dhe Konfliktit n\u00eb Universitetin e Uppsala-s, Suedi. Ka punuar p\u00ebr nj\u00eb s\u00ebr\u00eb organizatash nd\u00ebrkomb\u00ebtare, p\u00ebrfshir\u00eb International IDEA n\u00eb Suedi. Ka t\u00eb kryer doktorat\u00ebn n\u00eb shkenca politike n\u00eb Universitetin e Sheffield, Britani t\u00eb Madhe."}],"_links":{"self":[{"href":"https:\/\/sbunker.org\/sr\/wp-json\/wp\/v2\/posts\/1347","targetHints":{"allow":["GET"]}}],"collection":[{"href":"https:\/\/sbunker.org\/sr\/wp-json\/wp\/v2\/posts"}],"about":[{"href":"https:\/\/sbunker.org\/sr\/wp-json\/wp\/v2\/types\/post"}],"author":[{"embeddable":true,"href":"https:\/\/sbunker.org\/sr\/wp-json\/wp\/v2\/users\/405"}],"replies":[{"embeddable":true,"href":"https:\/\/sbunker.org\/sr\/wp-json\/wp\/v2\/comments?post=1347"}],"version-history":[{"count":1,"href":"https:\/\/sbunker.org\/sr\/wp-json\/wp\/v2\/posts\/1347\/revisions"}],"predecessor-version":[{"id":1348,"href":"https:\/\/sbunker.org\/sr\/wp-json\/wp\/v2\/posts\/1347\/revisions\/1348"}],"wp:featuredmedia":[{"embeddable":true,"href":"https:\/\/sbunker.org\/sr\/wp-json\/wp\/v2\/media\/2356"}],"wp:attachment":[{"href":"https:\/\/sbunker.org\/sr\/wp-json\/wp\/v2\/media?parent=1347"}],"wp:term":[{"taxonomy":"category","embeddable":true,"href":"https:\/\/sbunker.org\/sr\/wp-json\/wp\/v2\/categories?post=1347"},{"taxonomy":"post_tag","embeddable":true,"href":"https:\/\/sbunker.org\/sr\/wp-json\/wp\/v2\/tags?post=1347"},{"taxonomy":"author","embeddable":true,"href":"https:\/\/sbunker.org\/sr\/wp-json\/wp\/v2\/ppma_author?post=1347"}],"curies":[{"name":"wp","href":"https:\/\/api.w.org\/{rel}","templated":true}]}}