{"id":2658,"date":"2020-02-12T14:55:40","date_gmt":"2020-02-12T12:55:40","guid":{"rendered":"https:\/\/sbunker.org\/?p=2658"},"modified":"2024-09-17T14:58:59","modified_gmt":"2024-09-17T12:58:59","slug":"zgjerimi-i-be-se-ka-vdekur-rrofte-zgjerimi-i-be-se","status":"publish","type":"post","link":"https:\/\/sbunker.org\/sr\/analize\/zgjerimi-i-be-se-ka-vdekur-rrofte-zgjerimi-i-be-se\/","title":{"rendered":"Zgjerimi i BE-s\u00eb ka vdekur. Rroft\u00eb zgjerimi i BE-s\u00eb"},"content":{"rendered":"<div class=\"news-up\">\n<p>Metodologjia e re e zgjerimit e BE-s\u00eb nuk do t\u00eb mund ta ndal\u00eb tat\u00ebpjet\u00ebn politike n\u00eb Ballkanin Per\u00ebndimor. Mir\u00ebpo e gjith\u00eb kjo n\u00eb fund mund ta ket\u00eb nj\u00eb an\u00eb pozitive.<\/p>\n<\/div>\n<div class=\"news-down\">\n<div class=\"news-left\">\n<p>Bashkimi Evropian po p\u00ebrballet me aq shum\u00eb sfida sa \u00ebsht\u00eb v\u00ebshtir\u00eb t\u00eb gjesh sot njer\u00ebz n\u00eb Bruksel q\u00eb \u00e7ajn\u00eb kok\u00ebn p\u00ebr zgjerimin e BE-s\u00eb ose p\u00ebr fatin e Ballkanit Per\u00ebndimor. Megjith\u00ebk\u00ebt\u00eb, miqve t\u00eb mbetur t\u00eb rajonit n\u00eb BE duket se iu hoq nj\u00eb barr\u00eb jav\u00ebn e kaluar kur Komisioneri i BE-s\u00eb p\u00ebr Zgjerim Oliver Varenhyi paraqiti metodologjin\u00eb e re t\u00eb an\u00ebtar\u00ebsimit n\u00eb BE.<\/p>\n<p>Vetoja e Franc\u00ebs p\u00ebr \u00e7eljen e negociatave t\u00eb an\u00ebtar\u00ebsimit me Maqedonin\u00eb e Veriut dhe Shqip\u00ebrin\u00eb fillimisht dha sinjalin se politika e zgjerimit t\u00eb BE-s\u00eb mund t\u00eb ket\u00eb vdekur. Por meq\u00eb metodologjia e re i adreson shqet\u00ebsimet e Franc\u00ebs, n\u00eb Bruksel tani ka optimiz\u00ebm se Makron mund t\u2019i heq pengesat.<\/p>\n<p>Frazat q\u00eb d\u00ebgjoheshin m\u00eb s\u00eb shpeshti n\u00eb Bruksel gjat\u00eb jav\u00ebs s\u00eb kaluar ishin se politika e zgjerimit u shp\u00ebtua, se ajo tani \u00ebsht\u00eb b\u00ebr\u00eb m\u00eb e nj\u00ebmendt\u00eb, dhe se\u2014si rrjedhoj\u00eb\u2014tani ka m\u00eb shum\u00eb interesim serioz dhe t\u00eb sinqert\u00eb nga ana e shteteve ant\u00ebtare.<\/p>\n<p>N\u00eb k\u00ebsi momentesh \u00ebsht\u00eb e v\u00ebshtir\u00eb t\u2019i faj\u00ebsosh qytetet politike si Brukseli p\u00ebr dozat e tepruara t\u00eb optimizmit dhe shpres\u00ebs. Zat\u00ebn, qytetet politike jetojn\u00eb p\u00ebr k\u00ebt\u00eb pun\u00eb &#8211; p\u00ebr t\u00eb zgjidhur probleme q\u00eb i krijojn\u00eb vet\u00eb.<\/p>\n<p>Duke mos pasur ndjesi t\u00eb drejtp\u00ebrdret\u00eb p\u00ebr situat\u00ebn n\u00eb terren, mat\u00ebsi i suksesit brenda nj\u00eb flluske politike si Brukseli \u00ebsht\u00eb shpeshher\u00eb vet\u00eb akti i nj\u00eb marr\u00ebveshjeje t\u00eb fsheht\u00eb politike, pavar\u00ebsisht efektit t\u00eb saj.\u00a0 N\u00ebse nj\u00eb gj\u00eb i mund\u00ebson makineris\u00eb politike t\u00eb punoj\u00eb dhe t\u00eb vazhdoj\u00eb l\u00ebvizjet nga pika A n\u00eb pik\u00ebn B, at\u00ebher\u00eb kjo gjithsesi duhet t\u00eb jet\u00eb gj\u00eb e mir\u00eb, apo jo?<\/p>\n<p>Por, metodologjia e re\u00a0<em>vet\u00ebm duket<\/em>\u00a0sikur sukses (m\u00eb fort sesa \u00ebsht\u00eb n\u00eb t\u00eb v\u00ebrtet\u00eb) thjesht sepse i p\u00ebrmbush disa interesa ky\u00e7e afatshkurt\u00ebra. Komisionit Evropian i lejohet ta vazhdoj\u00eb loj\u00ebn burokratike; Franca tani mund t\u00eb m\u00eb seriozisht n\u00eb p\u00ebrpjekjen e saj p\u00ebr ta reformuar BE-n\u00eb dhe p\u00ebr t\u00eb pasur m\u00eb shum\u00eb kontroll n\u00eb Ballkan, nd\u00ebrsa Shqip\u00ebria dhe Maqedonia e Veriut mund t\u00eb vazhdojn\u00eb p\u00ebr n\u00eb etap\u00ebn e radh\u00ebs.<\/p>\n<p>Megjithat\u00eb, n\u00eb afat t\u00eb mes\u00ebm, pengesat e zgjerimit t\u00eb BE-s\u00eb n\u00eb Ballkan jan\u00eb aq t\u00eb m\u00ebdha saq\u00eb nuk mund t\u00eb zgjidhen nga nj\u00eb ndryshim metodologjie. P\u00ebr m\u00eb tep\u00ebr, metodologjia e re nuk e rregullon d\u00ebmin q\u00eb i \u00ebsht\u00eb shkaktuar procesit t\u00eb zgj\u00ebrimit n\u00eb dy vitet e fundit\u2014humbjen e besueshm\u00ebris\u00eb s\u00eb BE-s\u00eb si pal\u00eb e cila nuk i p\u00ebrmbahet detyrimeve t\u00eb ujdis\u00eb nga ana e saj.<\/p>\n<p>Metodologjia e re godet mu n\u00eb shenj\u00eb n\u00eb shum\u00eb pika, sidomos me mund\u00ebsin\u00eb q\u00eb i jep BE-s\u00eb p\u00ebr t\u2019i kthyer shtetet kandidate prapa n\u00ebse sh\u00ebnojn\u00eb regres n\u00eb reforma (\u201cKu ishte m\u00eb her\u00ebt?\u201d). Ajo gjithashtu mund ta b\u00ebj\u00eb procesin m\u00eb realist, duke i p\u00ebrfshir\u00eb shtetet an\u00ebtare m\u00eb her\u00ebt dhe n\u00eb num\u00ebr m\u00eb t\u00eb madh fazash t\u00eb vler\u00ebsimit, duke i shmangur k\u00ebshtu befasit\u00eb dhe pritshm\u00ebrit\u00eb e parealizueshme.<\/p>\n<p>Por duke e b\u00ebr\u00eb procesin e vler\u00ebsimit m\u00eb politik, rritet gjithashtu rreziku i abuzimit prej cilitdo shteti an\u00ebtar p\u00ebr \u00e7\u00ebshtje q\u00eb s\u2019kan\u00eb fare lidhje me kriteret. Nj\u00eb proces \u201cm\u00eb politik\u201d do t\u00eb thot\u00eb nj\u00eb proces m\u00eb i brisht\u00eb ndaj rrymave ksenofobike elektorale apo krizave politike t\u00eb momentit n\u00eb cilindo shtet an\u00ebtar, dhe k\u00ebto sot duket se kurr\u00eb nuk po mungojn\u00eb n\u00eb Evrop\u00eb.<\/p>\n<p>Vendosja e k\u00ebtyre minave t\u00eb shumta n\u00eb fush\u00ebn para nesh vet\u00ebm e thellon ndjenj\u00ebn e thell\u00eb t\u00eb mosbesimit mbi synimet e disa prej shteteve t\u00eb m\u00ebdha an\u00ebtare. T\u00eb vet\u00ebdijsh\u00ebm p\u00ebr trendet ksenofobike dhe paragjykimet e r\u00ebnda q\u00eb e kan\u00eb\u00a0<a href=\"https:\/\/www.ecfr.eu\/publications\/summary\/popular_demand_for_strong_european_foreign_policy_what_people_want\" target=\"_blank\" rel=\"noopener\">ulur popullaritetin e zgjerimit<\/a>, shtetet me shumic\u00eb myslimane n\u00eb Ballkan kan\u00eb arsye t\u00eb ve\u00e7ant\u00eb p\u00ebr t\u2019u shqet\u00ebsuar. Pavar\u00ebsisht premtimit se an\u00ebtar\u00ebsimi \u00ebsht\u00eb caku p\u00ebrfundimtar, metodologjia e re mund t\u00eb dal\u00eb t\u00eb jet\u00eb hyrje n\u00eb nj\u00eb faz\u00eb t\u00eb re ku BE-ja fillon ta trajtoj\u00eb rajonin ton\u00eb nj\u00ebsoj si Turqin\u00eb.<\/p>\n<p>P\u00ebr dashamir\u00ebt brenda BE-s\u00eb q\u00eb ende besojn\u00eb te themelet normative t\u00eb projektit, ky mund t\u00eb ting\u00eblloj\u00eb si nj\u00eb perceptim i dramatizuar. Por, ekzistenca e k\u00ebtij perceptimi n\u00eb Ballkan krijon hap\u00ebsir\u00eb p\u00ebr narracione t\u00eb reja dhe prodhon realitete t\u00eb reja politike n\u00eb terren.<\/p>\n<p>D\u00ebshtimi i Kosov\u00ebs p\u00ebr t\u00eb t\u00ebrhequr v\u00ebmendje n\u00eb K\u00ebshillin e BE-s\u00eb p\u00ebr di\u00e7ka aq themelore sa liberalizimi i vizave (i cili i \u00ebsht\u00eb dh\u00ebn\u00eb Kolumbis\u00eb!) \u00ebsht\u00eb shenj\u00eb e qart\u00eb se si mund t\u00eb ecin gj\u00ebrat prej tash e tutje gjat\u00eb nj\u00eb procesi m\u00eb politik t\u00eb negociatave.<\/p>\n<p>Shqip\u00ebria dhe Maqedonia e Veriut me gjas\u00eb do t\u2019i \u00e7elin negociatat s\u00eb shpejti n\u00eb m\u00ebnyr\u00eb q\u00eb t\u00eb mund t\u00eb festohet \u201cshp\u00ebtimi\u201d i politik\u00ebs s\u00eb zgjerimit, por n\u00eb fund t\u00eb fundit kjo mund t\u00eb mos ket\u00eb r\u00ebnd\u00ebsi m\u00eb.\u00a0<a href=\"https:\/\/twitter.com\/Petrit\/status\/1226164232875626496\" target=\"_blank\" rel=\"noopener\">Si\u00e7 kan\u00eb th\u00ebn\u00eb\u00a0tashm\u00eb<\/a>\u00a0edhe\u00a0disa komentues, pengesat e reja e kan\u00eb ngritur aq shum\u00eb standardin, saq\u00eb edhe shum\u00eb prej shteteve q\u00eb tashm\u00eb jan\u00eb an\u00ebtare t\u00eb B\u00cb-s\u00eb do ta kishin pasur t\u00eb v\u00ebshtir\u00eb an\u00ebtar\u00ebsimin gjat\u00eb dekad\u00ebs s\u00eb ardhshme.<\/p>\n<p>Pra, politika afatmesme e BE-s\u00eb ndaj Ballkanit duket se po largohet prej zgjerimit dhe po i ngjan m\u00eb shum\u00eb asaj q\u00eb n\u00eb marr\u00ebdh\u00ebnie nd\u00ebrkomb\u00ebtare njihet si \u201cp\u00ebrmbajtje\u201d (\u201ccontainment\u201d). Makron mund t\u00eb ket\u00eb t\u00eb drejt\u00eb n\u00eb rrafshin strategjik p\u00ebr masat q\u00eb duhen nd\u00ebrmar\u00eb p\u00ebr ta shp\u00ebtuar BE-n\u00eb n\u00eb periudh\u00ebn afatgjate, dhe Ballkani thjesht po i merr goditjet e shkundjes, si d\u00ebm kolateral, n\u00eb nj\u00eb koh\u00eb fatkeqe p\u00ebr t\u00eb.<\/p>\n<p>Megjithat\u00eb, nuk ka dyshim se thjesht ekzistenca e perceptimit se an\u00ebtar\u00ebsimi \u00ebsht\u00eb cak i paaritsh\u00ebm do t\u00eb ket\u00eb efekte t\u00eb menj\u00ebhershme destabilizuese n\u00eb rajon. Ballkani Per\u00ebndimor mund t\u00eb zhvendoset prej gjendjes s\u00eb sotme t\u00eb\u00a0<a href=\"https:\/\/bridge-magazine.net\/?p=539\" target=\"_blank\" rel=\"noopener\">baraspesh\u00ebs joliberale<\/a>\u00a0drej nj\u00eb spiraleje dhe tat\u00ebpjete politike.<\/p>\n<p>Situata e sotme ngjan me at\u00eb q\u00eb n\u00eb anglisht quhet \u201cCatch-22\u201d (apo n\u00eb shqip \u201chyp se t\u00eb vrava, zhdryp se t\u00eb vrava\u201d). Fakti se perspektiva e an\u00ebtar\u00ebsimit n\u00eb BE \u00ebsht\u00eb v\u00ebn\u00eb n\u00eb dyshim tashm\u00eb ka shp\u00ebrfaqur shqet\u00ebsime t\u00eb siguris\u00eb dhe i ka ringjallur projektet komb\u00ebtare ballkanike, sepse m\u00eb her\u00ebt ishte perspektiva e an\u00ebtar\u00ebsimit n\u00eb BE ajo q\u00eb i b\u00ebnte kufijt\u00eb t\u00eb par\u00ebnd\u00ebsish\u00ebm. Kjo po ashtu e ka rritur mund\u00ebsin\u00eb e destabilizimit t\u00eb rajonit nga aktor\u00eb t\u00eb jasht\u00ebm dashak\u00ebqij.<\/p>\n<p>Shqet\u00ebsimet e siguris\u00eb nd\u00ebrkoh\u00eb kan\u00eb b\u00ebr\u00eb q\u00eb axhenda e NATO-s dhe arkitektura e siguris\u00eb (sidomos zgjidhja e mosmarr\u00ebveshjeve bilaterale) t\u00eb b\u00ebhen prioritete p\u00ebr partner\u00ebt per\u00ebndimor\u00eb, sidomos p\u00ebr ShBA-n\u00eb. Kjo po i fuqizon edhe m\u00eb shum\u00eb lider\u00ebt autoritar\u00eb n\u00eb rajon q\u00eb jan\u00eb t\u00eb gatsh\u00ebm t\u00eb luajn\u00eb loj\u00ebra politike realiste n\u00eb em\u00ebr t\u00eb ruajtjes s\u00eb stabilitetit. Rezultati i gjith\u00eb k\u00ebsaj do t\u00eb jet\u00eb p\u00ebrkeq\u00ebsimi i m\u00ebtutjesh\u00ebm i standardeve demokratike dhe prodhimi i shteteve ballkanike edhe m\u00eb pak t\u00eb kualifikuara p\u00ebr t\u2019u b\u00ebr\u00eb pjes\u00eb e BE-s\u00eb.<\/p>\n<p>E gjith\u00eb kjo do t\u00eb ndodh\u00eb n\u00eb nj\u00eb koh\u00eb kur BE-ja e ka humbur pesh\u00ebn politike dhe fuqin\u00eb p\u00ebr t\u2019u dh\u00ebn\u00eb form\u00eb zhvillimeve n\u00eb k\u00ebt\u00eb territor evropian. \u00cbsht\u00eb trondit\u00ebse ta p\u00ebrjetosh k\u00ebto dit\u00eb shp\u00ebrfilljen me t\u00eb cil\u00ebn priten deklaratat e zyrtar\u00ebve t\u00eb BE-s\u00eb n\u00eb shoq\u00ebrit\u00eb e Ballkanit Per\u00ebndimor.<\/p>\n<p>N\u00ebse shohim drejt s\u00eb ardhmes, skenar\u00ebt apokaliptik\u00eb mbi shkat\u00ebrrimin e BE-s\u00eb jan\u00eb t\u00eb ekzagjeruara. BE-ja do t\u00eb vazhdoj\u00eb t\u00eb mbetet aty dhe ndoshta mund t\u00eb marr\u00eb ndonj\u00eb form\u00eb tjet\u00ebr prej asaj q\u00eb ka sot. Ajo gjithashtu do t\u00eb mbetet partneri m\u00eb i r\u00ebnd\u00ebsish\u00ebm i Ballkanit n\u00eb aspektin ekonomik dhe tregtar, p\u00ebr shkak t\u00eb gjeografis\u00eb, l\u00ebvizjeve t\u00eb popullsis\u00eb dhe kultur\u00ebs.<\/p>\n<p>Por n\u00eb aspektin politik, duke pasur parasysh se metodologjia e re e zgjerimit nuk t\u00ebrheq m\u00eb aq fort sa duhet, trajektoret e BE-s\u00eb dhe Ballkanit Per\u00ebndimor nuk do t\u00eb jen\u00eb m\u00eb aq t\u00eb bashk\u00ebrenditura si m\u00eb par\u00eb. BE-ja dhe Ballkani do t\u00eb l\u00ebvizin n\u00eb drejtime t\u00eb pavarura, e ndoshta edhe kontradiktore.<\/p>\n<p>Rrug\u00ebt politike mund t\u00eb na takohen s\u00ebrish, por\u2014n\u00eb t\u00eb ardhmen e af\u00ebrt\u2014realiteti i Ballkanit do t\u00eb form\u00ebsohet kryesisht nga realiteti gjeopolitik i gar\u00ebs s\u00eb siguris\u00eb, dometh\u00ebn\u00eb nga rivaliteti i fuqive t\u00eb m\u00ebdha p\u00ebr sferat e ndikimit dhe loj\u00ebrat realiste t\u00eb pushtetit mes shteteve-kombe.<\/p>\n<p>M\u00ebsimi ky\u00e7 q\u00eb duhet ta nxjerrin forcat demokratike n\u00eb rajon \u00ebsht\u00eb se, sa i p\u00ebrket luft\u00ebs p\u00ebr demokracin\u00eb dhe t\u00eb drejtat e njeriut, jemi fill t\u00eb vet\u00ebm. Duhet t\u00eb mos mb\u00ebshtetemi n\u00eb procesin e an\u00ebtar\u00ebsimit n\u00eb BE-s\u00eb si spiranc\u00ebn e jashtme q\u00eb do t\u00eb na shnd\u00ebrroj\u00eb n\u00eb demokraci liberale, duke na i eksportuar vlerat dhe praktikat institucionale.<\/p>\n<p>Hungaria dhe Polonia duhej t\u00eb na sh\u00ebrbenin edhe m\u00eb her\u00ebt si shenja paralajm\u00ebruese p\u00ebr faktin se \u2014duke u p\u00ebrq\u00ebndruar vet\u00ebm te reformat institucionale dhe kapitujt e negociatave me BE-n\u00eb \u2014 nj\u00eb shtet mund edhe t\u2019i ndreq\u00eb ligjet dhe rregulloret q\u00eb i mund\u00ebsojn\u00eb t\u00eb b\u00ebhet pjes\u00eb e BE-s\u00eb, por kjo nuk e zgjidh problemin kryesor, e q\u00eb \u00ebsht\u00eb mend\u00ebsia joliberale e shoq\u00ebrive.<\/p>\n<p>Energjia e forcave demokratike n\u00eb rajon duhet t\u00eb p\u00ebrq\u00ebndrohet te nd\u00ebrtimi i q\u00ebndrueshm\u00ebris\u00eb s\u00eb brendshme demokratike. Kjo mund t\u00eb b\u00ebhet vet\u00ebm p\u00ebrmes rrijes s\u00eb numrit t\u00eb njer\u00ebzve dhe grupacioneve q\u00eb sinqerisht shqet\u00ebsohen p\u00ebr gj\u00ebra si institucionet e pavarura dhe t\u00eb drejtat e njeriut. N\u00eb dimension afatgjat\u00eb, nj\u00eb proces m\u00eb organik i zhvillimit demokratik \u00ebsht\u00eb m\u00eb i v\u00ebshtir\u00eb, por ndoshta do t\u00eb ishte edhe m\u00eb i dobish\u00ebm sesa procesi i deritanish\u00ebm i importimit t\u00eb demokracis\u00eb p\u00ebrmes negociatave teknike, t\u00eb larg\u00ebta dhe absurde.<\/p>\n<p>N\u00ebse qasja franceze e \u201cdashuris\u00eb s\u00eb ashp\u00ebr\u201d p\u00ebr kurbanin ballkanik nuk na vret, at\u00ebher\u00eb mund t\u00eb na b\u00ebj\u00eb m\u00eb t\u00eb fort\u00eb dhe m\u00eb t\u00eb gatsh\u00ebm p\u00ebr t\u2019u b\u00ebr\u00eb pjes\u00eb e BE-s\u00eb dikur n\u00eb t\u00eb ardhmen, pavar\u00ebsisht se si do t\u00eb duket kjo BE. Tek e fundit, Evropa \u00ebsht\u00eb fati yn\u00eb gjeografik, por vlerat q\u00eb do t\u00eb mbizot\u00ebrojn\u00eb k\u00ebtu do t\u00eb varen nga zgjedhjet tona individuale dhe kolektive.<\/p>\n<p>&nbsp;<\/p>\n<p>&#8212;&#8211;<\/p>\n<p><em>N\u00eb muajt n\u00eb vijim, bashk\u00ebpunimi n\u00eb mes t\u00eb platformave online\u00a0<a href=\"https:\/\/remarker.media\/\" target=\"_blank\" rel=\"noopener\">Remarker<\/a>\u00a0dhe Sbunker do t\u00eb sjell\u00eb nj\u00eb seri analizash q\u00eb kan\u00eb p\u00ebr q\u00ebllim nxitjen e debatit t\u00eb hapur e kritik mbi situat\u00ebn aktuale n\u00eb rajonin e Ballkanit Per\u00ebndimor.<\/em><\/p>\n<p><em>Pas q\u00ebndrimeve t\u00eb fundit nga Franca, nj\u00eb nd\u00ebr shtetet an\u00ebtare me m\u00eb s\u00eb shumti ndikim n\u00eb BE, rajoni po p\u00ebrballet me nj\u00eb nd\u00ebr sfidat m\u00eb t\u00eb v\u00ebshtira t\u00eb tri dekadave t\u00eb fundit, prej kur shtetet e Ballkanit Per\u00ebndimor filluan rrug\u00ebn e tyre t\u00eb v\u00ebshtir\u00eb, fillimisht duke kaluar n\u00ebp\u00ebr konflikte dhe pastaj n\u00eb procesin e demokratizimit dhe integrimit evropian.<\/em><\/p>\n<p><em>Q\u00ebllimi i\u00a0<a href=\"https:\/\/remarker.media\/\" target=\"_blank\" rel=\"noopener\">Remarker\u00a0<\/a>dhe Sbunker \u00ebsht\u00eb t\u00eb krijoj\u00eb njohje m\u00eb t\u00eb mir\u00eb t\u00eb \u00e7\u00ebshtjeve aktuale n\u00eb vendet e Ballkanit Per\u00ebndimor, dhe rritjen e vet\u00ebdijes mbi proceset e integrimit evropian, at\u00eb t\u00eb demokratizimit dhe sundimit t\u00eb ligjit, si kushtet kryesore p\u00ebr arritjen e paqes afatgjat\u00eb dhe stabilitetit n\u00eb rajon.\u00a0<\/em><\/p>\n<p><em>&#8212;&#8211;<\/em><\/p>\n<p>Shkrimin n\u00eb gjuh\u00ebn serbe mund ta gjeni\u00a0<a href=\"https:\/\/remarker.media\/region-2020\/prosirenje-je-mrtvo-zivelo-prosirenje\" target=\"_blank\" rel=\"noopener\">k\u00ebtu<\/a>,\u00a0nd\u00ebrsa n\u00eb gjuh\u00ebn angleze\u00a0<a href=\"https:\/\/sbunker.net\/rajoni-2020-bllogje-tematike\/90414\/eu-enlargement-is-dead-long-live-eu-enlargement\/\" target=\"_blank\" rel=\"noopener\">k\u00ebtu.<\/a><\/p>\n<\/div>\n<\/div>","protected":false},"excerpt":{"rendered":"<p>Metodologjia e re e zgjerimit e BE-s\u00eb nuk do t\u00eb mund ta ndal\u00eb tat\u00ebpjet\u00ebn politike n\u00eb Ballkanin Per\u00ebndimor. Mir\u00ebpo e gjith\u00eb kjo n\u00eb fund mund ta ket\u00eb nj\u00eb an\u00eb pozitive. Bashkimi Evropian po p\u00ebrballet me aq shum\u00eb sfida sa \u00ebsht\u00eb v\u00ebshtir\u00eb t\u00eb gjesh sot njer\u00ebz n\u00eb Bruksel q\u00eb \u00e7ajn\u00eb kok\u00ebn p\u00ebr zgjerimin e BE-s\u00eb ose [&hellip;]<\/p>","protected":false},"author":438,"featured_media":7714,"comment_status":"closed","ping_status":"closed","sticky":false,"template":"","format":"standard","meta":{"footnotes":""},"categories":[13],"tags":[1189,1188],"ppma_author":[985],"class_list":["post-2658","post","type-post","status-publish","format-standard","has-post-thumbnail","hentry","category-analize","tag-1189","tag-rajoni"],"authors":[{"term_id":985,"user_id":438,"is_guest":0,"slug":"agon-maliqi","display_name":"Agon Maliqi","avatar_url":{"url":"https:\/\/sbunker.org\/wp-content\/uploads\/2024\/07\/Headshot-copy-3-1-scaled-e1721289936673.jpeg","url2x":"https:\/\/sbunker.org\/wp-content\/uploads\/2024\/07\/Headshot-copy-3-1-scaled-e1721289936673.jpeg"},"user_url":"","last_name":"Maliqi","first_name":"Agon","description":"Agon Maliqi \u00ebsht\u00eb studiues, analist dhe aktivist i shoq\u00ebris\u00eb civile nga Prishtina, me banim n\u00eb Tiran\u00eb. Prej disa vitesh ai punon si k\u00ebshill\u00ebtar dhe studies i pavarur i \u00e7\u00ebshtjeve t\u00eb siguris\u00eb, paqes dhe demokracis\u00eb n\u00eb Ballkanin Per\u00ebndimor p\u00ebr nj\u00eb mori institutesh, organizatash dhe mediash vendase dhe nd\u00ebrkomb\u00eb\u00ebtare. Si aktivist i shoq\u00ebris\u00eb civile t\u00eb Kosov\u00ebs p\u00ebr thuajse 20 vite, zt. Maliqi mes tjerash ka qen\u00eb bashk\u00ebthemelues dhe drejtues per disa vite i platform\u00ebs sbunker. N\u00eb vitin 2019 ai q\u00ebndroi p\u00ebr gjysm\u00eb viti n\u00eb Uashington D.C si p\u00ebrfitues i Reagan-Fascell Democracy Fello\u00ebship n\u00eb Fondin Komb\u00ebtar t\u00eb Demokracis\u00eb (NED) n\u00eb SHBA. Sot ai \u00ebsht\u00eb pjes\u00eb e Grupit Strategjik p\u00ebr Ballkanin Per\u00ebndimor t\u00eb Fondacionit Heinrich B\u00f6ll (HBS) me baz\u00eb n\u00eb Berlin; pjes\u00eb e Task Forc\u00ebs rajonale t\u00eb Ballkanit Per\u00ebndimor t\u00eb Institutit Republikan Nd\u00ebrkomb\u00ebtar (IRI) dhe an\u00ebtar i Koalicionit Nd\u00ebrkomb\u00ebtar p\u00ebr Rip\u00ebrt\u00ebritje Demokratike (ICDR) t\u00eb Forumit 2000 n\u00eb Prag\u00eb. Zt. Maliqi ka mbaruar studimet master p\u00ebr politikat e zhvillimit nd\u00ebrkomb\u00ebtar n\u00eb Duke University (SHBA) dhe ato bachelor p\u00ebr shkenca politike dhe marr\u00ebdh\u00ebnie nd\u00ebrkomb\u00ebtare n\u00eb Universitetin Amerikan n\u00eb Bullgari."}],"_links":{"self":[{"href":"https:\/\/sbunker.org\/sr\/wp-json\/wp\/v2\/posts\/2658","targetHints":{"allow":["GET"]}}],"collection":[{"href":"https:\/\/sbunker.org\/sr\/wp-json\/wp\/v2\/posts"}],"about":[{"href":"https:\/\/sbunker.org\/sr\/wp-json\/wp\/v2\/types\/post"}],"author":[{"embeddable":true,"href":"https:\/\/sbunker.org\/sr\/wp-json\/wp\/v2\/users\/438"}],"replies":[{"embeddable":true,"href":"https:\/\/sbunker.org\/sr\/wp-json\/wp\/v2\/comments?post=2658"}],"version-history":[{"count":1,"href":"https:\/\/sbunker.org\/sr\/wp-json\/wp\/v2\/posts\/2658\/revisions"}],"predecessor-version":[{"id":2659,"href":"https:\/\/sbunker.org\/sr\/wp-json\/wp\/v2\/posts\/2658\/revisions\/2659"}],"wp:featuredmedia":[{"embeddable":true,"href":"https:\/\/sbunker.org\/sr\/wp-json\/wp\/v2\/media\/7714"}],"wp:attachment":[{"href":"https:\/\/sbunker.org\/sr\/wp-json\/wp\/v2\/media?parent=2658"}],"wp:term":[{"taxonomy":"category","embeddable":true,"href":"https:\/\/sbunker.org\/sr\/wp-json\/wp\/v2\/categories?post=2658"},{"taxonomy":"post_tag","embeddable":true,"href":"https:\/\/sbunker.org\/sr\/wp-json\/wp\/v2\/tags?post=2658"},{"taxonomy":"author","embeddable":true,"href":"https:\/\/sbunker.org\/sr\/wp-json\/wp\/v2\/ppma_author?post=2658"}],"curies":[{"name":"wp","href":"https:\/\/api.w.org\/{rel}","templated":true}]}}