Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analysis

Rajoni Ynë në Botën e Fuqive të Mëdha?

Ballkani! Sa fort tingëllon si Lindje e Mesme

Është shkruar shumë për negociatet e famshme mes Serbisë dhe Kosovës të mbajtura para dy javësh. Kjo marrëveshje mes dy shteteve, e cila me shumë gjasë do të jetë ymërshkurtër, ka ndezur interes të madh në rajon. Sidoqoftë, sikundër janë standardet diplomatike, më së shumti vëmendje i është dhënë një takimi të çuditshëm mes Presidentit të ShBA-së Tramp dhe Presidentit Vuçiq; shumë njerëz e konsideruan atë si turpërues për presidentin serb.

Episodi i Shtëpisë së Bardhë më shtyu të mendoj që nuk e njoh aq mirë diplomacinë, si dhe i shtroi disa pyetje të cilat e meritojnë nga një artikull veç e veç.

Nëse vërtet ka ndodhur diçka revolucionare në ShBA, atëherë është teza që Ballkani është Lindje e Mesme. Postimet e Presidentit Tramp në Twitter pas takimit thjesht e konfirmuan këtë. Për hir të qartësisë, unë e çmoj dhe e dua Lindjen e Mesme. Historia dhe trashëgimia kulturore e saj më shërbejnë si burim i vazhdueshëm i frymëzimit.

Ndokush mund të thotë që mënyra se si merremi me problemet tona, i thellojmë konfliktet ndëretnike, e ushqejmë mostolerancën fetare dhe i heshtim zërat që kërkojnë pajtim dhe mirëkuptim na bën që të dukemi të ngjashëm me Lindjen e Mesme sot. Me këtë pajtohem plotësisht.

Dikush tjetër mund t’i shpjegojë ngjashmëritë me Lindjen e Mesme si pasojë e trashëgimisë së pranisë së Perandorisë Osmane në rajon për shekuj me radhë. Sundimi osman ka lënë shumë tradita të mira, jo vetëm gjërat e këqija që na mësohen në shkollë. Për t’jua kujtuar, deri në fillim të shekullit të 19-të, Evropa Perëndimore ka parë Ballkanin si pjesë të Lindjes Orientale. Kufiri mes ‘dy botëve’ ishte ai austriak, më saktësisht kufiri mes Austro-Hungarisë dhe Perandorisë Osmane. Para disa vjetësh në Bruksel, unë vizitova ekspozitën Levanti në Pikturat e Mjeshtërve Evropianë. Për befasi, shumë nga to i kushtoheshin Ballkanit. Nëse shikoni fotografitë jo vetëm të Sarajevës, por edhe të Sofjes, Beogradit dhe Manastirit nga fillimi i shekullit të 20-të, do t’i shihni ngjashmëritë e mëdha me botën që sot quajmë Lindja e Mesme.

Sidoqoftë, ka diçka më të rëndësishme këtu. Marrëveshja e Uashingtonit na rikujton se sa lehtë i lidhin pikat fuqitë e mëdha, pikat që janë të papërputhshme në kokat tona, thjesht në qoftë se i mbështesin qëllimet e tyre. Nuk ka dyëshim që e tërë ngjarja është relevante vetëm nëse e vëmë në kontekstin e gjërë të zgjedhjeve presidenciale amerikane. Pa marrë parasysh se sa të parëndësishme janë çështjet e politikave të jashtme për votuesit e ShBA-së, nëse një ngjarje lidhet me nismën e Presidentit për Lindjen e Mesme, ajo mund të ketë ndikim te një grup i caktuar votuesish. Po kështu, duhet të kihet parasysh propozimi i një deputeti suedez për ta nominuar Presidentin Tramp bashkë me Kryeministrin e Kosovës dhe Presidentin e Serbisë për Çmimin Nobel për Paqe.

Tekefundit, kam përshtypjen që të dyja delegacionet shërbyen si ndërmjetëse për diçka më të madhe dhe më të rëndësishme sesa një marrëveshje (në sytë e Trampit të jodomethënëse) rajonale mes Beogradit dhe Prishtinës. Marrëveshja ishte vegla, por jo qëllimi. Po të ishim cinik do të arrinim në përfundimin që në rast se fiton Bajdeni në nëntor, ‘ngjarja historike’ e Uahshingtonit do të harrohet shpejt, përveç pjesës së saj të detyrueshme që nuk lidhet me Ballkanin, por me Izraelin. Në fund të fundit, nëse Serbia nuk zhvendos ambasadën në Jerusalem dhe Kosova vendos marrëdhënie diplomatike me Izraelin, do të jetë e qartë se kush ka fituar këtë lojë psikologjike ballkanike.

Mjeshtri dhe çiraku

Fotografia e Presidentit Vuçiq përballë Presidentit Tramp ngjan me reality show-in amerikan The Apprentice (Çiraku) — i cili ka për nikoqir Donald Trampin. Kjo ngjashmëri është theksuar nga Nahzi në opinionin e tij për negociatat e Uashingtonit. Presidenti amerikan adhuron këtë program sepse rregullat janë të qarta — e dimë saktësisht se kush është çirak e kush është vendimmarrës — ose mjeshtër. Duke parë foton nga Shtëpia e Bardhë, nuk shohim vetëm fuqinë e njërit dhe dobësinë e tjetrit. Presidenti Vuçiq duket si nxënës që është dërguar te drejtori i shkollës për t’ia rrëfyer pasojat disiplinore që mund t’i vuajë nëse nuk dëshmon besnikërinë ndaj shkollës. Meqë besinkëria gjykohet nga veprat e jo nga fjalët, ai pritet ta zhvendosë Ambasadën e Serbisë nga Tel Avivi në Jeruzalem.

Në diplomaci, nganjëherë është më mirë t’iu shmangesh takimeve të nivelit të lartë nëse nuk mund të presësh asgjë tjetër veç turpërimit si rezultat i tyre. Në atë rast, edhe një takim i shkurtër i tipit “shtrëngo dhe buzëqesh” është zgjedhje më e mirë. Në këso takimesh të zbrazëta, së paku, liderët qëndrojnë pranë njëri tjetërit dhe shtrëngojnë duart, gjë që jep përshtypjen e barabarësisë dhe respektit të ndërsjellë.

Presidenti Vuçiq (dhe le të bëhemi të sinqertë, jo vetëm ai por shumica e politikanëve rajonalë) dhe Presidenti i ShBA-së kanë shumë gjëra të përbashkëta — dëshira për pushtet të papërmbajtur politik është vetëm njëra nga to. Megjithatë, ShBA-ja ka institucione demokratike — konceptin e ndarjes së pushteteve — për ta kontrolluar Presidentin amerikan, ndërsa pushteti i liderëve rajonalë kontrollohet nga faktorët e jashtëm — BE-ja, Rusia, Kina, ose në këtë rast, ShBA-ja. Institucionet tona kombëtare kryesisht janë të paralizuara, të kapura, dembele, por sidoqoftë të paafta.

Çastet nga Uashingtoni nuk flasin vetëm për një stil specifik që parapëlqen Trampi. Ato rikonfirmojnë rrëshqitjen tonë të vijueshme drejt periferisë së politikës botërore. Liderët tanë gëzonin trajtim shumë më të mirë në Uashington në të kaluarën.

Përqasni këtë takim me takimin mes ish-Kryeministrit serb Zoran Gjingjiq dhe Presidentit amerikan Bush. Krahasoni edhe vizitën zyrtare të Presidentit Tito në ShBA më 1978 me ftesën e Presidentit Karter. Vizita zyrtare e Presidentit Nikson në Beograd në vitin 1970 i takon një niveli të ëndërrt që me shumë gjasë nuk do të arritet më kurrë.

Jeta në periferi nuk do të thotë që duhet të jesh periferik

Profesori amerikan i sociologjisë dhe historiani i ekonomisë Immanuel Wallerstein njihet për teorinë e tij të sistemit botëror që e kundron atë si rezultat të dinamikave të pushtetit mes tri grupeve të aktorëve (shteteve) ndërkombëtar. Në grupin e parë hyjnë shtetet/rajonet që përbëjnë thelbin e sistemit botëror; në të dytin janë të ashtuquajturat shtete gjysmëperiferike, dhe në fund vijnë shtetet perfierike. Duke i vlerësuar aktorët dhe sistemin botëror, Wallerstein merr parasysh shumë faktorë, përfshirë fuqinë ekonomike, politike dhe ushtarake të shteteve, organizatave dhe qëndrueshmërinë e sistemeve të tyre, fuqinë e institucioneve dhe ndikimin e tyre në marrëdhëniet globale financiare, ekonomike dhe politike. Për shembull, shtetet mund ta ngrisin pozitën e tyre në sistemin botëror duke u integruar në sisteme më të mëdha dhë më të fuqishme, sikur në BE ose në NATO, ose në Organizatën e Traktatit të Sigurisë Kolektive (CSTO) të drejtuar nga Rusia.

Periferia zakonisht tërheq vëmendjen e vendeve thelbësore nëse bëhet burim i jostabilitetit (sikur ne në vitet e 90-ta), ose nëse ka interes për fuqitë e mëdha. Një vështrim i shkurtër në historinë rajonale dëshmon kemi pasur këtë rol në pjesën më të madhe të së kaluarës sonë. I vetmi përjashtim ishte RSF e Jugosllavisë, e cila, ju pëlqeu apo jo, mund të vendoset në grupin e shteteve gjysmëperiferike. Këto shtete mund të kenë ndikim të jashtëzakonshëm rajonal dhe global, varësisht nga rrethanat historike dhe politike.

Jeta në periferi nuk do të thotë që duhet të mbetesh periferik përgjithmonë. Shembuj të shteteve të mesme, të vogla dhe të impta që kanë dalë në pah si lojtarë të rëndësishëm globalë konfirmojnë që statusi mund të ndryshohet. Mungesa e ndërhyrjeve nga bota e jashtme mund të sigurojë ajër të pastër për zhvillim vetjak, sado e çuditshme që mund të tingëllojë. Për ta bërë këtë duhet të zhvillohen kapacitetet kombëtare, të ruhet kapitali/dija njerëzore dhe të ketë përparësi të caktuara natyrore ose gjeografike. Norvegjia është shembull i mirë i një shteti që, duke nisur para një shekulli në periferinë e thellë, mund të bëhet aktor i rëndësishëm ndërkombëtar. Të ashtuquajturit Tigra Aziatikë janë po ashtu shembull i ngjashëm.

Mbase Serbia e sheh rolin e vet si shumë të rëndësishëm, jo vetëm për rajonin por edhe në kornizën evropiane dhe globale. Sidoqoftë, gjërat duken ndryshe nga këndvështrimi i Uashingtonit, Brukselit, Moskës, Pekinit ose Londrës. Tash e një kohë, jo vetëm Serbia por i gjithë rajoni nuk ka qenë në krye të listës së prioriteteve të Uashingtonit. Relevanca jonë po bie edhe për Brukselin, sepse BE-ja po përqendrohet më shumë te vetja për shkak të sfidave të brendshme. Zgjerimi i BE-së është në krizë të thellë, dhe ajo mund të kishte qenë më e angazhuar politikisht në rajon. Përkundrazi, rajoni ka rëndësi për Moskën, edhe pse nuk është fqinj i saj. Është e rëndësishme për Kinën në perspektivën më të gjerë të avancimit të saj në Evropë. Por nuk mund t’iu lihet faji vetëm të tjerëve; ne nuk bëjmë përpjekje për ta përmirësuar statusin tonë dhe për të dalë nga periferia. Përkundrazi, ne bëjmë çmos për të qëndruar aty ku jemi.

Çfarë pas zgjedhjeve të nëntorit: diçka e njëjtë, e ngjashme, apo krejt tjetër?

Episodi i Uashingtonit është ilustrimi më i mirë për poztën e tanishme të rajonit, kurse episodi jugosllav konfirmon ku ka qenë ai vend në përqasje me shpërndarjen globale të pushtetit në atë kohë. Ngjarja e Shtëpisë së Bardhë po ashtu tregon për nivelin e seriozitetit me të cilin merret me rajonin tonë adiminstrata e tanishme e ShBA-së.

Është vështirë të pritet një qasje tjetër gjatë viteve që vijnë, edhe nëse ka ndryshime në Shtëpinë e Bardhë. Ndryshe nga Trampi, Bajdeni e njeh rajonin dhe e njeh politikën e jashtme shumë mirë. Ai ka vizituar Ballkanin Perëndimor disa herë, së fundi në vitin 2016 në kapacitetin e Zëvendëspresidentit të ShBA-së. Si Zëvendëspresident, Bajdeni dhe ekipi i këshilltarëve të tij kanë luajtur një rol kyç duke e orientuar pozitën e ShBA-së drejt mbështetjes së plotë për përfshirjen e Malit të Zi në NATO. Sidoqoftë, kjo nuk do ta ndërrojë një fakt të qartë: interesat strategjikë të ShBA-së nuk përfshijnë pjesën tonë të botës, dhe kjo do të mbetet e pandryshuar në të ardhmen e afërt. Kjo është pasojë e rrethanave objektive dhe e ndërrimeve të pushtetit në nivelin global.

Sidoqoftë, nëse zgjedhjet e nëntorit sjellin ndryshim në administratë, mund ta shohim një rikthim të politikave tradicionale të ShBA-së ndaj aleatëve evropianë. Shpresoj që në atë rast, ne mund ta shohim një qasje më të sikronizuar dhe të rregulluar të ShBA-së dhe të BE-së për Ballkanin Perëndimor, diçka që na mungon së paku tash e katër vjet.

Kjo qasje mund ta lehtësojë arritjen e një zgjidhjeje të pranueshme nga të dyja anët për Kosovën dhe Serbinë — një zgjidhje që nuk do të nënkuptonte shkëmbim territoresh ose korrigjim kufijsh. Njëkohësisht, ajo duhet të përqendrohet më fort në Bosnjë e Hercegovinë për t’i frenuar aspiratat separatiste brenda atij shteti dhe t’ia jep Bosnjës e Hercegovinës së bashkuar shansin që meriton.

—–

Bashkëpunimi në mes të platformave online Remarker dhe Sbunker është duke sjellur një seri analizash që kanë për qëllim nxitjen e debatit të hapur e kritik mbi situatën aktuale në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Pas qëndrimeve të fundit nga Franca, një ndër shtetet anëtare me më së shumti ndikim në BE, rajoni po përballet me një ndër sfidat më të vështira të tri dekadave të fundit, prej kur shtetet e Ballkanit Perëndimor filluan rrugën e tyre të vështirë, fillimisht duke kaluar nëpër konflikte dhe pastaj në procesin e demokratizimit dhe integrimit evropian.

Qëllimi i Remarker dhe Sbunker është të krijojë njohje më të mirë të çështjeve aktuale në vendet e Ballkanit Perëndimor, dhe rritjen e vetëdijes mbi proceset e integrimit evropian, atë të demokratizimit dhe sundimit të ligjit, si kushtet kryesore për arritjen e paqes afatgjatë dhe stabilitetit në rajon. 

—–

Shkrimin në gjuhën serbe mund ta gjeni këtu, ndërsa në gjuhën angleze këtu.

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.