Connect with us

Hi, what are you looking for?

Opinion

Regjistrimi më i fundit i popullsisë në Kosovë sinjalizon probleme serioze

Sipas të dhënave paraprake të Regjistrimit të Popullsisë, Ekonomive Familjare dhe Banesave (ReKos 2024), numri i popullsisë rezidente në Kosovë është 1.59 milionë banorë, një ulje e konsiderueshme nga viti 2011 kur popullsia ishte rreth 1.79 milionë banorë.

Trendi i plakjes së popullsisë u shpërfaq edhe tek mosha mesatare. Në vitin 2024, mosha mesatare është rreth 35 vjeç, një rritje për 5 vjet krahasuar me vitin 2011.

Vetëm nëntë komuna, prej 38 në total, patën rritje të numrit të popullsisë, kurse 29 prej tyre u zvogëluan ndjeshëm, që tregon për urbanizim të popullsisë.

Numri mesatar i anëtarëve në një ekonomi familjare është 4.5 banorë në vitin 2024, krahasuar me 5.9 banorë më 2011 (zvogëlim për 1.4 banorë). Pra, është evidente se Kosova është futur në fazat e fundit të tranzicionit demografik, ku ka edhe mortalitet edhe natalitet të ulët.

Këto trende negative në më pak se 15 vite janë shqetësuese. Rënia e konsiderueshme e numrit të popullsisë dhe mplakja e saj do të ndikojnë negativisht në të ardhmen e vendit.

Cilat janë shkaqet kryesore të uljes së popullsisë?

Sipas të dhënave zyrtare, dy shkaqet kryesore të rënies së popullsisë janë emigrimi dhe rënia e natalitetit. Përderisa nataliteti korrespondon me urbanizmin dhe arsimimin e popullsisë, emigrimi i popullsisë nuk është çështje e preferencës, por kryesisht e kushteve ekonomike dhe mirëqenies.

Niveli i lartë i emigracionit reflekton mungesën e mundësive ekonomike brenda vendit. Arsyet kryesore të largimit nga Kosova janë mungesa e vendeve të punës, mungesa e mundësive për avancim profesional dhe mundësive akademike për t’u  zhvilluar, si dhe pagat e ulëta. Gjithashtu, disa profesione specifike nuk ushtrohen fare në Kosovë, që tregon për mungesën e ekonomisë së avancuar.

Poashtu, dëshira për një jetesë më të mirë me standard më të lartë dhe ofrimi i shërbimeve më të mira publike në shëndetësi dhe arsim, mes tjerash, e bën largimin nga Kosova si opsion më të preferueshëm edhe për ata që janë të punësuar.

According to raportit të Autoritetit Qeveritar Për Migrim (AQM) të publikuar në dhjetor 2023, në periudhën 2018-2022 vlerësohet se nga Kosova kanë emigruar 156 mijë banorë apo rreth 8.9% e popullsisë së vendit.

Nesë marrim parasysh edhe periudhën 2013-2017, kur  kanë emigruar më shumë se 170 mijë qytetarë del se, në total, përbrenda një dekade (2013-2022) nga Kosova janë larguar rreth 326 mijë banorë.

Si ndikon ulja e popullsisë në të ardhmen e vendit?

Fillimisht, zvogëlimi i popullsisë ndikon në uljen e papunësisë, por ndikon negativisht edhe në fuqinë punëtore dhe kapacitetet zhvilluese të Kosovës. Nëse vazhdon kështu, ky trend do të ndikojë në zvogëlimin e bazës së tatimpaguesve dhe të fuqisë punëtore. Kjo kërkon politika të reja për të frenuar këtë fenomen.

Mungesa e fuqisë punëtore dhe asaj të kualifikuar, do ta krijojë nevojën për angazhimin e punëtorëve të huaj në Kosovë, e cila pastaj krijon një sfidë tjetër për Kosovën: zhvillimin e programeve dhe shërbimeve integuese. Por, Kosova nuk ka arritur që të ofrojë shërbime të mira për qytetarët e saj dhe ende nuk ka kapacitet të zhvillojë  shërbime integruese për të huajt.

Pastaj, ulja e fuqisë punëtore e shton barrën mbi sistemin e sigurimeve shoqërore, për shkak të mplakjes së popullsisë. Pra, një numër më i vogël i punëtorëve kanë barrë më të madhe që t’i mbulojnë pensionet që shtohen të pensionistëve në rritje e sipër. Kjo gjë gjithashtu nënkupton një rritje të shpenzimeve publike dhe një presion më të madh mbi sistemin e pensioneve. Një rritje e popullsisë së moshuar do të kërkojë më shumë investime në shërbime shëndetësore dhe kujdes social, duke kufizuar buxhetin për investime.

Një fenomen i ndërlidhur me mirëqenien dhe cilësinë e shërbimeve publike është ikja e trurit, apo emigrimi i personave me edukim të lartë. Ky është një fenomen mjaft i dëmshëm që e godet shoqërinë në shumë aspekte, duke zvogëluar popullsinë me edukim të lartë dhe bazën e tatimpaguesve, duke dobësuar zhvillimin ekonomik si dhe duke goditur sërish shërbimet publike që e ndjejnë mungesën e kuadrove.

Rezultatet e regjistrimit të popullsisë në Kosovë për vitin 2024 janë vendimtare për të kuptuar dinamikat e reja të vendit dhe për të përcaktuar drejtimin e politikave ekonomike dhe sociale. Një analizë e detajuar dhe një përgjigje e shpejtë nga ana e qeverisë dhe institucioneve është thelbësore për të adresuar sfidat dhe për të shfrytëzuar mundësitë që këto rezultate ofrojnë.

Tashmë është evidente se vendi është në fazat e fundit të tranzicionit demografik, gjë që nënkupton se në periudhën 25 vjeçare pas luftës është humbur mundësia për të përfituar nga dividendi demografik, pra përfitimet ekonomike që i sjellë popullsia më e madhe. Ekonomia e dobët dhe shërbimet publike të cilësisë së dobët kanë rezultuar në emigrim të vazhdueshëm, duke përfshirë ikjen të trurit. Ka nevojë për politika zhvillimore ekonomike që synojnë ta bëjnë më atraktive qëndrimin në vend përmes krijimit të vendeve të punës dhe kompensimit më të mirë. Në të njëjtën kohë ka nevoje për përmirësime në shërbimet publike për ta përmirësuar cilësinë e jetesës që të mos vazhdojë ikja e trurit.

Një mundësi e fundit për të përfituar nga demografia është kohorta e lindur në baby-boom-in e pas luftës, që për shkak të edukimit nuk kanë qenë në tregun e punës deri më tash. Kjo kohortë tash futet në tregun e punës dhe ka potencial të ndihmojë në zhvillim ekonomik nëse menaxhohet siç duhet.

Ka nevojë për politika industriale dhe investime të brendshme që sjellin zhvillim në mënyre që të parandalohet emigrimi i mëtutjeshëm. Migrimi i vazhdueshem, ka krijuar varësi ekonomike nga diaspora, por kjo nuk është një ekonomi e qëndrueshme sepse nuk kemi burim të pashtershëm të migrantëve që shkojnë në emigrojnë dhe dërgojnë remitenca. Logjikisht, remitencat do të zvogëlohen në periudhen e ardhshme, prandaj duhet fokusuar në zhvillim të ekonomisë së brendshme.

You May Also Like

Disinfo

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Disinfo

Gjatë dy viteve të fundit, Kosova ishte cak i sulmeve kibernetike dhe kërcënimeve me bomba, që kishin për qëllim destabilizimin e vendit dhe krijimin...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.