Connect with us

Hi, what are you looking for?

SbunkerSbunker

Analysis

Samiti i NATO-s në Ankara: testi i ri për Ballkanin Perëndimor?

Këtë javë, aleatët dhe partnerët e NATO-s mblidhen në Ankara në një nga samitet më të rëndësishme për të ardhmen e Aleancës që nga fillimi i luftës në Ukrainë. Fokusi i këtij samiti do të jetë rritja e shpenzimeve për mbrojtje, lufta në Ukrainë dhe përshtatja e NATO-s me një mjedis sigurie gjithnjë e më të rrezikshëm. Por në thelb, samiti ka të bëjë me diçka edhe më të madhe, me ripërcaktimin e marrëdhënieve midis Shteteve të Bashkuara dhe Evropës.

Prej vitesh, Uashingtoni kërkon që aleatët evropianë të marrin një barrë më të madhe për mbrojtjen e kontinentit. Debati për objektivin e ri prej 5 për qind të GDP-së për mbrojtjen është vetëm një nga elementet e kësaj kërkese. Mirëpo, fwrkimet transatlantike shkojnë përtej shpenzimeve ushtarake, duke filluar nga qasja ndaj Ukrainës dhe Lindjes së Mesme, sidomos përfshirja në luftën në Iran, deri te çështja më komplekse se si duhet të duket NATO në një botë ku prioritetet strategjike të Shteteve të Bashkuara nuk janë më të përqendruara vetëm te Evropa.

Prandaj, në këtë samit, është e qartë që Ballkani Perëndimor nuk do të jetë në qendër të vëmendjes. Por kjo nuk do tw thotw qw rajoni nuk do t’i ndiejë pasojat e sfidave tw transformimit që po kalon Aleanca.

Që nga pushtimi i plotë i Ukrainës nga Rusia, Aleanca nuk është më e përqendruar në menaxhimin e krizave apo në stabilizimin e periferisë së saj. Sot, fokusi është zhvendosur te parandalimi ushtarak, gatishmëria operacionale, kapacitetet mbrojtëse, industria e mbrojtjes dhe ndarja e barrës ndërmjet aleatëve. Në këtë kontekst, siguria nuk matet më vetëm me garancitë që merr, por edhe me kontributin që jep.

Për Ballkanin Perëndimor, kjo shënon fillimin e një kapitulli të ri.

Për më shumë se dy dekada, marrëdhëniet e rajonit me NATO-n janë ndërtuar mbi logjikën e stabilizimit. Prania e KFOR-it në Kosovë, angazhimi i vazhdueshëm në Bosnje dhe Hercegovinë dhe zgjerimi gradual i Aleancës drejt Shqipërisë, Malit të Zi dhe Maqedonisë së Veriut kishin një objektiv të përbashkët: ta bënin Ballkanin një rajon të qëndrueshëm pas konflikteve të viteve ’90.

Sot, kjo logjikë nuk është zhdukur, por nuk është më e mjaftueshme.

Prania e Shqipërisë, Malit të Zi dhe Maqedonisë së Veriut si vende anëtare në Ankara dëshmon se rajoni ka kaluar në një fazë tjetër. Fakti që Shqipëria do të organizojë samitin e ardhshëm të NATO-s është dëshmi e këtij integrimi të thellë në Aleancë. Dhe pikwrisht debati qw vw në pikëpyetje Samitin e Tiranës në 2027 për shkak të shpenzimeve të Shqipërisë në mbrojtje, tregon se presioni për rritje të kontributit vazhdon të rritet.

Pra, kjo simbolikë përkon me një fazw të re mbi atë se çfarë pritet nga aleatët. Nëse dikur anëtarësimi ishte vetë suksesi, sot kjo shoqërohet me pritshmëri shumë më të larta për investime, kapacitete dhe kontribut. Debati mbi shpenzimet e mbrojtjes wshtw tregues qw NATO-ja e re nuk do t’i vlerësojë anëtarët vetëm nga pozicioni i tyre strategjik, por edhe nga pesha që janë të gatshëm të mbajnë.

Kjo tregon se anëtarësimi sot nuk ka të njëjtin kuptim që kishte njëzet vjet më parë.

Për vendet e vogla, hyrja në NATO dikur ishte mbi të gjitha një garanci sigurie dhe një ankorim në Perëndim. Sot pyetja është tjetër: çfarë sjellin ato në Aleancë? Sa investojnë në mbrojtje? Sa të përgatitura janë forcat e tyre? Çfarë kapacitetesh mund të ofrojnë? Sa rezistente janë ndaj kërcënimeve hibride? Me fjalë të tjera, në NATO-n e sotme, anëtarësimi nuk mjafton më. Kontributi është bërë monedha e re politike e Aleancës.

Ky është testi i ri edhe për Ballkanin Perëndimor.

Megjithatë, ndërsa NATO ndryshon, arkitektura e sigurisë në rajon mbetet e papërfunduar.
Bosnja dhe Hercegovina vazhdon të përballet me kriza të përsëritura politike që sfidojnë rendin e pas Dejtonit. Serbia vazhdon politikën e neutralitetit ushtarak, duke balancuar bashkëpunimin me NATO-n me lidhjet e saj me Rusinë dhe Kinën. Ndërkohë, Kosova vazhdon të mbështetet në praninë e KFOR-it si garancia kryesore e sigurisë.

Këtu qëndron edhe paradoksi i rajonit.

Teksa NATO po zhvendoset nga stabilizimi drejt parandalimit, Ballkani Perëndimor mbetet një hapësirë ku stabiliteti nuk mund të merret ende si i mirëqenë. Rajoni nuk është më në qendër të vëmendjes strategjike të Aleancës, por as nuk mund të konsiderohet një projekt i përfunduar. Pikërisht kjo e bën atë një nga pikat e ndjeshme të NATO-s, jo sepse përballet me një krizë të ngjashme me Ukrainën, por sepse shumë prej çështjeve që përcaktojnë sigurinë e tij mbeten ende të pazgjidhura.

Kosova e ilustron më qartë këtë realitet.

Në Samitin e Uashingtonit në vitin 2024, Kosova ishte e përfaqësuar, duke reflektuar një njohje në rritje të rolit të saj në arkitekturën euroatlantike të sigurisë. Sot, Kosova gjendet sërish jashtë tryezës në Ankara. Ironia është se kjo ndodh pikërisht në një shtet si Turqia, e cila megjithatë mbetet një aleat i ngushtë i Kosovës në fushën e sigurisë. Një ftesë nuk e përcakton rëndësinë strategjike të një shteti, dhe KFOR-i mbetet garancia kryesore e sigurisë së Kosovës. Megjithatë, në diplomaci, simbolika ka peshë. Ajo tregon edhe se ku përqendrohet vëmendja politike.

Sfida për Kosovën nuk është se NATO po largohet. Sfida është që NATO po ndryshon.

Në një Aleancë ku pesha e secilit matet gjithnjë e më shumë me kontributin që jep, Kosova vazhdon të perceptohet kryesisht përmes prizmit të stabilizimit dhe paqeruajtjes. Ndërkohë që NATO diskuton kapacitete ushtarake, industri të mbrojtjes dhe gatishmëri për konflikte të mundshme me intensitet të lartë, marrëdhënia e Kosovës me Aleancën mbetet e lidhur me logjikën e viteve pas luftës.

Prandaj, për Kosovën dhe për Ballkanin Perëndimor në tërësi, pyetja nuk është më vetëm si të mbetet një rajon i qëndrueshëm. Pyetja është nëse do të arrijë të përshtatet me një NATO që kërkon më shumë se stabilitet, një NATO që kërkon kontribut.

Nëse për dy dekada pyetja kryesore për Ballkanin Perëndimor ishte se si NATO mund ta stabilizonte rajonin, pas Ankarasë pyetja do të jetë një tjetër: çfarë mund t’i ofrojë rajoni NATO-s?

Author

  • Donika Emini

    Donika Emini (kandidate për doktoraturë në Politikë dhe Marrëdhënie Ndërkombëtare në Universitetin e Westminster, Londër) po drejton Platformën CiviKos, një sekretariat që mbledh 250 OSHC në Kosovë. Ajo mban një bursë nga Fondi i Kërkimit për Sfidat Globale (GCRF) dhe një diplomë master në Politika Publike, e specializuar në Menaxhimin Publik dhe Jo-fitimprurës dhe Marrëdhënie Ndërkombëtare. Pas kthimit të saj nga Gjermania në Kosovë, znj. Emini ishte përfituese e Programit të Zhvillimit Profesional të të Rinjve nga OSI - Think Tank, si pjesë e Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë, ku ajo punoi më parë (2013-2016). Për më tepër, ajo ishte një Bashkëpunëtore Kërkimore në Institutin e BE-së për Studime të Sigurisë (EUISS) në Zyrën Qendrore në Paris - bursë e dhënë nga Fondi Evropian për Ballkanin. Më parë, znj. Emini punoi me Sekretariatin e Transparency International në Berlin, Institutin e Politikave Ballkanike (IPOL) dhe Konsullatën e Përgjithshme të Republikës së Kosovës në New York.

You May Also Like

Opinion

Aktualisht, në Kosovë, bazuar në  Ligjin e Punës,  nënave u garantohet pushimi i lehonisë prej nëntë muajve me pagesë dhe tre muajve pa pagesë....

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Analysis

Prezantimi i buxhetit të qeverisë është një nga ngjarjet më të rëndësishme të vitit. Në ekonomitë e zhvilluara, prezantimet e këtilla nxisin diskutime të...

Opinion

Për vite me radhë, një udhëzim administrativ nga Ministria për Punë dhe Mirëqenie Sociale, detyronte pensionistët kosovarë të paraqiteshin çdo gjashtë muaj në Departamentin...

Copyright © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.