Drejtori ekzekutiv në Sbunker, Fitim Gashi, mori pjesë në punëtorinë dyditore për siguri digjitale, e mbajtur më 23 dhe 24 prill në Athinë, Greqi, organizuar nga Civil Society Digital Security Network (CSDSN).
Kjo punëtori mblodhi përfaqësues të shoqërisë civile, mediave dhe aktivistë nga rajoni, ku u diskutua për bashkëpunimin dhe shkëmbimin e përvojave në adresimin e sfidave që lidhen me sigurinë digjitale. Gjatë dy ditëve, pjesëmarrësit forcuan aftësitë e tyre praktike në mbrojtjen online, vlerësimin e rreziqeve dhe menaxhimin e kërcënimeve digjitale.

Përmes sesioneve interaktive, diskutimeve dhe ushtrimeve simuluese, fokusi ishte në mbrojtjen e të dhënave, sigurinë e komunikimit dhe ndërtimin e mekanizmave efikas për reagim ndaj kërcënimeve potenciale.
Në një kontekst ku aktorët e shoqërisë civile dhe mediat përballen me rreziqe në rritje në hapësirën digjitale, iniciativa të tilla janë thelbësore për të rritur qëndrueshmërinë dhe për të siguruar vazhdimësinë e punës në mënyrë të sigurt.
Pjesëmarrja e Sbunker-it në këtë aktivitet kontribuon në forcimin e kapaciteteve për t’u ballafaquar me sfidat e sigurisë digjitale dhe në avancimin e praktikave për mbrojtjen e informacionit në hapësirën publike.




























































