Përgatiti: Arjeta Krasniqi
Përdorimi i inteligjencës artificiale në krijimin e përmbajtjeve manipuluese po shndërrohet në një nga rreziqet më të mëdha të dezinformimit digjital, që shfaqet kryesisht në periudha zgjedhjes sikurse po ndodh në Kosovë para zgjedhjeve të 7 qershorit. Një shembull i tillë është videoja e publikuar nga faqja “Gazeta Bota”, me 102 mijë ndjekës dhe e cila përmban elemente të qarta të manipulimit me Inteligjencë Artificiale, përfshirë përdorimin e logos së agjencisë së lajmeve “Ekonomia Online”, në mikrofon në mënyrë krejtësisht të rreme. Përmes teknikave vizuale dhe audios që imitojnë raportimin profesional, videoja synon të krijojë përshtypjen e një materiali origjinal mediatik, duke rrezikuar manipulimin e opinionit publik dhe humbjen e besimit në mediat reale.
In the key video dëgjohet deklarata kinse e qytetares: “Albini më 7 Qershor jau kallxon venin ktyne. Digitron osht për opozitën, Vjosen prej 8 Qershorit e keni në Debat Plus analiste”. Kjo deklaratë paraqitet nga një grua që duket sikur po jep intervistë për media, megjithatë përmbajtja është e gjeneruar dhe manipuluar përmes inteligjencës artificiale. Manipulime të tilla realizohen përmes teknologjive “deepfake” dhe mjeteve të gjenerimit sintetik të zërit, të cilat po përdoren gjithnjë e më shumë për krijimin e materialeve që duken autentike, por në fakt janë të fabrikuara.

Video e gjeneruar me IA
Një nga elementet më problematike të videos është mikrofoni i manipuluar. Logoja e agjencisë “Ekonomia Online” është vendosur artificialisht mbi mikrofon për ta rritur besueshmërinë e videos dhe për ta mashtruar audiencën se materiali vjen nga një agjenci ose burim i besueshëm. Ky është një shembull tipik i keqpërdorimit të identitetit vizual të mediave, ku simbolet mediatike përdoren në mënyrë “fake” për të krijuar iluzion autenticiteti. Videoja përmban edhe elemente dhe objekte të tjera që nuk përkojnë me lokacionin ku pretendohet se është realizuar intervista, e as nuk gjenden në Kosovë.
Ekspertët e mediave dhe të sigurisë digjitale kanë paralajmëruar vazhdimisht se përdorimi i logove, mikrofonëve apo grafikave televizive në video të manipuluara është një nga format më efektive të mashtrimit online, pasi publiku priret t’u besojë elementeve vizuale që lidhen me gazetarinë profesionale.
Përveç aspektit vizual, video të tilla janë të rrezikshme sepse mund të ndikojnë drejtpërdrejt në opinionin publik, të përhapin dezinformata dhe të krijojnë manipulim politik e social. Kjo video ka marrë mbi 6.4 mijë pëlqime, 747 komente dhe 329 shpërndarje, duke dëshmuar shpejtësinë me të cilën përmbajtjet manipuluese mund të arrijnë audiencë të gjerë në rrjetet sociale. Sipas ekspertëve të teknologjisë dhe verifikimit të fakteve, materialet e manipuluara me IA po bëhen gjithnjë e më të vështira për t’u dalluar nga publiku i zakonshëm, sidomos kur ato publikohen në formë raportimi mediatik ose interviste nga profile që nuk kanë burime as nuk dihet se kush qëndron pas tyre.
Vetë kompania Meta ka pranuar se përmbajtjet e manipuluara me inteligjencë artificiale po shtohen dhe po bëhen më të sofistikuara. Kompania ka njoftuar se ka filluar përdorimin e etiketave si “AI info” për videot apo materialet e gjeneruara ose të modifikuara me AI, me qëllim që përdoruesit të informohen kur një përmbajtje mund të mos jetë autentike.
Një tjetër rrezik i madh lidhet me faktin se këto video publikohen nga faqe që paraqiten si media informative. Kur një faqe përdor emër mediatik dhe përmbajtje të manipuluar, audienca mund ta marrë informacionin si të vërtetë pa e verifikuar burimin. Kjo ndikon drejtpërdrejt në humbjen e besimit tek mediat reale dhe krijon konfuzion tek qytetarët.
Në shumë raste, videot “deepfake” përdoren për manipulime politike, mashtrime financiare dhe propagandë, duke ngritur alarmin për rrezikun që paraqet inteligjenca artificiale kur përdoret për qëllime dezinformuese.




























































