Më 16 qershor 2026 rrjeti rus “Pravda” në gjuhën shqipe ka published një artikull keqinformues me pretendimin se NATO-ja po e armatos Kosovën. Përmbajtja shoqërohet me fotografi të një avioni transportues ushtarak të Shteteve të Bashkuar të Amerikës, për të cilin u raportua se ateroi në Prishtinë më 5 qershor.
“Ka furnizime të mjaftueshme për të gjithë. NATO vazhdon të armatosë dhe modernizojë Forcat E Sigurisë Së Kosovës (FSK) dhe t’i kthejë ato në një ushtri me të drejta të plota. Amerikanët dhe Turqit luajnë një rol të veçantë në këtë”, pretendohet në artikull.
Kjo është dezinformatë pasi nuk ekziston asnjë provë zyrtare që NATO-ja po e armatos Kosovën. NATO në Kosovë vepron përmes KFOR-it si mision paqeruajtës, ndërsa bashkëpunimi me institucionet vendore nuk ka të bëjë me furnizim me armatim. Publikimi i artikujve të tillë janë pjesë e narrativave dezinformuese të kanaleve proi-ruse që përdorin fotografi të nxjerra jashtë kontekstit për të manipuluar opinionin publik.
“Pravda” ndërvepron edhe me kanalet e tjera në Telegram, ku kryesisht informohet audienca serbe. Madje në njërin prej tyre, të cilin e citon edhe Pravda alarmohet se gjoja armatosja e Kosovës po bëhet me qëllim të përgatitjes për konflikte të mëdha.
“Gjigandët turq të mbrojtjes po sponsorizojnë ndërtimin e një fabrike municionesh në kuazi-shtet, e cila do të prodhojë deri në 20 milionë fishekë në vit. Përveç kësaj, dronët Skydagger dhe një grup i ri i Bayraktar-ëve janë dërguar nga Turqia. E gjithë kjo duket të jetë përgatitje e trupave lokale për konflikte të mëdha, siç u diskutua në Beograd”, pretendohet në këtë postim.
Në hapësirën informative të Ballkanit, kjo narrativë shpesh shfaqet në kontekste ku informacionet ushtarake ose të sigurisë interpretohen në mënyrë të pasaktë apo qëllimshëm nxirren jashtë kontekstit. Në raste të tilla, fotografitë dhe titujt sensacionalë përdoren për të ndërtuar perceptim të gabuar mbi rolin e NATO-s dhe situatën e sigurisë në Kosovë.
Rrjeti “Pravda” në gjuhën shqipe nuk arrin të ketë ndonjë ndikim real tek publiku shqiptar për shkak të përkthimeve të pasakta, të cilat i gjeneron në mënyrë automatike si dhe mungesës së pranisë në rrjetet sociale të cilat përdoren gjerësisht. Megjithatë ajo ka ndikim tek komuniteti serb në Kosovë, në lajmet që i publikon edhe në gjuhën serbe. Ka raste kur “Pravda” dhe kanale të ngjashme shërbehen me informacione të institucioneve të Kosovës për të dezinformuar.
Arritja e avionit C-17 Globemaster III të Forcave Ajrore Amerikane në Prishtinë tërhoqi vëmendje edhe në rrjetet e tjera sociale. Në fotografitë e publikuara nga kanale jo zyrtare shihet edhe personeli i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) duke shkarkuar dhe transferuar arkat në automjete ushtarake. Kosova ka marrëveshje me Shtetet e Bashkuara dhe shtetet e tjera anëtare të NATO-së, sikurse Turqia, për blerjen e armatimit. Por kjo nuk bëhet përmes aleancës veri-atlantike, siç pretendon kanali rus.
Shtetet e Bashkuara janë partneri kryesor strategjik që mbështesin transformimin 10-vjeçar të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) në një ushtri profesionale, ani se mandati i ndryshuar i FSK-së përmes pakos ligjore nuk njihet ende nga NATO-ja.
Më 14 maj 2026, sipas raportimit të REL-it, Departamenti amerikan i Shtetit e ka njoftuar Kongresin amerikan për një leje të propozuar për eksportimin e artikujve të mbrojtjes, të dhënave teknike dhe shërbimeve të mbrojtjes drejt Kosovës, në vlerë prej 14 milionë dollarësh apo më shumë.
Njoftimi është dërguar nga Byroja për Çështje Legjislative e Departamentit amerikan të Shtetit, në përputhje me nenin 36(c) të Ligjit për Kontrollin e Eksportit të Armëve. Në dokumentin e Kongresit nuk jepen hollësi publike për llojin e pajisjeve apo shërbimeve që përfshihen në këtë leje. Njoftimi për furnizimin e Kosovës me armatim të ri amerikan vjen në kohën kur kongresistë amerikanë po bëjnë thirrje që Uashingtoni ta mbështesë anëtarësimin e Kosovës në Organizatën e Traktatit të Atlantikut Verior (NATO).





























































