Beogradi nisi vitin e ri në mënyrë të pazakontë. Në vend të festimeve me koncerte dhe verë të vluar në sheshet kryesore, mijëra protestues e shënuan fillimin e 2025-tës në heshtje.
Natën e Vitit të Ri, në orën 23:52, studentët e Universitetit të Beogradit vendosën t’i shtyjnë festimet, duke organizuar 15 minuta heshtje, në nderim të 15 viktimave që humbën jetën nga shembja e mbulesës së stacionit kryesor hekurudhor në qytetin e dytë më të madh të Serbisë, Novi Sad.
Më 1 nëntor 2024, në orën 11:52, u shemb mbulesa e rinovuar rishtazi e stacionit hekurudhor dhe la të vdekur 15 persona. Stacioni hekurudhor ishte hapur së fundmi, pas tre vjetësh rikonstruktimi.
Tragjedia shokoi gjithë kombin dhe gjithandej shkaktoi zemërim e mosbesim se një dështim kaq katastrofal mund të ndodhte në një objekt të rinovuar rishtazi.
Përkujtimi i viktimave nëpërmjet protestës
Më 5 nëntor 2024, filloi vala e parë e protestave, kur studentët në Novi Sad filluan të organizojnë protesta javore për t’i përkujtuar viktimat dhe për të kërkuar llogaridhënie nga qeveria.
Studentët në Beograd shpejt iu bashkuan kolegëve të tyre në shenjë solidariteti. Çdo të premte, studentët u mblodhën në sheshet dhe rrugët e Beogradit, duke e bllokuar trafikun dhe duke bërë thirrje për hetim të pavarur.
Protestat u rritën me shpejtësi dhe u përhapën edhe në qytete të tjera. Çdo ditë, saktësisht në orën 11:52 (ora kur u shemb mbulesa), qytetarët në gjithë vendin, në shenjë proteste, mbajtën 15 minuta heshtje, për t’i nderuar 15 viktimat. Deri në fund të nëntorit, pjesa më e madhe e Serbisë ishte e paralizuar, në mënyrë efektive, për 15 minuta çdo ditë.
Protesta kulmoi me demonstratën masive të mbajtur më 23 dhjetor në Beograd, ku u mblodhën më shumë se 100,000 njerëz. Kjo ishte protesta më e madhe në Serbi që nga 5 tetori i vitit 2000 dhe e tronditi qeverinë e kryeministrit Millosh Vuçeviq.
Përpjekjet e pasuksesshme të qeverisë për t’i kontrolluar protestat
Partia në pushtet, Partia Progresive e Serbisë (SNS), u përpoq t’i kundërshtonte protestat me dërgimin e anëtarëve të lartë të partisë dhe zyrtarëve të komunës për t’i përçarë dhe provokuar protestuesit. Megjithëkëtë, studentët u përmbajtën dhe nuk e lejuan situatën të eskalojë. Qëndrueshmëria e tyre i parandaloi mbështetësit e Partisë Progresive të Serbisë ta komprometojnë lëvizjen.
Përballë pakënaqësisë së madhe publike, përgjigjja e qeverisë ishte menaxhimi reaktiv i krizës. Reagimi i parë nga Qeveria e Serbisë ishte dorëheqja e ministrit të Ndërtimit, Transportit dhe Infrastrukturës, Goran Vesiq, pas ftesës nga prokurori i Shtetit. Megjithatë, kjo nuk ua hoqi dyshimin qytetarëve dhe protestat vazhduan.
Gjithashtu, disa javë më vonë, dhanë dorëheqje ministri për Tregti të Brendshme dhe të Jashtme, Tomisllav Momiroviq, si dhe drejtoresha e Ndërmarrjes Publike të Infrastrukturës së Hekurudhave të Serbisë, Jellena Tanashkoviq. Me gjithë këto dorëheqje, protestat vazhduan deri në fund të 2024-tës.
Presidenti Aleksandar Vuçiq u detyrua ta marrë rolin kryesor, në përpjekje për ta qetësuar tensionin. Në konferencën për shtyp të 11 dhjetorit, ai shpalli disa masa, përfshirë publikimin e dokumenteve që lidhen me rinovimin e stacionit hekurudhor dhe rritjen për 20% të buxhetit për universitetet. Megjithatë, protestuesit mbetën të palëkundur, me pretendimin se vetëm një e treta e dokumenteve ishin publikuar, kurse më të rëndësishmet kishin mbetur të pazbuluara.
Deri në dhjetor, 84 nga 112 fakultetet e shtatë universiteteve ishin të bllokuara, duke u ndaluar në mënyrë efektive ligjëratat dhe provimet. Për ta rritur edhe më tej presionin ndaj qeverisë, edhe nxënësit e shkollave të mesme filluan t’i bashkëngjiteshin lëvizjes.
Presidenti Vuçiq edhe një herë u përpoq t’i qetësonte protestuesit, duke shpallur një skemë të madhe të subvencioneve shtetërore për blerjen e banesave dhe shtëpive nga të rinjtë. Për më shumë, kryeministri Vuçeviq njoftoi për planet për ristrukturimin e qeverisë. Megjithatë, të dyja përpjekjet për shuarjen e zemërimit publik dështuan, pasi protestuesit i refuzuan të dy propozimet si përpjekje për blerjen e heshtjes së tyre.
Çka e bën unike këtë protestë?
Mjaft interesante se si të gjitha masat e prezantuara dhe miratuara nga qeveria, qofshin veprime konkrete apo manovra të PR-it (marketingut), nuk prodhuan rezultate. Dështoi edhe përpjekja për ta ndarë dhe shkatërruar protestën nga brenda, taktikë që në të kaluarën kishte shkatërruar disa protesta. Arsyeja kryesore për këtë gjë qëndron te fakti se studentët gjithashtu e kanë strategjinë shumë të mirë.
Së pari, ata i marrin vendimet nëpërmjet demokracisë së drejtpërdrejtë – plenumeve të studentëve. Si rezultat i kësaj, ata nuk kanë udhëheqës që mund të intimidohen ose ‘blihen’ nga qeveria (edhe pse qeveria, me anë të shërbimit sekret, po e bën më të mirën e saj për frikësimin e individëve). Së dyti, ata kanë kërkesa të qarta e të formuluara dhe nuk heqin dorë nga to, e as nuk duan t’i negociojnë.
Refuzimi për ta takuar kryeprokurorin e Shtetit u solli edhe më shumë vëmendje studentëve. Studentët nuk duan të bëjnë kompromis mbi kërkesat e tyre, që janë transparencë e plotë e të gjitha dokumenteve dhe hetim i të gjithë të përfshirëve në korrupsion, gjë që çoi te rrëzimi i mbulesës së stacionit hekurudhor.
Megjithatë, përmbushja e kësaj kërkese me gjasë do të çonte te maja e piramidës politike në Serbi – kryeministri Millosh Vuçeviq, i cili, kur u rikonstruktua stacioni hekurudhor, ishte kryetar i Novi Sadit, ndoshta edhe te presidenti Vuçiq, pasi Jellena Tanashijeviq tashmë ka deklaruar në dëshminë e saj për prokurorinë se, kushti i vënë për të, nga ministri i atëhershëm Vesiq, për ta marrë pozitën e Ndërmarrjes Publike të Infrastrukturës së Hekurudhave të Serbisë, ishte mospërfshirja e saj në këtë projekt infrastrukturor, pasi këto ishin negociuar dhe pajtuar drejtpërdrejt nga ministri Vesiq dhe presidenti Vuçiq.
A mund të jetë ky fillimi i fundit të Partisë Progresive Serbe dhe Vuçiqit?
Shembja tragjike e mbulesës së stacionit hekurudhor të Novi Sadit dhe protestat që pasuan, pa dyshim ia kanë dhënë goditjen më serioze Partisë Progresive Serbe, qëkur erdhi në pushtet më 2012-n.
Qytetarët e Serbisë e kanë duruar me vite pushtetin e Partisë Progresive Serbe, që e ka shtyrë Serbinë drejt trajektores autoritare, me dobësimin e opozitës, shoqërisë civile dhe mediave. Gjithashtu, qytetarët janë të shqetësuar me korrupsionin dhe skandalet kriminale që e kanë shoqëruar partinë në pushtet. Vite të tëra të zhgënjimit të akumuluara me tragjedinë në Novi Sad shtynë dhjetëra-mijëra të rinj për të protestuar në rrugë.
Kështu, përkundër përpjekjeve të qeverisë për shtypjen me premtime të protestave, ato vazhdojnë të rriten në madhësi dhe popullaritet. E drejtuar nga studentët, lëvizja bazohet në një precedent historik, pasi studentët shpesh kanë qenë në ballë të ndryshimeve transformuese politike në Serbi.
Herën e fundit kur qytetarët serbë u mobilizuan në protesta gjashtëshifrore, ato çuan në rënien e regjimit të Sllobodan Millosheviqit. A mundet kjo valë e protestave ngjashëm ta shënojë fundit e pushtetit të Partisë Progresive Serbe dhe Vuçiqit? Vetëm koha do ta tregojë.