Jam rritur me bindjen se ballkanasit janë i njëjti popull. Në vendet ku flitet gjuha serbo-kroate, shpesh i përdorim shprehjet e paqarta “ne” (mi) dhe “tanët” (naši ljudi) për t’iu referuar aspekteve të përbashkëta të kulturës sonë – gjuhës, traditave, muzikës apo kinematografisë.
Termi “Ballkan” gjithmonë ka qenë sinonim tjetër për identitetin tonë të paqartë kulturor. Aktet e solidaritetit, siç janë: mbajtja së fundmi e 15 minutave heshtje nga studentët e universiteteve kroate në kujtim të 15 njerëzve që vdiqën në Novi Sad, pas shembjes së mbulesës së stacionit hekurudhor, ose një minutë shtesë (e 16-ta) e heshtjes e mbajtur në Beograd për fëmijën që u vra nga një sulm me thikë në Zagreb, ishin norma për mua.
M’u desh kohë ta kuptoja dhe pranoja se kjo ndjenjë e solidaritetit të përbashkët në Ballkan, për shumë të tjerë, është goxha e pazakontë.
Prej atëherë e kam pyetur veten se si nuk e kisha kuptuar këtë ndarje. A po jetoja brenda një flluske? Do të isha i gatshëm ta pranoja se kam jetuar në iluzion, por ai iluzion është përforcuar përditë: nga shokët që jetojnë gjithandej ish-Jugosllavisë, nga lajmet dhe argëtimi që marr.
Kjo pyetje më erdhi sërish në gusht të 2024-tës, kur e vizitova për herë të parë Kosovën.
Duke u rritur, kisha pak lidhje me Kosovën. E dëgjoja të përmendej shpesh në diskutime të nxehta, plot me mendime të forta. Në shkollë të mesme nuk i kam kushtuar shumë vëmendje, sepse lajmet ishin kryesisht sensacionale dhe fokusoheshin në katastrofa.
Megjithëkëtë, ngjarjet si DokuFest-i dhe Anibar-i më kishin rënë në sy, duke dhënë një perspektivë të rrallë e pozitive që mbeti tek unë.
Udhëtova në Prizren për të marrë pjesë në DokuFest – festivalin më të njohur të filmit në Kosovë. Prisja që Kosova të ishte vend shumë ndryshe, por kur e vizitova nuk më dha ndonjë ndjesi shumë më ndryshe nga pjesët e tjera të Ballkanit.
Thënë të drejtën, kulturat serbe dhe shqiptare nuk janë imazhe të ndara të njëra-tjetrës. Megjithatë, marrë parasysh diversitetin kulturor brenda të dyja grupeve, të cilat janë të shpërndara në shumë shtete, në Kosovë asgjë nuk më dukej e huaj.
Prapëseprapë, me Kosovën nuk e kisha përjetuar të njëjtën empati ose lidhje sikur me vendet e tjera të ish-Jugosllavisë. Gjithmonë kam besuar në solidaritetin ndërballkanik dhe, papritmas, u ndjeva si të isha hipokrit.
Këtë gjë nuk ma shkaktoi vetëm mungesa e identitetit të përbashkët apo e simpatisë. Nuk kisha mundësi të interesohesha për Kosovën, sepse më shfaqeshin vetëm tema të spikatura politike, e këto nuk janë arsye për ta vizituar një vend.
Teksa ndihesha i mirëpritur ngrohtësisht nga vendësit, shumë prej të cilëve e flisnin rrjedhshëm gjuhën serbe, gjithashtu isha i dërrmuar nga storiet e tensioneve etnike. Doja të besoja se këto tensione ishin vetëm stereotipa që duhej të tejkaloheshin, edhe pse e dija se shërimi kërkon më shumë kohë dhe hapësirë.
Pas një jave të lumtur në DokuFest, në shtëpi u ktheva me ndjenja të përziera.
Kosova më shtyri të reflektoja mbi rajonin tonë si një kolazh të imazheve postmoderne – fragmente që shpesh i injorojmë në Beograd, ashtu siç injorojmë gjithçka jashtë qytetit tonë dhe vendeve që i zgjedhim për pushime verore në detin Adriatik ose detin Egje.
Në Prizren, më befasoi monumenti i NATO-s i vendosur midis shtëpive orientale me dyqane ushqimore dhe qebaptore. Flamujt shqiptarë dhe amerikanë të lidhur bashkë në një xhami, pasqyronin kthjelltësisht pamjen e kosovarëve për të kaluarën dhe vizionin e tyre për të ardhmen.
Gjatë kthimit në Beograd, kalova nëpër Prishtinë dhe, përballë një ndërtese të kohës së Jugosllavisë, pashë statujën e Bill Clinton-it mbështjellë me flamurin amerikan.
Ky shtresëzim i narrativave – ku trashëgimia e vjetër nuk largohet, por ngjishet për të zënë edhe storie të reja – është i zakonshëm në vendet që janë ballafaquar me ndryshime radikale.
Në Kosovë, ashtu si në Serbi, kjo krijon një mozaik që mund të shihet si art intrigues, por në realitet të bën të ndihesh konfuz.
Teksa reflektoj mbi udhëtimin në Kosovë, vazhdoj të uroj që njerëzit ta kuptojnë se Kosova është më shumë sesa tensionet etnike të saj. Dallimet etnike dhe konfliktet nuk janë rrënja e problemit, siç e besojmë shpesh.