Pas ndryshimeve në Shtëpinë e Bardhë, zyrtarë dhe disa media pro pushtetit në Serbi, i janë kthyer narrativës përmes së cilës Kosova portretizohet si një aleate jostabile dhe oportuniste karshi SHBA-së.
Më 23 janar 2025, mediumi serb “Politika.rs” ka publikuar artikullin me titull: “Aleksandër Vulin: Lojaliteti i shqiptarëve mund të krahasohet vetëm me kalimin e bullgarëve në anën e fituesve në vitin 1944”. Vulini është përfshirë në debatin e fundit në Kosovë për raportet me SHBA-në, gjatë presidencës së Donald Trumpit. Tek ka komentuar mbi deklaratat e kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, lidhur me qasjen e administratave të Joe Bidenit dhe Barak Obamas, zëvendëskryeministri i Serbisë, Vulin, ka thënë se: “Shqiptarët po ankohen për Bidenin, pasi ia vunë autostradës emrin e djalit të tij. Besnikëria e shqiptarëve mund të krahasohet vetëm me kalimin bullgar në anën e fituesit në vitin 1944. Ftoj serbët që presin mbështetjen e Kurtit të mendojnë për këtë”.
Me këtë, Vulini i është referuar faktit historik se Bullgaria, nga viti 1941 deri në fund të gushtit të vitit 1944, ka qenë anëtare e Boshtit të Hitlerit. Më pas deklaroi se ishte neutrale në luftën midis Gjermanisë dhe Bashkimit Sovjetik dhe u bëri thirrje trupave gjermane të largoheshin nga vendi. Bashkimi Sovjetik i shpalli luftë Bullgarisë më 5 shtator të po atij viti.
Vulini, i cili është i sanksionuar nga SHBA-ja dhe Mbretëria e Bashkuar për lidhjet e tij me krimin e organizuar dhe ndikimin rus, është i njohur për narrativat dezinformuese, përmes së cilave synon ta sfidojë besueshmërinë e Kosovës në raport me aleatin e saj kryesor.
Duke e krahasuar mbështetjen e Kosovës ndaj SHBA-së me ndryshimin e anës së bullgarëve në 1944-tën, ai tenton të hedhë dyshime te publiku serb dhe ndërkombëtar mbi stabilitetin e partneritetit strategjik mes Prishtinës dhe Uashingtonit.
Deklarata e Vulinit u shpërnda edhe nga mediume të tjera serbe, si: “RTVPancevo.rs”, “Kurir.rs”, “Naslovi.net”.
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, në një intervistë për RTK-në, ka folur për qasjen e ish-presidentëve Joe Biden dhe Barack Obama ndaj Kosovës. Sipas tij, ata e kanë vënë Kosovën në pozitë të disfavorshme karshi Serbisë, duke shtuar se me të njëjtit iu dha shtytje themelimit të Gjykatës Speciale, e cila merret me krimet e supozuara nga ish-drejtues të UÇK-së.
“Dhe neve, me thënë të drejtën, gjatë kësaj kohe na kanë ndodhur disa çështje të cilat i ka shty Serbia, të cilat shumë e kanë dëmtu reputacionin dhe shtetësinë e Kosovës, për shembull Gjykata Speciale. Unë nuk mendoj që Gjykata Speciale do të ishte bërë nëse veç Bashkimi Europian kishte qenë në anën e Gjykatës Speciale. Këtë po e garantoj, nuk do të ishte bërë. Ishim bërë ne bashkë këtu, me PDK-në, me LDK-në, me Vetëvendosjen e me krejt, edhe nuk do të kishte ndodhur”, ka deklaruar Konjufca.
Atij i ka reaguar i dërguari i posaçëm i presidentit Trump për misione të veçanta, Richard Grenell, duke thënë se ata kanë qeverisur katër vite dhe nuk janë ankuar në Bidenin. “Ata kaluan 4 vitet e fundit duke komplimentuar Joe Bidenin dhe duke marrë pjesë në konventat dhe festat e tij. Pse nuk u ankuan kurrë më parë?”, ka shkruar Grenelli.
Në debatin rreth raporteve Kosovë-SHBA, shpesh përmendet Marrëveshja e Uashingtonit për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Ajo u nënshkrua më 4 shtator të vitit 2020 në Shtëpinë e Bardhë, nga kryeministri i atëhershëm i Kosovës Avdullah Hoti dhe presidenti aktual i Serbisë Aleksandar Vuçiq. Për të ka folur kryeministri i vendit, Albin Kurti, në një intervistë dhënë për gazetën spanjolle “El Mundo”.
Grenelli në vazhdimësi ka qenë kritik ndaj qeverisë aktuale, prej kohës kur ai ka qenë emisar i SHBA-së për dialogun Kosovë-Serbi në mandatin e parë të Trumpit, në vitet 2017-2021. Nën ndërmjetësimin e tij, Kosova dhe Serbia kishin nënshkruar marrëveshje për normalizim ekonomik. Kjo pati ndodhur gjatë qeverisjes së Avdullah Hotit, pasi LDK-ja pati dalë prej koalicionit me VV-në. Asokohe, Kurti dhe VV-ja e patën fajësuar Grenellin për rënien e qeverisë.
Pavarësisht kritikave ndaj Marrëveshjes së Uashingtonit në të kaluarën, tani Kurti thotë se ajo i ka kontribuuar stabilitetit në rajon.
“Kosova mban një marrëdhënie të fortë bilaterale me Shtetet e Bashkuara, bazuar në përkushtimin e saj të vazhdueshëm për sovranitetin tonë dhe integrimin tonë në BE dhe NATO. Gjatë mandatit (të parë v.j.) të Trumpit, marrëveshjet ekonomike ndërmjet Kosovës dhe Serbisë ishin prioritizuar për të promovuar stabilitet, ndërsa Administrata e Bidenit forcoi institucionet demokratike në Ballkan. Edhe pse këto dallime reflektojnë ndryshime në qasje, nuk besoj se Shtetet e Bashkuara do të ndryshojnë qëndrimin e tyre ndaj Kosovës. Ne punojmë ngushtë me Uashingtonin”, ka thënë Kurti.
Në kuadër të kësaj marrëveshjeje janë paraparë disa pika, duke filluar nga krijimi i linjave ajrore dhe hekurudhore mes Kosovës dhe Serbisë, e deri te njohja e Kosovës nga Izraeli. Ndonëse njohja e Kosovës nga Izraeli është përmbushur, pikat e tjera kanë mbetur pa u zbatuar.
Me gjithë kritikat e zyrtarëve amerikanë ndaj disa vendimeve të Qeverisë, që lidhen kryesisht me veriun e populluar me serbë, marrëdhëniet mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara kanë qenë historikisht të ngushta, që bazohen në mbështetjen e fuqishme të Uashingtonit për pavarësinë, zhvillimin demokratik dhe sigurinë e Kosovës.
Përpjekjet për të minuar marrëdhëniet Kosovë-SHBA përmes keqinformimit nuk janë të reja, por ato intensifikohen në momente kyçe politike. Zyrtarët serbë shpesh shfrytëzojnë ndërrimet e pushtetit në Uashington për të krijuar paqartësi mbi të ardhmen e mbështetjes amerikane për Kosovën.
*Ky artikull publikohet në kuadër të Iniciativës Rajonale të Ballkanit Perëndimor kundër dezinformimit. “Qendra kundër dezinformatave në Ballkanin Perëndimor: ekspozimi i ndikimeve keqdashëse përmes gazetarisë mbikëqyrëse.”