Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analizë

Sikur në “The Truman Show”

I zhytur në një botë ku fokusi ndaj tij është 24 orë nën vëzhgimin e miliona njerëzve, Truman Burbank (luajtur nga aktori Jim Carrey), është në qendër të gjithë kësaj. Ai është i vendosur në qendër dhe përmes show-t të tij kuptimësohet i gjithë realiteti i njerëzve që e shikojnë. Në njëfarë mënyre, personazhi Truman e riaktualizon në mënyrë vizive subjektin kartezian, sepse sikurse te Descartes-i që subjekti është ai i cili e kuptimëson realitetin, ashtu edhe te The Truman Show, Truman i jep kuptim botës së atyre që e shikojnë. Pra, Truman është njëfarë rikonceptimi dhe ridimensionimi i jetës reale.

Regjisori Peter Weir e kishe vendosur Trumanin brenda një bote sintetike, të vendosur në një ishull të krijuar brenda një kubi gjigand që funksionon si një megastudio. Në fakt, Truman gjatë gjithë jetës së tij ka jetuar në këtë megastudio. Familja e tij, fqinjët dhe kolegët janë të gjithë aktorë. Koha është po aq artificiale sa edhe artificiliteti i jetës së vetë Trumanit. Vetë prodhuesi ekzekutiv i The Truman Show, Christof (luajtur nga Ed Harris), orkestron këtë transmetim të drejtpërdrejtë. Nëpërmes shumë kamerave të fshehura përcillet çdo lëvizje e Trumanit. Po ashtu, Christof përpiqet ta kontrollojë madje edhe mendjen e Trumanit. Ai gjithashtu insiston që ta heqë nga mendja e Trumanit edhe dashurinë e tij të vërtetë që kishte për Sylvian (luajtur nga aktorja Natascha McElhone), duke e zëvendësuar atë me Meryl (luajtur nga aktorja Laura Linney).

Përmes eksperimentit të tij me The Truman Show, Christof mundohet ta zhdukë nga njerëzit botën reale, ta dehumanizojë atë dhe të krijojë një botë vizive, ku realiteti është tërësisht i dirigjuar, njësoj sikurse në simulacra-n e Jean Baudrillard. Baudrillard mendon se “mediat janë ato që shpeshherë krijojnë realitete të atilla, aq sa për masat e gjera këto realitete merren për të vërteta”. Njësoj është edhe me The Truman Show, sepse njerëzit shkëputen nga jeta reale dhe futën në botën e Trumanit aq sa kapërthehen nga një realitet i tillë. Një shembull që do të ishte analogë me këtë është Disneyland. Sipas Baudrillard-it, Disneyland na paraqitet si diçka imagjinare, sepse kështu bëhet më i besueshëm sesa realiteti vetë. Andaj, sipas Baudrillard-it, edhe vetë realiteti nuk është më i vërtetë, por vetëm një hiper-realitet që mirëmbahet nga simulacioni. Për ta zbërthyer këtë në terma praktikë, mund ta ilustrojmë me fenomene reale. Ta zëmë ndodhë një krim monstruoz, ose një cunami apo një tërmet dhe ne, ende pa e kuptuar mirë ndodhinë, e shohim në shumë forma vizive, kurse ata që janë të prekur nga këto fenomene bëhen pjesë e mediatizimit sa që dhimbjet dhe vuajtjet e tyre aq shumë marrin karakter viziv sa që shkëputen tërësisht nga realiteti, dehumanizohen deri në atë masë ku as ne dhe as viktima nuk kemi më lidhje inherente ndjesore me ndodhinë. Ose kemi rastin e rrjeteve sociale, ku mundësia e secilit që të jetë pjesë dhe njëkohësisht aktor i kësaj hapësire, krijon bindjen se i vërteti është ai aty në virtualitet, dhe jo ky në realitet.

Në një show të ngjashëm sikur në atë të Trumanit jemi edhe ne në raport me politikën. Sot politikani më shumë i ngjan (insiston) një showman-it se sa një njeriu që udhëheq shtetin. Sot në politikë gjithçka duket se është transparente, por asgjë nuk është reale. Politika zhvillohet në media (sigurisht se e keni vërejtur që fushata e zgjedhjeve të 6 tetorit 2019 tek ne, nuk është koncentruar shumë nëpër të ashtuquajturat tubime me qytetarë, por ka qenë e koncentruar në media), dhe aty neve na duket se po merren vendime, e që në fakt është një mashtrim optik, sepse kemi filluar ta besojmë për të vërtetë atë çka ne e shohim, e madje na është krijuar përshtypja se edhe ne jemi pjesë e atyre vendimeve. Politikanët e kanë kuptuar se të ushtrosh politikën jashtë botës virtuale, do të thotë se nuk je i pranishëm te masa, e që realisht nuk ekziston. Pra, gjithçka është simulim: politikani simulon, dhe qytetari e bën të njëjtën gjë. Të dy palët jetojmë në të njëjtën hapësirë, por në botë paralele. Kjo krijon pasoja, sepse megjithatë problemet reale janë ato që, në momente të caktuara, na shkundin dhe për një çast na nxjerrin nga dehja virtuale (e kemi rastin e pandemisë COVID-19).

Mirëpo, ka një dallim në mes të Trumanit dhe atyre që e përcjellin dhe një të përbashkët në mes të Trumanit dhe politikanëve, sepse Trumani arrin që botën e tij vizuele t’ua bëjë përditshmëri reale masave që e ndjekin atë, po ashtu edhe politikanët tanë kanë arritur që të na bëjnë pjesë të show-t të tyre mediatik. Pra, ne nuk jetojmë në realitet, jetojmë jetën që na e paracakton politika (shumicën e bisedave tona ne i konsumojmë rreth politikanëve dhe mos/veprimeve të tyre). Politikanët neve na ekspozojnë në një virtualitet të orkestruar nga ta dhe na nxjerrin nga realiteti në të cilin ne do të ishim ata që ndoshta edhe do të mund t’i kontrollonim. Kështu që, duke qenë në një raport të tillë është çkuptimësuar domethënia e gjërave dhe e mendimit, sepse gjithçka ka kaluar në nivel të informatave, asgjë nuk ka kuptim. Jemi çkuptimësuar nga realiteti dhe bëjmë përpjekje që të vetëkuptimësohemi në virtualitet dhe ky është mashtrimi më i madh që i bëjmë vetes. Apo siç do të thoshte Marshall McLuhan-i se ne “jetojmë në një botë ku ka përherë e më tepër informata dhe gjithnjë e më pak kuptim”. Për shoqërinë kosovare kjo gjithnjë fillon e bëhet më e zymtë kur kihet parasysh se shkolla është shumë e dobët, kemi një deficit kulturor dhe si rrjedhim jemi më të virgjër karshi këtij virtualiteti. Sa më herët që fillojmë ta kuptojmë këtë aq më mirë për ne, sepse do të fillojmë të krijojmë filtra që të mund të mbrohemi.

Prandaj, përmes filmit The Truman Show, regjisori Peter Weir na e paraqet fuqinë e ndikimit që mund të ushtrohet qoftë nga një autoritet apo ide e caktuar. Në të vërtetë The Truman Show më shumë se sa një manipulimin i mediave moderne është një tentativë për kontroll total, pra si një alegori që shkon përtej momentit dhe që synon të përjetësohet. Andaj, kjo dilemë po aq sa është e  gjithëpranishme, po aq e shpreh edhe pozicionin e skajshëm ekzistencialist të njeriut.

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.