Connect with us

Hi, what are you looking for?

Opinion

Sbunker?

Dy-tri fjalë mirëseardhjeje nga bordi redaktues

S’bunker apo Sbunker? Me apo pa apostrof?*

Kjo ishte dilema kryesore që e patëm kur nisëm punën për krijimin e këtij bllogu të ri. Dilema tjera, më të mëdha, nuk patëm. Sidomos nuk patëm dilemë nëse kishte nevojë për ‘edhe një tjetër medium’, në skenën tashmë të mbipopulluar të mediave online.

Kur e themi këtë, nuk pretendojmë se po i sjellim vendit diçka revolucionare. Thjesht jemi të bindur se po e përmbushim një boshllëk, të paktën për atë pjesë të shoqërisë që ndjehet e lodhur nga dominimi i banalitetit në ligjërimin publik. Se ky boshllëk dhe kjo nevojë ekziston, më së miri na e konfirmoi shpejtësia me të cilën mblodhëm rreth vetes një numër të madh autorësh, sidomos ata të gjeneratës sonë, të cilët i ndanë shqetësimet e njëjta.

Nuk do iu lodhim me shkrime të shkruara si fjalime. (Në fakt, vet ideja e Sbunkerit qëndron në kundërshtim të plotë me shkrimet e tilla). Andaj, po i shpalosim këtu tre shtysat kryesore që na nxitën për ta hapur këtë faqe, bashkë me vizionin tonë për Sbunkerin.

Shtysa jonë e parë lidhet me faktin se gjatë dekadës së fundit e kemi përjetuar shpërthimin e fenomenit të micro-blogging, apo të shprehjes së mendimeve personale në media sociale. Ky fenomen e ka demokratizuar tej mase shoqërinë, teksa i ka ofruar secilit mundësinë që të shprehet lirshëm dhe të bëhet media në vetvete, duke e tejkaluar kështu filtrin redaktues të mediave tradicionale, e me këtë edhe kontrollin shpeshherë ngulfatës të pushteteve politike dhe komerciale.

Por i gjithë ky revolucion po ndodhë në kurriz të cilësisë së debatit dhe disa vlerave elementare të komunikimit publik. Mediat sociale, si hapësirë garuese për pëlqyeshmëri (të shprehur në formë llajkash), e stimulojnë atë lloj të shkruarit që i drejtohet emëruesit më të vogël të përbashkët në psikologjinë e masave. Si rrjedhojë ato janë bërë platformë e përshtatshme për popullistë e demagogë dhe jo për ata që duan të merren me zbërthim problemesh apo depërtim drejt të vërtetave. Shto këtu edhe efektin e portalizimit, apo të shpërthimit të faqeve informative të cilat, në kërkim të parasë dhe të nxitura nga axhenda të caktuara, lajmin e kanë kthyer në funksion të sensacionit, duke bërë që skena mediale ta humbë funksionin e vet emancipues.

Si nismëtarë, Sbunkerin e kemi quajtur bllog – jo portal. Kështu, nuk pretendojmë se këtu do botojmë informacion, siç bëjnë shumë portale, të cilat në esencë janë bllogje, meqë shtyejnë përpara mendimet e redaksive të tyre të vogla duke i mveshur ato në një petk të rrejshëm të parimeve të gazetarisë si objektiviteti e paanshmëria. Ne synojmë që Sbunkerin ta kthejmë në një hapësirë të atyre që janë të interesuar të shkruajnë dhe lexojnë më thellësisht për ide, e që përkundër arsyeve të bollshme që ky vend t’i jep për të qenë të indinjuar, nuk e nisin çdo gjë me përpjekje për të bërë sensacion apo për t’u marrë me personalizime dhe sulme ad-hominem. Hapësirë të atyre që edhe kur mbajnë qëndrime të forta dhe shprehin indinjatë ndaj gomarllëqeve, megjithatë përpiqen që të bindin me forcën e argumentit dhe fakteve, e jo me zellin e moralizuesve poshtërues. Një hapësirë e cila mbi të gjitha e ka për spirancë arsyen. Dhe vetëm arsyen!

Shtysa jonë e dytë është shqetësimi për nivelin përgjithësisht provincial, e për rrjedhojë edhe të cekët, të debateve tona publike. Izolimi i gjatë ka bërë që si shoqëri shpeshherë të mbyllemi brenda vetes dhe ta shohim çdo gjë si të lidhur me këta pak kilometra katrorë, madje edhe nga komplekset të ndjehemi krenarë me gjëra që në mjedise serioze do të ishin qesharake. Mbyllja brenda vetes i ka mundësuar mediokritetit intelektual të sundojnë dhe t’i imponohet publikut si vlerë. Fatkeqësisht, me mjaft përjashtime individuale, distanca e botës sonë intelektuale me trendet botërore, në pothuajse çfarëdo fushe të dijes, nuk dallon fort prej distancës së ligës sonë të futbollit me ligat e forta europiane.

Por për dallim prej shumë akademikëve e doktorëve tanë të shkencave të prodhuar nga ky sistem i dyshimtë i prodhimit të vlerave, të paktën KF Hajvalia dhe klubet e tjera që luajnë në stadiumet me baltë nuk e kanë mundësinë t’u shiten njerëzve janë Barcelonë. Kjo sepse të gjithë e kemi mundësinë që ta shohim Barcelonën në televizor dhe ta bëjmë dallimin me KF Hajvalinë. Sbunkeri do të përpiqet që përmes përmbajtjes së transmetuar nga autorë ndërkombëtarë e vendas t’ua bëjë brezave të rinj të dukshëm këtë dallim edhe në botën intelektuale.

Shtysa e tretë është ideologjike. Jemi dëshmitarë të faktit se problemet e thella sociale e politike, si dhe zhgënjimi me elitat politike e kulturore, po prodhojnë shumë frustrim, e me këtë edhe terren të plleshëm për gjithfarë ideologjish radikale që kërkojnë përmbysje të çdo gjëje, madje edhe i vënë në pikëpyetje orientimet tona civilizuese. Në sbunker nuk do të ketë hapësirë për logjikë fashiste dhe përjashtuese të çfarëdo lloji – qoftë të atyre që thirren në komb apo në dogma fetare; hapësira jonë do u takoj atyre që sinqerisht duan ta shohin Kosovën si pjesë të bashkësisë së vlerave që sot e karakterizojnë civilizimin njerëzor.

Mënyrat se si do të përpiqemi t’i arrijmë këto synime janë të shumta. Një prej tyre është përvetësimi i njërit prej aspekteve që i bën shkrimet e mediave sociale atraktive – shkurtësinë!  Epoka e internetit gjithandej botës po ua zvogëlon njerëzve aftësinë për t’u përqendruar gjatë në çfarëdo materiali të shkruar. Pak kush ka kohë të lexoj gjatë e edhe për të shkruar gjatë (shpresojmë që të paktën këtij shkrimi i shkuat deri në fund). Prandaj edhe e kemi krijuar një zhanër të ri shkrimesh, të cilat i kemi quajtur S’tatuse, e të cilat shpresojmë do ta bëjnë këtë faqe më dinamike. Prandaj edhe e kemi krijuar një seksion debatesh të quajtur Përballja, ku do t’i ftojmë nga pesë njerëz kompetent për të komentuar shkurtimisht mbi temat e nxehta të përditshmërisë. Sa i përket përmbajtjeve më dinamike, meqë në Sbunker nuk do të prodhojmë lajme, do mundohemi t’ua përmbledhim ato më të rëndësishmet në seksionin e quajtur Kumte.

Natyrisht, për ata që duan të thellohen më gjatë në tema dhe debate, këtë do të mund ta bëjnë duke i lexuar shkrimet në seksionin Op-Ed ose materialet më teorike dhe artistike në seksionin Nëpër Teh.

Faqen po e nisim me një version beta, me kapacitete akoma të kufizuara, me shpresën se me kohë do ia marrim dorën bashkë me ndihmën e autorëve dhe lexuesve të cilët e përbëjnë Sbunkerin po aq shumë sa edhe vet ne, të cilët po e nisim. Se bashku, na priftë e mbara!

Agon Maliqi, Genc Salihu, Krenar Gashi e Petrit Zogaj

* Sbunker është fjalë e re që del si prodhim i një loje fjalësh; duhet kuptuar si negacion i bunkerit dhe gjithë asaj që simbolizon bunkeri: izolimin, mbylljen, barrikadimin. Pas dilemës që patëm, kemi vendosur që Sbunker të shkruhet pa apostrof, përderisa logoja e jonë e tregon prejardhjen e fjalës përmes apostrofit. Tash e tutje, Sbunker do të shkruhet si emër i përveçëm, me shkronjë të madhe (ose të vogël), ndërsa lakimi i tij duhet të bëhet sipas rregullave gjuhësore të shqipes.

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.