Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analizë

Kthim në të ardhmen (e demokracisë)

Kërcënimi autoritar nga Kina mund të ndihmojë në ringjalljen e besimit tone në demokraci, por kjo nuk do të mjaftojë nëse liberalët nuk e fitojnë betejën e imagjinatës për të ardhmen.

Një prej tipareve themelore të natyrës së njeriut është që të mos i çmojë gjërat që tashmë i ka në duar dhe që i merr për të mirëqena – si dhe t’i romantizojë të njëjtat kur të mos i ketë më. Vetëm pasi të jemi dërmuar në krevat nga temperatura fillojmë ta çmojmë sistemin tonë imunitar dhe t’i kujtojmë me mall ato ditët normale kur nuk na shkon mëndja te shëndeti.

Një dinamikë e ngjashme është duke ndodhur në Europë me qasjen tonë kolektive ndaj demokracisë dhe institucioneve mundësuese të saj si NATO dhe BE. Kjo pako e vlerave dhe institucioneve ka qenë ekuivalenti i sistemit imunitar të botës demokratike, duke e mundësuar një periudhë të paprecedentë të paqes dhe përparimit transatlantik, por pa u vënë re fort nga njerëzit në jetët e tyre të përditshme.

Periudha e regresit demokratik e dekadës së shkuar na dëshmoi se këto shtylla po tunden nga forca joliberale, reaksionare dhe revizioniste – një miks i regjimeve të huaja autoritare, ose ekstremeve të majta dhe të djathta.

Ndërkohë që reaksioni ndaj konsensusit liberal të periudhës post-1989 ishte i pashmangshëm për shkak të dështimeve, si dhe lavjerësit normal historik, ajo që ishte paksa befasuese në shumë shtete, veçanërisht në Europën Qëndrore dhe Lindore (EQL), ishte mungesa e zellit të treguar në mbrojtjen e vlerave liberale dhe demokratike, përtej grupeve të caktuara elitare.

Shumë teori janë zhvilluar mbi pyetjen se përse demokracia (ose së paku versioni liberal i saj) po përballet me rebelimin e masave. Disa vënë theksin te reaksioni i atyre që dolën ekonomikisht humbës nga globalizimi dhe tranzicioni politik. Të tjerë vënë theksin te rikthimi i shqetësimeve identitare ose te rritja e shteteve autoritare që i eksportuan vlerat e tyre. Disa të tjerë tani thonë se e kishim gabim që në fillim kur u mendua se shpërndarja e demokracisë liberale ishte e pashmangshme, dhe se në fakt ekzistenca e saj në perëndim mund të jetë një përjashtim i rrallë dhe jo rregull historiki.

Megjithatë, një pjesë kyçe e problemit duket të ketë qenë vetë bindja e fituar se me demokracinë liberale e kemi arritur njëfarë pikë përfundimtare linare në histori – një moment rehatie që e kufizoi imagjinatën politike liberale dhe aftësinë e saj për të frymëzuar. Në një prej eseve më të mira të “periudhës së karantinës”, Peter Pomerantsev shkroi me atë se si në epokën e “fundit të historisë”, mungesa e diçkaje për ta synuar efektivisht nënkuptoi fundosjen e idesë së progresit – se “e vetmja politikë që është e mundur në një botë pa të ardhme dhe të rrafshët është politika nostalgjike, ndërsa neve na mbetet të zgjedhim nostalgjinë tonë.”

Atrofia dhe pasiguria botërore e imagjinatës liberale i lëshoi terren forcave reaksionare që panë drejt së shkuarës. Shumica e projekteve politike që po e minojnë demokracinë janë – nga Putini te Erdogani te Orbani – janë projekte për ta restauruar një krenari të lënduar kombëte, një kundërpërgjigje kjo ndaj asaj që Krastev dhe Holmes e konsiderojnë si ndjesi të turpërimit nga dështimet për ta imituar perëndimin.

Të zhveshura nga imazhi i tyre i dikurshëm romantik, idealet liberale u bënë psikikisht jopërmbushëse, madje edhe të mërzitshme, në momentin që papërkryeshmëritë e tyrë u bënë të dukshme. Por problem edhe më i madh për është se ato dështuan të ofrojnë përgjigje praktike ndaj shqetësimeve kryesore të forcave përparimtare, si pabarazia apo ndryshimet klimatike. Disa të majtë tani janë të bindur se këto synime mund të arrihen më efektivisht duke luftuar kundër strukturave të fuqisë – perj kapitalizmit e deri te patriarkati – përmes mjeteve joliberale.

Humbja e betejës së imagjinatës për të ardhmen nga ana e liberalëve u reflektua botërisht, përfshi edhe në Europën Lindore, ku tashmë shumë njerëz po shikojnë prapa dhe/ose po bien pre e cinizmit të regjimeve hegjemonike dhe autoritare të Kinës dhe Rusisë. Këto të fundit ia dolën të mbesin në këmbë mjaftueshëm gjatë që të mund të prezantohen si modele alternative, ndërkohë që po bëhen gjithnjë e më shumë agresive në përpjekjet për të manipuluar me pakënaqësitë tona me demokracinë.

Një anketë e kohëve të fundit nga Instituti Republikan Ndërkombëtar tregon se në rajone të brishta si Ballkani Perëndimor, shumica të brishta të qytetarëve vazhdojnë ta shohin demokracinë si system të parapëlqyer të qeverisjes (ndonëse mbetet e paqart se sa prej tyre mendojnjë njëlloj për demokracinë liberale). Megjithatë, popullariteti vazhdimisht i lartë i shteteve autoritare si Kina, Rusia dhe Turqia, si dhe ndikimi i tyre në rritje, jep arsye për t’u shqetësuar.

Ndërkohë që beteja për parimet dhe institucionet liberale tashmë nuk po mund të frymëzohet nga një vision i fuqishëm për të ardhmen, i njëjti rezultat ironikisht do të mund të arrrihet nga frika dhe kërcënimi prej altenrativave edhe më të errëta autoritare.

Në disa shtete tashmë ka filluar edhe kundërpërgjigja ndaj rrymave jolberale, teksa erozioni i të drejtave nga liderët autoritarë sërish prodhon pakënaqësi, dhe hipokrizia e qeverisjes së tyre bëhet e dukshme me kalimin e kohës. Por duke

Rritja e Kinës autoritare në status të superfuqisë po shoqërohet me ankth të madh, nëse jo edhe aq shumë në demokoracitë në zhvillim ku Kina ka sjellë investime, atëherë të paktën në disa qendra të perëndimit, ku Kina po shihet gjithnjë e më shumë si “rival sistematik”. Shumë politikanë dhe mendimtarë, veçanërisht në SHBA, madje po propozojnë një shkëputje prej ekonomisë së Kinës dhe po përgatiten për një betejë superfuqish.

Një pjesë e “anthit ndaj Kinës” mbase edhe po vjen prej rrymave të rrezikshme nacionaliste. Krijimi i armiqve ekzistencial “shmittian” në arenën ndërkombëtare është përdorur shpesherë nga shtetet e perëndimit për të ushqyar frymë miltariste dhe për të kufizuar liri.

Por portretizimi i “anthit ndaj Kinës” vetëm si frikësim i tepruar duket të jetë një argument edhe më naiv dhe më i rrezikshëm. Ai e neglizhon faktin se Kina është superfuqi botërore me aspirate për t’i shpërndarë normat dhe vlerat e veta botërisht – nëse jo për ndonjë arsye tjetër, atëherë së paku për ta mbrojtur kontrollin e Partisë Komuniste Kineze në shtëpi – duke e bërë kështu Kinën kërcënimin më të madh botëror ndaj demokracisë qysh prej kohës së Bashkimit Sovjetik.

Në këtë kuptim, sot është krejtësisht legjitime që liberalët të ngrenë alarmin për nivelin e lartë të kërcinimit të cilin e përbën Kina, veçanërisht në kontekste si Europa Qëndrore dhe Lindore si dhe Ballkani, ku, siç thotë edhe anketa e IRI, investimet dhe veprimet e saj vazhdojnë të shihen si jo kërcënuese dhe të parezishme.

Kërcënimi nga Kina do të bëhet pikë e rëndësishme reflektimi mbi të këqijat e autoritarizmit në mesin e demokracive në zhvillimi. Ndërkohë që shumë njerëzo sot mund të kenë mbresa nga aftësiae Kinës për të bërë gjëra si ndërtimi i spitaleve të reja në afat record apo shpërndarja e kredive të shpejta, të vërtetën mbi Partinë Komuniste të Kinës dhe vizionin e saj për të ardhmen e botës do të flasin fakte të tjera – mbyllja e miliona Ujgurëve myslimanë në kampe koncentrimi; ndërtimi i shtetit që e kontrollon në çdo pore shoqërinë, militarizimi i shpejt.

Fokusi më i madh dhe vetëdija mbi kërcënimin prej Kinës nuk do të ishte hera e parë që demokracitë e brishta do të ndërtonin qëndrueshmëri të nxitur nga kërcënimi. Në librin e tij të shkëlqyeshëm “Armiqtë e dobishëm”, Noel Malcolm dokumenton se si kërcënimi ekzistencial nga Perandoria Osmane luajti rol kritik në zhvillimin e ideve të para demokratike në Europën perëndimore, duke u dhënë elitave intelektuale një pikë krahasimi dhe duke e mundësuar një shqyrtim vetëkritik të shoqërisë perëndimore – efektivisht duke shërbyer si partner “sparingu” në boks.

Në filmin kult “Kthim në të Ardhmën”, personazhi Marti Mekfllaj (I luajtur nga Michael J. Fox), udhëton prapa dhe para në kohë dhe arrin të kuptojë origjinën e zhvillmeve të kohës së tij dhe të përpiqet ta ndryshojë zinxhirin e tyre. Sot ne mund të mos e kemi makinën për udhëtim në kohë të Dr. Broën-it dhe jemi të kufizuar të veprojmë në të sotmën. Por e kemi njohurinë e së kaluarës sonë autoritare dhe mund ta përdorim imagjinatën tonë për të kuptuar se si një e ardhme e jona në të cilën PKK-ja luan rol vendimtar mund të duket.

Nuk duhet të presim për temperaturën e lartë të na kthehet për ta vlerësuar dhe ushqyer sistemin tonë imunitar. Por kjo nuk do të jetë e mundur nëse forcat demokratike mbeten të paafta për ta kapur sërish imagjinatën politike të njerëzve me një rrëfim tërheqës dhe vision për të ardhmen.

Author

  • Agon Maliqi

    Agon Maliqi është studiues, analist dhe aktivist i shoqërisë civile nga Prishtina, me banim në Tiranë. Prej disa vitesh ai punon si këshillëtar dhe studies i pavarur i çështjeve të sigurisë, paqes dhe demokracisë në Ballkanin Perëndimor për një mori institutesh, organizatash dhe mediash vendase dhe ndërkombëëtare. Si aktivist i shoqërisë civile të Kosovës për thuajse 20 vite, zt. Maliqi mes tjerash ka qenë bashkëthemelues dhe drejtues per disa vite i platformës sbunker. Në vitin 2019 ai qëndroi për gjysmë viti në Uashington D.C si përfitues i Reagan-Fascell Democracy Felloëship në Fondin Kombëtar të Demokracisë (NED) në SHBA. Sot ai është pjesë e Grupit Strategjik për Ballkanin Perëndimor të Fondacionit Heinrich Böll (HBS) me bazë në Berlin; pjesë e Task Forcës rajonale të Ballkanit Perëndimor të Institutit Republikan Ndërkombëtar (IRI) dhe anëtar i Koalicionit Ndërkombëtar për Ripërtëritje Demokratike (ICDR) të Forumit 2000 në Pragë. Zt. Maliqi ka mbaruar studimet master për politikat e zhvillimit ndërkombëtar në Duke University (SHBA) dhe ato bachelor për shkenca politike dhe marrëdhënie ndërkombëtare në Universitetin Amerikan në Bullgari.

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.