Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analizë

Ndryshimi i regjimit nuk është opsion në Kinë

Fokusi duhet të jetë te sjelljet e Pekinit, jo te udhëheqësia e tij.

Marrëdhënia mes Kinës dhe Shteteve të Bashkuara është drama qendrore e politikës globale sot. Ajo përkufizon kohët e sotme: rivaliteti i fuqive të mëdha, gara ideologjike, përhapja e teknologjisë së përparuar dhe dobësimi i hegjemonisë amerikane. Përballja me Kinën është duke u bërë sfidë shumë më e madhe për politikbërësit amerikanë se sa që ka qenë ndonjëherë konkurrenca me Bashkimin Sovjetik.

Jo vetëm që Pekini është më i aftë se sa që ishte Moska gjatë pikës kulmore të Luftës së Ftohtë, por zgjerimi i zonës së ndikimit ekonomik të Kinës e bën atë një rivale shumë më të vështirë. Një ekonomi globale e ndarë më dysh i lejoi Shteteve të Bashkuara që të përmbajnë Bashkimin Sovjetik, por Kina sot është partnere kryesore tregtare e më shumë se 100 vendeve, përfshirë shumë lidhje të ngushta me Shtetet e Bashkuara.

Kombinimi habitës i konkurrencës së ashpër dhe ndërvarësisë gjithnjë e më të madhe ka nxitur një debat në Shtetet e Bashkuara rreth mënyrës së qasjes ndaj Kinës. Debati ka marrë një kthesë të rrezikshme në vitet e fundit. Duke filluar në 2020, sekretari i shtetit Mike Pompeo dhe zëvendëskëshilltari i Sigurisë Kombëtare Matt Pottinger ishin dy prej zyrtarëve që filluan të flasin për presion ndaj Partisë Komuniste të Kinës në mënyra që shumëkush i ka interpretuar si thirrje për ndryshim të regjimit. Duke dënuar ashpër “tiraninë e re” të Pekinit Pompeo deklaroi: “Nëse bota e lirë nuk ndryshon, Kina komuniste me siguri se do na ndryshojë neve.” Duke bërë dallimin mes popullit kinez dhe regjimit të tyre, Pottinger inkurajoi popullin kinez që të “arrijë një qeveri të qytetarëve në Kinë” si kundërhelm ndaj PPK-së.

Kjo retorikë ka rrënjët në një linjë të mendimit që beson se karakteristikat e një regjimi – dhe jo interesat kombëtare të vendit os pozicioni i tij brenda sistemit ndërkombëtar –përcaktojnë sjelljet e shtetit. Duke reflektuar mbi këtë perspektivë, Zack Cooper dhe Hal Brands argumentuan së fundmi në Foreign Affairs se për shkak se “antagonizmi i ashpër sino-amerikan do të vazhdojë për sa kohë që një Kinë e fuqishme të qeveriset prej Partisë Komuniste të Kinës,” politikbërësit amerikanë do të duhet të ndihmojnë në sjelljen e “ndryshimeve afatgjate në pushtetin kinez dhe në mënyrë se si qeveriset Kina.”

Argumente të tilla jehojnë përgjatë spektrit politik amerikan. Ekipi i presidentit Joe Biden e ka mbajtur ideologjinë në qendër të strategjisë së tij për Kinën, duke nënvizuar shtypjet drakonike të Pekinit në Hong Kong dhe Xinjiang. Administrata e Bidenit nuk është se ka ndjekur ndryshimin e regjimit si qëllim eksplicit, por përshkrimi i presidentit i “një beteje mes dobisë së demokracive dhe autokracive” paraqet pranimin e një mase të betejës ideologjike.

Ndonëse gara ideologjike mund të jetë e pashmangshme, shënjestrimi i PPK-së nuk është vetëm shumë jopraktike si strategji, por edhe e rrezikshme. Çdo përpjekje për të ndryshuar regjimin me gjasë do të dështonte dhe do të kishte kosto afatgjate mbi përpjekjet amerikane për të ndryshuar sjelljet kineze. Pak aleatë dhe partnerë amerikanë do të përkrahnin dëmtimin e partisë shtet – duke topitur veglën mbase më të rëndësishme në arsenalin strategjik të Uashingtonit. Një qasje e tillë do të izolonte Shtetet e Bashkuara dhe do të thellonte edhë më tej rivalitetin me Pekinin. Në vend të kësaj, Uashingtoni duhet të fokusohet në sjelljet kineze, jo në PPK-në.

Kthimi në të ardhmen

Avokuesit e strategjisë për të ndryshuar regjimin kinez thonë se interesi i vetëm i PPK-së për të mbetur në pushtet nxit politikën e brendshme shtypëse dhe vendosmërinë ndërkombëtare të Kinës, përfshi edhe përpjekjet e saj për të dëmtuar normat dhe institucionet liberale. Në këtë pikëpamje, karakteri joliberal i partisë e bën aktore shtrënguese dhe grabitqare në mënyrë jashtëzakonisht unike. Pastaj këshilltari për siguri kombëtare Robert O’Brien e artikuloi këtë mendim në një artikull të vitit 2020 në Foreign Affairs ku thotë se “agjenda ideologjike e PPK-së zgjerohet larg e përtej kufijve të vendit dhe paraqet kërcënim për idenë e vetë demokracisë.”

Megjithatë, kjo analizë nuk merr parasysh faktorët shtesë që motivojnë sjelljet kineze. Për shembull, edhe para se të vinte PPK-ja në pushtet më 1949, Kina shpesh sillej si një pushtet agresiv perandorak, duke shtrënguar fqinjtë që të pranojnë hegjemoninë rajonale dhe duke kërkuar (ndonëse shpesh duke dështuar) që të institucionalizojë një sistem të pajtimit me preferencat kineze. Ekuilibri i pushtetit mes Kinës dhe qeverive fqinje, politika elitiste përbrenda Kinës dhe reagimet e fqinjve të Kinës ndaj kërkesave të Pekinit janë disa prej faktorëve që ndërveprojnë në mënyrë të ndërlikuara për të prodhuar sjellje kategorike.

Ndonëse të përditësuara për rrethana bashkëkohore, këto dinamika mbesin relevante edhe sot. Prandaj, çdo strategji që përqendrohet parësisht në shënjestrimin e vetë PPK-së do të dështonte të ndryshonte sjelljet kineze. Edhe nëse Shtetet e Bashkuara do të provonin të transformonin karakterin e partisë shtet të Kinës – për shembull, duke shënjestruar liderët e CCP-së përmes sanksioneve dhe mbështetjes së sfidave të brendshme ndaj qeverisë – suksesi nuk do të ishte aspak i garantuar. Një qasje e tillë nuk kupton si duhet burimet e vendosmërisë kineze dhe do ta ngujonte Pekini dhe Uashingtonin në një konflikt të rrezikshëm e të përshkallëzuar.

Çdo përpjekje për të dëmtuar PPK-në nga jashtë do të kishte pak gjasa që të siguronte përkrahje nga populli kinez dhe përkundrazi do të përforconte besnikërinë ndaj partisë, veçanërisht në mesin e një klase të mesme të madhe, ambicioze dhe në rritje. Shumëkush në Kinë një fushatë të tillë do ta shihte si përpjekje për të penguar ngritjen e vonuar të vendit dhe do ta përkujtonte ndërhyrjen perëndimore që e la Kinën të dobët e të përçarë përgjatë shekullit të 19 dhe fillimshekullit të 20.

Spektri i imperializmit të rigjallëruar amerikan në kohën kur dyshimi kinez për Shtetet e Bashkuara është më i larti ndonjëherë, do të mund të rriste popullaritetin e presidentit kinez Xi Jinping dhe do ta shtynte që të ndërmerrte veprime edhe më ambicioze jashtë vendit, në kurriz të interesave amerikane dhe paqes dhe sigurisë së përgjithshme përgjatë Azisë.

Përpjekja për të rrëzuar PPK-n do të dëmtonte gjithashtu bashhkëpunimin SHBA- Kinë rreth çështjeve që kërkojnë njëfarë partneriteti  – përfshirë përgjigjen ndaj programeve nukleare të Iranit dhe Koresë së Veriut, si dhe ndryshimin klimatik. Për më tepër, një strategji agresive do të reduktonte mundësitë e Uashingtonit që të menaxhojë çështjet më të diskutueshme në marrëdhëniet me Pekinit, përfshi statusin e Tajvanit.

Arsyeja më e rëndësishme për ta shmangur fiksimin me regjimin e padashur të Kinës është se ky fiksim kërcënon përparësinë kryesore të SHBA-së: rrjetin e gjërë të partnerëve dhe aleatëve të Uashingtonit. Ndërtimi dhe mbajtja e koalicioneve ndërkombëtare që kufizojnë veprimet kineze do të jetë jetike në çdo përpjekje për të ndryshuar sjelljet e Pekinit. Për shembull, veprimet e koordinuara mes aleatëve, partnerëve dhe miqve të SHBA-së janë kyçe në luftimin e praktikave ekonomike eksploatuese të Kinës dhe në frenimin e agresionit të mundshëm ushtarak përgjatë Azisë.

Ndërkaq, realiteti i vështirë me të cilin përballet Uashingtoni është se shumica e aleatëve dhe partnerëve të SHBA-së nuk janë të interesuar për ndryshimin e regjimit në Pekin. Shumica supozojnë se kjo është e pamundshme, ndërsa të tjerët e shohin si kundërproduktive. Përkundrazi, shumica duan të përfitojnë nga marrëdhëniet ekonomike me Kinën, përderisa ekonomia e saj rritet dhe diversifikohet. Ata duan të kufizojnë sjelljet kategorike të Pekinit jashtë vendit, por nuk kanë shumë dëshirë të dëmtojnë qeverinë kineze brenda vendit.

Një strategji amerikane që bazohet në ndryshim të regjimit do të ballafaqohej me probleme serioze në bindjen e partnerëve dhe do të mund të dëmtonte përpjekjet më të gjëra të Uashingtonit për të orkestruar një ekuilibër të efektshëm të pushtetit dhe në Azi edhe nëpër botë. Nëse Shtetet e Bashkuara shpërqendrohen nga ky qëllim qendror, do të jetë më pak në gjendje që të zgjidhë problemet ndërkombëtarë dhe të vendosë kosto mbi Kinën.

Terapia bihejviorale

Shtetet e Bashkuara nuk duhet të injorojnë veprimet e papranueshme të PPK-së brenda dhe jashtë vendit. As zyrtarët amerikanë nuk duhet të shtiren se janë indiferentë ndaj karakterit të dëmshëm të qeveirsë kineze. Është e qartë se ka filluar konkurrenca mes dy shteteve lidhur me idetë e qeverisjes, si asaj të brendshme ashtu edhe ndërkombëtare. Por, Uashingtoni duhet të përqendrohet në përballjen me sjelljet kërcënuese të regjimit, në vend se të nis kryqëzatë ndaj vetë PPK-së. Kjo nënkupton prioritizimin e krijimit të një ambienti ndërkombëtar që kolektivisht ekuilibron, lidh, frenon dhe i jep formë zgjedhjeve të Kinës.

Një strategji e tillë kërkon përkrahjen e shtetet që janë së paku jo të cënueshme ndaj presionit të Pekinit dhe që me raste janë të gatshme të kundërshtojnë shtrëngimin dhe agresionin kinez. Kjo nënkupton krijmin e koalicioneve rreth çështjeve të rëndësishme si transferet e teknologjisë, thellimin e integrimit tregtar mes kryeqyteteve mike, si dhe garantimin që aleatet si Australia dhe Japonia të jenë edhe të gatshme edhe në gjendje që të kundërshtojnë veprimet e mundshme ushtarake të Kinës në Indo-Paqësor.

Kjo mund të përfshijë gjithashtu artikulimin e normave eksplicite të sjelljeve të pranueshme ndërkombëtare, duke i legjitimuar ato përmes institucioneve shumëpalëshe dhe kur të jetë e nevojshme, t’i zbatojë ato përmes fuqisë ushtarake të SHBA-së. Kufizimi i sjelljeve të Pekinit në këtë mënyrë, ndryshe prej shënjestrimit të regjimit, ofron shpresën më të mirë për përforcimin e rendit ndërkombëtar të bazuar në rregulla që mbron interesat jetike të Shteteve të Bashkuara.

Një qasje praktike që syon ndryshimin e sjelljeve kineze do të fokusohej pashmangshëm në parandalimin e Pekinit që të dëmtojë interesat diplomatike, ekonomike, teknologjike dhe ushtarake të SHBA-së. Për të arritur këtë, Uashingtoni duhet të ketë për cak një varg të gjërë aktivitetesh, përfshi përpjekjet kineze për të abuzuar me sistemin tregtar ndërkombëtar, për të vjedhur teknologjitë e përparuara nga Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj, për të intimiduar partnerët e SHBA-së, për të projektuar ndikimin kinez jashtë vendit dhe për të promovuar hibridin e autoritarizmit tregtar si alternativë për rendin liberal.

Megjithëkëtë, të kundërshtuarit e këtyre aktiviteteve nuk nënkupton se marrëdhëniet duhet të jenë ekskluzivisht ballafaquese apo se e gjithë konkurrenca dypalëshe do të prodhojë domosdo një gjendje ku dikush fiton e dikush humb. Sido që të jetë, kjo strategji supozon një formë të bashkëjetesës konkurruese mes Pekinit dhe Uashingtonit, ku të dy palët hahen vazhdimisht për përparësi dhe ndikim nëpër botë. Një marrëdhënie e tillë mund të jetë njëkohësisht dinamike dhe përçarëse, por rezultati do të ishte më i preferuar se sa konflikti i hapur, i cili do të ishte pasojë e pashmangshme e një politikë amerikane që kërkon të destabilizojë qëllimshëm regjimin qeverisës të një bashkëkonkurrenti.

Në fund të fundit, ajo që ka rëndësi nuk është se a munden Shtetet e Bashkuara të ndryshojnë motivimet e Kinës, por se a mundet Uashingtoni të ndryshojë veprat dhe sjelljet e Kinës. Një qasje e tillë mund të shënojë vetëm përparime taktike: as karakteri brutal, as impulset revizioniste të PPK-s nuk kanë gjasë të ndryshojnë. Por, C sa kohë që Uashingtoni ndikon në mënyrën se si Pekini mendon dhe si i ndjek interesat e veta, Shtetet e Bashkuara mund të mbrojnë rendin liberal ndërkombëtar – dhe kjo do të ishte fitore e konsiderueshme.

***

Artikulli origjinal në Foreign Affairs, më 8 korrik 2021.

***

Image

 

Ky artikull mbështetet nga “Sbunker” përmes projektit të financuar nga Ambasada Amerikane. Mendimet e shprehura këtu janë të autorit dhe jo medoemos pasqyrojnë qëndrimet e Departamentit të Shtetit.

Lexoni Gjithashtu

Disinfo

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Disinfo

Gjatë dy viteve të fundit, Kosova ishte cak i sulmeve kibernetike dhe kërcënimeve me bomba, që kishin për qëllim destabilizimin e vendit dhe krijimin...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.