Tre palë në dialog, që të tria me probleme fundamentale – atë të (mos)njohjes së njëra-tjetrës. Duket se (mos)njohja është trend në këtë proces, duke buruar nga vetë ndërmjetësuesi i këtij dialogu, pra Bashkimi Evropian (BE). Gati një dekadë pas fillimit të dialogut, një gjë është e qartë, që në këtë mes vetëm Kosova nuk njihet si palë e barabartë, dhe se Kosova dhe Serbia nuk shihen nga një prizëm i njëjtë nga BE. Përderisa BE-ja dhe Serbia funksionojnë në bazë të një marrëdhënie solide bilaterale, marrëdhënia me Kosovën – edhe ashtu e brishtë – duhet të kalojë nëpër faza të shqyrtimit për të gjetur konsensus mes shteteve të BE-së e për të siguruar ruajtje të neutralitetit.
Në anën tjetër qëndron Serbia e cila hyri në dialog – kinse për të normalizuar marrëdhëniet e për të njohur Kosovën – pikërisht duke protestuar njohjen e kësaj të fundit. Për më tepër, Serbia vazhdon të mos e zbusë qasjen ndaj Kosovës, madje është ashpërsuar edhe më tej duke marrë zemër nga dobësimi i BE-së, dhe një politike të jashtme në amulli të ShBA-ve në rajon.
Dhe në fund një Kosovë, e cila ende nuk është përcaktuar nëse i njeh, apo nuk i njeh palët në dialog. Gjithsesi, kjo gjë vendoset në diskurs politik shpeshherë, gjoja për të krijuar përshtypje që dikujt i intereson nëse njihen nga Kosova apo jo.
Dialogu pa agjendë e as afat “ku rafshim mos u vrafshim”
Timoni i dialogut u mor në dorë nga BE, e cila ende në kërkim të identitetit – sidomos në politikën e jashtme – i hyri kësaj pune më shumë për të bindur veten që është faktor relevant në arenën ndërkombëtare, sesa për të “normalizuar” ndonjë gjë në rajon. Megjithatë, super burokracia e stilit të BE-së u sigurua që të quhet lehtësues – përkthe më pak përgjegjësi sesa roli i negociatorit apo i ndërmjetësuesit. Rol ky që i siguroi se në rast të suksesit të dialogut të marrë meritat me pak përpjekje, kurse në rast të dështimit faji të transferohet në palët e dialogut.
Dialogu pa agjendë e as kohështrirje, herë duke u quajtur teknik e herë politik sikur e ka konfuzuar palën kosovare. Kjo gjendje është shkaku kryesor që dialogu të mos prodhojë, por as të mos fokusohet në arritjen e normalizimit të marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë. Përkundrazi, mungesa e një strukture lë hapësirë që p. sh. temave si tabelat e regjistrimit të makinave t’i jepet hapësirë më shumë se dëmeve të luftës e viktimave. Pala kosovare me shumë vullnet vendosi të ndjekë udhëzimet e BE-së, e BE e etur nga nevoja për stabilitet e siguri me kujdes i shkoi për shtat Serbisë dhe agjendës së saj integruese. Fundja, fuqia matet me potencial për destabilitet, treg pune, e fuqi ekonomike, të gjitha këto që Kosova nuk i ka. Kjo i kontribuoi edhe më tepër pozicionit të disfavorshëm të Kosovës në këtë proces.
Megjithatë lehtësuesi u sigurua që të shpërblejë të dyja palët – me logjikën e famshme të karrotës dhe të shkopit. Përderisa, ende nuk dihet qartë se sa kemi përparuar ecur nëpër trajektoren e integrimit në BE në emër të dialogut, Serbia ka filluar procesin e negociatave për anëtarësim në BE, Kosova nënshkroi Marrëveshjen për Stabilizim Asocim – me gjuhë diplomatike e neutralitet të kuruar mirë. Megjithatë, ambienti i favorshëm për pështjellim të së vërtetës – alla BE – i dha mundësinë që të gjithë të vetëshpalleshin fitues, kështu duke i kënaqur egot e politikanëve patetikë, të cilët fshehin aferat pas nacionalizmit turbofolk. Pra, me të ashtuquajturin “ambiguitet konstruktiv” çdo shkuarje në Bruksel u shndërrua në fitore të madhe për palët e tjera.
Sot, të gjithë pajtohen që procesi përveç fotografive në Bruksel ka rezultat të limituar, për më tepër është kaluar nga normalizimi i marrëdhënieve në parandalim të konfliktit. Krizat politike në të dy vendet kanë ndikuar edhe më tej që procesi të zgjatet; e kësaj situate i kontribuon edhe më tej mosgatishmëria për të implementuar ato marrëveshje që janë nënshkruar – të shumtën e rasteve nën presion pa u lexuar fare – marrëveshje që ende kanë mbetur në rinegocim.
Riformatim: ndryshim ekipesh, temash apo ndërhyrje e dorës së fortë të ShBA-ve?
Se dialogu nuk ka ecë me ritmin e paramenduar pajtohet edhe vetë BE. Riformatimi është temë në tavolinë që nga nënshkrimi i marrëveshjes historike – që veç historike nuk ishte. Por, asnjë nuk na tregoi se çka nënkupton kjo, ndryshim ekipesh (që në të vërtetë është veç riciklim i politikanëve të konsumuar), ridefinim të temave, konsensus të brendshëm me pseudo-dialogë të brendshëm në Kosovë e Serbi, apo veç ftesë për ShBA me e përfundu këtë punë me një takim.
Për Kosovën, hapi i parë që do të mund të bëhet në këtë drejtim është ndërtimi i konsensusit politik dhe me transparencë të plotë, kërkesa bajate e të konsumuara, mirëpo të domosdoshme për të garantuar sukses. Mirëpo, me përbërjen e Kuvendit e Qeverisë në Kosovë, nuk do të ketë konsensus as për çështje minore e pak relevante, e le më për dialogun që ende mbetet një nga temat më të nxehta në Kosovë. Dialogu me Serbinë, përkatësisht marrëveshja për themelimin e asociacionit të komunave më shumicë serbe, mbetet një çështje e lënë peng që nga legjislatura e kaluar e për të cilën ende ekzistojnë ndasi të forta në mes të elitave politike në Kosovë.
Gjithashtu, duhet të jetë e qartë se konsensus nuk nënkupton që këto evente e takime të bëhen veç për sy e faqe, por përfshirje aktive e të gjithë segmenteve të shoqërisë – jo veç të opozitës. Andaj, nëse Kosova do të rikthehet në Bruksel, bën mirë të kthehet e fortë, kjo mund të jetë mundësia e fundit për t’i dhënë fund një procesi të lodhshëm që po e mban peng në arenën ndërkombëtare. Andaj, zërat gjithmonë në shtim janë të pajtimit për një përfshirje pro-aktive të ShBA-ve në këtë proces. Ndoshta një ShBA më e fortë, do ta balanconte fuqinë në proces, apo do t’i ndihmonte Kosovës që të listojë kërkesat e saj. Përfshirja e ShBA-ve pritet që të mbulojë dështimet në këtë proces, përshpejtojë procesin – sidomos ta dërgojë drejt përmbylljes së këtij procesi: vështirë që të përfundohet nga BE.