Trajektorja e marrëdhënieve politike e diplomatike të Francës karshi Kosovës ka shënuar anën më pozitive pikërisht në krye me Presidentin Nikolas Sarkozi. Me ardhjen e Presidentit Sarkozi, Kosova asnjëherë nuk është parë si një avion i linjës së vështirë për shtetin francez. Vite me radhë ajo ka luajtur një rol të rëndësishëm si në zgjidhjen e statusit të Kosovës ashtu edhe në fazën pas pavarësisë së saj. Nga ana tjetër, Franca si një shtet me traditë të gjatë të miqësisë me shtetin serb, dhe njëkohësisht si një aktor kyç në Kosovë, synonte për një zgjidhje të pranueshme nga të dyja palët. Ishte Presidenti Nicolas Sarkozi i cili ndër të parët iu drejtua studentëve për krijimin e shtetit më të ri në botë. Pra, Republika e Pestë, jo vetëm që ka qenë ndër të parat që i ka parapri themelimit të shtetit të Kosovës, por ka kontribuuar dhe mbështetur shtetin e ri në nismat tjera ndërkombëtare.
Imazhi i Francës karshi kosovarëve ka pësuar ngritje dhe rënie të herëpashershme. Pakënaqësia kundrejt shtetit francez ka filluar pikërisht në kohën e pasluftës, si një paaftësi e trupave francezë (pjesë e KFOR-it), për të shmangur ndarjen e Mitrovicës më 1999. Qysh nga e kaluara, kosovarët kanë pasur një qëndrim skeptik karshi shtetit francez. Ata ende e shfaqin diskursin negativ që prej kohës së Zhak Shirak, i cili nuk konsiderohet një imazh i mirë për qytetarët e Kosovës. Qytetarët duhet ta kuptojnë që periudha kur Franca ka qenë jo-mike ka përfunduar pothuajse që 10 vite.
Në grupin e partnerëve strategjik për Kosovën, në sytë e opinionit publik kosovar, Franca është parë si një ndër shtetet më mike të Kosovës. Mirëpo, ajo nuk është parë si një shtet me një rol kyç sidomos në aspektin politik në vendin tonë, pavarësisht kontributit të saj në çështjet e politike të Kosovës. Përkundrazi, një pjesë e qytetarëve të Kosovës e konsideron atë si shtet më jo-mik duke u nisur nga ajo që Franca konsiderohet si një mik i ngushtë i Serbisë dhe gjoja se e favorizon atë qoftë kur është në pyetje edhe Kosova. Është fakt që Serbia gjithmonë e ka parë Francën si një ndër shtetet më mike të sajën, ose të paktën shtetin më pak armik, mirëpo kjo nuk do të thotë që a priori çdo shtet i cili konsiderohet mik i Serbisë të nënkuptohet si shtet armik për Kosovën. Sot, ka një perceptim tjetër të asaj se Franca më nuk konsiderohet edhe aq si shtet shumë afërt me Serbinë, për shkak se linja politike e Francës karshi Ballkanit nuk dallon me Britaninë e Madhe apo SHBA-në sa i përket politikës së jashtme.
Në barometrin e fundit (2016) të realizuar nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS), lidhur me imazhin e shteteve dhe rolin e tyre në Kosovë, vërehet dukshëm që Franca është njëra ndër shtetet që ka pësuar lëvizje. Trendin më të lartë pozitiv Franca e ka arritur gjatë 2015 me 66,3%, si rjedhojë e mbështetjes nga diplomacia franceze, edhe pse ka rënë për 59,4% në vitin 2016, si rezultat i asaj që qytetarët e mendojnë Francën si shtet neutral ndaj Kosovës. Siç shihet këtu, e para e vë në pah angazhimin aktiv të Francës në mbështetje të Kosovës, ndërsa e dyta vë në pah një lloj pasiviteti.
Sa i përket procesit drejt integrimit Evropian dhe anëtarësimit në strukturat tjera ndërkombëtare, për shkak të primatit të Gjermanisë, roli i Francës nuk duket të jetë edhe aq prominent. Franca nuk shihet si një partner relevant në këtë proces. Duke marrë parasysh se Franca dhe Gjermania janë dy liderët kryesorë të Bashkimit Evropian, dhe duke e parë Gjermaninë dhe insistimin e saj duke qëndruar si “Çekiç mbi kokë” ndaj njohjes së Kosovës nga ana e Serbisë, ka bërë që të fitojë një simpati të madhe ndaj shtetit gjerman në krahasim me atë francez.
Për më tepër, edhe pse zyrtarisht Kosova është pjesë e organizatës ndërkombëtare të Frankofonisë, opinioni kosovar ka më shumë info rreth botës anglo-sanksone dhe asaj gjermane, krahas atij francez. Në anën tjetër, Franca ka vlerësuar intelektualët shqiptarë që ndodhen atje, duke i nderuar ata me tituj të lartë nderi, siç është rasti i Kadaresë dhe disa të tjerëve.
Por muaj më parë, Ramush Haradinaj u ndalua nga autoritetet franceze në bazë të një urdhër arresti të lëshuar nga Serbia në vitin 2004. Konform Interpolit, Franca është duke zbatuar kërkesën e Serbisë, pavarësisht që qytetarëve nuk i pëlqen. Fundja, këto janë rregulla që duhet zbatuar pa përjashtim dhe prapavija politike duhet të vërtetohet në një procedurë paraprake gjyqësore të pavarur. Ngjarja Haradinaj nuk përmban ndonjë dimension politik/diplomatik aq sa t’i nxitë qytetarët e Kosovës drejt prishjes së raporteve diplomatike me Francën. Franca e njeh Kosovën si shtet të pavarur dhe mbi të gjitha ajo konsiderohet një ndër shtetet shtytëse të antarësimit të Kosovës në Interpol. Por, është Serbia ajo që vazhdimisht e (keq)përdor Interpolin në rast me Kosovën. Mund të thuhet se këtu kemi të bejmë me mos-harmonizimin e politikave zyrtare franceze në nivelin praktik. Pra, për dallim nga Gjermania, Zvicra, e shumë vende të tjera, ku qëndrimet zyrtare politike janë transmetuar edhe në nivel praktik të njohjes së sovranitetit juridik të Kosovës (bashkëpunimi bilateral dhe ndërkombëtar në sundim të ligjit dhe drejtësi penale), Franca e ka anashkaluar këtë hap. Kështu, përderisa Franca e njeh shtetin e Kosovës, shtetit francez si duket ende i mungon materializimi i kësaj marrëveshje bilaterale.
Arrestime të tilla ka pasur edhe herave të kaluara si rasti i ish Kryeministrit Thaçi në Hungari, ish kryeministrit të atëhershëm Agim Çekut në Bullgari dhe Ramush Haradinaj në Slloveni. Mirëpo, këtë herë fletëarresti rastisi në Francë, dhe kjo nuk e bën atë armik të Kosovës.
Kosova vazhdon të mbetet në pozitën kur më së paku i duhet prishja e marrëdhënieve me shtetet të cilat kanë kontribuuar dhe vazhdojnë ta mbështesin atë në shumë aspekte të brendshme si dhe në nisma ndërkombëtare. Duke marrë parasysh se Franca posedon veto në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, ashtu sikurse Rusia që e përdor veton në bllokimin e njohjes së Kosovës, në anën tjetër Franca së bashku me SHBA-në dhe Britaninë është garante se nuk ka kthim mbrapa. Tek shtetet me fuqi vetoje, raporti është 3 me 1 duke konsideruar neutralitetin e Kinës.
Acarimi apo prishja e mardhënieve me një shtet të fuqishëm siç është Franca, rrjedhimisht do të kishte impakt jo të mirë në perspektivën e Republikës së Kosovës.