Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analizë

Të (ç)magjepsurit

Foto nga Tingey Injury Law Firm, Unsplash.

Në ditët e sotme të provosh të bësh debat ose s’paku të ngresh pyetje që orientojnë kah një debat i mirëfilltë është pothuajse sikur të duash ta mbulosh diellin me shoshë. Të gjithë flasim, e asnjëri nuk dëgjojmë. Kemi dëshirë, madje bëjmë presion të na dëgjojnë, por assesi t’i dëgjojmë të tjerët. Secilin e thërrasim në përgjegjësi, por vetë e shmangim në çastin e parë. Shoqëria jonë si duket është e kapërthyer në një sado-mazohizëm të llojit të vet.

Duket sikur ‘përgjegjshmëria’ si një kategori e karakterit njerëzor nuk banon më në këtë shoqëri. Krejt kjo pastaj na e dikton një rrugëtim konfuz dhe njëherësh pervers. Baltosë çdo kush, çdo gjë për gjithçka. Ruajmë atë që duhet hedhur, e hedhim atë që duhet ruajtur. Secili e përjeton veten si njeriu më me peshë i shoqërisë, anipse pesha e jonë reale është analoge me peshën e ajrit. Këtë logjikë e kemi raftuar edhe në nivelin nacional (madje me dekada), se ne jemi një vend aq i rëndësishëm saqë e konsiderojmë edhe si ‘kërthiza e botës’ (sic). Standardet i kemi vendosur në shpërputhje me mundësitë që kemi. Jetojmë në simullakrumin baudrillard-ian, në realitetin imagjinativ, në projeksion. Krejt kjo është një vetëkurthim në injorancë. Një arratisje e pandalshme nga vetvetja… vetëkredhje narcizoide.

Mbase kjo sjellë dhe e thellon edhe krizën tonë identitare, ku luhatja qoftë në mendime qoftë në veprime bëhet pjesë inherente e karakterit tonë. Kjo tregon një lloj amnezie shoqërore, që më shumë i ngjan skizofrenisë, e që kjo pastaj kulmon në një neurozë kolektive. Fantazinë e besojmë si pjesë të përditshmërisë, kurse realitetin si pjesë të fantazisë. Krejt kjo vjen si rezultat i injorancës sonë. Shembulli më i mirë për këtë do të ishte raporti që kemi ne me lirinë: Si e perceptojmë dhe si e shohim ne lirinë?

Elementin e parë që vërejmë në këtë raport – ne dhe liria – është se lirinë e perceptojmë si një akt çlirimi nga dhuna (fizike) dhe madje e ndjejmë po ashtu. Normalisht se çlirimi nga kjo dhunë është shumë me rëndësi, por është vetëm një element nga çlirimi si i tillë. Mbase një çlirim i këtillë është dhe do të mbetet vetëm në konditat e shtazarakes. Edhe kafsha në njëfarë forme lufton për t’u çliruar nga një dhunë e tillë. Mirëpo, ajo çka na dallon nga kafsha, është pikërisht çlirimi nga dhuna si mendësi. Andaj, ajo se për çfarë duhet të preokupohemi ne si shoqëri është pikërisht pamundësia jonë për t’u çliruar nga dhuna si mendësi. Këtë mendësi e hasim në të gjitha shtresat sociale, ku më pak e ku më shumë. Këtë mendësi e kemi instaluar pothuajse në çdo institucion nga niveli më i ultë edukativ, e deri në nivelet më të larta shtetërore. Pika më nevralgjike e një mendësie të tillë është familja. Është e vërtetë që edhe tek ne familja ka pësuar transformim, mirëpo, po ashtu është e vërtetë se edhe dhuna që është përdorur dikur është transformuar po ashtu… d.m.th., nuk është zhdukur, është sofistikuar. Kështu është edhe shoqëria, kështu e perceptojmë edhe pushtetin, si një mundësi që të tregojmë dhëmbët, e jo si një përgjegjësi që na është dhënë dhe që duhet ta kryejmë me profesionalizëm. Papërgjegjshmëria jonë në punën që jemi thirrur ose jemi mandatuar, është elementi tjetër që tregon mentalitetin dhunues që kemi. S’bëjmë mall asgjë, sepse kalkulojmë me parametrat e një dhunuesi.

Prandaj, nuk është për tu çuditur se si abuzojmë i madh e i vogël që në mundësinë e parë. Në një shoqëri të tillë çudi do të ishte sikur të ndodhte e kundërta apo siç edhe thuhet se “në një botë të çmendur vetëm të çmendurit duken normalë”. Gjithashtu, kjo çmenduri, ky mentalitet i dhunshëm patriarkal shihet shumë i kristaltë në rrjetet sociale. Në këto mediume dhuna është e shpërfaqur me tërë lakuriqësinë e saj. Aty çdo gjë është transparente në këtë pikë. Aty njerëzit janë vetvetja, prandaj se çfarë përfaqësojnë aty tregohet me të vërtetë. Në këto rrjete mediatike vëren sesi të gjithë bëhemi bashkë për t’ia mbyllur gojën qoftë edhe një individi. Nuk qajmë kokën që e ‘vrasim’, sepse tanimë e kemi ndarë mendjen që ta ‘vrasim’. Ne aty (dhe jo vetëm aty) jemi e kundërta e asaj çka proklamonte John Stuart Mill-i tash e 150 vite më parë, kur thoshte se: “Në qoftë se mbarë njerëzimi, me përjashtim të një personi, do të ishte të një mendjeje, ndërsa ai, i vetëm, do të mendonte ndryshe, njerëzimi do të ishte po aq pak i përligjur t’ia mbyllte gojën atij”. Pra, kjo nuk është një parullë e para 150 viteve, por edhe sot e kësaj dite mbetet një nga postulatet konstituive të demokracisë liberale. Gjithashtu, në këtë kontekst Mill-i pohon edhe anën tjetër të medaljes, ngaqë ai mendon se po ashtu: “(…) edhe ai (individi), po të kishte pushtetin e mjaftueshëm, nuk do të ishte i përligjur për t’ia mbyllur gojën gjithë njerëzimit”. Prandaj, sipas Mill-it, edhe atëherë kur kemi të drejtë në argumentim, nuk kemi të drejtë që tjetrit t’ia mbyllim gojën. Isaiah Berlin-i konstatonte se mundësia e dështimit, e drejta për të gabuar, e pandashme nga aftësia për të përmirësuar vetveten, mosbesimi ndaj paralelizmave dhe zgjidhjeve përfundimtare si të dëmshme për lirinë, janë parimet themelore të lirisë të proklamuar nga Mill-i.

Andaj, për të ikur nga kjo mendësi dhunuese, për të ikur nga kjo formë e të jetuarit ku mendojmë dhe jemi të bindur se ne dhe vetëm ne në secilën rrethanë kemi të drejtë, është më se e domosdoshme që t’i dalim përballë ‘përbindëshit’… vetvetes. Pajtohem se gabimet janë pjesë e njerëzores, por po ashtu mendoj se është virtyt i lartë njerëzor që t’i pranojmë ato, sepse ky akt i pranimit është hapi fillestar i mundësisë së përmirësimit të tij, pra edhe të vetes sonë. Kjo pastaj do ta hapë horizontin e kritikës, e divergjencës, e do ta zgjerojë edhe fushën e të menduarit dhe vepruarit.

Ky do të ishte shpëtimi ynë nga “velloja e injorancës”, sepse me shpirtngushtësi, më papërgjegjshmëri, me kryeneçësi “asgjë e madhe nuk mund të arrihet”. Prandaj Mill-i thotë se: “Thjesht nga divergjencat dhe mospërputhjet e opinioneve lindi toleranca, diversiteti, dimensioni human”. Për këtë tendenca për të menduar të gjithë njësoj (element ky që shoqëria jonë ende mundohet ta kultivojë), sipas Mill-it do të prodhonte jotolerancën, johumanitetin.

Të menduarit njësoj na e pamundëson që ta njohim njëri-tjetrin, sepse aty nuk zhvillohet një proces dinamik dialektik normal, por zhvillohet një mënyrë e panatyrshme që na robotizon. “Sa më shumë qëndrojmë pranë njëri-tjetrit, aq më vështirë ta njohim njëri-tjetrin” – pohonte Hesse. Prandaj që ta njohim njëri-tjetrin, që ta çmojmë, na duhet të zhvillohemi secili në mënyrë tonë të pavarur. Për t’u çliruar nga familja, nga shoqëria e kopesë duhet që “rrugët e lirisë” t’i njohim dhe ndjejmë vetë. Ecja vetëm gjithsesi është e mundimshme, është e rrezikshme, por ama është rruga më e sigurt.

Të rrugëtosh i vetëm nuk do të thotë që të tjerët nuk kanë rëndësi për ty, përkundrazi ecja vetëm na miqëson me të tjerët, na bën ta perceptojmë dhe ta ndjejmë veten si pjesë të një shoqërie plurale. Që të bëhemi me të tjerët miq të vërtetë, kushti i vetëm është që të bëhemi vetvetja.

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.