Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analizë

Cirkun nuk ua solla unë, por e gjeta mes jush

Përkulja e Thaçit para vorreve të serbëve në Grackë, nuk na habiti hiç. Qysh nuk na habiti përmbajtja e telefonatave të përgjueme të shefave të Kosovës. Nuk asht befasi që akti i përkuljes së Thaçit para vorreve të serbëve në Grackë nuk zgjoi as interesimin e serbëve të Kosovës thuejse hiç. Nji prej arsyeve mendoj që qëndron në faktin se serbët ma së pari nuk janë gati me e respektu atë çka Thaçi reprezanton për ta: nji shqiptar në krye të Kosovës, aty ku sipas tyne ish dashtë me qenë nji serb. E pas kësaj, nuk janë gati me respektu dike’ që e konsiderojnë kriminel.

Ajo çka ia vlen me u shtu këtu sidoqoftë, asht që mungesa e interesimit të komunitetit serb në Kosovë për nji akt të tillë prej kryetarit të Kosovës nuk ka të baj shum me hijen e Thaçit, sa asht e ndikueme prej politikave të Serbisë, të cilët po mbajnë peng popullin serb në Kosovë me retorikën e tyne, me premtime e me propaganda që krijojnë pengesa për popullin serb në Kosovë me e pa veten për të mirë e për të keq, thjesht si qytetarë të Kosovës.

E Thaçi nuk ndalet, lypë vorre serbe të cilave s’iu ka përkulë hala për me iu përkulë, jo për me u shprehë dashni atyne aq shum, sa për me e pasrtru veten prej mëkateve tue u shpërla në ujin e shenjtë të syve diplomatike të botës. Syve me të cilët ndihet boll i fortë me luejtë k… me to. Ose qashtu ia merr mendja atij, kur flet me dosta në telefon.

Sa i përket përkuljeve të Thaçit, aq sa mundet me u quejtë përkulje nji përulje e nji njeriu pa fije karakteri, ky akt ishte nji veprim aq i largët për Thaçin ma së pari si gjest human, e pastaj si nevojë politike tue qenë se sot u ba ma vështirë se kurrë me e gjetë nji shqiptar që ka naj simpati për Thaçin, saqë për serbët e Kosovës, atij s’ish dashtë me iu ba vonë edhe ma hiç. E në këtë pikë, rrofshin ambasadat, se mos me qenë ato me pasë ide të tilla gjeniale për pajtimin e popujve me përkulje idiotike, Thaçi kish mbaru. Por, tue pasë parasysh ofendime që ua ban Thaçi ambasadave të hueja në telefonatat e përgjueme, shtrohet pyetja: sa ngushtë e kanë kapë këtë njeri këto dhe eventualisht për ku, për me ia përkulë kurrizin kaq poshtë para vorreve serbe në pllakën memoriale të së cilës shkruen që shqiptarët janë terrorista? Shum ngushtë, shum shum ngushtë pa dyshim.

Nuk çuditem nëse serbët e kanë interpretu përkuljen e Thaçit ma përpara si përqeshje sesa si nderim. Por, unë nji pacifiste, kisha dashtë me i çliru serbët prej këtij kompleksi, sepse Thaçi s’ka nevojë me u përkulë para vorreve të serbëve, mbi pllakat përkujtimore të së cilëva vulos shqiptarët si terrorista, për me e ba nji përqeshje me serbët, ai si ish-lider i UÇK-ës.

Thaçi gjatë krejt karrierës së tij politike ka ba akte përqeshëse dhe kur mundet me i përqeshë gati dy milion shqiptarë, pse me u lodh me do serb?  Po du me thanë që mungon motivi për nji përqeshje kaq selektive, jo që akti në vetvete nuk ishte qesharak. Thaçi dhe klani i afërm i tij, për aq sa vlen, janë cirk në vete. Ata nuk diskriminojnë kur përqeshin. Këtu bile të pajtohemi, sepse para këtij bariu, jemi dele barabartë.

“Cirk, që nuk ua solla unë, por e gjeta mes jush”, po më duket që po e ndi tue thanë. Thaçin e kanë pru dhe mbajtë në fron serbët po aq sa na. Mos të ishin serbët me ba koalicione me të, e të ishim na ma të mençun, ndoshta edhe s’kish me u përkulë para vorreve të tyne sot. Kishim pshtu prej nji përqeshjeje ma shum, edhe ata edhe na. Na, krejt të tjerët pra.

Që ka edhe shqiptarë që kanë ba krime lufte ndaj popullatës serbe e rome në Kosovë gjatë luftës së fundit, nuk dyshoj, por Serbia, e këtë duhet me e theksu me shkronja të mëdha kur të
flasim për drejtësi, KREJT LUFTËN NDAJ SHIPTARËVE E KA PASË KRIM.

Qe po e tham edhe ma shkurt e shqip, se moti nuk e kemi përmendë luftën: Serbia ka dashtë me na shfarosë neve. Mirë që s’po mashtrohen sot serbët prej përkuljeve të Thaçave, sepse nuk janë përveç politikë dhe nuk përfaqësojnë as afër realitetin kosovar mbi pajtimin mes popujve.

Me i trajtu këto tema, pa e marrë parasysh historikisht motivin politik e ideologjik asht gabim, asht çrregullim i fotografisë reale të nji të kalueme që ka lanë pasoja ndër gjenerata. Asht edhe rrezik, sepse tue shti bërllogje të tilla ndër tepih, bahet e mundshme përsëritja e gabimeve. Duhet edhe ata e edhe na me u përballë me këtë, për të mirën e vetes në radhë të parë. Sidoqoftë, jo veç na. Pra ta trajtojmë pak.

Vrasja e civilistave shqiptarë të vramë prej serbëve gjatë luftës ishte sistematike. Shfarosja e shqiptarëve ishte qëllim që synohej me u arritë me agjendë politike e ideologjike shum të sofistikume të shtetit të Serbisë. Krejt luftën Milloshi, e ka ba kryesisht ndaj nesh, civilistave. Dhe Milloshi ishte trimi i mirë me shokë shum, disa prej të cilëve sot udhëheqin me Serbinë, si demokratë. Tashti, të kaluemën s’mujna me e kthy mbrapsht, por asht e randësishme me e kuptue që me njerëz të kuvendeve të vjetra nuk bahen vendet e reja.

Dhe, këta pseudodemokratë s’kanë pse me u përkulë, apo jo?! Gjeneratat e reja serbe, – që u mungon nji jehonë që kishte me i vetëdijësu e informu për gjenocidin e bamë në Kosovë prej Serbisë, – nuk kanë nevojë për pamje të politikanëve serbë tue u përkulë para vorreve të të vramëve shqiptarë në Kosovë. Jehona e vorreve tona nuk u mjafton për me e dashtë paqen, as tonëve, e le ma atyne!

Në anën tjetër, nëse përkuljet “janë” ftesë për paqe, dhe nëse parakusht për me mësue faljen dhe paqen asht dënimi i kriminelëve, sa kriminelë serb u dënuen prej shtetit të Serbisë për krimet e bame në Kosovë? Megjithëse asht e vështirë me denu dike’ për diçka që ti si shtet nuk e konsideron krim në radhë të parë. Apo jo?!

Blerinë Jashari. Emni i saj ishte Blerinë Jashari, nuk ishte “varrezat e dëshmorëve”, as “varrezat e Prekazit”. Por janë shum, apo jo, s’mujna me ua mësu emnat krejtve. Sidoqoftë, nuk më erdh çudi me lexu me nji shkrim, qysh në mbrojtje të popullit serb autorja kërkonte dhe insistonte bile, që gjeneratat e reja shqiptare duhet me u vetëdijësu e informu që 14 civilë serbë (numër i konsiderueshëm ky) u vranë në Grackë. Ajo as nuk e shtjelloi çka quen „të konsiderueshme“ kur foli për humbjet që kanë pësu serbët, por mendja ma thotë që këtu ka parasysh numrat dhe po mundohet me kompensu, së paku emocionalisht. Unë në dallim prej saj, nuk e di çka asht humbje e konsiderueshme, sepse mendoj që çdo humbje e jetëve të njerëzve asht dhimbje për dike’. Dhimbja asht çdo herë e konsiderueshme. Por ajo ka të drejtë me mendu kështu, sepse mediokritetit të saj paqedashës që i shkon për shtati projekteve të BE-së për ndërtim të paqes i përkulet sot Thaçi.

Ajo thotë që pajtimit midis komuniteteve etnike në Kosovë, si hap i parë, i paraprin momenti kur familjet e të vramëve kuptojnë se edhe nga “ana tjetër” ekzistojnë familje të të vramëve! Në këtë rast, hapi i parë sipas saj asht që gjeneratat e reja shqiptare me e kutpu që të vramë civilë ka pasë edhe ndër serb. Ndërkohë që ajo, as edhe nji fjali nuk u lodh me e harxhu për dhimbjen e këtyne gjeneratave të reja, disa prej të cilëve u rritën jetimë të molisun prej përvojës të luftës, të tjerët me histori përdhunimi qysh në fëmini; ajo nuk e tha asnji fjalë për traumat që po i trashëgojnë këto gjenerata të reja tash gati dy dekada, përveç atyne të trashëgueme luftë pas lufte ndër shekuj, veç pse ishin shqiptarë. Ajo nuk do me përmendë që na jemi rritë me orë policore, me milicë që na hynin në oborr e na lypnin babën me na e arrestu se e ka lëshu shpinë për shkollë, me studenta që mësonin në shilte e kcenin gardhe prej shpisë në shpi tue ikë prej milicisë. Tue i përmendë veç këto, po tregona modeste. Ajo nuk po do me e përmendë që edhe gjeneratat tona të vjetra, ishin dikur të reja dhe u plakën tue vuejtë prej përndjekjeve e torturave të Serbisë. Por, pse me i përmendë ajo këto, kur ajo ka të drejtë me mendue si paqedashëse, sepse mediokritetit të saj paqedashës që i shkon për shtati fondeve për projekte paqendërtuese sot i përkulet Thaçi.

Nji gjest sikur ai i Thaçit, kish mujtë me shërbye si urë ndërtimi për paqe, ma së pari atëherë kur asnji urë në Kosovë nuk e ndan shoqninë kosovare në veri e në jug etnik; kur paqja si synim nuk mbetet veç agjendë politike por bahet vullnet i sinqertë shoqnor. Atëherë ku komuniteti serb i Kosovës, e sheh veten si pjesë e Kosovës, e nuk pretendon ndamje edhe ma të madhe përmes asociacioneve. E para krejt këtyne, kur Thaçi, ky pronto-shef, hipokrit e paqedashës mediokër, nuk asht kryetar i Kosovës.

Për paqe në letër, dy njerëz duhen, nji Thaç i joni, nji i tyne edhe bahet. S’kanë nevojë as me qenë të mençëm, mjafton me i nxanë ngushtë najkush. E s’ma merr mendja që kjo asht e vështirë. Por, ajo e cila ka me na ndihmu me u shnoshë, ata prej dhimbjes së katërmbëdhjetë civilëve në Grackë, neve prej (kush i ka numrue) tonëve, ajo do dashni, dashni për njeriun, dashni për të vërtetën, dashni për të ardhmen, pa dallu.

E kjo s’importohet lehtë me “copy paste” prej projektpropozimeve të Bashkimit Europian. Do me u mbjellë thellë, në ato gjeneratat e reja që përmendem. E kjo s’ka me ndodhë po get shum shpejt, përderisa nuk kuptohet që nëse asht dashtë me ba jehonë dikund kjo përkulje asht dashtë me ba jehonë ndër serbë, e ata ish dashtë me u vetëdijësu që për katërmbëdhjetë civilë serbë nji kryetar shqiptar u përkul tue e ditë që krejt shqiptarët kanë me ia nxanë për të madhe (pavarësisht që kena boll arsye tjera mos me e dashtë këtë njeri pa bisht, e pavarësisht që këtë gjest e ka ba se nuk e ka vetë kurrkush a po don, veç ia kanë kallxu datën, por ajo asht tjetër muhabet) përderisa sot e 17 vite për mijëra viktima civile shqiptare, rome, ashkalinj, hala as nji serb nuk u përkul. Nejse, për këta të fundit, pra maxhupët, as shqiptarët nuk përkulen.

Po pra, njani asht dashtë me e ba këtë gjest i pari. Paqja do gjunjëzim. Por, tue qenë se kanë kalu 17 vita të ri; 17 bajrama; 17 krishtlindje; 17 shën gjergja; 17 datëlindje; 17 përvjetora; 17 8marsa; 17 1 maja; 17 28 nëntora; 8 pavarësia e hala shqiptarët eshnat i kanë të zhdukun, i pari që përkulet nuk asht dashtë me qenë nji shqiptarë. Nuk asht çashtje e krenarisë, apo dobësisë. Asht çashtje e sinqeriteti për me ba paqen përnime. E besoj këtë, si nji njeri që e ka profesion me ua zbutë traumat njerëzve, kësaj gjeneratës të re që nuk iu dha asnji mundësi me guxu me tregu me gisht kah dhunuesi; kësaj gjenerate që iu kërku me falë hala pa i kajtë të humbunit; kësaj gjenerate që iu premtu liria e rrin e izolueme në Kosovë, kësaj gjenerate që sheh qysh Serbia then qafen me ia mshelë dyert nëpër botë në sport, kulturë, shkencë dhe bota e lejon…; kësaj gjenerate që iu tha mos e përmendë ma kurrë luftën; kësaj gjenerate që Grabitqarët i bahen shefa.

Serbët vazhdojnë me i mohu përdhunimet; vrasjet; përndjekjet që ua banë shqiptarëve. Serbët e Kosovës vazhdojnë me mohu që kryetari shqiptar që u përkul para vorreve në Grackë, asht edhe kryetar i tyne (mafioz e përtej, po get) ama edhe i tyne; serbët e Kosovës vazhdojnë me mohu që Kosova asht shtet, që veriu asht Kosovë, por nuk e kanë problem me marrë rroga prej qeverisë së Kosovës, mbi ato që marrin prej Serbisë kuptohet. E dojnë Kosovën (mundësisht pa shqiptarë) dhe tue qenë si asht, e mohojnë përgjegjësinë me e ndërtu atë.

Paqja, si ide e re nuk ndërtohet me përralla të vjetra, prej të cilave dikur lindën luftrat. Për me mbrri nji ditë paqen që e dëshirojmë si njerëz, asht e randësishme me e kuptu që me u pajtu asht lehtë, nëse me pajtim nënkuptojmë korrektësi politike për qejf të ambasadave të hueja. Por, me gjetë pikën ku ndjenjat tona nuk hasin në konflikt me pajtimin, duhet me qenë qëllimi për paqe, e për me mbrri në atë pikë, duhet me kalu përmes të vërtetës, e cila nuk asht aq relative sa ka kandvështrime.

Të fillojmë tue u pajtu që sa i përket luftës në Kosovë, nuk janë dy të vërteta. E nëse nuk mujna bashkë me i ra në fije hiç, cili prej nesh me lëshu dorë prej të vërtetës së vet, po e bajmë thjesht, po i numrojmë vorret.

Boll e mshelëm gojën për krimet e bame ndaj nesh. Nuk kena nevojë për hakmarrje, por kena nevojë me na i kthye eshnat e të zhdukunve tanë.

Para se me i mësu emnat e katërmbëdhjetë serbëve të ramë në Grackë, kena nevojë eshnave të bijve tanë të zhdukun me ua çelë nji vorr, e me ua vu emnin mbi gurë. Serbia me na njoftë si shtet e jo me na quejtë „takozvana drzava“, dhe me i largu gishtat e saj të stërgjatun që ia ka ngulë Kosovës, kishte me qenë poashtu nji ftesë e mirë për paqe.

Gjeneratat tona të reja nuk kanë nevojë për „bullshita“ teorike mbi paqen, për definicione të projekteve paqendërtuese, por kanë nevojë për lëvizje të lirë; për naj vend pune; për sigurim shëndetësor; kanë nevojë me ndjekë medalje ari e në vend të lotëve kur marrin medaljen para syve të gjithë botës, na kena nevojë për buzëqeshjen e tyne, si nevojë njerëzore jo si dhimbje kombëtare.

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.