Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analizë

PISA 2015: Përtej rezultateve mesatare të Kosovës dhe transparenca që ka munguar

Derisa rezultatet e nxënësve të Kosovës në programin për vlerësim ndërkombëtar (PISA) të vitit 2015 që u prezantuan këtë javë po diskutohen gjerësisht (por më shumë prej mediave sesa prej institucioneve përgjegjëse e shumë më pak prej profesorëve të fushës së edukimit), në këtë vështrim të shkurtë adresohen qëllimet e  vlerësimit PISA dhe vendosja e rezultateve të nxënësve të Kosovës në PISA 2015 edhe në kontekstin e atyre pritjeve edhe në kontekstin e Kosovës si shoqëri. Në pjesën e dytë, rezultatet në PISA 2015 diskutohen përmes shtjellimit të dy treguesve të caktuar, që janë rezultatet e Kosovës sipas gjendjes socio-ekonomike të nxënësve dhe përqindjes se në ç’masë dallimet në performancën e nxënësve në Kosovë iu atribuohen dallimeve mes shkollave.

Rezultatet e ulëta të nxënësve të Kosovës në PISA 2015 nuk arsyetohen, por mund të ngrihen pyetje nëse vlerësimi i PISA-s është vlerësimi më adekuat për kontekstin e Kosovës. Po ashtu, duhet studiuar se në ç’mënyrë konteksti institucional, kulturor e shoqëror në Kosovë ka kontribuar në performancën e ulët, dhe cilat janë gjasat që konteksti aktual institucional të sjellë ndryshimin dhe progresin e nevojshëm për performancë më të mirë të sistemin arsimor edhe brenda vendit edhe në vlerësimet ndërkombëtare të ardhshme.

Çfarë është PISA dhe cilat janë qëllimet e saj?

PISA është përpjekja më gjithpërfshirëse dhe rigoroze ndërkombëtare që përpiqet të vlerësojë performancën e nxënësve të moshës 15 vjeçare të shteteve pjesëmarrëse në shkencë, lexim, dhe matematikë, dhe të mbledhë të dhëna për faktorët e ndërlidhur me nxënësit, familjen, dhe institucionet arsimore që mund të ndihmojnë në shpjegimin e dallimeve në performancë qoftë në mes shkollave dhe nxënësve brenda një shteti ose në mes shtetesh në nivel ndërkombëtar. PISA është instrument i Organizatës për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD) dhe anëtarëve të saj për të matur se sa mirë janë të rinjtë e shteteve të tyre të përgatitur për t’u përballur me sfidat e shoqërive të sotme. OECD-ja shpesh quhet si klubi i shteteve të pasura sepse në të përfshihen 35 shtetet me ekonomitë më të avancuara në botë, përfshi edhe tri shtete që kanë zhvillim më të ulët ekonomik e shoqëror si Meksika, Kili dhe Turqia.

Qëllimi i PISA-s është që të sigurohet një bazë për dialog rreth politikave arsimore dhe për bashkëpunim në përcaktimin e qëllimeve arsimore në mënyra inovative që reflektojnë qëndrimet se cilat janë shkathtësitë e rëndësishme për jetën në moshën e rritur. PISA synon të japë përgjigje në tri pyetje themelore:

A janë nxënësit të përgatitur mirë për sfidat e ardhshme?

A munden ata të analizojnë, arsyetojnë dhe komunikojnë në mënyrë efektive?

A kanë ata aftësi për të vazhduar të mësojnë gjatë tërë jetës?

PISA është vlerësim unik në atë që hulumton se sa mirë janë të përgatitur të rinjë për t’u përballur me sfidat e së ardhmes, në vend të asaj se sa mirë e kanë mësuar ata përmbajtjen e caktuar kurrikulare. Tutje, PISA fokusohet në aftësitë e nxënësve që të aplikojnë njohuritë dhe shkathtësitë në fushat kryesore lëndore si shkencë, lexim, dhe matematikë derisa ata analizojnë, interpretojnë dhe zgjidhin probleme. Dhe në fund, PISA mat performancën e nxënësve në shkencë, lexim, dhe matematikë dhe po ashtu mbledh të dhëna prej nxënësve lidhur me motivet e tyre, besimet dhe qëndrimet për vetën, dhe strategjitë e tyre të mësimnxënies.

Duke marrë parasysh kontekstin në të cilin përgatitet vlerësimi PISA dhe qëllimet e saj, mund të ngrihen pyetje nëse vlerësimi PISA është instrumenti më adekuat për kontekstin e Kosovës për disa arsye. E para dhe më e rëndësishmja është hendeku mes asaj se si e definon PISA të ardhmen dhe realiteti i kontekstit të Kosovës. Me fjalë tjera e ardhmja e nxënësit të një shteti të OECD-së është pakrahasimisht ndryshe prej të ardhmes së një nxënësi 15 vjeçar në Kosovë. Fokusi i OECD-së është në produktivitetin ekonomik të shoqërive të shteteve anëtare, ndërsa mund të shtrohet pyetja se sa janë ato shoqëri të krahasueshme me Kosovën si një shoqëri pothuajse tërësisht konsumuese e me produktivitet ekonomik minimal. Kjo është thyerja e parë pse rezultatet e Kosovës janë të ulëta dhe pritet të jenë njëjtë të ulëta edhe në PISA 2018.

Aspekti i dytë ka të bëjë me fokusin e PISA-s që të mat shkathtësi që janë të nevojshme në të ardhmen e jo në atë se çfarë nxënësit mësojnë në përmbajtjet lëndore gjatë shkollimit. Kjo është thyerja e dytë po ashtu pse rezultatet e nxënësve të Kosovës nuk do të mund të jenë të krahasueshme ndërkombëtarisht as në PISA 2018. Sa i përket aspektit të dytë, kjo është problematikë që nuk e prekë vetëm Kosovën por ka rezistencë të madhe në botën akademike nëse PISA vërtetë është instrument adekuat për të gjitha shtetet pjesëmarrëse e jo vetëm për shtetet në zhvillim, të cilat siç u tregua në PISA 2015, zakonisht zënë vendet e fundit në këtë rangim ndërkombëtar. Për shkak të kësaj shpërputhje të madhe mes shteteve të zhvilluara dhe shteteve në zhvillim OECD është duke e përgatitur një instrument të ri i quajtur PISA për Zhvillim e që do të administrohet në shtete më të ardhura të ulëta dhe të mesme si matës potencialisht më adekuat për shtetet në zhvillim.

Përveç PISA-s ekzistojnë edhe dy vlerësime arsimore ndërkombëtare që janë Trendet në Studimin Ndërkombëtar në Matematikë dhe Shkencë (TIMSS) dhe Progresi në Studimin Ndërkombëtar në Lexim (PIRLS). Të dy këto vlerësime janë instrumente të Asociacionit Ndërkombëtar për Vlerësimin e Arritshmërisë Arsimore (IEA). TIMSS organizohet me nxënësit e klasës së katërt dhe të tetë në matematikë dhe shkencë për çdo katër vite dhe herën e fundit është administruar njëjtë si PISA me 2015. PIRLS teston nxënësit e klasës së katërt në lexim dhe organizohet çdo pesë vite. Herën e fundit është administruar këtë vit. Për dallim prej PISA-s, të dy këto teste bazohen në kurrikulën përkatëse në matematikë dhe shkencë të shteteve pjesëmarrëse dhe për këtë arsye shpesh konsiderohen si instrumente matëse më të besueshme të arritshmërisë së nxënësve në matematikë dhe shkencë për faktin që matja bazohet në diçka që nxënësit e kanë mësuar në shkolla e jo në diçka që do të duhej ta kenë mësuar siç është rasti me PISA-n. Pasi Kosova ka vendosur të jetë pjesë e vlerësimeve ndërkombëtare në arsim ndoshta mund të konsiderohet aplikimi dhe pjesëmarrja edhe në TIMSS (me 2019) ose PIRLS (2021), edhe pse dallimi në performancë nuk mund të pritet të jetë shumë ndryshe prej performancës në PISA 2015.

Përtej rezultateve mesatare të nxënësve të Kosovës në PISA

Rezultatet mesatare të nxënësve të Kosovës ishin të ulëta në të tri fushat e vlerësuara. Pasiqë në vitin 2015, fokusi i vlerësimit ka qenë në shkencë, në vazhdim vetëm rezultatet në shkencë përdoren për të treguar pabarazitë në arritshmërinë e nxënësve në kontekstin e Kosovës duke u bazuar në indeksin e gjendjes socio-ekonomike dhe në ç’masë kontribuojnë shkollat në dallimet në arritshmëri mes nxënësve.

Derisa arritshmëria mesatare e nxënësve të Kosovës në shkencë në PISA 2015 është 377, nëse rezultatet ndahen sipas indeksit të gjendjes socio-ekonomike, dallimi mes performancës së nxënësve që janë në 25% e poshtëm të indeksit dhe 25% të epërm të indeksit është 68 pikë. Mesatarja për nxënësit në çerekun në fund të indekstit është 346 pikë ndërsa për çerekun e epërm 414. Dallimi prej 68 pikësh i vë nxënësit e gjendjes më të ulët ekonomike në Kosovë në disavantazh prej rreth një vit e gjysmë shkollimi në krahasim me kolegët e tyre të gjendjes më të lartë ekonomike. Do të thotë edhe përkundër faktit se asnjë prej nxënësve të Kosovës nuk arritur të performojë në nivelet më të larta 5 dhe 6 në PISA 2015, megjithatë dallimi mes dy kategorive socio-ekonomike është domethënës.

Megjithatë, për shkak se arritshmëria ishte e ulët përgjithësisht, nuk kishte dallime të mëdha në shpërndarjen e rezultateve prej atyre me të ulëta deri tek ato më të larta. E matur në mënyrë statistikore, varianca totale në shkencë në Kosovë ishte 57%, krahasuar me mesataren e OECD-së prej 100%. Tutje, kësaj variance prej 57%, dallimi në performancë në shkencë iu atribuohet dallimeve mes shkollave me 17% dhe dallimeve brenda shkollave prej 40%, ku krahasuar me OECD kjo ndarje është 30% me 70% respektivisht. Proporcioni i ulët i kontributit që dallimet në performancë mes shkollave në Kosovë kanë në performancën e nxënësve në PISA 2015 tregon tri gjëra:

Performanca e të gjitha shkollave në Kosovë është njëjtë e dobët. Pavarësisht se në cilën shkollë nxënësit e ndjekin mësimin, performanca e tyre pritet të jetë njëjtë e ulët mesatarisht.

Shkollat janë më pak të rëndësishme për performancën e nxënësve sesa subjektiviteti individual i nxënësve që ata sjellin me vete në shkollë, që në masë të madhe ka të bëjë me gjendjen socio-ekonomik të familjes apo vlerave tjera (ose mungesa e tyre) që nxënësit sjellin në shkolla nga konteksti i tyre familjar dhe shoqëror. Në rastin e Kosovës gjendja socio-ekonomike e shpjegon performancën e nxënësve vetëm 5% kështu që mbetet të hulumtohet në të ardhmen se cilët faktorë ndikojnë në performancën e nxënësve në Kosovë.

Institucionet arsimore dhe palët e përfshira prej MASHT e deri në nivel të shkollës dhe klasës kanë dështuar që shkollën ta bëjnë të rëndësishme për nxënësit. Të gjitha reformat e filluara qoftë të përfunduara apo papërfunduara nuk e kanë rritur kontributin që duhet ta kenë shkollat  në arritshmërinë e nxënësve.

Krahasimisht, Islanda, Finlanda dhe Norvegjia kanë koeficientin më të ulët të dallimeve në performancë të nxënësve që iu atribuohen shkollave, por në rastin e tyre dhe në bazë të rezultateve që këto shtete arrijnë në vlerësimet ndërkombëtare kjo do të thotë se atje shkollat performojnë njëtrajtshëm në nivel të lartë, që prapë do të thotë se pavarësisht se në cilën shkollë e ndjekin nxënësit mësimin pritjet janë që nxënësit do të performojnë në nivel të lartë.

Ndërkombëtarisht, në botën akademike ka shumë studiues që janë kritik ndaj vlerësimit PISA për atë se çfarë matë testi dhe si përdoren rezultatet për të orientuar politikat arsimore në drejtime të caktuara, por në rastin e Kosovës më në fund për herë të parë kemi një vlerësim që nuk i dënon nxënësit drejtëpërdrejt por shpërfaq mangësitë e kaluara dhe të tashme të sistemit arsimor dhe sfidat që duhen adresuar për të synuar performancë më të mirë në vlerësimet e ardhshme të OECD-/PISA-së apo edhe vlerësimet tjera ndërkombëtare si TIMSS apo PIRLS. Jo për të qenë të krahasueshëm me vendet e zhvilluara të OECD-së, por që arsimi të jetë i vlefshëm për nxënësit në kontekstin e Kosovës dhe për shoqërinë e saj në zhvillim.

Në fund, të dhënat e Kosovës në PISA 2015 ofrojnë mundësi për hulumtuesit arsimor që të trajtojnë tema të ndryshme qoftë në mënyrë përshkruese duke shikuar rezultatet nga perspektiva e ndarjes së arritshmërisë sipas lokacionit të shkollave, apo tipit të shkollave apo ndarjet gjinore në arritshmëri, apo duke aplikuar metoda më të avancuara kuantitative për të hulumtuar faktorët që kontribuojnë më së shumti në performancën e nxënësve të Kosovës në PISA.

Paradoksalisht, MASHT për çdo vit për rreth 10 vjet organizon vlerësime të jashtme në klasën e 9 dhe në rastin e maturës në fund të shkollimit të mesëm të lartë, por ato të dhëna vazhdimisht kanë qenë të mbyllura për hulumtuesit e nuk janë përdorur as nga MASHT për të parandaluar tronditjen që solli PISA. Dhe përtej rezultateve të PISA-s, hulumtuesitë arsimore e të tjerë mund të adresojnë pyetje si:

Cili ka qenë roli dhe kontributi i reformave arsimore të iniciuara nga MASHT që prej marrjes së përgjegjësive për administrimin e arsimit në Kosovë?

Cili ka qenë kontributi i fakulteteve që përgatisin mësimdhënës në Kosovë në përmirësimin e performancës së sistemit arsimor në Kosovë që nga paslufta?

Cili ka qenë roli dhe kontributi i donatorëve ndërkombëtarë në fushën e arsimit në përmirësimin e performancës së sistemit arsimor në Kosovë që nga paslufta?

Cili ka qenë kontributi i trajnimeve të OJQ-ve vendore e ndërkombëtare përmes trajnimit të mijëra mësimdhënësve që nga paslufta në Kosovë?

Pyetja kryesore që duhet adresuar tani është si të veprohet dhe çfarë të ndërmerret për të përmirësuar performancën e sistemit arsimor në Kosovë. Ashtu si edhe në shtetet tjera, rezultatet në arsim janë rezultat i kontekstit institucional, kulturor dhe shoqëror të një shteti. Derisa kontekstet kulturore dhe shoqërore ndryshojnë tepër ngadalë për të pritur ndryshime të mëdha në performancë në një periudhë afat-shkurtë, vetëm ndryshimet rrënjësore në kontekstin institucional mund të sjellin shpresë për ndryshime.

Por sa është i mundur ndryshimi i kontekstit institucional në Kosovë kur që nga pas lufta personat e njëjtë vazhdojnë të hartojnë strategji, përgatisin mësimdhënës, trajnojnë mësimdhënës, zhvillojnë kurrikula, shkruajnë tekste, përgatisin e administrojnë vlerësime, ofrojnë këshilla si ‘ekspertë’ të arsimit, dhe menaxhojnë implementimin e projekteve të fushën e arsimit. Shto këtu edhe faktin që deri në PISA 2018 kanë mbetur vetëm edhe rreth një vit e gjysmë pasi që PISA 2018 organizohet në pranverë të vitit 2018, asnjë mrekulli nuk do të mund ta përmirësojë performancën e sistemit arsimor në Kosovë në periudhën afat-shkurtë.

Ajo që do të duhej të ndodhte është mobilizimi i gjerë shoqëror për t’u vetëdijesuar për rëndësinë e arsimit për secilin nxënës në sistem jo vetëm për të performuar mirë në PISA por që arsimimi në Kosovë të kontribuojë në ngritjen arsimore, etike, e profesionale të nxënësve individualisht e shoqërisë në tërësi. Dhe më pas, pasi të arrihet pajtim për vizionin e duhur, duhet të pasojnë investimet në arsim nga buxheti i Kosovës, dhe të shkëputet varshmëria nga projektet ndërkombëtare të cilat në letër tingëllojnë si shuma të mëdha por ajo që arrin në klasë të mësimdhënësit e nxënësit, siç u tregua me rezultatet e PISA-s, është pothuaj e parëndësishme.

____________

Më shumë nga debati PISA:

Ardiana Shala Prishtina: “Billklintonat, Tonibllerat e Ollbrajtat na „nxorrën faqen e zezë“

Dukagjin Pupovci: PISA-tronditja dhe PISA-këndellja

Dren Pozhegu: PISA dhe fronti i fundit i shpresës

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.