Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analizë

Mbi Republikën e Tretë Serbe në Ballkan

Në kohën kur Sllovenia, Kroacia dhe Maqedonia u patën pavarësuar nga ish-Jugosllavia, Bosnja-Hercegovina ndodhej në një udhëkryq të pazakontë historik: të ndiqte edhe ajo rrugën e tyre, apo të vazhdonte edhe më tutje ekzistencën e saj nën dominimin e Serbisë?

S’do mend, të dyja rrugët ishin katastrofike për boshnjakët.

Megjithatë, populli boshnjak, siç dihet botërisht, ishte përcaktuar për të parën. Pra, për rrugën e shkëputjes dhe pavarësisë. Dhe, siç dhe pritej nga akësecili asokohe, sapo populli boshnjak deklaroi mëvetësinë e vet rrapëlliu agresioni serbo-malazez dhe kroat mbi ta, qëllimi i të cilit ishte copëzimi i Bosnjës në tre entitete politike: serbe, kroate, dhe boshnjake.

Se çfarë ngjau më pas me boshnjakët e shkretë e “përthekon” – deri diku, besoj – edhe kjo bisedë monstruoze:

“Dje, i rregulluam”,- i raportonte një ushtar serb komandantit të vet.

“Sa janë, tridhjetë?”,- e pyeste komandanti.

“Jo!”, ia kthen ushtari në hahatën e tij të madhe: “shtoja edhe dy zero, z. komandant!”

Dhe, për hatanë e botës, teksa boshnjakët masakroheshin masivisht; teksa gratë dhe vajzat boshnjake dhunoheshin barbarisht; teksa shtëpitë, shkollat, spitalet dhe xhamitë ktheheshin sakaq në gërmadha; teksa me dhjetëra mijëra boshnjakë të tjerë detyroheshin të lëshonin shtëpitë e tyre; dhe teksa territori boshnjak tkurrej sa hap e mbyll sytë nga forcat serbe, Karl Bildt – një përfaqësues tipik ky i qasjes ndërkombëtare ndaj popujve të shtypur – u “propozonte” boshnjakëve lloj-lloj maskarallëqesh. “Myslimanët”, thoshte ai në një rast, ta zëmë, nuk kanë alternativë tjetër pos “të zgjedhin tridhjetë për qind pushtet në qind për qind Bosnjë, apo njëqind për qind pushtet në tridhjetë për qind Bosnjë.”

Sigurisht, boshnjakët nuk kishin rrugë tjetër pos të pranonin ndarjen e pushtetit – me shpresën se, në këtë mënyrë, ata do të arrijnë të ruajnë integritetin territorial të Bosnjë-Hercegovinës. Siç shprehej Alija Izetbegovi? gjatë Konferencës së Dayton-it: “Diçka duhet patjetër të ndajmë: ose territorin, ose pushtetin. Më mirë bëjmë sikur të ndajmë pushtetin.”

Mirëpo kjo shpresë e boshnjakëve doli të ishte e kotë ngase serbët me të marrë pushtetin fituan edhe formalisht territorin që e kishin kapur përmes gjenocidit: Republika Srpska-n. Ndërkaq boshnjakët, boshnjakët e ngratë përfunduan si mos më keq: edhe pa pushtet, edhe pa territor.

Sot, Bosnja mbase mund t’i duket unitare një kinezi që nuk ka rastisur të vizitojë më parë Evropën; apo edhe ndonjë alieni që mund t’i ketë qëlluar puna të shkretit të bëjë seri me ne në tokë. Por, jo e jo një boshnjakut, një ballkanasit dhe evropianit.

***

Ky skenar i serbëve në BiH, i shtyer sërish nga planet ekspansioniste dhe hegjemonike të Serbisë në Ballkan, rrezikon të jetësohet edhe në Kosovë me themelimin e Bashkësisë së Komunave me Shumicë Serbe në veri të vendit – pjesë kjo që ka mbetur e paintegruar në grehinën juridiko-politike të Kosovës për një mal shkaqesh. Njëra ndër to, ta zëmë, ka të bëjë me mos-çlirimin e vendit në vitin 1999. Disa, ma ha mendja, do të ma shohin për të madhe që po e them këtë; e disa të tjerë, që besa, do të ma tërheqin edhe vërejtjen, duke më thënë:

– Ore, Kosova është çliruar në vitin 1999. Ç’janë këto budallallëqe që flet?

E, si qenka çliruar në vitin 1999, do t’i pyesja unë këta zotërinjtë e iluminuar, kur pjesa më e rëndësishme e vendit — ajo veriore — mbahet akoma e okupuar nga strukturat e Serbisë? Sinqerisht: ç’logjikë ka të thuash se Kosova është çliruar në vitin 1999; dhe, në të njëjtën kohë, të pohosh se veriu i vendit vazhdon të mbahet i okupuar nga strukturat e Serbisë? Apo ndoshta kemi pushuar së konsideruari veriun e vendit si pjesë të pandashme të Republikës së Kosovës; prandaj edhe po themi se jemi çliruar në vitin 1999? E, nëse nuk e konsiderojmë si të tillë – pra, si pjesë të Serbisë, por si pjesë integrale të Kosovës – atëherë i bie se Kosova ende nuk është çliruar tamam nga Serbia, apo jo?

Përveç këtij shkaku, qyshdoqoftë, një shkak tjetër i rëndësishëm ka qenë pa mëdyshje edhe procesi i decentralizimit. Siç dihet, në vend se institucionet tona fillimisht të bënin integrimin e qytetarëve serbë; dhe më pas, pse jo, t’u delegojnë gjithë pushtetin e nevojshëm, ato e realizuan pikërisht të kundërtën: u dhanë pushtetin para se të bënin integrimin e tyre. Dhe ngjashëm si në rastin e Bosnjë-Hercegovinës, edhe në rastin tonë mendoj se serbët vetëm sa e zgjeruan kontrollin formal të territoreve të banuara nga ana e tyre.

Një shkak tjetër më i rëndësishëm se ky, sigurisht, ka qenë pakoja e famshme e Ahtisarit; e cila, përveç të tjerash, i hapi rrugë themelimit të komunave të reja me shumicë serbe; zgjerimit të autonomisë në fushën e policisë, doganave, gjyqësisë, arsimit, shëndetësisë, kulturës, etj. Gjithashtu, i hapi rrugë Serbisë edhe formalisht të financojë strukturat e veta në veri të vendit; dhe, ç’është më e keqja, bëri të mundur që komunat me shumicë serbe të bëjnë themelimin e asociacioneve komunale, qoftë ndërmjet vete, qoftë me ato në territorin e Serbisë. Sot, pikërisht për sherrin e kësaj pakoje serbët janë edhe më të pavarur në raport me shtetin e Kosovës dhe më të varur në raport me shtetin serb seç ishin dikur.

Shkaku i katërt, në gjykimin tim, ka të bëjë me shpalljen e Deklaratës së Pavarësisë dhe normalizimit që ajo i ka bërë status quo në veri të vendit. Në vend se ky moment i rëndësishëm politik të shfrytëzohej si mundësi për të suspenduar kontrollin faktik të Serbisë në atë pjesë të vendit, institucionet tona veçsa e stabilizuan atë. Për më tepër, do të thoja unë, vetëm sa e kanë përkeqësuar duke mos ndërmarrë as edhe një veprim serioz që do të mundësonte integrimin e veriut të vendit në grehinën juridiko-politike të Kosovës.

Ndaj edhe kur e dëgjoj Thaçin, Mustafën dhe Veselin duke kërkuar prej Serbisë që “t’i ndalë provokimet e saj në veri të vendit” më vjen menjëmend të qesh shumë. Sepse, sinqerisht: Si ka mundësi që shteti serb të bëjë provokime në një pjesë të vendit ku ai e ka ruajtur kontrollin faktik edhe pas kohës së pasluftës? Ajo që ka provokuar herë pas here, realisht, ka qenë Qeveria e Kosovës me veprimet e saj aventureske: një herë me 25 Korrik 2011, dhe herën tjetër me dërgimin e forcave policore për ndaljen e trenit që mbante mbishkrimin “Kosova është Serbi.” Edhe atë, siç pranohet gjerësisht, më shumë për interesat vetjake të Thaçit, sesa për integrimin e veriut të vendit në rendin juridiko-politik të Kosovës.

Shkaku e fundit, në pikëpamjen time, ka të bëjë me negociatat e zhvilluara në Bruksel; të cilat, përveç dëmëve të tjera (p.sh. lehtësimi i rrugës së Serbisë për t’u anëtarësuar në Bashkim Evropian, pranimi i fusnotës, marrëveshja për telekomin e kodin telefonik, etj.), kanë prodhuar edhe një sërë pasojash direkte për veriun e vendit. Pikësëpari, kanë bërë që serbët të vazhdojnë të shohin Beogradin si adresë të tyre, e jo Prishtinën. Në një mënyrë ose tjetër, institucionet e Kosovës u kanë transmetuar këtë gjë qytetarëve serbë përmes shkuarjes në dialog me Serbinë: “Shiqoni, ju nuk keni punë me ne, dhe as nuk keni çfarë kërkoni nga institucionet e Kosovës; gjithçka që ju dëshironi kërkojeni nga Republika e Serbisë – ajo kontrollon atë pjesë të vendit, dhe ajo mund të ju dalë në ndihmë. Ndryshe, ne do të dialogonim me ju, jo me Serbinë. Prandaj edhe quhet dialog ndërshtetëror, you morons!”

Dikujt, mbase, mund t’i duket se po e teproj si shumë me imagjinatën time, mirëpo e vërteta është pikërisht kjo që po e them. A nuk ju ka rastisur, ta zëmë, të dëgjoni Thaçin, Mustafën, Veselin dhe Tahirin (“Dialoguesen”) duke u krekosur si “dialogu me Serbinë është dialog ndërshtetëror?”

Shumica prej jush besoj se po.

E, nëse kjo që deklarojnë këta zotërinjtë është njëmend e vërtetë, “që dialogu midis Kosovës dhe Serbisë është dialog ndërshtetëror”; dhe duke qenë se përgjatë gjithë këtyre viteve të dialogimit nuk kemi parë ndonjë gjë të Serbisë të jetë diskutuar ndonjëherë por vetëm e Republikës së Kosovës, si rrjedhim i bie se paska diçka shtetërore të Serbisë në Kosovë që po e bën dialogun me Serbinë “dialog ndërshtetëror,” apo jo? Përndryshe, ç’kuptim ka ta quash dialogun me Serbinë dialog ndërshtetëror nëse vetëm Kosova është temë e dialogut?

Pra, në një farë mënyre, të thuash se dialogu midis Kosovës dhe Serbisë është dialog ndërshtetëror, kur vetëm Kosova është temë e dialogut, është shumë herë më e rëndë se të thuhet që nuk është i tillë; sepse me këtë automatikisht ia njeh (recognition) sovranitetin Serbisë në atë pjesë të vendit tonë.

Së dyti, kanë prodhuar marrëveshjen e famshme për një Gjykatë Themelore dhe një Zyrë Prokuroriale në rajonin e Mitrovicës, ku përfshihen edhe komunat e tjera me shumicë serbe. Siç dihet, të dyja këto institucione – Gjykata Themelore dhe Prokuroria Themelore – do të operojnë jashtë rendit juridik të Republikës së Kosovës; dhe, ç’është më e keqja, stafi i tyre do të përbëhet vetëm nga pjesëtarë të komunitetit serb në Kosovë. Së treti, kanë bërë që strukturat shtetërore të Serbisë të legalizohen brenda institucioneve të sigurisë, dhe që kriminelët serbë të amnistohen. Së katërti, kanë bërë që partitë serbe që deri diku kanë mbajtur një qëndrim më të butë karshi shtetit të Kosovës të shuhen përfundimisht nga jeta politiko-institucionale në Kosovë. Këto parti, mendoj, kanë mundur të ndihmojnë institucionet e Kosovës për të bërë integrimin e qytetarëve serbë në jetën politike, sociale, ekonomike, institucionale, arsimore, kulturore, e kështu me radhë. Mirëpo ja që konjukturat e korruptuara në Prishtinë nuk u “kujtuan” kurrë për ta bërë këtë gjë.

Së pesti, dhe që lidhet me këtë, kanë bërë që të themelohet Lista Srpska; e cila, si vegël e Beogradit që është, punon gjithë ditën e lume për interesat e Serbisë në Kosovë, e jo edhe për përmirësimin e jetës së qytetarëve serbë. Pasoja e “fundit” – dhe kjo, në fakt, është edhe frika ime kryesore pse druaj se veriu i vendit do të shndërrohet në një Republika Srpska III – ka të bëjë me marrëveshjen për themelimin e Bashksisë së Komunave me Shumicë Serbe. Dashur pa dashur, kjo Bashkësi do ta shndërrojë Kosovën në një shtet të dështuar, kurse pjesën veriore të vendit në një Republika Srpska të tretë në Ballkan – pas asaj në Bosnjë-Hercegovinë dhe në Serbi (kjo e fundit si shtet nukleus i dy të parave).

Të merremi vesh: sikur shteti serb të kishte njohur Republikën e Kosovës; ose të paktën të mos kishte pretendime territoriale; apo edhe në qoftë se serbët lokalë të njihnin shtetin e Kosovës dhe veriu i vendit të mos ishte i populluar me shumicë serbe, themelimi i një bashkësie të tillë nuk besoj se do të paraqiste ndonjë problem të madh. Mirëpo, duke e ditur se Serbia ka aspirata territoriale ndaj Kosovës; duke e ditur se popullata serbe nuk e njeh shtetin e Kosovës; dhe duke e ditur se veriu i vendit është i populluar me shumicë serbe, themelimi i një bashkësie të tillë do të ishte katastrofik për fatin e Republikës së Kosovës.

Ideja se duke u dhënë më shumë pushtet serbët do të integrohen në Kosovë do të thotë të bësh gabimin e njëjtë që boshnjakët bënë në mesin e viteve ‘90ta: të pranosh ndarjen e vendit. Të jeni të sigurtë: po që se do të ishte për të drejta serbët do të ishin mjaftuar qëmoti me pushtetin e siguruar nga procesi i decentralizimit, e leje më me ato që u garantohen me pakon e Ahtisarit dhe Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Mirëpo këtu nuk janë në pyetje të drejtat e qytetarëve serbë, por interesat e Serbisë. Po që se nuk e kupton këtë fakt elementar rreth ekspansionizmit dhe hegjemonizmit serb në Ballkan nuk ke arritur të kuptosh gjë nga historia.

Ndaj edhe si qytetar i zakonshëm i këtij vendi bëj thirrje që të mos lejohet themelimi i një bashkësie të tillë. Në të kundërtën, nëse veç lejohet themelimi i saj druaj se Kosova do të bëhet pakthyeshmërisht një shtet i dështuar – ngjashëm si Bosnja, Somalia, Sudani, Eritrea, Jemeni, Chad-i, etj. Madje edhe më keq se Bosnjë-Hercegovina; sepse, tek e mbramja, Bosnja është njohur nga Serbia si shtet i pavarur dhe sovran; ndërkaq, në rastin tonë, Serbia edhe nuk do të njeh Kosovën, edhe do ta themelojë Republikën Srpska.

Këtë gjë nuk duhet lejuar, kurrsesi.

(Përshtypja ime është se çështja nuk është më nëse je apo jo për republikën e tretë, por për cilën republikë je: 1) për atë që e ka artikuluar Lëvizja Vetëvendosje, që, me gjithë vërejtjet dhe kritikat që mund të kemi për të, është mundësia e vetme për ta bërë Kosovën shtet në kuptimin e plotë të fjalës (ngjashëm siç është bërë realisht Franca pas pesë republikave), apo 2) për atë që Serbia është duke u përpjekur të krijojë në Kosovë, e që do të ishte fatale për fatin e Kosovës dhe Ballkanit në përgjithësi? Vetëm e para, them unë, e shpëton Kosovën nga qeveritarët e korruptuar dhe ekspansionizmi e hegjemonizmi serb.

Prandaj unë jam për të parën, po ju?).

 

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.