Connect with us

Hi, what are you looking for?

Opinion

Liria e shprehjes në provincë

Ilustrimi nga Big Eye.

Të drejtat e homoseksualëve. Krimet e kryera nga shqiptarët gjatë dhe pas luftës. Thyerja e miteve fetare.

Sot është bërë relativisht e lehtë për njerëzit që të shprehen lirshëm për këto tema kontraverse dhe të mos përballen me pasoja (përseris: relativisht).

Por kjo lehtësi mbase vlen vetëm në Prishtinë, në mediat dhe në institucionet që ndodhen aty (psh. në universitete, rrethe OJQ-sh, etj). Për ata që jetojnë në kryeqendër, më nuk përbën ndonjë trimëri të madhe mbajtja e qëndrimeve që janë jokonvencionale për shoqërinë në tërësi.

Kjo është deri-diku edhe e natyrshme për një kryeqytet. Duke qenë “pika të shkrirjes” së pjesëve të ndryshme të shoqërisë, vatra të elitave intelektuale, si dhe vende që komunikojnë më shumë me botën e jashtme – kryeqytetet mësohen më shpejtë që dallimet në mendime t’i shohin si gjendje normale, madje edhe të dëshiruar.

Grupet e njerëzve me qëndrime kontraverse aty fitojnë edhe atë që quhet “siguri në numër” – apo ulje të rrezikut për individët për t’u shprehur mbi diçka sepse rrezikun e marrin mbi supe edhe të tjer?.

Jo më kot demokracia antike ka lindur në polis dhe ajo moderne nisi me një revolucion në Paris.

Madje, në Prishtinë tashmë shohim se frikën për t’i shprehur qëndrimet e tyre kanë filluar ta ndiejnë më shumë ata që nxisin urrejtje dhe dhunë në emër të ideologjive reaksionare. Shprehja publike e ligjërimit fashist është bërë diçka që rëndom prodhon reagime nga qendrat kyresore të formësimit të opinionit, apo edhe nga institucionet e rendit.

Duket se të paktën në kryeqendër dhe në mediat “mainstream” e kemi arritur njëfarë suksesi në këto (gati) tetëmbëdhjetë vite të lirisë, duke i mbjellur disa pararoja të demokracisë.

Megjithatë, kur vjen puna te kufizimi i fjalës së lirë publike, gjendja është krejt tjetër në komunat më të vogla, ku ata që janë intelektualisht më ambicioz jetojnë nën trysni të fortë nga mjedisi konservator, e për rrjedhojë shpesh vetëcensurohen.

Nuk ka dyshim se edhe Prishtina mbetet shumë provinciale në mendësi dhe në menyrën se si funksionon kulturalisht (sidomos kur krahasohet me qendrat metropolitane europiane). Por në komunat e vogla mbetet shumë herë më i fortë presioni mbytës i konformizmit – ajo tirania e shumicës që sundon përmes kulturës së disciplinimit komunitar.

Bëhet fjalë për një kulturë ku çdokush – prej komshiut e deri te kushëriri më i largët – ndihen të lirë për të të gjykuar dhe qortuar për punët që duhej të ishin tuajat, e për t’u munduar për të të çuar në “rrugë të drejtë”. Ashtu siç këtë rrugë e kupton zakoni, i cili shpesh është parak, patriarkal, misogjen, anti-intelektual, etj.

Nuk jetojmë në epokën e gjuetisë ndaj shtrigave dhe varjes së shkencëtarëve. Por në shumë mjedise në Kosovë, njëlloj si në shumë bashkësi të mbyllura të Europës që po votojnë për fashistë, akoma gjallon i njejti impuls që individin e lirë e sheh si kërcënim. Mjedise ku individi ekziston në funksion të zakoneve të komunitetit dhe jo e kundërta.

Në një situatë të tillë të gjykimit kolektiv ndaj “deles që largohet prej kopesë”, nuk është e çuditshme që dikush e merr guximin për ta sulmuar “delen devijante” edhe fizikisht, si formë e marrjes së drejtësisë në duar.

Javës që shkoi kjo i ndodhi edhe shkrimtarit Azem Deliu nga Skenderaj, sulmin ndaj të cilit, siç u tha, e bënë disa individë me pikëpamje ekstremiste fetare, si reagim ndaj disa qëndrimeve publike të Deliut për profetin Muhamed.

Ndërkohë që shkrimtari Deliu hasi në mbështetje të gjerë dhe të merituar publike nga kryeqendra, nuk munguan edhe zëra me autoritet publik që e përbuzën atë si një njeri që thjesht po kërkonte vëmendje.

Në media sociale madje kishte edhe nga ata që bënin barazim moral mes dhunës fizike të pësuar prej tij dhe “dhunës psikike” që mund të kenë shkaktuar fjalët e tij për besimtarët. Logjikë kjo e ngjashme me ata që e arsyetojnë përdhunimin e grave me argumentin se ato “provokojnë” me pamjen e tyre.

Pa dashur që të futem në përmbajtjen dhe saktësinë e deklaratave të Deliut – mua më mjaftoi thjesht natyra dhe toni jo-urrejtës i mendimeve të tija “skandaloze”, që kritikat ndaj tij të më dukeshin në rastin më të mirë të paarsyeshme, dhe në rastin më të keq të poshtra.

Sikur nuk mjafton fakti se jetojmë në një vend ku sundon fryma e anti-intelektualizmit – ku të rinj të talentuar përballen gjithandej me fraza si “shkolla nuk të bën njeri” apo “mos lexo libra se tranohesh”. Ku mësuesit dhe prindërit e shtypin mendimin kritik dhe nuk nxisin debate për tabu.

Tani më të brishtëve prej të rinjve tanë – atyre me ambicie intelektuale që duan të marrin pjesë në debate publike, por që vendosin të jetojnë si dele të zeza në komunitete të vogla – u duhet të dëgjojnë edhe moralizime dekurajuese nga “qendra e përndritur” se si duhet të sillen dhe se çfarë është e dobishme të thuhet dhe çfarë jo.

Liria e shprehjes duhet të mbrohet dhe motivet e njerëzve si Deliu nuk duhet të gjykohen pikërisht për shkak të kontekstit të vështirë lokal dhe dhunës fizike. Duhet të mbrohet për shkak të nevojës për t’u dalë në krah Azem Delive të tjerë që në të ardhmen do kërkojnë kurajo për t’u shprehur ndryshe prej shumicës në mjediset ku jetojnë, e të cilët do ta dinë se ka kush u del në krah.

Në këto mjedise sot nuk është e vështirë që të jesh anti-qeveritar mbi bazën e diskurseve të pranuara gjërësisht si ato nacionaliste apo fetare. Thirrja në ide nacionaliste apo fetariste është akti më konformist i mundshëm, sepse buron në traditë.

Në këto mjedise është thjesht shumë e vështirë që t’i sfidosh normat thellësisht të ngujuara shoqërore, si ato të lidhura me patrarkalizmin, mitet fetare, nacionalizmin folklorik, etj.

Në provincë anti-konformizëm sot është që ta kërkosh njëfarë lirie e cila në kryeqendër ka filluar të merret si e mirëqenë. Ta kërkosh lirinë individuale.

E kryeqendra këtë nuk guxon ta harrojë, sepse liria në Prishtinë është e mangët pa lirinë në Kosovë.

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.