Connect with us

Hi, what are you looking for?

Opinion

Për Arbanën, kritikën dhe kundërshtimin

Për Arbanën, kritikën dhe kundërshtimin

Ende pa u konfirmuar lajmi për aderimin e gazetares e redaktores Arbana Xharra në Partinë Demokratike të Kosovës (PDK), sfera publike u vërshua nga gjykimet për të.

Unë nuk e gjykoj Arbanën. Por i kuptoj ata që e gjykojnë.

Nuk e gjykoj për shkak se nuk shoh asgjë të jashtëzakonshme, në parim, nëse një gazetare angazhohet në politikë. Pra, duke e zhveshur ekuacionin nga konteksti, Arbanën nuk e gjykoj. Fundja, kush jam unë për të gjykuar dikë. I din Arbana punët e veta. Madje, duke i qëndruar besnik mendimit se skena politike reformohet duke reformuar gjithë partitë politike, Arbanës i dëshiroj shumë fat. Punë të mbarë.

Por t’i kthehem tash reagimeve ndaj lajmit që duket se i zuri reaguesit në befasi. Arbana, e cila më shumë njihej si aktiviste dhe kritike e pushtetit sesa si redaktore, kishte qenë e zëshme, e ashpër dhe e drejtpërdrejtë, ani pse shpesh sipërfaqësore, në kundërshtimin e partisë të cilës iu bashkua. Pra, kjo që përceptohej si kritikë e Arbanës ndaj regjimit të PDK-së, e që në fakt ishte kundërshtim i këtij regjimi përmes një diskursi popullist, ishte krejtësisht në kundërshtim me anëtarësimin e saj në këtë parti. Dhe kjo befasi përbën lajm. Dhe ky lajm përçohet me një reagim emocional, për shkak se profili publik që Arbana kishte krijuar ishte i bazuar në emocion.

Përmes kundërshtimit të zëshëm, duke përdorur një leksikon dhe strukturë fjalish që i ngjajnë më shumë politikanëve sesa kritikëve të pavarur, ajo kishe manipuluar me emocionin e publikut.

Këtë nuk e bën veç Arbana Xharra, por shumë njerëz të tjerë publik, analistë e aktivistë, parimisht të pavarur politikisht. Në vend të kritikës publike, ata i ofrojnë publikut deklarata politike, që janë në fakt kundërshtime dhe jo kritikë.

Kritika është zbërthim, shoshitje, në bazë të një parimi a metode të caktuar, duke marrë për bazë kontekstin dhe duke e sfiduar kuptimin e zakonshëm. Kundërshtimi, në këtë rast, është veprimi në bazë të një bindjeje personale. Veprim, pra, në një lojë ku ti merr pjesë. Kundërshtimi mund të jetë pjesë e kritikës, por jo ta zëvendësojë atë.

Nuk është më kritikë prodhimi i diskursit, ku kritikuesi lë pozitën neutrale dhe vendoset brenda objektit të analizës politike si veprues, duke marrë pozicionime. Është veçse kundërshtim. Popullist, madje. Meqë, deklaratat e thjeshtësuara të stilit ‘krejt janë hajna’ shiten më shumë sesa narrativat bajate të analizës së thatë politike. Për këtë arsye përhapen shpejtë. Sepse përçojnë emocion, e jo përmbajtje. Pra analiza ‘hallvë’, pak përmbajtje, shumë ‘sheqer’, shumë emocion.

Dhe pikërisht për shkak të ëmbëlsisë emocionale, diskursi që prodhohet nga këto deklarata, nga këto kundërshtime të quajtura kritikë, është jashtëzakonisht i fuqishëm në krijimin e realitetit social, fuqi kjo që iu përkthehet edhe individëve të cilët e promovojnë atë. Veç se, kur kritika barazohet me kundërshtim, pritjet e publikut nga kritikuesit ndryshojnë. ‘Pse nuk e kritikove’, komentojnë lexuesit nëpër rrjete sociale, përderisa vazhdojnë me propozim të argumenteve që ndërojnë kundërshtim apo sulmi personal. Sepse kritikën e marrin si kundërshtim, kritikuesin si veprues, politikën si ndeshje futbolli, e komentimin politik si tifozëri.

Dhe reagimet ndaj Arbanës janë pikërisht reagime tifozërie. Tifozët e saj, me dhjetëra mijëra sosh nëpër rrjete sociale, janë zhgënjyer me të, sepse ajo ka kaluar në ‘ekipin kundërshtar’. Ani pse në fakt Arbana nuk ka qenë pjesë e ndonjë ekipi, sepse nuk ishte anëtare e ndonjë partie, pra nuk ishte pjesë e garës për pushtet, tifozët e saj nuk e bëjnë këtë dallim. Ajo trajtohet sikur të kishte ndërruar partinë sepse ‘kritika’ e saj me të drejtë kuptohet nga lexuesit e saj si ‘kundërshtim politik’ gjë që edhe është. Dhe s’ka lidhje që nuk kishte ekip, meqë edhe pa ekip, diskursi i saj publik kishte krijuar ‘ekipin kundërshtar’.

Dhe kur Arbana bëhet pjesë e ‘ekipit kundërshtar’, tifozëria e gjykon atë me emocion, sepse figura e saj publike është krijuar pëmes emocionit. Kur marrim parasysh gjithë ato fjalë që Arbana ka shkruar e ka thënë në kundërshtim të partisë ku sot aderoi, emocioni bëhet më shpërfillës ndaj racionales. Prandaj, Arbana gjykohet. Veprimi i saj kundërshtohet me mllef, nuk kritikohet. Kjo ndodhë, mes tjerash, po ashtu për shkak se vetë figura e saj publike qe krijuar përmes gjykimit e kundërshtimit që ajo bënte, dhe jo përmes kritikës.

Lexoni Gjithashtu

Disinfo

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Disinfo

Gjatë dy viteve të fundit, Kosova ishte cak i sulmeve kibernetike dhe kërcënimeve me bomba, që kishin për qëllim destabilizimin e vendit dhe krijimin...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.