Shkalla e popullsisë që dëshiron të shpërngulet nga Kosova është rritur vazhdimisht që nga viti 2008. Në bazë të monitorimit të Gallup International (2017) rreth 34% e populllsisë më me dëshirë do të iknin nga Kosova. Dëshira për të ikur këto tri vitet e fundit ka kaluar edhe nivelet kryesisht rekorde të Afrikës Sub-Sahariane. Shikuar në mesatare, ajo është më e lartë se çdo rajon tjetër si Evropa Lindore apo Amerika Latine.
Në Kosovë, debati rreth këtij fenomeni është reduktuar në nivel të akuzave ditore politike. Fatkeqësisht, një nga sfidat kryesore të vendit diskutohet kryesisht gjatë cikleve elektorale. Njëra palë redukton problemin si përpjekje e opozitës për ardhje në pushtet kurse pala tjetër minimizon shkakun tek keq-qeverisja. Megjithatë, është e rëndësishme që ky fenomen të zhvendoset nga konteksti për të kuptuar shkaqet dhe instrumentet e adresimit. Kosova është duke përpjetuar kulmin e presionit demografik të grup moshave 16-34 për shkak të natalitetit të lartë të dekadave të kaluara dhe stagnimit politik dhe ekonomik gjatë përpjekjeve për shtet-formim.
Faktorët shtytës të dëshirës për shpërngulje
Kosova është duke kaluar nëpër kulmin e presionit demografik të popullsisë së re 16-34 vjeç. Kjo është struktura e popullësisë më e predispozuar për të ikur nga vendi.
Ky presion demografik parashihet të vazhdojë deri në vitin 2021 kur arrihen efektet e rënies së natalitetit pas luftës në Kosovë. Në ndërkohë që numri i tyre parashihet të rritet, shanset e tyre për standard më cilësor të jetës do të mbesin kryeesisht të njëjta. Pjesa dërrmuese e tyre do të jenë të papunë, jo-aktiv apo jashtë shkollimit.
Rreth gjysmë million njerëz të kësaj grup moshe do të vazhdojnë të jenë jashtë punësimit dhe shanseve për jetë. Këto janë gjeneratat që vuajnë pasojat e efekteve të izolimit, persekutimit dhe përpjekjeve për shtet-formim të viteve 90-ta dhe administrimit ndërkombëtar. Shanset e tyre për një jetë më të mirë do të jenë të kufizuara për disa arsye. Mundësia e tyre për t’u inkuadruar në tregun e punës do të jetë në presion të ashpër nga gjeneratat pasuese të të rinjve. Së dyti, kjo është një armatë e popullësisë që janë jo-aktiv apo të papunë për shkaqe strukturore – tregu i punës nuk krijon mundësi për shkak të rritjes së ulët ekonomike apo arsimimi dhe shkathtësitë e tyre nuk korrespondojnë me kërkesën në treg. Edhe në skenarin më të mirë ata do të jenë në konkurrencë të ashpër me gjeneratat pasuese – rreth 35,000 të inkuadruar në treg në baza vjetore.
Protesta e tyre është manifestuar në forma të ndryshme. Një pjesë e mirë e tyre kanë besim të ulët në instiitucionet politike (UNDP, 2016). Dy vitet e fundit ajo ka shënuar shenja të ashpërsimit përmes tentim shpërnguljes ilegale nga vendi mirëpo me pasoja të kufizuara në nivel të ‘zbehjes së imazhit të vendit’. Kjo ‘dritare e mundësisë’ së shpërnguljes në BE ka zbutur shkallën e protestës. Sidoqoftë, mbyllja e kësaj dritareje kushtëzon radikalizimin e paknaqësisë ndaj akterëve të brendshëm. Paknaqësia e tyre do të vazhdojë të rritet për sa kohë që ata janë në kontakt të drejtpërdrejtë me përvojat e jashtme (diaspora), rritja ekonomike nuk përkthehet në rritje të punësimit siç ka ndodhur deri më tani, apo të krijohen shkëndija të krizës politike.
Adresimi i problemit
Trajtimi i këtij fenomeni do të jetë sfidues për të gjitha ngjyrimet politike në Kosovë. Duhet ikur nga përpjekjet e trajtimit të fenomenit duke adoptuar qasje policore apo mbyllur kanalet e komunikimit të mllefit socio-ekonomik. Në aspektin e politikave strukturore ekonomike, Kosova duhet të insistojë në lëvizje të lirë të fuqisë punëtore në një rajon të integruar ekonomikisht në Ballkanin Perendimor. Kjo i mundëson Kosovës hapje të shtigjeve për konkurrueshmëri në sektorët punë-intenziv në rajon. Shpërngulja e kontrolluar në tregun evropian të punës duhet të orientohet në sektorë për të cilët BE-së pritet të këtë mangësi (mjekësi dhe ICT).
Së dyti duhet reformuar rrënjësisht sistemin arsimor për të eliminuar defektet e koagulimit të kapitalit potencial njerëzor në fusha me kërkesë të ulët në tregun lokal, rajonal dhe botëror. Subvecionimi i arsimimit të fuqisë punëtore duhet të orientohet në studim të shkencës, teknologjisë, inxhinierisë dhe matematikës. Resurset e kufizuara në arsim duhet të çkapen nga elitat e korruptuara arsimore të fushave juridike dhe shkencave shoqërore. Rreth 55% e nxënësve në shkolla profesionale dhe arsim të lartë vazhdojnë të studiojnë juridik apo shkenca shoqërore – kjo paraqet devijim substancial me përvojat e BE-së (KE, 2016).
Së treti, shkalla e inkuadrimit të tyre në tregun lokal kushtëzohet nga jo vetëm nga dyfishimi i rritjes ekonomike (8%) në vitet në vazhdim por edhe nga shkalla e kërkesës për fuqi punëtore. Rritja ekonomike në dekadën e fundit nuk ka prodhuar vende shtesë të punës – ka mbetur në rreth 300,000 të punësuar që nga viti 2008. Për këtë arsye është e rëndësishme që të eliminohet jo-fleksibiliteti në politikën e punësimit dhe vetë-punësimit. Shumica nga ta nuk posedojnë asnjë faktor ekonomik (tokë, kapital apo shkathtësi ndërrmarrëse). Një pjesë dërrmuese e tyre janë femra. Për këtë arsye skema të garantimit në qasje në financa janë thelbësore. Financimi i punëve publike apo orientimi në sektor punë-intenziv si bujqësia përmes masave aktive është i domosdoshëm.
Së katërti, cilësia e jetës së tyre varet edhe nga qasja e barabartë në shërbime publike dhe jetën politike. Ata janë në kërkim të mirëqenies për veten dhe familjen dhe jo në kërkim të kauzave inekzistente. Ata motivohen nga shpresa e rritjes së standardit të jetës përmes shërbimeve më të mira shëndetësore, arsimore apo përkujdesit social, sesa storiet e ripërsëritshme patriotike mbi luftën dhe heronjtë. Elitat e konsumuara politike të këtyre tri dekadave nuk paraqesin zgjidhje, shpresë e as rol model për fëmijët e tyre.