Connect with us

Hi, what are you looking for?

Opinion

Drama “Demarkacioni” në tre akte

Akti I

Pas vuajtjeve kolosale e disavjeçare nga shtetrrethimi, dhe pas ekspertizave të dala nga 2 milionë ekspertë, si dhe analiza e komisionit e përbërë nga turbo-super-ultra ekspertët, qeveria më në fund vendosi ta dërgojë në Kuvend marrëveshjen. Aty u prezantuan të gjeturat dhe u diskutuan nga specialistët e gjeodezisë, gjeologjisë, botanikës, mekatronikës, linguistë, violinistë, e nga astrologë të spikatur. Të gjithë njëzëri ishin se marrëveshja (s’)është e dëmshme dhe se Kosova (s’)ka kohë për të humbur. Pas diskutimeve romantike dhe gjurulldisjes patriotike, me lot në sy e me krenari, marrëveshja u hodh në votim. Qeveria më demokratike në botë e rreth, u tregua e zëshme që (mos) të përkrahë dhe të votojë kundër (për) marrëveshjes. Menjëherë pas votimit, të gjithë deputetët, të stërlumtur, bënë selfie dhe dolën për të festuar fitoren epike me nga një kafe dhe bozë. Më pas kërkuan nga Evropa që të hap portat për qytetarët, të cilët pa durim pritnin para stacioneve e pranë aeroportit që të nisen për vizita në muzetë e Luvrit, Van Gogut, arteve bashkëkohore Tate, rrugët e Seviljas dhe Bryzhit dhe bibliotekat e Londrës, Romës e Vjenës. Të gëzuar e mahnitur nga kjo arritje historike, qeveria kërkoi që të vërë në dispozicion të gjitha mjetet për të themeluar edhe disa ministri dhe agjenci që do t’i përcillnin ngjarjet kulturore e artistike botërore. Në pritje të përgjigjes nga Evropa, të gjithë ishin të lumtur sesa shumë do të përfitojë globi e universi nga përvoja kolosale e rinisë shqiptare.

Akti II

Pas konsultave të vazhdueshme me të gjithë aktorët relevantë siç janë shoqatat e zejtarëve, bjeshkatarëve dhe peshkatarëve, qeveria e vendit vendosi që marrëveshja për demarkacionin të hidhet poshtë, meqë nuk i plotëson standardet e parapara mbarëkombëtare iliro-pellazge. Ndërkohë nga ekspertët e çështjes dëgjohen zërat që kjo të shpallet urgjentisht vepër djallëzore e heretike dhe të ndalohet rreptësisht e me Kanun çfarëdo reference apo diskutimi rreth kësaj teme. Kërkohet tutje të denoncohen të gjithë ata persona që nxisin apo në ndonjë formë ndikojnë në çështje, dhe populli të shpallet tradhtar e të dënohet me masa drakonike. Ndërkaq kërkesat nga bashkësia ndërkombëtare për zgjidhjen e çështjes së kufirit të refuzohen në mënyrë kategorike si tendenca imperialiste dhe si ndërhyrje qyqare në punët e brendshme të shtetit tonë të pavarur, sovran, demokratik, olimpik dhe krenar. Kosova nuk ka nevojë për ndihma e donacione nga Bashkimi Evropian, as për kredi tjera nga BERZh-i për autobusë, as për procesin e Bolonjës në arsim, madje as për gjyqtarë, prokurorë që ta luftojnë krimin e korrupsionin. Madje nuk ka nevojë as për anëtarësim euro-atlantik e për liberalizim, sepse ka një popull të shkëlqyer e stoik që me durim pret para ambasadave për viza, dhe më parë han (e më shumë tymos) bar se gjunjëzohet. Të ngazëllyer pa masë me vendimin e qeverisë që të mos falen toka e male të shenjta, populli vërshoi shesheve të panumërta të qyteteve për të festuar me surle e tupan. Ndërkohë nëpër oda dëgjoheshin tingujt nga sharkia ku shkrepej me pushka e alltia. Disa me fara kungulli e tjerë me fara të zeza komentonin largpamësinë e qeverisë dhe çuditeshin sesa i lumtur duhet të jetë një popull që ka udhëheqësi e cila i gëzon me aq shumë mrekulli.

Akti III

Sikur në disa filma bardh e zi, ku ngjarjet patetike mundohen të shiten për situata dramatike, ashtu edhe patriotët me gjysmë-angazhim e përshkruanin gjendjen. Paria e vendit kishte marrë rrugën drejt kuvendit. Ditë e madhe, e si çdo ditë tjetër në këto treva edhe kjo ditë historike. Po vinte një marrëveshje që s’kishte dreq që e merrte më vesh. Do të ratifikohej një mosmarrëveshje kombëtare a marrëveshje ndërkombëtare ose ashtu diçka! Me të hyrë në sallë, kuvendarët filluan me sporte të rënda, disa me sharje e fishkëllima, të tjerët me fishekzjarre e hingëllima. Kështu nisen diskutimet, siç edhe e kërkon tradita e lashtë e parlamenteve demokratike. Ngazëllimi vërehej, në fytyrat e të gjithëve, sidomos atyre në ulëset e fundit që duartrokisnin pa ndalur. Papritmas një zë i qetë por depërtues u dëgjua duke brohoritur mutcion, motcion, mocion. Pa një pa dy, një masë e gjerë kuvendarësh kërkonin mutcionin, propozim i cili u hodh në votim. Me vëmendje të thellë ndaj telefonave të tyre tepër të mençur, ata filluan ngadalë t’i çojnë duart për votim, dhe mocioni kaloi. Ra qeveria, ra edhe kjo, u dëgjuan përnjëherë zërat nga jashtë. Kuvendarët të brengosur për këstet e kredive e për interesat vitale nacionale, lëshuan sallën. Urime Kosovë, urime popull, urime vëzhgues, urime komisionarë, urime gazetarë, urime salla dasmash e shtypshkronja, ditë të mira për ju së shpejti po vijnë.

 

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.