Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analizë

Inflacioni i arsimimit: Kredencializmi

Ekonomistët fjalën inflacion e definojnë si rritje të çmimeve të produkteve dhe shërbimeve, e rrjedhimisht ulje e fuqisë blerëse të valutës (parave).

Në “tregun” e arsimit të lartë në Kosovë operojnë 30 institucione, 9 nga të cilat janë publike dhe 21 private. Edhe pse dëgjojmë për mungesë ndërlidhjeje në mes të aftësive që të diplomuarit Kosovarë i sjellin në treg të punës dhe atyre që kërkohen nga punëdhënësit, në një ekonomi ku papunësia në statistika figuron të jetë 35%, këto institucione nxjerrin me mijëra të diplomuar vit pas viti. Në këtë situatë kaotike ku këto “shkollime” kushtojnë relativisht shumë si kosto direkte dhe si vite të “humbura”, dhe ku shancat për të siguruar një vend pune me meritë janë minimale, cili është motivi i rinisë prapa vendimit për tu pajisur me këto kredenciale?

Që nga paslufta, nëse asgjë tjetër nuk kemi parë të rritet në ekonominë kosovare, e kemi parë numrin e “universiteteve”, e pastaj shëndrrimin e tyre në kolegje, të rritet në mënyrë eksponenciale. Tregu i punës rrjedhimisht u vërshua nga të diplomuar të këtyre institucioneve, shumë prej të cilëve siguruan vende pune (në lloj lloj mënyrash, duke mos i nënqmuar ata që u punësuan me meritë) por edhe shumë prej tyre u bënë pjesë e statistikave shqetësuese të papunësisë në Kosovë. Të rinjë dhe të reja por edhe individë që arriten të zënë vende pune pas luftës me shkolla të mesme, i vërshuan këto “universitete” të sigurojnë nga një diplomë sa për ta pasur në rast se më vone u kushtëzohet pozita me këtë kredencial.

Ky fenomen shoqëror dhe ekonomik meriton një analizë nga këndvështrimi i ekonomistëve që ta zbërthejmë këtë vlug të kërkuesëve të diplomave në një vend me papunësi dhe varfëri ekstreme. Teorikisht, procesi i inflacionit arsimor (ose i inflacionit kredencial) është një cikël ku rritja e kërkesës për arsimim formal, çon në një furnizim të madh të tij në tregun e punës, duke krijuar kështu një furnizim të tepërt kolektiv dhe duke ulur vlerën e tij në tregun e punës. Trendi i rritjes ekonomike, e paaftë të përballojë rritjen e popullsisë ka çuar në realitetin, dëshmitar të së cilit jemi të gjithë, ku punëdhënësit për pozita që kërkojnë njohjen e një të diplomuari të shkollës së mesme, tani kërkojnë të diplomuar universitar, ndërsa ka edhe nga ata me gradë master të rreshtuar për të njejtën mundësi punësimi.

Tani të ndalemi dhe ta analizojmë ekonominë prapa vendimit të një individi për të marrë arsimim formal. Psacharopoulos – “babai” i ekonomisë së edukimit, arriti në përfundimin se normat sociale dhe private të kthimit të investimeve në arsim, bien me rritjen e bruto produktit vendor për kokë banori. Në mënyrë të ngjashme, normat e kthimit zvogëlohen, pasi niveli i arsimit në të cilin bëhet investimi bëhet më i specializuar (Heckman dhe Masterov, 2005). Kështu, arsimi fillor ka normën më të lartë sociale të kthimit, dhe në përputhje me këtë logjikë, masteri ka më të ulëtën. Pra, pse atëherë, gjithë kjo bujë për një koleksion kredencialesh?

Teoria e kthimit të investimeve në arsimin e lartë, thotë se normat private dhe sociale të kthimit të investimit në arsim, bien (në raport) me rritjen e BPV për kokë banori (Psacharopoulos, 1993). Gjatë dhjetë viteve të fundit, BPV-ja e Kosovës për kokë banori është rritur me 821 euro në terma nominalë, një rritje prej 26%. Duke pasur parasysh këtë ritëm, dhe duke krahasuar me ndryshimi në SHBA gjatë të njëjtës periudhë kohore që ishte 4.43%, pse Kosovarët janë aq të etur për të marrë diplomë universitare?

Ekzistojnë dy metoda për të vlerësuar kthimet e investimit në arsimim: metoda e drejtpërdrejtë, e cila mat të gjitha parametrat që ndikojnë në kthim të këtij investimi, që nuk përdoret për shkak të gamës së gjerë të parametrave dhe sfidave në matjen e tyre (Palacios, 2004) dhe metoda e tërthortë, e njohur edhe si modeli Mincerian, i cili mat diferencat e të ardhurave nga vitet e shkollimit shtesë duke shfrytëzuar regresionin e thjeshtë. Pra, pse njerëzit vazhdojnë të paguajnë për arsimim formal kur në ato tre-katër vite mund të marrin pagë në tregun e punës? Sigurisht që nuk presim që qytetari i zakonshëm të mbështesë vendimin e tij/saj për të shkuar në fakultet duke përdorur model regresioni – kjo linjë e të menduarit më bën të pyes veten sa “ekonomista” që u diplomuan në 10-15 vitet e fundit nga të ashtuquajturat “universitete” në Kosovë e dinë se çfarë është regresioni. Sigurisht një i ri nga një familje mesatare (ekonomikisht dhe intelektualisht) këtë vendim e bazon në shpresën se do të punësohet dhe do të ketë rrogë më të lartë nëse ka kredencial, – pra vendim i bazuar në stimuj të thjeshtë.

Mesatarisht, popullsia e Kosovës ka 9.5 vjet shkollim formal (Agjencioni Kosovar i Statistikave 2014). Në sistemin tonë arsimor, ky është shkollim fillor dhe pjesërisht shkollim i mesme (ose jo, me reformat e fundit të arsimit që shtojnë klasën e nëntë në shkollën fillore). Nga një popullsi prej 2 milion, vetëm 500,251 kosovarë të moshës së punës (moshat 15-64 vjeç) janë aktive në fuqinë punëtore, duke fituar një pagë mesatare mujore prej 300 deri 400 euro (Agjencia e Statistikave të Kosovës, 2016). Shkalla e papunësisë në vitin 2016 është raportuar të jetë 35% (UNDP, 2016).

Atëherë pse të rinjtë dhe të rejat tona sakrifikojnë dyfish për diploma – një herë duke i humbur paratë që do të mund t’I fitonin po të ishin në tregun e punës, dhe të dytën herë duke i futur  prindërit në vështirësi ekonomike që t’ua paguajnë këtë shkollim.

Pasi që teoritë e ekonomisë së shkollimit nuk po më më hyejnë në punë, po i përmend dy shpjegimet e vetme që po i gjej nga obzervimi, pra hulumtimi pasiv, i kësaj situate:

E para, është presioni shoqëror, i cili përkthehet në presion familjarë – një keqkuptim fundamental i shoqërisë sonë për vlerësimin e një individi: pa fakultet – lehtësisht konsiderohesh i paditur, dhe zhgënjim për prindërit dhe rrethin. Vendimi për të mos shkuar në fakultet pra të zhvlerëson sepse shoqëria kosovare matë vlerën intelektuale të njeriut kështu – pra me kredenciale. Nga ky kompleks, kemi arritur të kemi një luftë për kolekcion diplomash dhe një mori pseudo-intelektualësh që e pasurojnë një grup të vogël njerëzish që e kanë nga një objekt të madh, ia vendosin nga një reklamë me emra nga më kreativët pasuar me fjalën “kolegj” në llogari të komplekseve shoqërore.

E dyta, nuk ofrohet alternativë! Pas diplomimit të shkollës së mesme, rrjedha e zakonshme e ngjarjeve është regjistrimi në fakultet (skryesisht për arsyen e përmendur më lartë) sepse nuk ke tjetër ç’të bësh. Tregu i punës kërkon kredenciale si sinjal i aftësive në sytë e punëdhënësit të potencial dhe e vetmja rrugë për të marrë ato aftësi që ofrohen nga shteti dhe afaristët privat është Bachelori. 60 përqind e të diplomuarve nga shkollat e mesmë në Gjermani hyjnë në sistemin “dual” të edukimit i cili është kombinim i punës praktike (në kompani private) me mësime teorike, në vend të fakultetit klasik akademik. Gjermania është super fuqi botërore, motorri i ekonomisë evropiane, me papunësi prej 8%, dhe njëri ndër faktorë kryesor të suksesit të kësaj konsiderohet të jetë pikërisht ky system i edukimit.

Në Kosovë po plaken e penzionohen “zanatlinjtë” me aftësi praktike profesionale, dhe po mbeten rinia e pa punë me diploma në ramë. Përderisa shteti, kushtimisht Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë – e cila përveq disa reformave eksperimentale, deri më sot nuk ka ndërmarr asnjë hap konkret në ndaljen e kësaj marrie kolektive. Duke mos ofruar alternativë, “universitetet biznes” do t’i pasurojnë familjet që i udhëheqin, duke i shëruar komplekset e shumë individëve që nuk janë të prirur pë akademi me tituj Bachelor, Master e doktor shkence. Një pyetje që secili nga ne duhet t’ia bëjë vetes është se pse kosovarët që qëndrojnë mirë ekonomikisht – e pjesa më e madhe e kësaj shtrese përbëhet nga politikanë – kërkojnë shërbime mjekësore në shtetet tjera për çdo gjë më serioze se një grip i zakontë? Kjo pyetje duhet të na jap përgjigje për kualitetin e edukimit që ofrohet në Kosovë dhe faktin se “ata” pra krerët e shtetit që i kanë mundësitë për ta përmirësuar këtë situatë, në mungesë të ideve dhe iniciativave, vazhdojnë me zgjidhje të thjeshta – pra kërkim të shërbimeve mjeksore jashtë vendit.

Sistemi arsimor i Kosovës sipas Bankës Botërore në përgjithësi është i dobët, mundësitë e punësimit janë të pakta dhe ekziston një mospërputhje mes aftësive të kërkuara dhe të ofruara në tregun e punës në tranzicion (2008). Nga ana tjetër, Kosova ka 21 “universitete” private dhe 9 institucione publike të arsimit të lartë ose universitete, të akredituara nga Agjencia Kosovare e Akreditimit që u ofrohen kosovarëve që kërkojnë një diplomë Bachelor, Master ose PhD. Në këto të ashtuquajtuara universitete ofrohen programe që nga arkitektura, administrimi i biznesit (me një mori kombinimesh të marketingut, menaxhmentit, biznesit ndërkombëtar) mjekësi, politika publike, juridik e çdo gjë tjetër. Kështu, Kosova ka 30 institucione të arsimit të lartë për një popullsi prej 1.8 milion njerëz, ose një nga numrat më të lartë për kokë banori, në botë.

Ligji fundamental i ekonomisë se tregut të lirë se tregu arrin ekuilibrin kur oferta dhe kërkesa barazohen, e shpjegon edhe këtë fluks të hapjes së “unviersiteteve” biznes. Përderisa masa që diplomon nga këto të bindet se tregu i Kosovës nuk ka kapacitet t’i absorbojë tërë këta njerëz me kredenciale akademike e shumica me zero bagazh intelektual, dhe përderisa MASHT me shkronja shumë e punë pak, të kuptojë misionin dhe rolin e vet në këtë katrahurë, “universitete biznes” do të vazhdojnë të hapen në Kosovë dhe të prodhojnë pseudo-intelektual masivikisht.

Si çdo shtet tjeter, edhe Kosova po e përcakton rrjedhën e së ardhmes së saj përmes edukimit, me hapa inkremental që nuk lënë gjurmë serioze derisa të jetë shumë e thellë për t’u injoruar.

______________________

Ky artikull është kontribut ndaj projektit TLP Citizens Corps. Vështrimet dhe opinionet e shprehura në këtë artikull i takojnë autorëve dhe nuk i reflektojmë medoemos politikat dhe qëndrimet zyrtare të TLP Citizens Corps. Supozimet e bëra brenda analizës gjithashtu nuk reflektojnë qëndrimin e cilitdo entitet qeveritar.

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.