Connect with us

Hi, what are you looking for?

Kritikë

Dy pritshmëri të gabuara

“Kur sunduesit grinden” të I. Kadaresë*

U gëzova sot paradite kur gjeta në kutinë postare librin e fundit të Kadaresë “Kur sunduesit grinden”. Kisha dyshuar me vete seriozitetin e faqes shqiptare ku e kisha porositur (bukinist.al) dhe më erdhi mirë që kisha gabuar në pritshmërinë time negative.

Libri erdhi në kohë, i bëra vetes një kafe të madhe dhe u ula pastaj në kolltukun tim të parapëlqyer, kësaj radhe me pritshmërinë se do të lexoja diçka të mirë. Porse gabova përsëri në pritshmërinë time, pozitive kësaj here.

Pasi libri i fundit i Kadaresë është i “shtrembërshkruar”. Në ç’kuptim? Libri i tij i fundit ka simptomat që i shfaqen në emigrim një shqipfolësi, simptoma që nuk i kisha vënë re asnjëherë kaq të shkoqura në veprat e mëparshme të autorit si te ky. Më e rënda prej tyre është vënia vend e pa vend e foljes në fund të fjalisë dhe njëfarë turbullire në strukturën e gjuhës.

Mirëpo unë nuk jam gjuhëtar e asnjëherë aq letrar, sa ta përshkruaj me saktësi jermin që m’u bë se më përshoqëroi gjatë leximit të këtij teksti, i cili ka nevojë të ngutshme për një redaktor për të qenë. Dhe meqenëse në fund të librit autori ka vënë një shënim për mundësinë e një botimi të ardhshëm “të plotësuar” e ngaqë edhe vetë jam emigrant i orëve të para dhe e vuaj edhe vetë keqshkrimin e keqfoljen e shqipes në më të shumtën e medieve tona po njëlloj, nuk po shënoj që vijimësia në lexim rëndohet fort nga cene të tilla e që për pak desh e lashë librin pa lexuar, aq më nervozoi shkeleshkoja sa e autorit me tekstin, aq edhe e kujt e ka redaktuar atë.

Por nuk është vetëm gjuha, e cila mund të ndreqej lehtë në një ribotim më të kujdesshëm.

Autori është ndier “rehat” në vende të shumëshkelura, më së pari nga ai vetë. Ai nuk mungon të ripërmendë, të riciklojë si të thuash, paragrafë e mendime që unë – si lexues i hershëm i tij – i njoh nga vepra të mëparshme dhe nuk kam dëshirë t’i lexoj përsëri në një libër “të ri”.

Nuk kam dëshirë të lexoj të njëjtat gjëra për Lasgushin e Fan Nolin prapë nga e para dhe marrëdhëniet e tyre apo të tiranëve me ta, pasi këto i kam lexuar një herë.

Nuk kam as dëshirë të lexoj përsëri të njëjtat klishé për Helenën (e Trojës), për Beatriçen e Dulqinjën, ndërsa spagatat letrarë-tiranë me dyshet: Pushkini-Cari, Tolstoi-Cari, Tolstoi-Shekspiri, Seneka-Neroni etj., janë të shkruara sipërfaqshëm, pa nerv e pa e shtjelluar bindshëm paradigmën që merret e dhënë qysh në titull: sundues. Të parët të shpirtit, të dytët mbi jetën (dhe vdekjen) e nënshtetasve të tyre.

Ka edhe gafa ose këto më duken mua ashtu. Të vendosësh Marksin në rangun e kriminelëve të tillë si Lenini e Stalini më duket një e tillë. Pasi e njëjta gjë mund të bëhej edhe me Jezu Krishtin, Muhametin, Konfucin dhe jo së fundmi me autorin vetë. Tjetër gjë është të urdhërosh një vrasje e tjetër fare është të shkruash për ndryshimin e rendeve, qoftë edhe me dhunë. Mendimi im ky, gjithsesi.

Trembëdhjetë versionet e telefonatës Stalin-Pastërnak më lodhën edhe ato. Sepse mund t’i lexoja kur të doja gjëkund tjetër e nuk kam asnjë arsye (personale) për të zhbiriluar me kaq skrupulozitet një telefonatë, pjesëmarrësit e së cilës kanë vite që kanë vdekur dhe pasojat e së cilës nuk duken të kenë qenë aq tragjike, aq më tepër që Mandelshtami, viktima, mbase do të ishte internuar edhe pa ndodhur ajo telefonatë.

Natyrisht që nuk është kjo arsyeja pse autori ka zgjedhur atë telefonatë si motiv për librin e tij. Ai ka dashur, me sa duket, të shtjellojë raportet midis letërsisë dhe pushtetit. Nuk ia ka dalë, për mendimin tim, por ky i fundit, mendimi im pra, nuk ka pse ngre peshë.

Autori, bie fjala, përmend një telefonatë që i ka bërë sunduesi shqiptar për ta përgëzuar për një poemë, përshkruan një bisedë të vërtetë e gjysmë imagjinare me ish-mikun e tij Stullpansin, porse nuk shënon askund letrën që i dërgoi një gazete të madhe franceze, kur tirani sapo kishte dhënë shpirt – për të mos thënë: kishte ngordhur.

A propos: lexova diku që autori nuk ishte i kënaqur me fundin e librit. Pyetja se nga bëhen pikërisht tani këta shpirtra, tani që po shkruhen këto radhë, mbase do të ishte një mbyllje logjike për librin e për çdokënd që vramendet për çështje faji të shlyer apo të pashlyer.

Unë ia besoj Kadaresë bisedat me spec me mikun e tij të dikurshëm; edhe më shumë do t’ia besoja rrëfimin, nëse ai do t’i shkonte këtij deri në fund e të mos më tregonte vetëm njërën kokë të Janusit, atë të sunduesit shpirtëror që rebelohet kundër regjimit, por edhe tjetrën, atë të shkrimtarit që i duhet të bëjë kompromise me tiranin për të mbijetuar e më vonë. Porse mua më vjen gjithnjë mirë që ai ngul këmbë të hapen dosjet e fshehta e, me sa duket, kjo ditë po afrohet gjithnjë e më shumë. Pasi ka teprime si nga adhuruesit e Kadaresë, ashtu edhe nga kritikët e tij, për sa i përket rolit të shkrimtarit nën diktaturë, – edhe kjo ndoshta një arsye për ta shkruar këtë libër.

Kadareja ka shkruar mjaft libra të shkëlqyer, për t’ia lejuar vetes që të shkruajë nganjëherë edhe më të dobët se këta. Për një trill të çuditshëm të kohëve, librat e tij më të mirë, – ku unë llogaris “Koncert në fund të dimrit”, “Nëpunësi i pallatit të ëndrrave”, etj. – nuk kanë fat në kohën që botohen, por u njihet vlera vetëm në një kohë të dytë.

Po kështu në vitet pas rënies së diktaturës, për disa gjëra vërtet të mira (për shijen time gjithnjë) si “Vajza e Agamemnonit”, “Piramida”, “Çështje të marrëzisë”, tregimi “Bisedë për brilantët në pasditen e dhjetorit”, “Kukulla” etj. u fol pak, ndërkaq që u bë zhurmë për vepra më të dobëta se këto. Megjithatë, ky është një problem luksoz e brendapërbrenda letërsisë së mirë, ndaj mua më vjen vetiu për mbarë kur librat që shiten më shumë në panair janë ata të Kadaresë e jo ata të B. Fevziut. Ma do mendja që edhe ky i fundit nuk do të kishte asgjë kundër një raporti të tillë të natyrshëm.

Kështu edhe me sunduesit. Sidoqoftë, mbase libri është vërtet i mirë e kritik letrar unë s’jam. Për pak sa nuk shtova: falë Zotit.

Më tepër se një libër i mëvetshëm mua kjo sprovë më ngjan me një parathënie të zgjeruar të një antologjie, ta zëmë, të poezisë ruse për të qenë nën diktaturë, mirëpo kjo është vetëm një mbresë e shkruar më tepër nga zhgënjimi që përshkrova në krye.

Ndoshta më ngushëllon ribotimi i plotësuar. Të shohim. Uroj të jetë ashtu.

 

*P.S.: Shkruesi i këtyre rreshtave nuk është as studiues e as kritik i letërsisë, por vetëm e thjesht lexues, ndaj këto shënime mëtojnë të jenë veç mbresa leximi e aspak shteruese.

 

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.