Connect with us

Hi, what are you looking for?

Opinion

Darka e fundit

Darka e fundit

Ditë më parë Federica Mogherini organizoi një darkë të saj të fundit në Bruksel, në pako me liderët e vendeve kandidate për anëtarësim në BE, ani pse tanimë është e qartë se për ndonjë javë, muaj apo edhe ditë, as kjo pako e as ky format nuk do të jetë më i njëjti dhe rrjedhimisht duket se edhe është i fundit!

Ashtu sikurse te piktura e Da Vinçit me po të njëjtin emër “Darka e Fundit” me të cilën shpërfaqet mesazhi-kodi, i cili portretizon njerëz të zakonshëm, të vdekshëm, njerëz me të meta dhe virtyte dhe jo  Krishtin dhe apostujt si shenjtorë për rreth kokave të të cilëve rrezaton nimbusi, edhe ftesa e Përfaqësuese së Lartë, krejtësisht në kundërshtim me shenjtorët, shpërfaq kodin evropian, burokracinë e tëhuajtur evropiane e cila ani pse nuk i përmbahet premtimeve, e ka shumë të rëndësishme çështjen e përmbushjes së rregullave të sjelljes diplomatike siç është organizimi i një darke lamtumirëse.

Këtë gjë më së shumti e kanë përjetuar në lëkurën e tyre, Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama dhe ai i Maqedonisë Veriore Zoran Zaev. Dhe jo vetëm këta. Kam frikë se kjo gjithashtu mund të jetë edhe darkë lamtumire drejt Evropës për të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor, sepse perspektiva e një komuniteti të fortë demokratik evropian po bëhet gjithnjë e më e mjegullt dhe e pasigurtë. Evropa po copëtohet politikisht si dhe po vazhdon të fragmentohet. Është bërë ksenofobe dhe e shurdhër ndaj shkeljeve të ashpra të të drejtave të njeriut dhe mosfunksionimit të sundimit të ligjit. As thirrjet e shumta të intelektualëve evropianë dhe botërorë për kthim drejt vlerave origjinale të saj, nuk po ndihmojnë më. Lodhja dhe mos efikasiteti i saj po ndikojnë edhe tek fqinjët, ndërkaq që integrimi evropian i shpallur si perspektivë e gjithë regjionit në fillim të këtij mijëvjeçari s’duket asnjëherë më i largët se tani.

E gjithë kjo së bashku me disa drejtues autoritarë të cilët u rritën nën skutat e Evropës po e hap derën për aktorë të rinj të mëdhenj (Turqia, Rusia, Kina) të cilët nuk kanë fare interes për ndonjë bashkim pos që e shohin Ballkanin Perëndimor si zonë me ndikim të padiskutueshëm kolonial dhe ideale për kapitalizmin e egër dhe autoritar të vendeve të tyre.

Për George Orwell-in e lindur në fillim të shekullit XX, viti “1984” ishte paimagjinueshëm i largët. Si duket kishte pasë para ndjenjë se nuk do ta priste, vdiq i ri, 38 vite më parë, por ai kishte një vizion më se të qartë se si do të dukej ai vit. Për mua, t’ju them të drejtën, edhe viti 2025 duket i largët edhe pas kaq vitesh pritjeje të BE Godosë po prapa shkojmë, prapa sikurse në “kthim të gaforres” prapë po përmenden disa zgjidhje të vjetra e të reja të cilat ndoshta do të diskutohen tek në vitin e ardhshëm kur edhe pritet të mbahet Samiti i radhës BE – Ballkani Perëndimor.

Po përmenden rregullat e reja të pranimit, të cilat në veçanti do të godasin vendet të cilat nuk kanë të hapur as edhe një kapitull. Mandej po përmendet modeli norvegjez –  në vend të anëtarësimit në BE të ofrohet anëtarësim në dy institucionet kryesore evropiane – Shoqatën Evropiane të Tregtisë së Lirë (EFTA) dhe Zonën Ekonomike Evropiane (EEA). Mandej po përmendet integrimi sektorial që nënkupton mundësinë që me përmbylljen e një kapitulli të caktuar vendi të integrohet plotësisht në atë fushë dhe sikurse vendet e tjera anëtare të BE-së të ketë mundësinë e marrjes së fondeve të cilat jepen për atë sektorë. Kur kemi parasysh  ndotjen e ajrit këto ditë në vendin tonë e kemi më se të qartë se për sektorin ekologjik as nuk kemi shpresë, as para për të ndryshuar diçka në të ardhmen e afërt kur e dimë se pushteti i mëhershëm ka mbyllur sytë para teknologjisë së ndyrë duke helmuar kështu popullatën e vet në të mirë të xhepave të dikujt deri sa Evropa po “ udhëton larg e më larg”.

Përmendet gjithashtu edhe i ashtuquajturi partneritet i privilegjuar me BE-në, të cilin faktikisht e kishte Jugosllavia e dikurshme, si anëtare e asocuar. Atë kohë, po përmend jo rastësisht, kishte mbi 12.000 ligje që ishin në përputhje të plotë me rregullativën evropiane si dhe u shfuqizua delikti verbal, gjithashtu pushteti i asokohshëm “prodhoi” një dinar të konvertueshëm duke ulur kështu borxhin e vendit në 8 miliardë dollarë… Megjithëkëtë lufta prapëseprapë filloi…?! Pa dashur të minimizoj përgjegjësinë e brendshme nuk duhet harruar edhe përgjegjësia e një Evrope në mëdyshje.

Edhe pas luftës u fol për anëtarësime të shpejta në BE me ndarjet të cilat edhe sot po i preferon Macron-i.  Në themel do të jenë Gjermania dhe Franca me një treg pune dhe monedhë të fortë, në radhën e dytë do të jenë shtetet tjera me një treg unik ndërkaq radha e fundit apo vagoni i mallrave do të rezervohet për jetimët e Ballkanit Perëndimor me përfshirje eventuale të Rusisë dhe Tuqisë!!!

Kjo edhe është arsyeja se pse çdo qytetari kosovar por edhe çdo qytetari të regjionit, i cili është vërtet i përkushtuar ndaj vlerave e standardeve demokratike evropiane, Samiti i ardhshëm i Ballkanit Perëndimor t’i duket i largët.  Shtetet e këtij regjioni medoemos duhet të forcojnë frymën pro evropiane si dhe të artikulojnë qartë pozicionet e tyre sepse darka e fundit me Mogherinin nuk ka pse të jetë edhe darka e fundit me BE-në!

Lexoni Gjithashtu

Disinfo

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Disinfo

Gjatë dy viteve të fundit, Kosova ishte cak i sulmeve kibernetike dhe kërcënimeve me bomba, që kishin për qëllim destabilizimin e vendit dhe krijimin...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.