Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analizë

MOS I HAPNI DRITARET!

Sinjali i kuq i rrezikut nga ndotja është ndezur kaherë, porse disa bëhen sikur nuk kanë sy. – Kosova – pjesa më e ndotur në Jugosllavi. Tashmë mund të flitet (dhe po flitet) për pasoja.

Artikull origjinal i shkruar nga Zenun Çelaj për Rilindjen.

PASOJAT PËR SHËNDET

Ndonëse ende nuk kanë përfunduar analizat e rezultateve të ndikimit të materieve që më së shpeshti ndotin ambientin në Kosovë, dihet se si pasojë e tyre është shtuar morbiditeti, invaliditeti dhe mortaliteti. Posaçërisht hetohet shtimi i sëmundjeve kardiovaskulare, të karcinomës, të sëmundjeve të veshkëve, të organeve të frymëmarrjes, të enëve të gjakut dhe të lindjeve me të meta.

(14 shkurt, 1988) – Edhe ndonjë ditë, po vazhdoi kështu ritmi i ndotjes së ambientit në Kosovë, nuk duhet të habitemi nëse nga specialistët për ruajtjen e shëndetit marrim këshilla të përditshme: “Çdo mëngjes lani duart, pastroni faqet, dhëmbët, bëni fiskulturën e mëngjesit dhe, më kryesorja – mbani dritaret e mbyllura, që të mos thithni ajër të mbushur me helme!” Në një pjesë të Kosovës kjo këshillë do të ishte shumë aktuale edhe sot, meqë niveli i ndotjes së ajrit dhe i ujit kapërcen shpesh kufirin e koncentrimit të lejueshëm të materieve të dëmshme.

Këtë rrezik do ta ketë pasur parasysh hartuesi i Kushtetutës, në të cilën thuhet se “Punonjësit dhe qytetarët, OPB-të, Bashkësitë shoqërore-politike, kanë të drejtë e detyrë që të sigurojnë kushtet për ruajtjen e ambientit të njeriut dhe të pengojnë e eliminojnë pasojat e dëmshme, të cilat, me ndotjen e ajrit, të tokës, të ujit dhe të rrjedhave të ujit, me zhurmë ose në mënyrë tjetër, rrezikojnë këto vlera apo edhe sjellin në rrezik jetën dhe shëndetin e njeriut.” Këtu mbështeten dispozitat e ligjit me të cilin sigurohet kjo detyrë dhe e drejtë.

Nga buron ndotja?

Dy janë burimet kryesore të ndotjes së ajrit e të ujit në Kosovë: “Trepça” dhe “Elektroekonomia” e Kosovës. Porse këtyre u ndihmojnë edhe ndotës të tjerë më të vegjël industrialë.

Po të matej niveli i zhvillimit me nivelin e ndotjes së ambientit, Kosova do të ishte pjesa më e zhvilluar e vendit, meqë rezultatet e matjeve tregojnë se kosovarët thithin ajrin më të ngarkuar me materie të dëmshme për organizëm, pijnë ujin më të ndotur dhe kanë ambientin më të shkatërruar në vend, kryesisht si pasojë e punës së objekteve industriale dhe të papërgjegjësisë së njeriut. Kështu mbase do t’i jetë bërë qejfi një politikani (edhe sot aktiv), i cili sinjalizimit të rrezikut nga ndotja e ambientit i përgjigjej: “Ku ta ketë fatin Kosova që të ketë ambient të ndotur nga një industri e zhvilluar”, i cili sigurisht aso kohe (para nja dy dekadash) reflektonte një gjendje të palakmueshme të nivelit të zhvillimit ekonomik të kësaj Krahine, porse pasqyronte edhe shkurtpamësinë e vet dhe të bashkëmendimtarëve jo të pakët, të cilës  tani i paguajmë tagrin. Politikanit në fakt një dëshirë iu mbush, sepse Kosova është shpallur me ambientin më të ndotur në vend, por jo të dyjat, meqë Kosova ka edhe epitetin e visit më të pazhvilluar në vend.

Në fakt struktura e papërshtatshme e ekonomisë, e mbështetur kryesisht në prodhimin e lëndëve të para, në shfrytëzimin pa kontroll përkatës të pasurive nëntokësore dhe pa masa përkatëse në ruajtjen e ambientit, i ka dhënë krah prishjes së baraspeshës ekologjike në Kosovë, sa që në disa mjedise jetën e ka bërë të padurueshme. Pasojat për shëndetin e njeriut po ashtu janë evidente, sidomos në rajonin e Mitrovicës së Titos dhe në vendbanimet që shtrihen në rrafshinën e Kosovës përgjatë Sitnicës deri në Ferizaj, posaçërisht në Prishtinë me rrethinë.

Ç’thithim me ajër?

Sasia e materieve ndotëse, të cilat lirohen nga industria e Mitrovicës së Titos, pra “Trepça”, që koncentrohen në ajër dhe që banorët e kësaj ane dhe me kilometra larg saj i thithin përmes ajrit është disa fish mbi koncentrimin e lejueshëm. Ndër të tjera, dioksidi i sulfurit shpesh ka koncentrim 16 herë mbi sasinë e lejuar, por ka pasur raste kur ky koncentrim ka qenë edhe 38 herë më i lartë, kurse numri i ditëve me koncentrim më të lartë se që lejohet deri dyqind ditë (sasia e lejuar e dioksidit sulfurik në ajër është 1,50 mikro – gramë në një  metër kub, ndërkaq ka pasur ditë kur ky koncentrim ka qenë deri në 6 mijë mikro-gramë në një metër kub). Po ashtu edhe koncentrimi i plumbit ka pasur raste që ka qenë 13 herë mbi atë të lejuarën (lejohet vetëm 7 mikrogramë në një metër kub.)

Dioksidi i sulfurit dhe plumbi janë materiet më të dëmshme për organizëm dhe prandaj u morën shembull. Nga industria e Mitrovicës së Titos, pos me këto ajri ndotet edhe me zink, kadmium, arsen, fluor e materie të tjera. Pas disa matjeve që janë ndërmarrë, situata ka nisur të përmirësohet, por jo me ritmin as në nivelin që duhet.

Asgjë më pak i rrezikshëm për ambientin nuk është Elektroekonomia e Kosovës. Brenda një dite, në kushtet kur elektrofiltrat funksionojnë 99%, përmes tymtarit të një termocentrali me forcë 200 megavatësh lirohen në ajër rreth 22 tonelata dioksid sulfuri, rreth 4,9 tonelata okside azotike dhe rreth 8,2 tonelata hi fluturues. Llogaria del e qartë kur dihet kapaciteti shumë fish më i madh se shembulli i marrë dhe fakti se elektrofiltrat në një pjesë thuaja nuk funksionojnë fare, ose funksionojnë pjesërisht për shkak të pakujdesisë së faktorit njeri (në fillim të këtij viti Prishtinën me rrethinë e pat mbuluar shtresa e hirit që kapërcente milimetrin. Por, nuk janë vetëm termocentralet që e ndotin ambientin. Ndotësi më i rrezikshëm në fakt është Gasifikimi, i cili liron në ajër hidrosulfid, dioksid të sulfurit, oksid të azotit, amoniak, monoksid të karbonit, hidrokarbure e lëndë të tjera.

S’do harruar fenolin, për të cilin nuk kishim dëgjuar deri sa nuk u alarmua nga Kraleva, ku arrinte përmes Sitnicës e Ibrit të ndotur nga “Trepça” dhe Elektroekonomia e Kosovës, i cili më vonë u hetua në bunarët e banorëve të Vuçitërnës dhe të disa vendbanimeve përreth.

Edhe çka e kërcënon ambientin?

Ambient i jetesës nuk është vetëm ajri. Në përgjithësi, nga pakujdesia e njeriut po degradohet edhe natyra, kurse uji që e pimë është gjithnjë e më pak cilësor. Fenoli dhe ujrat hedhurina industriale janë shkaktarë të dorës së parë të ndotjes së ujërave, por edhe kanalizimet. Thuaja në asnjë ujë rrjedhës tani nuk mund të lahesh e të mos presësh me arsye pasoja për shëndetin. Me to po ndoten edhe kopshtet dhe perimet. Në arsye blerësit u shmangen perimeve që rriten në kopshtet përreth Obiliqit dhe përgjatë Sitnicës deri në Mitrovicën e Titos. Stacioni i dikurshëm i shpezëve shtegtar te Sllatina (afër Prishtinës), që ishte një raritet tërheqës, nuk ekziston më. Hiri dhe gazrat nga Obiliqi dhe pluhuri prej mihjeve sipërfaqësore në Bellaqevc e Dobrosellë si dhe zhurma nga aeroplanët i kanë trembur ato dhe nuk ndalen më për të pushuar në rrugë për në vise të ngrohta. Në Mitrovicën e Titos gjithnjë e më pak shihen shpezë, bile as insekte.

Qindra hektarë tokë buke e gjelbërim ndërrojnë  funksionin, ngjajnë në sipërfaqe që jemi mësuar t’i shohim në filmat fantastikë ose si pas ndonjë shpërthimi atomik, të gropuara, të zhveshura, kodra të ngritura me hi e zgjyrë pas separimit, të cilat veprojnë dëmshëm në një radius jo të vogël. Bërllogu na ka mbuluar në çdo anë. Pasojat e qytetrimit të arrirë artificialisht ndeshen në çdo hap, vetura dhe makina të tjera të papërdorshme, të hedhura, prodhime nga plastika, që era i ka shpërndarë kudo, pastaj konserva dhe… kulme fabrikash e shtëpish banimi në tokat më pjellore, janë monument i pakujdesisë dhe i primitivizmit të pashoq, pasqyrë e kulturës sonë individuale e kolektive, që rrallëkund mund të ndeshen si në Kosovë. Këto, jo vetëm që kanë pasoja për ambientin dhe për ekologjinl e çregulluar, pose edhe na bëjnë të ulim kokën para të ardhurve nga vise të tjera të vendit ose jashtë vendit. Në tërë Evropën nuk mund të shihen pamje më të papastra e më të shëmtuara se sa në Krahinën tonë dhe, për çudi, ata që duhet të jenë të shqetësuar rrinë të qetë dhe merren me politikë abstrakte duke dëshmuar talentin e ulët për këtë punë dhe duke iu përzier politikanëve të mirëfilltë dhe të paguar për të bërë politikë.

Çdo ditë në Kosovë shkatërrohen nga 2,7 hektarë tokë buke, anipse dendësia e banimit është nga më të lartat në Evropë (rreth 180 veta në një kilometër katror), kurse sipërfaqet e gjelbëruara për një banor (në vendbanimet e urbanizuara) janë as minimale, vetëm 3,8 metra katror, e sipas normave të pranuara duhet të jenë 20-25 metra, e madje, për ambiente të ndotura 65-70 metra katror.

Në anën tjetër vetëm 25,4% e banorëve të Kosovës pijnë ujë nga stabilimente qendrore, kurse analizat tregojnë se 36,6% e ujërave të kontrolluara nuk i përmbush cilësitë dhe standardet që vlejnë për Jugosllavinë.

Nisma shpresëdhënëse

Ç’është e vërteta, problematika e mbrojtjes së ambientit të njeriut është e pranishme gjithnjë e më shumë jo vetëm si preokupim individual, por edhe si preokupim i forumeve dhe i institucioneve e i forumeve përkatëse. Tanimë është bërë pjesë e planifikimit shoqëror dhe është sanksionuar si detyrë dhe e drejtë e çdo qytetari e punonjësi dhe veprimtari me interes të veçantë shoqëror.

Me këtë punë merren disa institucione, aktiviteti i të cilave tani koordinohet përmes Entit Krahinor për mbrojtjen e natyrës dhe të ambientit, të cilit i është besuar një projekt, i quajtur “ENPROKS”, e që po realizohet me ndihmën e Kombeve të Bashkuara dhe për të cilin, siç na that drejtori i këtij enti, prof. Sahir Bajrami, janë të përfshira 65 aktivitete dhe një numër i madh shkencëtarësh dhe hulumtuesish nga 12 institucione që merren me çështjen e ndotjes së ambientit. Tashmë për këtë qëllim janë dhënë e angazhuar rreth 200 mijë dollarë amerikanë dhe mjete të tjera që i ka dhënë Krahina. Një pjesë e pajimeve shumë bashkëkohore ka arritur dhe është vendosur në pikat ku do të bëhet kontolli i ajrit dhe i ujit, e po bëhen edhe hulumtime të tjera.

Puna dhe entuziasmi që hetohet ndër ekspertë të angazhuar në këto punë (Luan Shllaku, Flutra Pula) premtojnë se jo vonë do të kemi pasqyrën e saktë të ndotësve dhe “terapinë” e sigurt për mënjanimin e shkaktarëve. Mjekët thonë se kur caktohet diagnoza e saktë, atëherë mjekimi është i lehtë, por po ashtu thonë se me aspirin nuk shërohet zorra qorre. Prandaj, për të sanuar gjendjen nuk do të mjaftojë vetëm konstatimi i gjendjes, por ndryshimi i saj, që nuk do të jetë i lehtë, as pa shpenzime. Megjithatë, njeriu duhet të jetë mbi të gjitha. Prandaj në botë janë gjithnjë e më të popullarizuar ata që angazhohen për ambient të shëndoshë të njeriut. Kosova ka arsye më shumë se të tjerët për një lëvizje të tillë në kuadër e brenda suazave të sistemit.

SASIA E LEJUAR E MATERIEVE TË DËMSHME NË AJËR

Matja e cilësisë së ajrit në Kosovë deri më tash nuk ka qenë sistematike dhe rezultatet e matjeve të herëpashershme nuk janë objektive, as të përdorshme për përfundime shkencore, pohojnë ekspertët. Tani me ndihmën e ekspertëve me zë botëror janë vendosur aparatet matëse në pika të ndryshme të ambienteve të kërcënuara nga ndotja – në ajër ose në ujë, dhe në to do të bëhet matje permanente, në saje të të cilave deri në fund të qershorit të sivjetëm pritet të kemi një pasqyrë të saktë të situatës. Prandaj këtu nuk po japim të dhëna për situatën aktuale, por vetëm parametrat e lejuar me ligj të koncentrimit të materialeve të dëmshme në ajër.

_____________

Ky tekst është pjesë e nismës RI-RILINDJA – një shfletim digjital i historisë përmes faqeve të Rilindjes, gazetës kryesore të Kosovës në shekullin e kaluar. Faza pilot e këtij projekti është zbatuar nga Free Libre Open Source Software Kosova në bashkëpunim me Sbunker dhe Bibliotekën Hivzi Sulejmani, si dhe me mbështetje nga Ipko Foundation dhe Presidenca e Republikës së Kosovës.

Fillimisht e kemi digjitalizuar vitin e parë të së përjavshmes ‘Rilindja e Javës’, që është botuar çdo të dielë nga 14 shkurti i vitit 1988. 30 vjet më vonë, Sbunker sjell artikuj të përzgjedhur nga kjo periudhë me synim të ndërtimit të urave lidhëse mes diskursit të sotëm dhe atij të dikurshëm.

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.