Connect with us

Hi, what are you looking for?

Kritikë

Shënime kushtuar libërmbledhjes

Libërmbledhja është dëshira për t’i tejkaluar vdekjet dhe vetminë nëpërmjet mbledhjes dhe trajtëzimit të një bukurie shoqërore. Më poshtë do ta shpjegoj këtë.

Njerëzit zhduken. Nuk kthehen më. Vuajtja, sado e madhe të jetë, mund të durohet. Por kjo: ikja e njeriut, për mos t’u kthyer më kurrë, kjo është tërësisht e papranueshme.

Libërmbledhja është një shtysë për ta tejkaluar vdekjen, për ta rikthyer të vdekurin mes nesh. Në thelb, libërmbledhja e njëmendtë nuk rrjedh nga dëshira për tregti e as ajo për mburrje, por nga nevoja për të mos i lënë të vdekurit të ikin. Secili libër është një frymë, një gjithësi e burgosur në faqe.

Koleksioni i librambledhësit është kryeqyteti i frymëve: aty ti flet me të shkuarën, të tashmen e të ardhmen. Aty ti flet me librat. Aty librat flasin me vetveten.

Ti e vendos se kush do të banojë në këtë kryeqytet: në këtë aspekt librambledhësi është një diktator i plotfuqishëm. Ca libra i kam grisur nga inati. Ca të tjerë i kam djegur tërë kënaqësi

Vetëm një njeri i vetmuar mund të jetë një librambledhës i njëmendtë. Ata që janë të zhytur në mesin e jetës, futur brenda zhurmës, të stërlidhur mes dramave njerëzore, ata mbledhin libra në mënyrë jo të nevojshme. Mbledhja e librave për ta është një gjë e përgëzueshme, por jo e domosdoshme. Prandaj edhe ata asnjëherë nuk do ta kuptojnë dashurinë vetëflijuese të librambledhësve.

Një librambledhës i njëmendtë sendërgjon bibliotekën e tij vetjake, jo vetëm për ta tejkaluar vdekjen, por edhe për ta tejkaluar vetminë. Ta mbushësh shtëpinë me libra do të thotë ta mbushësh shtëpinë me shpirtra që s’kanë për të të braktisur asnjëherë. Rri afër bibliotekës sime dhe më ngjan se jam afër Don Kishotit apo Odiseut, përherë i gatshëm të bisedoj me ta. Sa herë më zë ndonjë trishtim, më shfaqet fantazma e Uitmanit duke më kënduar ndonjë varg të këndshëm.

Sa herë hyj në shtëpinë e ndonjërit pa libra më pushton një vetmi e madhe. Drithërohem. Rrënqethem. “Me kë bisedon ti, kur nuk të zë gjumi? Ç’zbrazëti e frikshme!” –  them me vete.

Libërmbledhja nis nga një vetmi e rrokakrejtshme dhe përfundon me përplotësimin më të madh të vetmisë.

Librambledhësi e tejkalon vdekjen dhe vetminë nëpërmjet bukurisë së librit. E mban nëpër duar, gishtat e tu prekin qepjen e mbrame të librit, shfleton faqen dhe udhëtimi yt në botën e përjetshme fillon. Edhe nëse botimi është i shëmtuar, librambledhësi e mban një libër për bukurinë e tij të brendshme. Librambledhësi përherë udhëhiqet nga e bukura. Bukuria e librit është një bukuri shoqërore: një bukuri marrjesh dhe dhëniesh, një bukuri bashkëbisedimesh. Letërsia dhe libri asnjëherë nuk mund të jenë ndërmarrje vetjake, por përherë përfshijnë tjetrin brenda vetes.

Ka një ndryshim të madh midis bibliotekës publike dhe bibliotekës vetjake të librambledhësit. Në bibliotekën publike ndihesh i huaj. Asgjë nuk të përket ty. Nuk mund të bësh shënime tek librat. Je i ndarë nga libri. Bashkëbisedimi yt me librin në bibliotekën publike është i kufizuar. I kufizuar nga koha, hapësira dhe pronësia.

Në bibliotekën vetjake librambledhësi ka një marrëdhënie të drejtpërdrejtë me librat e vet. Marrëdhënia e drejtpërdrejtë lejohet, pasi librat e tu janë aty përherë për ty. Pa kufizime. Por edhe më tepër se kaq: biblioteka vetjake të lejon anashshkrimin, atë që në anglisht njihet si marginalia. Anashshkrimi të lejon të bashkëbisedosh me librat, t’i nënvizosh, t’i shkruash librit, t’i kërkosh sqarim apo t’i shtrosh pyetje. Leximi i librit është sipërfaqësor, nëse nuk ka lënë gjurmë.

Kënaqësia më e madhe e librambledhësit është rastësia e përzier me mosdijen e shitësit. Asgjë nuk e lumturon më shumë një librambledhës sesa kur papritur ai gjen një libër që nuk e njihte fare, por që ia ngjall kërshërinë. Ose një libër që ai kishte vite që e kërkonte, por që nuk kishte besim se do ta gjente, por ja që rastësia e solli, që tani ai libër ndodhet mes duarve të tij. Por kur kjo rastësi ndeshet edhe me injorancën e shitësit: kjo përbën kulmin e gëzimit për një librambledhës.

Me anë të një rastësie kam gjetur botime të para të Hajnrih Bëlit. Një profesor i letërsisë gjermane në Otava vdiq dhe gruaja e tij ia dhuroi librat e tij librarisë afër universitetit. Një ditë rastësisht, duke gërmuar nëpër librat e lënë rrëmujë në katin përdhes të librarisë, shikoj disa libra në gjermanisht. Ishin botime të para të veprave të Hajnrih Bëlit. Librashitësi nuk e njihte fare Hajnrih Bëlin, nuk dinte gjermanisht dhe kishte qenë aq përtac, saqë nuk e kishte kontrolluar fare se kush është Hajnrih Bëli. Si pasojë, botimet e para të Hajnrih Bëlit, ndër to edhe Me syrin e një kllouni, përfunduan në duart e mia për veç 2 dollarë.

Vetë unë iu futa librambledhjes për hir të një rastësie. Para shumë vitesh punoja në magazinën e një shitoreje që shiste gjëra të vjetra e të përdorura. Një ditë aty erdhi një grua e moshuar. Më tha se burri i saj kishte qenë librambledhës dhe tani ai kishte vdekur. Një pjesë të madhe të koleksionit të burrit të saj ma dhuroi mua, pasi ajo i urrente librat dhe po më ankohej se burri i saj e kishte shndërruar shtëpinë e saj në bibliotekë. Që atë ditë vendosa t’i futesha librambledhjes.

Koleksioni i librambledhësve të njëmendtë ka një qëllim dhe trajtë të përcaktuar. Për shkak të këtij parimi, koleksioni i një librambledhësi është përherë një sfidë, një përballje, një qëndresë për t’i ndenjur besnik trajtës dhe qëllimit fillestar të koleksionit. Tundimi më i madh i librambledhësit është pështjellimi dhe rrëmuja. Kjo mungesë e rregullit vjen si pasojë e rastësisë: rastësisë se mund të shikosh një botim të parë të Në pritje të Godosë, që një librashitës i mangët po e shet për 2 dollarë, pavarësisht se ky libër mund të mos ketë lidhje me koleksionin tënd.

Aurel Plasari, në një fjalim sivjet për ekspozimin e koleksionit të librambledhësit Ylli Sula, bën një dallim midis bibliofilisë dhe bibliomanisë. Sipas Plasarit, synimi i koleksionit të bibliofilit duhet të jetë në shërbim të dijes. Ndërkohë bibliomaniaku mbledh libra ose për tregti, ose për të përmbushur tekat vetjake. Pavarësisht se është një dallim i vlefshëm, mua më ngjan se sërish këtu në thelb kemi të bëjmë me marrëdhënien që koleksioni ka me trajtën dhe synimin fillestar. Bibliomaniaku nuk ka parim: ai mbledh çdo gjë. Koleksioni i bibliomaniakut është një rrëmujë. Ndërkohë, koleksioni i bibliofilit ka rregull, parime dhe trajtë të përcaktuar, pavarësisht nëse synimi i koleksionit është t’i shërbejë dijes apo të bukurës.

Koleksionet e librambledhësve mund të kategorizohen nga dëshira për të ringjallur diçka.

Mbledhja e veprës së plotë të një autori është dëshira për ta ringjallur autorin.

Mbledhja e botimeve të para është dëshira për ta ringjallur një ndodhi të rëndësishme të së shkuarës.

Mbledhja e të gjitha botimeve të ndryshme të të njëjtit libër është dëshira për ta ringjallur rrugëtimin e një vepre.

Mbledhja e botimeve të bukura është dëshira për ta ringjallur një veprimtari shoqërore.

Botimet e bukura nuk janë thjesht të parapëlqyera për hijshmërinë që mbartin në vetvete: ky është një gabim që e dëgjoj shpesh nga njerëzit. Bukuria e njëmendtë e botimeve të hijshme qëndron te bukuria shoqërore: te guximi i disa njerëzve për t’u bërë bashkë, duke shpërfillur fitimin dhe kohën. Bukuria e njëmendtë e botimeve të hijshme qëndron te qëllimi dhe veprimtaria e disa njerëzve për të sendërgjuar diçka të bukur.

Libërmbledhja është një udhëtim i gjatë platonik që fillon nga përmbajtja dhe përfundon te trajta hyjnore. Librambledhësi përherë fillon duke mbledhur atë që ai do të lexojë. Më vonë ai kalon te leximi i librit, që e shfaq përmbajtjen në mënyrën më të përshtatshme: libri që e pajis përmbajtjen me hyrje dhe shënime. Më pas kemi kalimin te libri që e shfaq përmbajtjen e përkryer në trajtën më të mirë. Dhe fundi i udhëtimit të librambledhësit është libri që shfaq përmbajtjen e përkryer në trajtën hyjnore: ky është libri ideal.

 

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.