Connect with us

Hi, what are you looking for?

Kritikë

Mbi pafundësinë dhe përftueshmërinë 3

The Infinite Crystal Universe, ©teamLab

Mësimi njëzëri i filozofëve të mesjetës ishte Infinitum actu non datur (Pafundësia nuk është aktuale, nuk ekziston në realitet, nuk është një tërësi e përfunduar). Ndonëse tre mjeshtra të mëdhenj të mendimit, teologjisë dhe shkencës (Aristoteli, Thoma Aquini dhe Carl F. Gauss) forcërisht insistojnë se pafundësia është një konstante, është Georg Cantor-i që mbron me xhelozi tezën se ajo paraqet një madhësi vazhdimisht të ndryshueshme, në rritje të vazhdueshme dhe përtej të gjithë fundeve të imagjinueshme. Në të dyja alternativat gjendja faktike e vdektarëve si ne është e vënë përballë përmasash gllabëruese. Ne përftojmë dhe jemi pafundësisht të vegjël, shkojmë me ndjenjën e të qenit kalimtar, të fundëm, pa patur mundësinë të kuptojmë pse detyrimisht jemi të fundëm. Ky raport shpërputhshmërie në mes të jetës sonë përftuese dhe Gjithësisë së pafund ka qenë trajtesë e vazhdueshme e letërsisë, që në fill të saj.

Versioni i parë i Epit të Gilgameshit daton këtu e pesëmijë vjet më parë. Është tregimi i parë i madh i mirfilltë i njerëzimit dhe, besnik i një soji kaq frikacak e lakmitar siç është njeriu, s`ka si të ishte ndryshe, ky ep pra, rreket të trajtojë dhimbjen e madhe, më të madhen, të njeriut: përftueshmërinë e vet. Gilgameshi nuk lëshohet të kërkojë aventurën, dashurinë, dijen, vetminë,  pasurinë, siç bëjnë më vonë heronjtë e mëdhenj të letërsisë (Odiseu, Agasfer-i, Jason-i, Faust-i, Don Quijote, Don Juan-i, por kërkon përjetësinë. Që në fill të udhëtimeve të mëdha të letërsisë qëndron pra udhëtimi në kërkim të thesarit më të rëndësishëm: jetës pa fund. Edhe Gilgameshi, si ne të gjithë, rritet me praninë e vdekjes dhe kufizueshmërisë së njeriut në kohë, hapësirë dhe mundësi. Gjithkah ai sheh vdekjen, fundin, ikjen përfundimtare, dhe gjithkah dëgjon tregimin se Zotat e kanë krijuar njeriun me destinim vdekjen. Pafundësinë ndërkaq, ata e paskan ruajtur vetëm për vete. Në vuajtjen që i shkakton ky mësim absolut (se krejt çka lind, do të vdesë!!), ai shndërrohet në një sundimtar të dhunshëm e aspak njerëzor. Për ta larguar vëmendjen dhe dhunën e tij nga qyteti Uruk, Perënditë krijojnë një ur-njeri, Enkidu-në, i cili për shkak të vetive të veta, tërheq krejtësisht vëmendjen e Gilgameshit, që, fillimisht reagon me armiqësi, e pastaj bëhen miq të pandashëm dhe bashkërisht marrin rrugën për te Uta-napishti, heroi i mbijetuar i përmbytjes së madhe. (Do ta shkruaj emrin tim te emrat e burrave të pavdekshëm!) Kështu Gilgameshi i flet për qëllimin e vet Enkidu-së) Atje, nga pëgjigjet që i jepen, Gilgameshi zhgënjehet për vdekje. Heroit të amshimit, Uta-napishtit, përjetësia i është dhuruar jo nga dashuria për të, por që të mbahej në baraspeshë bota e çrregulluar e Zotave dhe e njerëzve. Uta-napishti i bën me dije, se ai, Gilgameshi, edhe si njeri, edhe si mbret, është aq i parëndësishëm, sa për të nuk do të lodhej asnjë nga Perënditë.

“Kush do t`i mbledhë ata, Zotat, së bashku për dëshirat tua, për një njerith të quajtur Gilgamesh, që s`bën gjë tjetër veç egoizmit dhe frikës nga vdekja?”

Kështu Uta-napishti i bën të qartë Gilgameshit, se ai që s`e mund madje as gjumin, nuk guxon të shpresojë të mundë vdekjen. Ndërsa lulen e jetës së këputur e marrë nga fundi i Oqeanit, ia vjedh gjarpri dinak. Gilgameshi mëson në fund se kudo që të shkojë, vdekjes nuk mund t’i ikë.

“Ku po shkon, Gilgamesh? Jetën që po kërkon nuk do ta gjeshë. Kur Zotat krijuan njerëzimin, i ndanë dhe vdekjen, e jetën e mbanë për vete. Ti, Gilgamesh – me barkun plotë, kënaqu me jetën ditë e natë. Festo atë i lumtur! Këndo e vallëzo ag e terr! Rrobat i ke të lara, trupin të pastër, të lahesh me ujë gjithnjë! Shikoje të birin në duartë tua, gruaja i gëzohet përqafimit tend! Këto janë punët e njeriut!”, kështu këshillohet Gilgameshi në fund të udhëtimit të tij dhe kthehet në Atdhe, ku, i mbruajtur me dije e përvoja të mëdha, qeveris si një mbret dhe rojtar i popullit të vet.

[Als die Götter die Menschheit erschufen, teilten den Tod sie der Menschheit zu, nahmen das Leben für sich in die Hand. Du, Gilgamesch – dein Bauch sei voll, ergötzen magst du dich Tag und Nacht! Feiere täglich ein Freudenfest! Tanz und spiel bei Tag und Nacht! Deine Kleidung sei rein, gewaschen dein Haupt, mit Wasser sollst du gebadet sein! Schau den Kleinen an deiner Hand, die Gattin freu´ sich auf deinem Schoss! Solcher Art ist das Werk der Menschen!”]

Përjetësia është refleksioni halucinant i dëshirave tona. Është shpërfaqja e çmendisë nga frika e përftimit përfundimtar, nga vdekja. Është nënvetëdija e individit, i cili, në vetminë e tij të pashpresë, projekton ëndrra për përjetësinë. Madje këtij projeksioni nuk i kanë shpëtuar as skenarët e pasvdekjes, me jetën në amshim (parajsa, ferri, qarkullimi i shpirtërave nëpër gjallesa). Kjo tregon se njeriu nuk pajtohet assesi me faktin se ka një fund të pranisë së tij në Univers, këndej apo andej vdekjes. Madje edhe kultura e varrimit dhe ritualet e vdekjes në të gjithë kulturat e mëdha, përgjatë gjithë historisë tregojnë një simbolikë krejtësisht në shërbim të përcjelljes së të vdekurit për në botën (jetën) tjetër, sesa për një akt përfundimtar (të zhbërjes) të ekzistencës së atij që varroset. Moshatar, po e zëmë, me Epin e Gilgameshit është mumifikimi i të vdekurve në Egjipt, gjithnjë në kuptim të asaj që të vdekurit t`i ruhej trajta për shpirtin e ri në amshim. Të tjerët (kulturat tjera) trupat ua kanë dhënë dheut, ujit, zjarrit a zhgabonjave, gjithnjë në një procesion përcjellje fetare, si kalim andej.

Refleksion i gjëllimit për përjetësinë bëhen pastaj monumentet e ndryshme, të cilat bartin tutje nëpër kohë identitetin e përpjekjes individuale apo kolektive dhe tregojnë njëkohësisht prirjen e një kohe dhe një entiteti në raport me përftueshmërinë. Një monument i tillë mund të jetë edhe një varr. Dhe ne e dimë se mjeshtrat më të mëdhenj në historinë e njerëzimit për të kultivuar varret (dhe jo çfarëdo varresh!) janë egjiptasit e vjetër. Në kulturën e tyre varret (piramidat sidomos!) janë monumente të pavdekësisë. Ato shpërfaqin kujtimin dhe nderimin për të varrosurin, ndërsa shkrimet nëpër muret e atyre varreve materializojnë edhe gjuhësisht e letrarisht këtë respekt. Kur mijëvjeçarët relativizojnë raportin e këtyre monumeteve me individin, të cilit i janë kushtuar (kur varri pra, bëhet i parëndësishëm), mbeten vetëm këto shkrime që dëshmojnë për të bëmat e tij. Kjo vërteton faktin se në Egjiptin e Lashtë, nga të gjitha arritjet e mundshme kulturore, veprat letrare ishin më të vlefshmet, më të rëndësishmet. Letërsia ishte ajo që hapte shtegun e sigurt drejt përjetësisë. Vlen të kujtojmë këtu vetëm rolin që kishte profesioni i Shkruesit në Egjipt, për të përafruar rëndësinë e shkrimit në atë kulturë të herëshme. Duke inauguruar Diturinë përmes konservimit të saj në shkrim, Shkruesi siguronte trashëgiminë e asaj dije, dhe kështu bënte të pavdekshme traditën.

Duke u bërë permanente prezenca e së vjetrës në të renë, sidomos përmes letërsisë dhe arkitekturës, depërton në përditëshmërinë e jetës sociale, dhe kështu edhe te përceptimet e individit krijon përshtypjen e një pranie të përtejkohëshme, të stërvjetër, të amshueshme.

Ne jemi të detyruar ta përjetojmë ekzistencën dhe, me gjithë të mirat e të këqiat që i ka, – jemi të burgosurit e saj.

 

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.