Connect with us

Hi, what are you looking for?

Opinion

Koncepti i dështimit në ekonomi dhe divergjencat mes të djathtëve

Ilustrimi: Big Eye

Koncepti i dështimit në ekonomi dhe divergjencat mes të djathtëve

Për shumë njerëz, dështimi i një kompanie është një gjë e keqe, e cila duhet evituar patjetër. Natyrisht, në aspektin individual, qëllimet e një kompanie janë maksimizimi i profitit dhe evitimi i humbjes. Mirëpo, është gabim logjik të mendohet se çka është e mirë për një kompani është e mirë edhe për gjithë shoqërinë. Në fakt, një shoqëri ka nevojë për dështim të kompanive po aq sa për suksesin e tyre. Ndonëse ky konstatim është kundërintuitiv, një lexim më i hollësishëm i mekanizmit të tregut e bën atë të saktë.

***

Për ta kuptuar mekanizmin e tregut, është mirë ta marrim si analogji procesin demokratik nëpërmjet të cilit bëhet transferi i pushtetit. Në çdo cikël zgjedhor njerëzit votojnë për liderët nga të cilët duan të udhëhiqen. Kur liderët aktualë e humbin pushtetin, shumica gëzohen me humbjen e tyre, pasi kjo nënkupton se favoritët e tyre do t’i marrin levat e pushtetit në dorë. Në të njëjtën mënyrë funksionon edhe mekanizmi i tregut. Por, në vend të votës, njerëzit e përdorin paranë e tyre për të vendosur se kush do t’i kontrollojë mjetet e prodhimit.

Kur ata e blejnë një produkt të caktuar, faktikisht “votojnë” që kompania që e prodhon atë produkt të vazhdojë të qëndrojë në treg. Njëkohësisht, ata “votojnë” që konkurrentët e asaj kompanie të dalin nga tregu. Një shoqëri duhet vazhdimisht të prodhojë mendim të ri politik, i cili e avancon mendimin ekzistues të cilit i është venitur aura ideologjike dhe kapaciteti për ta rritur mirëqenien e njerëzve. Në logjikë të njëjtë, një shoqëri duhet vazhdimisht të prodhojë kompani të reja, të cilat i shuajnë kompanitë ekzistuese të cilat kanë humbur kapacitetin për të krijuar vlerë për konsumatorët.

***

Domosdoshmëria e dështimit, si proces i natyrshëm dhe i mirëseardhur i tregut, luan një rol thelbësor në të gjitha shkollat e mendimit të djathtë ekonomik. Mirëpo divergjencat fillojnë kur ne e fusim në ekuacion konceptin e shtetit-komb. Radikalët e së djathtës zakonisht nuk e trajtojnë fare konceptin e shtetit-komb, në kuptimin që refuzojnë të japin përgjigje në një botë ku ai është i pashmangshëm. Duke e refuzuar këtë realitet, ata japin përgjigje për një botë utopike. Dhe këtu buron dështimi i tyre për ta formësuar një ide e cila mund të materializohet pastaj.

Mendimtarët e qendrës së djathtë, për dallim, të cilët zakonisht janë edhe konservatorë, jo vetëm që e shohin konceptin shtet-komb të pashmangshëm, por të domosdoshëm për ta ruajtur kohezionin e shoqërisë. Rrjedhimisht, përgjigja e tyre ekonomike ndaj dështimit është më e butë. Ndonëse dështimin e shohin si të domosdoshëm, nganjëherë ata mund të propozojnë për një ndërhyrje të shtetit për ta shpëtuar ndonjë sektor nga dështimi, sidomos në rastet kur ai rrezikohet të shuhet jo si rezultat i konkurrencës së lirë, por i një strategjie industriale të një shteti tjetër.

***

Një faktor tjetër që i shtyn të djathtit të kenë divergjenca në trajtimin e dështimit është pamjaftueshmëria e kërkesës. Për radikalët e së djathtës, krizat ekonomike shkaktohen vetëm nga zgjerimi artificial i kreditit, që vjen përmes ndërhyrjes së shtetit. Rrjedhimisht, zgjidhjen e dështimit të kompanive në kriza ekonomike ata nuk e shohin duke u ndihmuar atyre, pra duke pasur më shumë intervenim shtetëror, por duke e larguar dorën e shtetit nga ekonomia.

Për dallim, ekonomistët e qendrës së djathtë nuk e fajësojnë vetëm shtetin për kriza ekonomike, por i shohin ato si ngjarje natyrore të paevitueshme. Po ashtu, duke i konsideruar krizat ekonomike si të pashmangshme, dështimin e kompanive në kriza ekonomike ata nuk e shohin domosdoshmërisht si sinjal të paaftësisë së kompanive. Rrjedhimisht, duke u nisur nga këto premisa, ata janë më të hapur ndaj politikave monetare dhe fiskale, të cilat mëtojnë t’i japin injeksion të përgjithshëm ekonomisë, pa ndikuar në relacionin mes kompanive.

***

Për fund, dështimi i kompanive është një proces i natyrshëm dhe i mirëseardhur i mekanizmit të tregut, përmes të cilit konsumatorët i alokojnë mjetet e prodhimit drejt kompanive të cilat u përgjigjen më së miri kërkesave të tyre. Ndërhyrja e shtetit domosdoshmërisht që do ta pengojë këtë proces, duke dëmtuar konsumatorët.

Megjithatë, për mendimtarët e qendrës së djathtë, ndërhyrja e shtetit për ta penguar dështimin e kompanive nganjëherë është e duhur. Në një botë ku shtetet kanë një rol të madh, ato domosdoshmërisht duhet t’i përshtatin politikat e tyre ekonomike duke u bazuar në trajtimin që shtetet e tjera u bëjnë kompanive të tyre. Gjithashtu, në situata specifike të pamjaftueshmërisë së kërkesës, ku dështimi s’është sinjal i performancës por rezultat i problemeve strukturore të gjithëmbarshme, ndërhyrja e përkohshme dhe e limituar e shtetit është e mirëseardhur.

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.