Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analizë

Katundi si arsye për mospunë

Në reagimin e tij ndaj tekstit te Besnik Pulës “Marrëdhënie ndërkombëtare apo marrëdhënie katundare” Adri Nurellari më shumë ka treguar se është prekur me fjalën katundar sesa ka argumentuar se Pula nuk ka të drejtë. Nurellari, me shkrimin e tij, ka treguar se ai ka nevojë ta bëjë publike sasinë e informacionit që ka në fushën e marrëdhënieve ndërkombëtare, duke paraqitur disa shembuj të cilët ai i konsideron si politikë e jashtme.

Fatkeqësisht, Nurellari është lëshuar në çështje personale dhe ka sulmuar Pulën direkt, duke konsideruar se mendësia e një doktori të shkencave shoqërore që punon në një universitet amerikan, vjen nga prejardhja e tij e privilegjuar, duke e gjuajtur një debat të mirë në rrafsh më shumë personal. Këtë e bën përkundër specifikimit të Pulës se fjala katundar nuk është perzhorvative dhe se koncepti është i bazuar në një studim të referencuar të dikujt tjetër.

Nurellari insiston me diturinë e tij për historinë e marrëdhënieve ndërkombëtare duke dalë nga politika e jashtme në politika të mbrojtjes, pa kurrfarë funksioni në debat, pasi këtu nuk flasim për mbrojtje të sovranitetit, të cilin Kosova nuk po mund ta sigurojë me politikën e vet të jashtme të armatosur me këshilltarë të ditur.

T’i kthehemi idesë së Nurellarit që flet për përmirësimin e imazhit të Kosovës në arenën ndërkombëtare pas fillimit të negociatave me Serbinë. Këtë unë nuk mund ta mohoj, por as Nurellari nuk mund ta pohojë siç bën, meqë kjo gjë nuk është matshme. Sa për vlerësim personal, unë kujtoj se me këto negociata është përmirësuar më shumë imazhi i Serbisë, si partner i besueshëm i BE-së. Kosova ka dalë çfarë është:  e bën marrëveshjen që pastaj dëshiron ta anulojë, siç ishte rasti me marrëveshjen për sigurime të veturave e tabela automjetesh, të cilën Edita Tahiri ende nuk mundi ta bëjë reciproke.

Nurellari thotë se Politika e Jashtme e Kosovës tash është drejtuar në marrëdhëniet multilaterale, pasi kjo do i sjellë një votë Kosovës duke i mundësuar që këtë votë ta negociojë për interesa të veta. Këtu ai paraqet disa raste ku Trinidad e Tobago paska fituar dikur diçka.

Unë kujtoj se orientimi i Kosovës drejt marrëdhënieve multilaterale ndodhë meqë shefi i Nurellarit, Hashim Thaçi, dëshiron të ketë disa suksese të matshme në politikë të jashtme dhe anëtarësimi në organizata ndërkombëtare është me i lehtë sesa njohja nga shtetet individuale. Kështu tash jemi pjesë e Organizatës Ndërkombëtare të Frankofonisë, e ndoshta me vonë edhe të UNESCO-s. Gjetja e bërjes së politikës në këtë drejtim është përzgjedhje pragmatike për «sound bites» të shefit kur tregon për rezultatet.

«Jemi pranuar në kaq organizata!» ndoshta ia shtojnë «duke përfshirë edhe UNESCO-në, që është agjenci e OKB-së». Pranimi në këto organizata nuk ka asnjë përfitim për qytetarin; në fakt do të ketë obligime dhe shpenzime.

Për shembull, pranimi eventual në UNESCO ku anëtare është edhe Palestina falë ish ministrit të jashtëm serb, përveç që do e nevrikosë Daçiçin, qytetarit të Kosovës do i sjellë shumë pak ose aspak përfitime. Vota e Kosovës në këtë organizatë nuk do të ketë kurrfarë peshe negociuese. E kam enigmë ta di se për cilin interes te vetin do ta shkëmbejë Kosova votën e saj në organizatën e frankofonisë apo në UNESCO.

Derdhja e energjive enorme në këtë anëtarësim e jo në drejtim të gjetjes së tregjeve për prodhime kosovare është shumë «katundare» dhe populliste në stilin – He ç’ia kam ba Daçiçit. E pastaj edhe një montazh për mediat sociale ku Thaçi e ka mujtë Daçiçin, e ekipi i Thaçit bën një foto grupore duke qeshur në stilin ja suksesi, u bëmë antarë të UNESCO-së dhe triumfuam ndaj Serbisë. E pastaj share e like nga të gjithë pinjojët e partisë, gjithandej rrjeteve sociale.

Unë kujtoj se politika e jashtme e Kosovës nuk pasqyron nevojat e qytetarit dhe nuk adreson problemet e numërta një në vend, që janë varfëria dhe papunësia në të shumtën rezultat i një sistemi të korruptuar të shkollimit dhe poltikëbërjes në përgjithësi.

Këto dy çështje duhet të jenë edhe preokupim i Ministrisë së Jashtme. Një votë në UNESCO nuk do ta punësojë asnjë kosovar. Përkundrazi, do të marrë fonde publike nga bizneset duke ulur potencialin e krijimit të vendeve të punës. Pra, Nurellari, së bashku me shefin e tij, duhet të angazhohen që të përmbushin premtimin prej 200 mijë vendeve të punës, e për këtë do të ishte mirë që të angazhohej që pak produkte të mira që bëhen në Kosovë të plasohen në tregje ku margjinat e fitimit do të ishin të mëdha. Të sigurojë me qeveri të ndryshme që mallrat e Kosovës të mos bllokohen në kufi, duke filluar nga vendlindja e Nurellarit, Shqipëria. Madje mund të takojnë edhe kompani si Adobe që tanimë bën outsource në Serbi e jo në Kosovë, që eventualisht të angazhojë ndonjë të ri që ka mësuar programimin vet.

Ministria e Jashtme duhet të angazhohet që të sjellin në Kosovë gazetarë, bllogerë, entuziastë dhe profesionistë të turizmit që të shkruajnë artikuj pozitivë për Kosovën dhe të nxisin njerëzit të vizitojnë vendin tonë dhe të krijojnë vende të reja të punës. Turizmi si potencial zhvillimor i Kosovës (për krijimin e 200 mijë vendeve të punës) është identifikuar edhe nga USAID edhe nga Agjencia Zhvillimore Zvicerane, edhe nga BE-ja që kanë përkrahur projekte të kësaj natyre. (Rezultat i përpjekjeve të donatorëve teksti në The Independent – Në Kosovë mbretëron harmonia).

Nurellari dhe politika e jashtme e Kosovës duhet të kujdeset që t’i sigurojnë sportistëve të Kosovës që të mos ngelin pa pjesëmarrje nëpër turne ndërkombëtare për shkak të refuzimit të vizave siç ka ndodhur edhe me sportin numër një në Kosovë – xhudon – i cili i siguron vendit hapësirë në mesin e heronjve të CNN (kur flasim për imazhin). Gjithsesi se ky sport ka bërë më shumë diplomaci publike se i tërë ky kabinet qeverisës.

Nurellarit dhe stafit tjetër të Ministrisë së Jashtme do i propozoja që të ulin ambiciet e ndikimit ndërkombëtar dhe tregtinë me vota duke shterrur energjitë që shefi të duket mire me setër pas krahu ne rrugë të Nju Jorkut,  të lënë teoritë e marrëdhënieve ndërkombëtare në universitete dhe të lexojnë çka thotë ai pak komunitet i vlefshëm akademik, përderisa vetë të mendojnë për qytetarin e Kosovës i cili prodhon verë, djathë dhe perime të mira, ofron mikpritjen më të mirë në Evropë, e besa edhe pak IT. Kurrsesi nuk duhet të preken se dikush, përmes një analogjie konceptuale, e paska quajtur punën e tyre «katundare».

 

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.