***
Shkrimtari irlandez Walter Macken ka një tregim fantastik që quhet ,,Gjashtë ditë të javës,,. Pa dashur të zgjatem në këtë ditë të lumtur, dua ta them atë që e kam ndërmend nëse kam mend. Njëri ndër personazhet e rrëfimit quhet Fionan. Një plak që vajton forcat e tij të humbura dhe mjerimin e tij biologjik kundruall ligjit të ashpër të detit. Të merremi vesh tregimi është për çdo lëvdatë dhe unë puth dorën e tharë të atij që e ka shkruar. Më lejoni të ndajë një pjesë nga libri pastaj cakërroni gotat për çfarë të’u dojë loçka e zemrës. Fionani tregon se dikur e një kohë në botë kishte jetuar një mizë e çuditshme që quhej Filomena. Ajo lindte dhe rritej në plehëra. Derisa në njërën prej ditëve të saj të lavdishme ngrihej lart në qiell. Dhe fluturimi i saj del të jetë i pandalshëm. Ajo shkon më lart se çdo gjë tjetër dhe pastaj rrëmbimthi bie si gur, përplaset në plehëra dhe pa një e pa dy, ngordh. Duket se nuk kemi nevojë të futemi më thellë se kaq. Megjithëse shembulli del të jetë fare i thjeshtë duket se pas vetes ka një gjë që është esenciale. Pa dashur të futem në paralajmërime që afrohen afër konceptit të ndonjë profecie të hamamtë. Ma ha mendja se goxha shumë Filomena kanë paguar çmimin e fluturimit të tyre dhe goxha shumë Filomena kudo në botë tragjikisht të trazuar, ende janë në fluturim e sipër.
***
Më shumë se asnjëherë ndjej se në këtë vit nuk kam asnjë urim të vetëm. Të gjitha urimet e mëhershme gjatë viteve të kaluara sikurse këto që bëhen edhe tash, ishin hiç më pak e hiç më shumë se fjalë të marra nga era. Duket se kam arritur në një pikë të çuditshme. Nuk besoj në dëshirën për ditë të mbara. Kjo nuk do të thotë që dua të lutem për ditë të këqia. Asesi. Thjeshtë e lë veten nën mëshirën e urimeve hipokrite. Dhe rrëkëllej gotat në lutje për clirimin e të gjitha krijesave. Dhe këtë e bëj zhytur në heshtje ose zhytur në gaz. Gjithmonë kam besuar se çdo problem që jehon kudo mbi faqe të dheut, ka një burim të vetëm. Dhe kësaj here dua të rrënoj themelet e patetizmit. Dhe ta shkund ashpër pemën e mendimit fanatik. Duke e mbajtur mbi supe pallton e madhe të turpit, dua të them se para gjithë problemeve tjera që na bëjnë më të moshuar se sa jemi, qëndrojnë zemrat tona. Zemra tona të ngushta. Lakmitare. Të uritura dhe përgjithmonë grabitçare. Prandaj nëse do të më kërkohej që të dërdëllisja diçka në mënyrë të patjetërsueshme me rastin e ndërrimit të motmoteve atëherë do të thoja që t’i ushqeni zemrat e juaja me frutin e lashtë religjioz të dashurisë. Dhe ta hiqni helmin e juaj nga damarët e gjakut që ladron brenda jush.
***
Sa për ta mbyllur meqenëse e kërkon zakoni. Gjithmonë më është dukur se festat janë për fëmijët dhe turpi është për ne, të rriturit.