Diçka nuk po shkon me perandorinë tuaj familjare. E mbaj mend që edhe si fëmijë më është dukur një çudi e madhe, kur kam pa’ sesi funksionon familja. Diçka që as sot akoma nuk mundem m’e kuptu. Vetëm se po ajo çudi, e mbështjellë për bukuri me aq shumë t’pavërteta e siklete, m’sillet e m’pshtillet çdo ditë nëpër këmbë. Peshën e dhimbjeve t’nanës p.sh. mbas ndoj konflikti me babën edhe sot e ruej t’freskët. Dikush mundet me thanë që nuk është ndoj emocion i kandshëm për m’e ruejt’ t’freskët ama unë nuk kam faj që e mbaj mend mirë; e ndjej prapë, sa herë mendoj për atë kohë. E jam shumë e sigurt që njëjtë ndihen edhe shumë të tjerë kur i kujtojnë zënkat n’familje, idhnimim, mungesën totale të realitetit sepse gjithmonë neve fëmijëve na është thënë gjithçka përpos të vërtetës. E na, me po atë tru të kthjellët që e kanë krejt fëmijët ndoshta nuk kemi mujtë me ju lanë emra gjanave, ama ju siguroj që i kemi ditë krejt.
Prej që jam ba me mendu vetë, asgjë në këtë mesele nuk më duket më e çuditshme por thjesht jo e natyrshme. Pse njerëzit kanë aq shumë prirje dhe e lanë për t’u shtirë, duke qenë në deficit të thellë të autenticitetit, është për me u studiu. Prandaj po. Unë mendoj që monogamia dhe koncepti në familje, ashtu si e perceptojnë shumica është jonatyral, është iluzion.
Është ide e futun n’kulturat e ndryshme t’njerëzimit kinse në të mirë të një rendi ma të drejtë shoqnor. Për dikë, në një kohë a në ndonjë vend të shkretë edhe pa perspektivë, kjo shpikje mundet me u konsideru arritja ma e madhe e humanoidëve. Ndoshta edhe mund të kenë pasur të drejtë kur kësaj ia bashkangjitë mosbarazinë e luftën e përjetshme gjinore po edhe gra t’sfilituna e t’dërrmueme nga jeta, për të cilat, një burrë që do t’i siguronte një kafshatë buke për të dhe foshnjen, do të ishte premisë.
Mirë këtë e morëm vesh. Hajde tash po kthehem te e sotmja. Këtu, në këtë moment, e po flasim pak për një vetëdije tjetër, një ide tjetër, veç një propozim krejt t’vogël e shumë t’logjikshëm. Çka nëse kishim mujtë me jetu ndryshe? Çka nëse po? Çka nëse nuk kishim me u tregu aq shpirtvegjël e mendjembyllun tuj mendu që njerëzit edhe jeta nuk ndryshon. E di që nuk po them kurgja të re? E di që krejt ju e dini që jeta e sidomos njerëzit ndryshojnë, bile koxha shpesh. Prandaj jemi njerëz. Randësia e të kuptuemit të kësaj matematike kaq të thjeshtë është kruciale. Kurgjo kjo, sa është hala ma e rëndësishme me pranu e me akceptu ndryshimin. Me hjekë dorë prej egoizmit, tekave e konsekuencave imagjinare që vijnë gjithmonë prej njerëzve të cilët nuk janë ti. Nuk janë as fëmija yt. Çka nëse na e sidomos gratë tona, kishin me hjekë dorë prej frikës, që edhe ajo është skajshmërisht imagjinative, e mbjellun padrejtësisht si ide n’kokat tona si shumë dogma tjera prej të cilave nuk mundemi me u çliru kurrë.
Çka nëse e lirojmë veten një herë e përgjithmonë prej komplekseve, idesë së vetmisë, çka nëse ia japim vetes, zemrës e mendjes një mundësi për me marrë frymë lirshëm. Çka nëse pushojmë me i dhanë vetes gjithmonë të drejtë në procesin e robërimit të tjetrit, çka nëse e kuptojmë që bota nuk na takon e secili njeri i takon vetëm vetes së vet. Çka nëse… Pse mendoni që rruga drejt çlirimit është kaq e vështirë, obsesionet e idetë e të jetuemit në në një rreth vicioz plot mashtrime e nderskamca iu është ngjitur e pjekur për mishtë, besomni. Dhe kjo është fatkeqësia ma e madhe. Edhe keni me vazhdu, e di, edhe pse e keni kuptu që diçka nuk është kah shkon. Keni me vazhdu prapë me u sorollatë sheshit me fytyra t’zbehta nga pagjumësia tuj sorollatë edhe karrocat e tu’ mendu a thu me kë e ka kalu natën mbramë? E skandali ma i madh është që mundoheni me u masku si me grim ashtu edhe me buzëqeshje false tuj u dashtë me çdo kusht me i tregu botës sa i/e lumtur je ti në perandorinë tande t’vogël familjare.
Jo, jo. Unë po ju ndjej, e po e di saktë qysh po ndiheni. Po e ndjej sikletin e dhimbjen, e po ma ktheni prapë fëmininë e mjegullën e atëhershme, pas mosmarrëveshjeve të prindërve t’mi.
Edhe një tjetër propozim të vogël e kisha dhanë për krejt gratë e femrat, se m’duket që krejt ky shkrim doli që t’u drejtohet në veçanti atyre. Femër jam vetë dhe vetëm duke qenë një e tillë mundesh me e njoftë me rranjë forcën tande t’pakufishme dhe mundësitë e mëdhaja për ndryshim në çdo pore t’jetës. Kur kemi mësu histori, dikund në mesin e shumë mësimeve krejt pa lidhje, çuditërisht disa detaje m’kujtohen dhe m’kanë magjepsë qysh atëherë. Vjen tamam prej paragrafeve të paktë kur flitet për matriarkatin. E po sa përmendet matriarkati menjëherë n’mendje më vijnë legjendat e Amazonave*. Ma thotë mendja dhe besoj që sikur bota mos të rrotullohej mbrapsht nga atëherë, unë qe besa nuk e kisha pas’ fare të nevojshme me shkru për këto probleme kaq banale në dukje por të thella substancialisht. Që do të thotë: nëse vërtet e ndjeni nevojën e riprodhimit, kontributin për shtimin e popullsisë aman llogariteni ma mirë dhe vetëm me kalemin tuaj.
Nuk çohet femra me e maru një jetë me harxhin e dhuruesit të spermës. Krejt e drejtë dhe legjitime është mënyra e mendimit tuaj, edhe vendosja e rregullave të lojës në fillim por ama kur partnerët në fjalë po ju dezertojnë për një arsye apo tjetër, po frustroheni. Edhe s’keni hiç faj ama as ata vetë nuk kanë faj. E ata prej të cilëve na presim shumë, janë të vegjël. E keni rastin ju, sot, me i ruejtë prej një ndjenje të tillë kaq t’parehatshme sa të smun’, që ne sot pothuajse shumica e ndjejmë. Jepjani vetëm realitetin. Përplasjani n’fytyrë. Mos i viktimizoni e përdorni për interesa minore të pasigurisë e mungesës së identitetit tuaj. Veç kështu i bani t’fortë e t’gatshëm për një jetë pa dogma, pa gjana fikse pa shtrëngime t’shpirtit, pa idena të tejkalueme e pa mendësi mesjetare. Lirojini. Sepse edhe vetë e dini mirë që diçka nuk është kah shkon me perandorinë tuaj familjare, t’rrenave.