Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analizë

Mb’loju se marre

Foto nga Freepik

Grafitët në Prishtinë, në veçanti një që portretizonte presidenten Atifete Jahjaga, krijoi një skandal të madh. Aq sa, në një formë të praprecendent, ndaj grafiteve me presidenten reagoi edhe qeveria, duke cënuar rëndë lirinë e shprehjes. Po vazhduam me këtë avaz, duke reaguar ndaj portretizimeve të liderëve politikë, shumë shpejt Kosova do të përfundojë si Turqia e Erdoganit, ku edhe karikaturistët përfundojnë në burg nën akuza të “cënimit të dinjitetit të presidentit”.

Por, po e lëmë këtë çështje mënjanë. Ajo që është njëkohësisht i çuditëm, është reagimi i njëtrajtshëm edhe ndaj grupeve të shoqërisë civile e figurave të ndryshme publike, ndaj grafiteve për presidenten, nën akuzën se ato janë seksiste, dhe janë bërë me qëllim të poshtërimit të presidentes në baza gjinore.

Të përkujtojmë, grafiti portretizon një trup femëror me veshje minimale që provokon seksualisht, me fytyrën e Atifete Jahjagës me kapelë policore. Ky, sipas kritikëve, përfshirë Rrjetit të Grupeve të Grave të Kosovës (RrGGK), grup përndryshe të njohur për angazhimin për të drejtat e grave, ishte sulm ndaj presidentës në baza seksiste.

Të nisim nga përkufizim i seksizmit. Po e huazoj një definicion të gjerë, të marrë nga “Enciklopedia e Mendimit Feminist”, me botim nga Routledge (Londër, 2000). Sipas këtij përkufizimi (në përkthim të lirë), “Seksizmi është term i sajuar gjatë 1960-ave për të përshkruar aranzhmane shoqërore, politika, gjuhë dhe praktika të zbatuara nga burra ose gra që shprehin një mendim sistematik, dhe shpesh të institucionalizuar, se burrat janë superiorë, gratë inferiore”.

Çfarë e bëri grafitin seksist? Në reagimin e tyre, RrGGK e quan grafitin seksist pa saktësuar çfarë nga përmbajtja e bën atë të tillë, mbase duke llogaritur se një gjë e tillë është evidente (?). Agon Maliqi në faqet e Sbunkerit e quan seksist sepse grafiti “e portretizo[n] presidenten të zhveshur, duke i shfaqur tiparet e seksit të saj, që s’kanë lidhje me punën të cilën ajo e bën”. Grafiti “nuk ishte gjykim dhe kritikë për gabimet e saja në punë, por e vuri në qendër të thumbimit gjininë e saj”. Hajrullah Çeku në Facebook deklaroi se “Graffiti me Presidentën, në përmbajtjen e tij asht produkt i mendësisë patrarkale, për atë se ekspozimin e trupit e përdor si mjet për poshtnim publik të gruas”. Sipas Eli Krasniqit, gjithashtu cituar nga Facebook-u “Grafiti ju thote grave politikane, grate qe jane ne publik – shut the fuck up. Asht riporodhim tutje i imazheve per grate ne publik ne politike, per mos me u marre seriozisht. Asht me ju thane: asht territor i burrave politika”.

Ka dy forma të leximit të grafitit. Leximi i parë është: grafiti shfaq presidentën Atifete Jahjagën me trup fëmror dhe të seksualizuar. Ky është leximi dominant i kritikëve të përmbajtjes së grafitit, disa nga të cilat u cituan më lartë. Grafiti ka për qëllim (sipas këtyre kritikëve) denigrimin e presidentës në baza seksuale/seksiste. Grafiti e paraqet presidentën e zhveshur, duke provokuar seksualisht, sepse, sipas kritikëve, ky është funksioni i gruas në një shoqëri patriarkale (t’i bëjë shërbime seksuale burrave). Me një fjalë, presidentja është e padenjë për të qenë presidente vetëm pse është grua. (Nuk mohoj se një bindje e tillë ndahet nga një pjesë e mirë e shoqërisë kosovare.)

Mirëpo, ekziston edhe një lexim tjetër i grafitit. Ky lexim nuk niset nga personazhi i presidentës, por nga vetë shfaqja e seksualitetit femëror. Në këtë lexim, ndajmë veçantinë (personin e Jahjagës) nga universalja (trupi seksual femëror). Në të vërtetë, pikërisht ky është leximi i saktë gjinor (ose feminist) i grafitit, sepse gjinia ka të bëjë me kategori (gra dhe burra), jo me individë (një burrë i caktuar, një grua e caktuar, aq më pak me personin e një zyrtareje të lartë shtetërore). Pra, nga një lexim i ngushtë dhe politik i grafitit (presidentja sulmohet në baza gjinore), dalim në një lexim gjinor të grafitit (trupit femëror i vihet portreti i një zyrtare të lartë publike). Sipas meje, leximi i parë mund të jetë seksist vetëm në një lexim të ngushtë i cili paradoksalisht nuk sfidon, por riafirmon vlerat patriarkale për trupin femëror. Leximi i dytë, jo që nuk është seksist por përkundrazi, në një kontekst patriarkal, është radikal dhe emancipues. Dyja këto argumente do t’i shtjelloj në vijim.

Do të nisem nga leximi i dytë. Nëse leximi fillon nga trupi i seksualizuar femëror, atëherë pyes kritikët: a është turp shfaqja e trupit femëror? A është turp seksualiteti femëror? A ka të drejtë një grua ta shpreh hapur seksualitetin e saj? (Kjo është pyetje retorike, marrë parasysh estradën kosovare ku seksualiteti eksploatohet pamëshirshëm). Sipas një leximi, grafiti e paraqitte Jahjagën si prostitutë, kurvë. Por a është çdo shprehje e seksualitetit femëror, kurvëri? (Dhe a nuk është kjo pikërisht një akuzë e bërë nga një pozitë patriarkale, maskuliniste?) Po gjykoj se një numër i madh i kritikëve të grafitit, edhe ata të cituar më sipër, do të pajtoheshin se seksualiteti femëror nuk është diçka për t’u turpëruar, nuk është diçka që meriton stigmatizim dhe nuk është “kurvëri”. Në fakt, trajtimi i trupit femëror si të tillë përkon plotësisht me kodeksin moral patriarkal mbi trupin femëror, përfshirë seksualitetin e saj, si pronë e burrit. Grafiti prandaj ishte ofendues jo ndaj trupit seksual (femëror) të presidentës, por sepse cënonte vlerat morale patriarkale që kërkojnë që seksualiteti i gruas të mbetët i fshehtë dhe trupi i gruas të mbetet i mbuluar. Me një fjalë, në një lexim të saktë feminist (çfarë po e pretendoj unë), shfaqja e trupit seksual të presidentës është akt radikal, sepse tregon se edhe presidentja (si grua) ka trup (femëror, seksual) i cili mund të ekspozohet (simbolikisht) haptazi në shkelje të drejtpërdrejtëtë normave patriarkale për seksualitetin e gruas. Aq më tepër që këtë shkelje nuk e bën një trup “i rëndomtë” femëror, por një trup femëror i pushtetshëm çfarë është ai i presidentës (dhe në grafit, mesazhi i pushtetshmërisë sikur përforcohet nga paraqitja me kapelë policore). Ky element i fundit është kyç – seksualiteti i trupit femëror këtu nuk paraqitet në një pozitë të inferiore e të dominuar nga mashkulli, por në një pozitë autoriteti – seksualiteti femëror nuk nënshtrohet, por urdhëron!

Kritikët mund të thonë, mirë, ky është lexim valid, por nuk është lexim i cili do ta bëjnë shumica e konsumatorëve të grafitit e as nuk e reflekton qëllimin e autorëve. Shoqëria kosovare është patriarkale dhe si rrjedhojë, grafiti nuk mund të ketë lexim tjetër pos një sulmi të drejtpërdrejtë ndaj presidentës në baza gjinore.

Edhe ky lexim, sipas meje, është i pasaktë. Ky lexim, siç theksova më lartë, është politik – grafiti përçon një mesazh politik, është i dezajnuar si sulm politik kundër presidentës. Mangësia e këtij leximi është se nuk veçon presidentën si presidente dhe presidentën si grua. Sipas atyre me mendësi idiote e primitive, presidentja është e padenjë sepse është grua. Nuk mohoj se ekzistojnë bindje të tilla, as se dikush do ta kuptojë kështu mesazhin e grafitit (siç e kuptuan, paradoksalisht, edhe kritikët me ndjeshmëri “feministe”). Është idiot mendimi se presidentja është e padenjë vetëm pse është grua, por nuk i bën nder as mbrojtja politike e presidentës vetëm pse është grua. Ky qëndrim e redukton Atifete Jahjagën në një viktimë. Atifete Jahjaga ndërkaq, është grua, por nuk është viktimë dhe, për më tepër, ushtron në vazhdimësi, nga pozita e saj e pushtetshme, agjensën, vullnetin e saj politik. Trajtimi i saj si viktimë (e dobët, e pafuqishme, e ndjeshme etj.) përbën një trajtim të saj sipas kritereve të ideologjisë patriarkale mbi gruan dhe kërkon që, politikisht, ajo të veçohet dhe të vlerësohet ndryshe nga të tjerët (burrat), pra, si disi më mangët se ata. Fakti që presidentja është grua nuk është tregues i mjaftueshëm i natyrës së vullnetit politik të saj. Aq më tepër se dobësia politike e një figure si Atifete Jahjaga nuk rrjedh medoemos nga fakti pse është grua.

Këtu gabon leximi politik i grafitit: një lexim feminist i grafitit do të ishte se, nëse grafiti ka pasë qëllim ta denigrojë Jahjagën presidente si grua, ai ka dështuar. Ngarendja për ta dënuar “seksizmin” e grafitit vetëm riprodhon pikërisht atë lloj gjykimi patriarkal për presidenten grua që kjo kritikë synon ta dënojë. Ani sidomos intervenimi i RrGGK për ta “mbuluar” trupin (e turpshëm, seksual) të Jahjagës me ngjyrë nuk ishte asgjë tjetër pos inskenim i një akti patriarkal: mb’lohu se marre! Në këtë rast, RrGGK ka vepruar si agjentja më efikase e afirimimit, mirëmbajtjes dhe riprodhimit të moralit seksual patriarkal. Mb’loje presidentën se marre!

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.