Përderisa miqtë e besueshëm i bashkohen radhëve të predatorëve, është koha për të qenë më të vendosur – fuqia e butë nuk kryen më punë.
Gjatë kthimit të tij ngadhënjimtar nga mërgimi në prill të 1917 për të marrë drejtimin e revolucionit rus, Vladimir Lenini u nis për në Suedi me një traget nga Sasnici, qyteti i vogël bregdetar baltik në verilindje të Gjermanisë, para se të merrte trenin për në stacionin e Finlandës në Petrograd, qyteti i cili më vonë u bë Leningrad dhe që tash quhet Shën Petersburg. Momenti i Sasnicit në vëmendjen historike është kalimtar. Por tash, falë miqve të ngathët të Donald Trump-it, qyteti është kthyer në qendër të vëmendjes.
Treshja e senatorëve republikanë – Ted Cruz, Tom Cotton dhe Ron Johnson – po kërcënojnë Sasnicin, zyrtarët e saj dhe banorët, të cilët fitojnë bukën e gojës nga porti, me ndëshkime të tmerrshme. Për fat, tre kukullat e Trump-it duket sikur nuk e kanë idenë për rolin e Sasnicit në ngritjen në pushtet të liderit bolshevik. Ankesat e tyre kanë të bëjnë me lidhjet e sotme tregtare të qytetit me Rusinë dhe me projektin gati të përfunduar të gazsjellësit të Baltikut Nord Stream2.
Në një letër të jashtëzakonshme në korrik të këtij viti, tre senatorët pretendojnë se gazsjellësi që importon gazin natyror rus në Evropë përmes Gjermanisë, përbën “kërcënim të madh” për sigurinë e SHBA-së. Nëse Sasnici nuk do tërhiqej menjëherë, thonë ata, sakaq do të pasojnë “sanksione të rënda ligjore dhe ekonomike” që mund të jenë “fatale” për ekonominë e rajonit. Firmat, aksionarët dhe punëtorët e Sasnicit do të ballafaqohen me ngrirje asetesh e ndalime udhëtimesh me urdhër të qeverisë amerikane, ngjashëm me Korenë e Veriut e Iranin.
SHBA-ja e kundërshton që një kohë Nord Stream 2, duke thënë se kjo do ta shtonte varësinë e Evropës në Rusinë. Berlini nuk i ka pranuar pretendimet e tilla, duke thënë se vetë i përcakton politikat kombëtare, në bashkërëndim me BE-në. Ndërhyrja e Cruz-it dhe miqve të tij arrogantë e ka kthyer këtë çështje në një tjetër konfrontim të ashpër mes SHBA-së dhe Evropës.
Siç mund të pritej, në Sasnic e më gjërë kanë reaguar me zemërim të madh. Amerikanët akuzohen se po e trajtojnë Gjermaninë më shumë si armik, ose koloni, se sa si aleat. Ministri i jashtëm Heiko Mass tha se sjellja e tillë tregon “mosrespekt” ndaj të drejtave dhe sovranitetit evropian. Shefi i politikës së jashtme të BE-së Josep Borrell, shprehu “brengosje të madhe rreth përdorimit të sansksioneve, ose kërcënimit për sanksione, ndaj firmave dhe interesave evropiane nga ana e SHBA-së”.
Marrëdhëniet e kancelares Angela Merkel me Trump-in veçse kanë qenë të akullta pas një përvoje të ofendimeve presidenciale dhe, së fundmi, vendimit të tij përvers që të tërheqëd trupat amerikane nga Gjermania – që është element kyç i mbrojtjes së NATO-s përball Rusisë. Tash ky mospajtim rrezikon të rindezë në shkallë edhe më të gjërë inatet rreth luftërave të Trump-it me tarifat, mohimin e krizës klimatike, dhe orvatjeve për të pëçarë BE-në duke i nxitur shtetet lindore konservatore.
Bullizmi dhe intimidimi amerikan i miqve të vjetër në vend të bindjes së arsyeshme u vu në pah edhe njëherë në raport me Iranin. Sanksionet sekondare amerikane kanë dëmtuar tregtinë e kompanive evropiane me Tehranin por kanë dështuar deri më tash që të prishin përkushtimin gjermano-franko-anglez për marrëveshjen nukleare të vitit 2015 të hedhur poshtë nga Trump-i. Pra kur SHBA-ja u orvat të rivendoste sanksionet Iranit në Kombet e Bashkuara, ajo u kundërshtua me vrull.
Ministri i jashtëm Mike Pompeo reagoi me nervovizëm tipik trampian. Evropa po “merrte anën e ajatollahëve,” u hakërrye. Ambasadorja e SHBA-së në KB Kerlly Craft, qe po aq ofenduese, duke akuzuar në mënyrë absurde aleatët më të fuqishëm amerikanë se “po rrinin në shoqërinë e terroristëve”. Fakti se politika e Trumpit ndaj Iranit pati dukshëm efektin e kundërt, duke shtyrë Lindjen e Mesme buzë luftës, dhe Iranin më afër armëve nukleare, duket se nuk paraqet ndonjë rëndësi.
Ndërkaq, ministri i jashtëm britanik Dominic Raab ishte në Jerusalem në gusht, duke u përpjekur trimërisht që të kthente në tavolinë zgjidhjen dy-shtetëshe për Izraelin dhe Palestinën, pasi që Trump- dhe kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu bënë çmos për ta groposur atë opsion. Në vend të kësaj, ai u turpërua publikisht nga Netanyahu dhe ministrat e tij për raportin me Iranin. Kjo ishte e pasjellshme dhe harbute. Për fat të keq, sjellja e tyre e pahijshme pasqyron edhe jorelevancën e Britanisë.
Arritja e zgjidhjes dyshtetëshe është një tjetër aspekt ku ka mospajtime të mëdha mes SHBA-së dhe Evropës. Vështirësi të mëdha ka edhe në çështje të tjera të rëndësisë së madhe. Përkundër dëshirës që të “shpëtojë” Evropën nga rusët (dhe t’i shesë gaz të shtrenjtë nga vendlindja e Cruz-it Teksasi), pushteti i Trump-it ka shfaqur një mungesë konsiderate për hallin e Alexei Navalny-it, aktivistit të helmuar të opozitës ruse.
Në daç konfliktet në Ukrainë, Siri dhe Libi, a kryengritjet në Bellorusi, Trump-i ka bërë çmos që të shmangë zemërimin e presidentit rus Vladimir Putin-it, të cilit duket se i bindet verbërisht. Këto janë çështje të rëndësishme që ndikojnë në sigurinë, prosperitetin dhe parimet e Evropës, ndërkaq ajo çfarë pritet nga Amerika e Trump-it është veç një solidaritet i zbehtë, e me raste edhe krejt e kundërta.
Çfarë të bëhet? Udhëheqësit e BE-së mund të shpresojnë se Joe Biden do të fitojë në nëntor. Por çka nëse Trump-i ngadhënjen përsëri? Evropa mund të presë sanksione të tjera, budallallëk vetjak si zëvendësim për politikën e jashtme të dikurshme amerikane. Ajo do të ballafaqohej me një president armiqësor, në veçanti ndaj Gjermanisë, përbuzës ndaj BE-së në përgjithësi, dhe të lirë që të përmbushë në plotni instinktet e tij destruktive. NATO-ja dhe aleanca transatlantike mund të shkatërrohet përfundimisht.
Edhe po të shmangët kjo tash për tash, mundësia e një makthi të tillë në të ardhmen është argument i mjaftueshëm për të forcuar aftësitë e sigurisë, ushtarake dhe teknologjike të Evropës – dhe mbrojtjen e saj karshi shantazheve ekonomike e financiare të tipit të Sasnicit. Presidenti francez Emmanuel Macron bën thirrje për integrim, ambicie dhe urgjencë më të madhe të BE-së, por Merkel dhe të tjerët hezitojnë. Megjithatë, siç thotë Sophia Besch nga Qendra për Reforma Evropiane, Evropa duhet të jetë në gjendje të mbrojë interesat e veta gjeopolitike.
Quajeni “autonomi strategjike”. Ose thjesht mbijetesë. Në një botë ku miqtë e dikurshëm iu bashkohen radhëve të predatorëve, fuqia e butë nuk kryen më punë.
Evropa nuk do të frenojë dëmet e lojtarëve të mëdhenj globale përderisa nuk bëhet vetë e tillë. Evropianët duhet të bëhen bashkë. Çfarë tragjedie që Britania zgjodhi këtë moment të rrëzikshem për t’u larguar.
***
Artikulli origjinal në The Guardian.
***
Ky artikull mbështetet nga “Sbunker” përmes projektit të financuar nga Ambasada Amerikane. Mendimet e shprehura këtu janë të autorëve dhe jo medoemos pasqyrojnë qëndrimet e Departamentit të Shtetit.